“Teksa i thoje atij që Allahu kishte bekuar, kishe bekuar edhe ti: “Mbaje pas vetes gruan tënde dhe druaju Allahut”, fshihje në veten tënde atë që Allahu do të zbulonte. Ti i frikësoheshe njerëzve, po Allahu e meriton më shumë t’i frikësohesh” (El-Ahzab 33, 37).
Personi i bekuar të cilit i referohet ajeti është Zejd ibën Haritha, të cilin Allahu e bekoi duke e udhëzuar në Islam, kurse Profeti ﷺ e bekoi duke i dhënë lirinë nga skllavëria dhe duke e birësuar si djalin e tij. Më vonë, Profeti ﷺ kërkoi dorën e vajzës së hallës së tij Zejneb bint Xhahsh për Zejdin. Tabariu dhe Ibën Kethiri transmetojnë se Zejnebi e refuzoi fillimisht këtë martesë. Ajo vinte nga një familje fisnike kurejshite, ndërsa Zejdi ishte një ish-skllav.

Për më tepër, kur Profeti ﷺ u shfaq me propozim martese, Zejnebi dhe vëllai i saj ‘Abdullah bin Xhahsh menduan se ai kishte ardhur ta kërkonte për veten e tij. Ndërkohë që Profeti ﷺ ngulmonte që ajo të pranonte propozimin për Zejdin, Zoti zbriti ajetin 36 të sures Ahzab, drejtuar vëllait të Zejnebit dhe asaj vetë:

“Nuk i takon një besimtari, dhe as një besimtareje, e drejta e zgjedhjes për një çështje pasi Allahu dhe i Dërguari i Tij të kenë vendosur për të”.
Pas zbritjes së këtij ajeti, Zejnebi dhe vëllai i saj u paqtuan për martesën me Zejdin.

Martesa mes Zejdit dhe Zejnebit nuk kaloi pa probleme dhe Zejdi vendosi më në fund të divorcohej prej saj. Tirmidhiu dhe Bejhakiu transmetojnë se kur Zejdi shkoi te Profeti ﷺ dhe u ankua për të, sepse ajo mbahej me të madh para tij për shkak të prestigjit të saj, i vendosur për të divorcuar Zejnebin, ai i tha: “Mbaje pas vetes gruan tënde dhe druaju Allahut”. Megjithë këshillën e Profetit ﷺ, Zejdi e divorcoi Zejnebin dhe ajo u martua me Profetin ﷺ pas zbritjes së ajetit 37 të sures Ahzab:

“Kështu, kur Zejdi e plotësoi nevojën e tij me të, atë e martuam me ty në mënyrë që besimtarët të mos trazohen nëse martohen me gratë e djemve të tyre të birësuar, pasi ata të kenë hequr dorë prej tyre”.
Sa i takon asaj që fshehu në vete Profeti ﷺ, Ibën Kethiri është i mendimit se ajo përkon me informimin i tij nga ana e Zotit se Zejnebi do të bëhej gruaja e tij përpara se ai të martohej me të. Kur Profeti ﷺ i thoshte Zejdit: “Mbaje pas vetes gruan tënde”, me anë të shpalljes Zoti i la të kuptojë se Ai e kishte njoftuar ndërkohë që ajo do të bëhej gruaja e tij dhe ky fakt do të zbulohej prej Zotit.

Urtësia e kësaj martese qëndronte në largimin e trazimit shpirtëror prej besimtarëve që do të dëshironin të martoheshin me ish-gratë e djemve të tyre të birësuar, pasi ato të ishin divorcuar prej tyre. Sipas zakoneve të arabëve të kohës para-islame, ish-gratë e djemve të birësuar konsideroheshin njësoj si ato të djemve biologjikë. Zoti në Kuran e shfuqizoi këtë normë nëpërmjet shembullit të martesës së Profetit ﷺ me Zejnebin, ashtu sikurse shfuqizoi thërritjen e fëmijëve të birësuar me emrin e familjes birësuese në vend të emrit të familjes biologjike:

“Allahu nuk i ka bërë … fëmijë tuajët ata që ju i pretendoni si të tillë. Kjo është vetëm një fjalë që del prej gojës suaj … Thërritini ata sipas etërve të tyre. Kjo është më e drejtë tek Allahu“ (El-Ahzab 33, 4-5).
Aq i rëndë ishte ky episod për Profetin ﷺ, sa ai do të kishte dashur që të tjerëve të mos u ishte bërë e ditur çështja që ai fshehu në vete dhe qortimi i tij nga ana e Allahut. Buhariu transmeton nga Enes bin Malik dhe Tirmidhiu transmeton nga ‘Aisha se, nëse Profeti ﷺ do të kishte fshehur diçka nga shpallja, do të kishte fshehur ajetin 37 të sures Ahzab. “Qortimi nuk erdhi vetëm si pasojë e fshehjes, por për shkak të fshehjes nga frika e fjalëve të njerëzve dhe shfaqjes nga jashtë të të kundërtës së asaj që fshihej. Më e udhës në një rast të tillë do të kishte qenë të heshtej, ose çështja të lihej në dorën e Zotit” (‘Abddullah el-Bejdauij).

