Zilia dhe mëria
Këto vese janë defekte të mëdha në rrugën e kërkimit të dijes dhe të bërit dijetar. Njeriu, të cilin e përcjellin këto vese në këtë rrugë, nuk mund të bëhet dijetar i famshëm e as i dobishëm për rrethin ku jeton dhe vepron.
Nëse i referohemi fjalorit të gjuhës shqipe do të vërejmë këtë sqarim për zilinë:
“ZILI f.
– Dëshirë e madhe për të pasur a për të arritur atë që ka a që ka arritur dikush tjetër;
– ndjenjë lakmie a keqdashjeje që na ngjallet kur shohim dikë tjetër më mirë se veten; smirë, resë, ndezë”. (Shiko: F.Sh.S, fq. 1515).
Kurse dijetarët islam kanë dhënë disa sqarime për këtë term fetar.
Shejhul-Islam Ibën Tejmiu, rahimehull-llah, thotë:
“Haset- Zili është: shpresa për largim të një begatie nga ai që ia ka zili edhe pse ziliqarit nuk i vjen një gjë e tillë, për dallim nga gibta- lakmi, që domethënë: të shpreson njeriu atë që e ka tjetri, duke mos dëshiruar që ti merret atij kjo e mirë.
Pas një analize të kësaj problematike del në shesh se zili domethënë:
Urrejtje dhe mllef për shkak të gjendjes së mirë në të cilën e sheh atë që ia ka zili”. (shiko: “Mekarimul-Ahlak”, fq. 240).
Kurse mëria, sipas fjalorit të gjuhës shqipe ka këtë kuptim:
“MËRI f. sh.
Inat e zemërim që kemi me një tjetër për arsye të ndryshme, sidomos pas ndonjë grindjeje, urrejtje për dikë; armiqësi. (Shiko: F.Sh.S, fq.778).
Kurse sipas dijetarëve të fesë mëria, hakdi është e metë që lind nga dy të meta, sepse është fryt i mllefit dhe prodhon zilinë, andaj te ky njeri mblidhen të gjitha të këqijat.
Imam Gazaliu, rahimehull-llah, duke sqaruar këtë defekt dhe të metë thotë:
“Nëse një njeri kur i detyrohet të ngulfat hidhërimin për shkak se nuk mund ti hakmerret, e akumulon brenda dhe i shndërrohet në mëri. Domethënia e hakdit, mërisë, është që për zemrën e këtij njeriut të jetë i rëndë, i urryer dhe i neveritshëm ai njeri, të vazhdon kjo gjendje dhe të mos përfundon. Mëria është rezultat i hidhërrimit”. (shiko: “Tehdhibu Ihjau Ulumud-Din”, 2/ 76).
All-llahu, azze ve xhel-le, duke folur për disa veti të hebrejëve me të cilat i kanë qelbur zemrat e tyre dhe janë manifestuar në gjymtyrët e tyre, ka thënë:
“A u kanë zili atyre njerëzve për atë që All-llahu u dha nga mirësitë e Tij? Ne u patëm dhënë pasardhësve të Ibrahimit librin e sheriatin dhe u patëm dhënë atyre pushtet të madh. Po disa prej tyre i besuan atij (Muhammedit), e disa e refuzuan. Për ta mjafton zjarri i xhehenemit”. (En-Nisa: 54- 55).
Imam Kurtubiu, rahimehull-llah, duke komentuar këtë ajet mes tjerash thotë:
“Zilia, haseti, është i qortuar dhe ky njeri do të jetë i zhytur në brenga.
Hasan Basriu, rahimehull-llah, ka thënë: “Skam parë zullumqar i cili i ngjan atij që i është bërë zullum, sikurse është rasti me hasetçiun, ziliqarin”.
Abdullah ibën Mesudi, radijall-llahu anhu, ka thënë: “Mos armiqësoni begatitë e All-llahut. I thanë: kush armiqëson begatitë e All-llahut? Tha: ata që ua kanë zili njerëzve begatitë që ua ka dhënë All-llahu. All-llahu, tebareke ve teala, në disa libra ka thënë: “ziliqari është armik i begative të Mia, i mllefosur në Përcaktimin Tim dhe nuk është dakord me Ndarjen Time”.
Dijetarët kanë thënë:
“Zilia është mëkati i parë që është paraqitur në qiell dhe në rruzullin tokësor. Në qiell djalli ia kishte zili Ademit, alejhisselam, kurse në tokë Kabili ia kishte zili Habilit. (Shiko: “El-Xhamiu LiAhkamil-Kuran”, 5/ 252).
