O ju besimtarë! Po t’i thuhej ndokujt prej nesh; Ky është Ramazani i fundit për ty! Nuk do ta arrish Ramazanin tjetër! Vallë, çfarë ai do të vepronte? Si do t’i priste këto ditë? A do kishte braktisur namazin me imam? A do kishte dalur nga xhamia pa i falur sunetet e namazeve? A do kishte mbetur në llogarinë e tij bankare pasuri të tubuar, nga e cila nuk e ka nxjerrur zeqatin? A do ishte koprrac e të mos i jep të drejtën meritorit?
Assesi! Por, do e shihje se si ai garon gjatë ditës e natës të mos i kalon shansi, do të kishte dhënë mundin maksimal, do kishte lexuar sa do të mundte nga Kurani, do të ishte lutur, do të përmendte Allahun, do të kërkonte falje prej Tij, do ishte i kujdesur për farzet, do të kishte braktisur të gjitha mëkatet, të këqijat dhe veset, e çdo ditë të Ramazanit do ishte më e mirë tek ai se ajo që ka kaluar.
Shumë prej nesh, për shak shpresës së pafundme, nuk e paramendojmë se ne mund të jemi ky personi të cilit nuk i vije Ramazani herën tjetër,mirëpo kjo është një e vërtetë, që çdo secili prej nesh do e arrijë “e askush nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdes”. Llukman, 34.
“Çdo qenie e gjallë do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kijametit, dhe kushdo që largohet nga zjarri i xhehenemit (skëterrës) dhe hyn në xhennet, ai ka arritur atë që ka dëshiruar. E, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” Ali Imran, 185.
Po, o robër të Allahut, pasha Allahun, ne nuk e dimë se nesër çfarë do të bëjë Allahu me ne, por atë që e dijmë të gjithë dhe nuk dyshojmë në të është se nuk kemi garancë se ne do e përfundojmë këtë muaj, e për më tepër të arrijmë Ramazanin tjetër. Po, pasha Allahu, do të vije Ramazani tjetër për dikë prej nesh, por vetëm se ai të jetë i mbulur me dhe, i ndarë nga familja e të dashurit e tij, i ndarë nga mundësia për të vepruar, është prerë për të mundësia e shpresës, është larg çdo gjëje që mund t’i bëjë dobi, pos atë që e mëshiron Allahu, e të ketë një lutje nga një i gjallë që e ka dashur, apo një lëmoshë i një bëmirësi që i arrin atij, apo ndonjë lëmoshe rrjedhëse, që ai e ka mbjellur me dorën e tij kur ka qenë shëndosh e gjallë.
O ju musliman, o ju agjërues! Ja na erdhën dhjetë ditët e fundit, të cilat janë netët më të mira të këtij muaji, aty është nata e kadrit, “e çfarë di ti se ç‘është nata e kadrit, nata e kadrit është më e mirë se një mijë muaj”
Po, o ju musliman, një natë e bekuar në dhjetë netën e ndriçuara, duhet që të jep mundin muslimani në ato netë, me sinqeritet ndaj Zotit, duke vepruar mirë, duke shpresuar, i penduar, i kthyer kah Allahu, e kështu i dhurohet me mëshirën e Allahut shpërblimi i më shumë se tetëdhjetë e tri viteve adhurim të pandalë, a ka shpirt që dëgjon këtë e pastaj bëhet përtac? Cili musliman bindet në këtë e më pas bëhet neglizhent?
Është e vërtetë se nuk është natë e caktuar, por që është në dhjetë netët e fundit, s’ka dyshim, i dërguari, salAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Mua më është treguar nata e kadrit, pastaj (Allahu ka dashur që) kam harruar, andaj kërkonie në dhjetëshin e fundit në netët tek.” Buhariu dhe Muslimi.
Një musliman që arrin të jetë i suksesshëm në dhjetëshin e fundit vetëm se do e arrijë edhe natën e kadrit, dhe pasha Allahun kjo nuk është një gjë e vështirë e as e pamundur, por ka nevojë për ambicie, vullnet të vazhdueshëm, duke llogaritur shpërblimin, dhe duke bërë durim, e të kërkojë prej Allaut t’i jep sukses. E kush e injoron, apo shkujdeset, preokupohet e dembelohet, nuk ka humbje e privim më të madh se kjo.
Enes ibn Maliku, radijallahu anhu, ka thënë: “Erdhi muaji Ramazan, e i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Muaji i Ramazanit ju erdhi, aty është një natë më e vlefshme se një mijë muaj, kush privohet prej saj është i privuar nga çdo mirësi, e nuk privohet nga mirësia e saj përpos një i priviar në tërësi.” E transmeton ibn Maxhe, Shejh Albani e ka vlerësuar të mirë (hasen).
O ju musliman, Allahu e ka përshkruar natën e kadrit se është e bekuar, dhe ka thënë: “Ne e kemi zbritur atë në natën e bekuar.” E si jo, kur Allahu e ka zbritur në atë natë librin më të bekuar?! E si të mos jetë e bekuar kur ajo është më e mirë se një mijë muaj?! Si të mos jetë e bekuar kur në atë natë zbresin melaqet e me ta edhe Xhibrili, alejhi selam?! Si të mos jetë natë e bekuar kur ajo natë është paqe e shpëtim deri në mëngjes, shpëton besimtari nga dënimi e ndëshkimi me adhurimet, lutjet dhe shpresat që i kanë për Allahun e tyre?!
Si të mos jetë e bekuar, kur i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka informuar që ai që falet në këtë natë me besim në Allahun dhe shpreson shpërblimin e Tij, i falen mëkatet e mëhershme?
Vërtetë, është nata e kadrit, një shansë e jetës, duhet që një musliman të mos e le ti ikë, apo të bëhet neglizhent ndaj saj, se ndoshta nuk i mundësohet atij në këtë jetë të arrin edhe një natë tjetër si kjo.
I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, të cilit i ishin falur mëkatet e mëhershme e ato të mëvonshme, jepte maksimumin në dhjetë ditët e fundit, përdallim prej ditëve tjera, e shtrëngonte izarin e tij, e ngjallte natën dhe e zgjonte familjen, e si duhet të jetë halli i jonë, halli i mëkatarve dhe gabimtarëve?!
Ne jemi më të nevojshëm që të japim mundin, të lutemi, e t’i afrohemi mëshirës së Allahut.
Shfrytëzoni këto orë të vlefshme që kalojnë shpejtë po si retë, shpeshtoni thënien: O Allah Ti je Falës, e do faljen, më fal Mua.”, siç ka porositur i dërguari sal-Allahu alejhi ve selem, Aishen, radijallahu anha, e cila e ka pyetur,: Nëse unë e arrij natën e Kadrin, çfarë të them.” I ka thënë: “Thuaj; O Allah Ti je Falës, e do faljen, më fal Mua.” E transmeton Tirmidhiu, Shejh Albani e vlerësoi të vërtetë (sahih).
Përktheu: Shpend Zeneli
Burimi: albislam.com