Përgjegjësia e Hytbeve
Në biografinë e prijësit Abdulmelik bin Mer’uanit – Allahu e mëshiroftë – thuhet:
“I është thënë Abdulmelik bin Mer’uanit: Je thinjur shpejt!
Ai i është përgjigjur: Si të mos thinjem kur unë çdo ditë Xhumaje e ekspozoj mendjen time para njerëzve.”
(Shih librin Sijer Ealam En-Nubela: 4/248)
Sqarime
Abdulmelik bin Mer’uani – Allahu e mëshiroftë – është një prijës i hershëm i myslimanëve, i cili ka sunduar nga viti 65 deri në vitin 86 sipas Hixhrit, një periudhë që bën pjesë te tre brezat e begatë të Islamit të njoftuar nga Profeti – alejhi selam. Përveç detyrës së prijësit, ai kryente edhe ligjërimin e ditës së Xhuma, një detyrë që e preokuponte shumë, çka bëri që të thinjet shpejt dhe të ndërrojë jetë në moshën 60 vjeçare.
Dobitë e Përfituara
- Hatibi është këshillues për njerëzit dhe prej tij kërkohet të ligjërojë me fjalë të zgjedhura që përmbajnë dobi dhe ndikim. Gjithashtu, duhet të zgjedhë prej temave ato që u duhen besimtarëve, sepse Xhumaja është grumbullimi më i madh i myslimanëve.
- Hytbja reflekton logjikën e atij që ligjëron dhe është gjithashtu imazhi i tij. Prandaj, kushdo që dëshiron një imazh të mirë, duhet t’i kushtojë hytbes rëndësinë e duhur.
- Në epokën e artë të Islamit, prijësit kryenin edhe detyrën e këshillimit. Kjo tregon se ata kishin kulturë të gjerë fetare, sepse detyra e prijësit është të udhëheqë njerëzit sipas rregullave të Zotit. Nafiu, shërbëtori i Ibn Omerit – Allahu e mëshiroftë – ka thënë për Abdulmelikun kur ai ishte i vogël, para se të bëhej prijës:
“E kam parë në Medine; nuk ka pasur aty ndonjë djalosh më të vullnetshëm, më të dijshëm, më adhurues dhe më këndues për librin e Allahut sesa Abdulmeliku.”
Dr. Abdullah Nabolli