QËNDRIMI I NJERËZVE NDAJ ATYRE QË ALL-LLAHU U KA DHËNË BEGATI
Zilia zakonisht vjen ndaj atyre që All-llahu u ka dhënë ndonjë begati dhe dhunti. Nëse All-llahu i ka dhënë ndokujt ndonjë begati, atëherë kemi dy qëndrime ndaj tyre:
Një: Ta urren këtë begati që ia ka dhënë All-llahu dhe të shpreson që t’i merret kjo begati. Kjo është zilia.
Dy: mos të urren këtë begati dhe mos të shpreson që t’i merret, mirëpo e dëshiron dhe lakmon edhe ky po të njëjtën begati. Kjo quhet gibta, lakmi.
Qëndrimi i parë sigurisht se është i ndaluar, kurse gara mes tyre nuk është i ndaluar, madje disa herë është i domosdoshëm, apo i pëlqyeshëm apo i lejuar.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën”. (El-Mutafifin: 26).
“Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhenetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit e tokës, i përgatitur për ata që i besuan All-llahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është dhunti e All-llahut që ia jep kujt të dojë, e All-llahu është dhurues i madh”. (El-Hadid: 21).
DALLIMI MES GARËS DHE ZILISË
Shumë herë njerëzit nuk dinë të bëjnë dallimin mes garës së lejuar dhe zilisë së ndaluar, sepse dallimi mes tyre është shumë preciz. Këtë dallim mund të mos e dinë edhe kërkuesit e dijes e të kenë zili mes tyre, duke e menduar si garë të lavdëruar mes tyre. Andaj na detyrohet të bëjmë sqarimin e dallimit mes këtyre dy veprimeve.
Garë është: nxitimi drejt plotësisë, të cilën e sheh te tjetri dhe shtyhesh me te që ta arrish apo t’ia kalosh. Kjo veti është e ndershme, tregon ambiciet dhe pozitën e lartë që ka njeriu.
Shokët e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, bënin gara mes tyre në vepra të mira dhe gëzoheshin kur merrnin pjesë në këso veprimesh, madje secili e shtynte tjetrin të merr pjesë në këto veprime.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“ju shpejtoni kah punët e mbara,”. (El-Bekare: 148).
“Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhenetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit e tokës, i përgatitur për ata që i besuan All-llahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është dhunti e All-llahut që ia jep kujt të dojë, e All-llahu është dhurues i madh”. (El-Hadid: 21).
Omeri, radijall-llahu anhu, shtyhej me Ebu Bekrin, radijall-llahu anhu, mirëpo asnjëherë nuk mund t’ia kalonte. Andaj edhe ka thënë: çdo herë që kam bërë garë me te asnjëherë nuk kam arritur t’ia kaloj.
Kurse zilia, haseti, është ves i poshtër dhe i qortuar. Njeriu që ka këtë ves nuk synon dhe nuk kujdeset për të mirën, andaj nga paaftësia dhe poshtërsia e tij ua ka zili atyre që bëjnë mirë dhe fitojnë lëvdatat e njerëzve, andaj shpresojnë që mos ti arrijnë këto gjëra që të bëhen të barabartë.
All-llahu, subhanehu ve teala, tregon zilinë e jobesimtarëve ndaj besimtarëve duke thënë:
“Ata dëshirojnë që edhe ju të mos besoni sikurse nuk besuan vetë dhe bëheni të njëjtë”. (En-Nisa: 89).
“Shumë ithtarë të librit (jehudi, krishterë) edhe pasi u është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale dëshiruan që pas besimit tuaj t’iu kthejnë në mosbesimtarë, “. (El-Bekare: 109).
Ziliqari është armik i begatisë dhe dhuntisë dhe shpreson eliminimin dhe zhdukjen e tij, kurse garuesi e shpreson këtë begati për vete dhe për atë me të cilin garon. Garuesi synon epërsinë ndaj tjetrit, ta arrijë atë apo t’ia kalon në vlera, kurse zilia dëshiron zmbrapsjen e tjetrit që të bëhen të barabartë në mangësi.
Shpirtrat e ndershëm dhe të pastër përfitojnë nga gara, andaj ai që bën qëllim të vetin arritjen e gradës dhe pozitës së njeriut me famë dhe nderë, kjo i bën shumë dobi në jetën e tij.