Frika e Profetit ﷺ lidhej me komentet që do të bënin njerëzit pas martesës së tij me Zejnebin. Ai druhej se mos njerëzit do të thonin “u martua me gruan e djalit të tij” (Ibën Haxhar el-‘Askalani), e për këtë arsye do ta kundërshtonin dhe kritikonin (Uehba ez-Zuhajli), do ta përqeshnin (‘Abddullah el-Bejdauij) dhe do ta bënin t’i vinte turp (Muhammed esh-Sheukani). “Fraza “po Allahu e meriton më shumë t’i frikësohesh” nuk tregon se Profeti ﷺ iu frikësua njerëzve dhe nuk pati frikë prej Allahut, por nënkupton se Allahu e meritonte më shumë t’i frikësohej vetëm Atij dhe të mos i frikësohej askujt tjetër bashkë me Të. Ndërkohë, ai i frikësohej Atij dhe njerëzve po ashtu, prandaj Zoti i kërkoi ta bënte të gjithë frikën vetëm për Të” (Fakhr ed-Din er-Razi).

Për shkak të vështirësisë së natyrshme njerëzore në bërjen publike dhe zbatimin e praktikave fetare që janë në kundërshtim me normat e shoqërisë, Zoti e mbyll pasazhin e ajeteve që trajtojnë martesën e Profetit ﷺ me Zejnebin duke lavdëruar Profetin Muhamed ﷺ dhe Mesazherët e Tij të tjerë,

“të cilët kumtojnë mesazhet e Allahut dhe i frikësohen Atij, e nuk i frikësohen askujt përveç Allahut. Dhe Allahu mjafton si Llogaritës” (El-Ahzab 33, 39).


Nga ajeti dhe komentimet rreth tij mund të nxirren përfundimet e mëposhtme:

– Përderisa edhe Profeti ﷺ pati frikë dhe turp nga kryerja e një veprimi të lejuar fetarisht dhe pati frikë prej çfarë do të thonin dhe mendonin njerëzit, ato janë emocione që mund t’i ketë çdo besimtar, aq më tepër besimtarët e kohëve të sotme që përballen çdo ditë me një presion të vazhdueshëm shoqëror për çrrënjosjen e praktikimit të besimit në sferën publike. Pasja e frikës dhe turpit nga njerëzit për shkak të praktikave fetare nuk tregon mungesë apo dobësi besimi, por thjesht një reagim të natyrshëm emocional.


– Normat e pranuara nga një shoqëri ushtrojnë mbi njerëzit një trysni reale dhe të prekshme. Ato kanë të njëjtin efekt emocional, si mbi jomuslimanët, edhe mbi muslimanët. Me ndryshimin e kohëve dhe vendeve, ndryshojnë edhe format e presionit shoqëror të cilat ushtrojnë trysni mbi praktikat fetare të besimtarëve. Në çdo rast ato duhen marrë në konsideratë duke shfaqur empatinë e nevojshme me besimtarët, të cilët hasin vështirësi në zbatimin e fesë për shkak të praktikave që bien ndesh me normat shoqërore mbizotëruese.


– Shtysa e vetes për të fshehur praktikat dhe identitetin fetar për shkak të paragjykimeve të njerëzve është një prirje e natyrshme e saj, ashtu sikurse Profeti ﷺ fshehu në vete dhe nuk e bëri publik lajmin e sigurt se do të martohej me Zejnebin në një të ardhme të afërt, apo kur ndjeu përbrenda dëshirimin që të mos kishte zbritur një ajet që e nxirrte në pah fshehjen nga ana e tij të këtij fakti.


– Emocionet e frikës dhe të turpit nuk mposhten duke i ndrydhur ato, por duke ia njohur vetes si reagime të natyrshme në situata të caktuara, sepse Zoti i Lartësuar ia njohu ato si legjitime edhe Profetit të Tij ﷺ.


– Mposhtja përfundimtare e frikës dhe turpit prej njerëzve arrihet duke qenë të vetëdijshëm për plotfuqinë e Zotit dhe duke sjellë ndërmend se vetëm prej Atij duhet patur turp dhe vetëm prej dënimit të Tij duhet patur frikë.


– Ndonjëherë feja mund t’i rëndohet muslimanit, aq sa të dëshirojë edhe vdekjen. Profeti ﷺ ka parathënë në një hadith të transmetuar nga Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu se do të vijë një kohë kur mbajtja e fesë do të jetë si mbajtja e thëngjillit në dorë. Edhe Merjem dëshiroi të kishte qenë e vdekur më mirë se sa të përballej me akuzat e izraelitëve kur ta shihnin me një fëmijë të porsalindur në krahë. Megjithatë, Zoti i ka bërë të pranueshme pasojat e sprovave për besimtarët, sepse nëpërmjet tyre i bën dëshmitarë të Tij në tokë dhe u lartëson gradat në shpërblimin e amëshueshëm.

Marr nga: brendesitekuranit.com – Përgatiti: Gerdi Demneri