Këtë e ka pas për qëllim Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në hadithin e tij:
“Nuk duhet të ketë zili në asgjë përpos se në dy gjëra:
– Ndaj njeriut që All-llahu i ka dhënë Kur’anin dhe ai me te vepron gjatë ditës dhe natës;
– Ndaj njeriut që All-llahu i ka dhënë pasuri, të cilën e harxhon gjatë ditës dhe natës”. (Buhariu dhe Muslimi).
Ky haset që është përmendur në këtë hadith ka për qëllim garën dhe lakminë.
Imam Ibën Haxheri, rahimehull-llah, duke komentuar këtë hadith mes tjerash thotë:
“Sikurse ky hadith dëshiron të thotë: nuk ka lakmi më të madhe dhe më të mirë se sa lakmia për këto dy gjëra. Përkufizimi i lakmisë në këto dy gjëra është për shkak se adhurimet janë: trupore, financiare dhe të përbërë nga këto dy elemente. Aludoi në ato trupore me leximin e Kur’anit dhe veprimin sipas tij, kurse në atë financiare me pjesën e dytë të hadithit”. (Shiko: Fet’hul-Bari”, 1/200).
Shejhul-Islam Ibën Tejmiu, rahimehull-llah, duke e sqaruar këtë hadith ka thënë:
“Gara aspak nuk është e qortuar por është e lavdëruar në vepra të mira.
All-llahu, azze ve xhel-le, ka thënë:
“E s’ka dyshim se vepërmirët janë në përjetime e kënaqësi (në xhennet). Të mbështetur në kolltukë vështrojnë. Në fytyrat e tyre mund të kuptosh kënaqësinë e përjetimeve. U jepet të pinë pije në enë të mbyllura. Pije që në fund asaj i vjen era myshk! E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën”. (El-Mutafifin: 22- 26).
All-llahu i ka urdhëruar garuesit që të garojnë në këto begati e jo në begatitë e dynjasë kalimtare
Atij që All-llahu i ka dhënë post dhe vepron me dije dhe drejtësi, ua kthen amanetet njerëzve dhe gjykon mes njerëzve me Kur’an dhe Sunnet, ky njeri ka gradë shumë të madhe dhe është duke bërë një xhihad shumë të madh. Edhe muxhahidi është më i mirë se ai që shpërndanë pasurinë. Mirëpo këta dy kategori njerëzish, për dallim nga mësuesi dhe ai që shpërndanë pasurinë, zakonisht nuk kanë armik prej jashtë, e nëse u del karshi ndonjë armik, të cilin duhet ta luftojnë, kjo vepër vetëm se ia rit gradën. Për këtë shkak Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, edhe nuk ka përmendur namazliun, agjëruesin dhe haxhiun, sepse këto vepra zakonisht nuk u shkaktojnë aq dobi njerëzve, për të madhëruar dhe ngritur ata, sikurse ndodh me ata që merren me mësimdhënie dhe shpërndarje të pasurisë.
Zilia ndodh zakonisht ndaj atij që fiton post dhe publicitet, përndryshe nuk ka zili ndaj punëtorit të thjeshtë edhe në qoftë se kënaqet me ushqim, pije dhe martesë më shumë se tjerët. Për dallim nga këta, ndaj dy kategorive të sipërpërmendura njerëzit ushqejnë zili të madhe. Andaj ndaj dijetarëve që kanë pasues të shumtë ka më shumë zili se sa ndaj atyre që nuk kanë aq shumë pasues. E njëjta ndodh edhe me ata që shpërndajnë pasurinë dhe pasohet nga njerëzit për këtë gjë. I pari i ushqen zemrat e njerëzve, kurse i dyti trupin e tyre, e njerëzit kanë nevojë për që të dy këto kategori.
Andaj njerëzit e madhëronin shtëpinë e Abasit, sepse Abdullahi i mësonte njerëzit, kurse vëllau i tij i ushqente njerëzit.
Muaviu, radijall-llahu anhu, i shihte njerëzit duke e pyetur Abdullah ibën Omerin për çështjet e haxhit, kurse ai u jepte fetva, e tha: kjo gjë pasha All-llahun është nderë dhe autoritet”. (Shiko: “Emradul-Kulub ve shifauha”, fq. 21).
Rezultatet e mërisë
Mëria si veti e njeriu i jep këto rezultate:
Një: Zilinë.
Dy: Të fsheh zilinë brenda dhe të bëhet smirëkeq.
Tre: Ta injorosh dhe të ndërpresësh marrëdhëniet me ta edhe pse ata dëshirojnë të komunikojnë me ty.
Katër: E injoron duke e nënçmuar.
Pesë: Të flet për të gjëra që nuk lejohen duke gënjyer, përgojuar, përhapur sekrete dhe zbuluar të metat e tij.
Gjashtë: Të tallet dhe ti përbuzë ata.
Shtatë: Ta dëmton me rrahje dhe gjëra që i shkaktojnë dhimbje.
Tetë: Të mos ia kthen borxhin, mos kujdesin për te, mos t’ia kthen hakun, të cilat tërë këto gjëra janë të ndaluara”. (shiko: “Tehdhibu Ihjau Ulumud-Din”, 2/ 76).
Pse ndodhë zilia mes të ngjashmëve dhe moshatarëve
Shkaqet e zilisë shtohen mes atyre që i lidhin lidhje të ndryshme dhe për këto lidhje tubohen në tubime, ndeja dhe përcaktojnë synime të përbashkëta. Nëse dikush e kundërshton shokun e vet për ndonjë qëllim apo synim, atëherë ikë prej tij, e urren dhe ia ka mëri, pastaj dëshiron ta nënçmon, tregohet mendjemadh ndaj tij dhe mundohet ta dënon për shkak të kundërshtimit të interesit dhe synimit të tij. Ai urren që ky njeri të posedojë begatinë, e cila i ndihmon për të arritur deri te synimet dhe interesat e tij.
Njerëzit kanë zili mes vete atëherë kur participojnë në një fushë apo lëmi, ashtu që dijetari ka zili dijetarin, adhuruesi adhuruesin, tregtari tregtarin, farkëtari farkëtarin, rrobaqepësi rrobaqepësin, e kështu me radhë, njeriu ka zili ndaj vëllait dhe djalit të axhës më shumë se sa ndaj të huajve, kurse gruaja ortaken e vet më shumë se gratë tjera. Burimi i tërë kësaj dukurie është dashuria ndaj dynjasë, sepse dynjaja është e ngushtë për ata që shtyhen me njëri tjetrin për këtë gjë, kurse ahireti është i gjerë për të gjithë.
Për këtë mes dijetarëve të fesë nuk ka zili, sepse synimi i tyre është njohja e All-llahut, e kjo është një det shumë i gjerë, dhe synim i tyre është arritja pozitë te All-llahu, e te All-llahu ka vend për të gjithë.
Po, nëse dijetarët e fesë kanë synim të tyre fitimin e pasurisë dhe autoritetit, atëherë në mesin e tyre bie zilia, sepse pasuria është lëndë, nëse bie në dorë të dikujt, zbrazet prej saj dora tjetër. (shiko: “Tehdhibu Ihjau Ulumud-Din”, 2/ 82).
Shërimi i hasetit
Haseti është një sëmundje shumë e madhe e zemrës, kurse sëmundjet e zemrës nuk mund të shërohen ndryshe përpos se me dije dhe vepër.
Shërimi me dije
Dija e dobishme i mundëson njeriut ta njeh realitetin e hasetit dhe se sjell dëm dhe pasoja në dynja dhe fe.
Dëmin në fe ta sjell duke u mllefosur në Përcaktimet e All-llahut, urryer begatitë që All-llahu ua ka dhënë njerëzve, drejtësinë sipas të cilës vepron në Mbretërinë e Tij, s’ka dyshim se me këto veprime njeriu e dëmton tevhidin, monoteizmin, imanin, besimin dhe dinin, fenë.
Dëmin në dynja ta sjell duke të sjellë dhimbje dhe dënime, pikëllime dhe brenga, sepse All-llahu vazhdimisht armiqve tu u jep begati. Për çdo begati që ua jep All-llahu ti përjeton dhimbje dhe vuajtje dhe për çdo sprovë dhe telash që nuk ua çon ti përjeton dhimbje dhe vuajtje. Vazhdimisht mbetesh i pikëlluar, i brengosur, i privuar, i dekoncentruar dhe zemërngushtë. Është duke të ndodhur ty mu ajo që e dëshirojnë armiqtë për ty dhe ajo që ti ua dëshiron armiqve tu. Ua dëshiroshe telashet armikut tënd, e ato të erdhën ty menjëherë.
Kjo që thamë është shërimi me dije. Andaj çdo herë që njeriu mendon me mendje të kulluar dhe zemër të pranishme, fiket zjarri i zilisë dhe se me zili njeriu e shkatërron vetveten dhe e gëzon armikun, e hidhëron All-llahun dhe e vështirëson jetën e tij.
Shërimi me vepra
Vepra e mira e kufizon zilinë, sepse çdo vepër të cilën e nxitë zilia, njeriu duhet ta bëjë të kundërtën. Nëse zilia e cytë që ta fyej atë që ia ka zili, atëherë ky duhet ta detyroj gjuhën e tij që ta lavdërojë, nëse e nxitë që të jetë mendjemadh ndaj tij, e detyron veten që të jetë modest dhe të justifikohet para tij, nëse e nxitë që t’ia ndalë të mirat, e detyron veten që t’ia shtojë të mirat, e kështu me radhë. Edhe pse këto veprime i bën me një lloj detyrimi dhe shtirjeje, kjo ia shëndosh zemrën dhe e kthen dashurinë ndaj atij që ia ka zili, dhe kur kjo të shfaqet atëherë edhe ai që ia ka patë zili fillon ta do. Kjo gjendje lind pajtimin dhe kompaktësinë mes tyre dhe me këtë këputet lënda e zilisë.
Kjo është shërimi i zilisë dhe është një ilaç shumë i dobishëm, porse është shumë i hidhur për zemrën në fillim, ashtu sikurse edhe është i hidhur çdo ilaç i dobishëm. (shiko: “Tehdhibu Ihjau Ulumud-Din”, 2/ 84).
Përfundim
Ky ishte edhe stacioni i fundit në këtë udhëtim tonin. Këto ishin defektet më të mëdha me të cilat ballafaqohen ata që janë nisur në rrugën e nxënies së dijes fetare dhe me këto sqarime të cilat edhe nuk janë shumë të gjëra, shpresoj se do të na nxisin që të largohemi nga këto vese dhe defekte dhe të krijojmë një shtresë të vërtetë elitare, e cila do ta meriton edhe kryevendin edhe ballin e nderit të popullit.
Nëse të gjithë ne nuk mobilizohemi në rritjen e kualitetit të kritereve për atë se kush mund dhe meriton të bëhet hoxhë dhe dijetar fetar, atëherë do të ndodh kjo që ka ndodhur deri më tani, kush të arrijë të bëhet hoxhë dhe sqarues e kumtues i fesë, pa marrë para sysh se kush është, nga vjen, çfarë kulture dhe edukate ka, sa dhe çfarë dije ka, sa vepron konform dijes së tij, sa pajtohen fjalët dhe veprat e tyre, e kështu me radhë.
Këtë e thamë, duke i nisur nga fakti se dijetarët janë pasqyroja e popullit, elita e elitës, ajka e ajkës, andaj çdo gabim sado që është i vogël te njerëzit duket i madh dhe çdo lëvizje dhe veprim tek njerëzit numërohet dhe llogaritet, andaj duhet pastruar shpirtin nga çdo mëkat i brendshëm dhe gjymtyrët nga çdo mëkat i jashtëm, jo që vetëm ata të përfitojnë nga dija që kanë por edhe të tjerët të përfitojnë nga dija e tyre, të hapin njerëzit zemrat e tyre para tij dhe të pranohet fillimisht te All-llahu e pastaj te mbarë njerëzit.
E lus All-llahun e Madh, Zotin e Arshit të Madh, me Emrat e tij të Bukur dhe Cilësitë e Tija të Plota që të na pastrojë shpirtin, zemrën, mendjen dhe trupin nga të gjitha këto defekte dhe të meta, të na dhurojë sinqeritet, ihlas dhe devotshmëri, takvallëk.
E lus All-llahun e Lartë, të Gjallin dhe Mbikëqyrësin, që të udhëzojë liderët e muslimanëve, ata shpirtëror dhe ata politik, të bashkojë radhët e muslimanëve, të grumbullon forcën e tyre, të ngritë lartë flamurin e fesë, të largon nga ymeti ynë brengën dhe vështirësitë, tu jep sukses dijetarëve dhe hoxhallarëve në sqarimin e fesë para njerëzve dhe njerëzit ti bëjë zbatues të mësimeve fetare.
All-llahun e falënderojmë në fillim dhe mbarim, me zemër dhe trup, kurse paqja dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.
Subhanekall-llahume ve bihamdike, eshhedu en la ilahe il-la ente, estagfiruke ve etubu ilejke…
Bekir Halimi
Bekir Halimi,
12.1.2007