Falënderimi i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

Me kalimin e ditëve dhe netëve imani vjetrohet në zemër, ndryshken shtyllat e dashurisë, kështu që paraqitet nevoja për ripërtëritjen dhe gjallërimin e imanit në ditët dhe çastet e pritjes së muajit Ramazan. Robi i Allahut duhet të përpiqet me vullnet dhe dëshirë duke vepruar vetëm e vetëm që të jetë sa më afër Allahut.

 

Në hadithin kudsij Allahu thotë: “Unë jam te mendimi i mirë i robit Tim, Unë jam me të gjersa ai më përmend Mua; nëse më përmend në vete, e përmend në Veten Time, nëse më përmend në ndonjë tubim, e përmend në tubim më të mirë se ai, nëse më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një llërë, nëse më afrohet një llërë, i afrohem një pash, nëse më vjen duke ecur, i vij duke nxituar.” (Transmeton Buhariu)

Fillimi i mbarë duhet të jetë iniciativë nga robi dhe më pas përgjigjja nga Allahu i Lartësuar: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir, 60)

“Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime).” (Bekare, 152)

Patjetër duhet të aktivohet dëshira për t’iu afruar Allahut, duke e kujtuar Atë me veprime dhe duke e përjetuar kënaqësinë e ëmbëlsisë së adhurimit (ibadetit).

“Unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde,” (Taha, 84)

Patjetër duhet nxituar drejt Allahut duke kërkuar ripërtëritjen e vlerave të imanit dhe duke e kënaqur vetëm Atë. Në këtë mënyrë eliminohet ndryshku i padijes, dyshimeve, epsheve, gjynaheve…

 

Të nderuar besimtarë!

Faktorët e ripërtëritjes së dashurisë në Allahun e Lartësuar janë:

– Njohja dhe të kuptuarit e emrave të Allahut dhe cilësive të Tij

Kjo ndikon pozitivisht në zemrën e njeriut duke ngritur nivelin energjisë dhe forcës, që nëpërmjet ibadeteve të arrijë kënaqësinë e Allahut.

Mendo për ngjarjen e Ebu Dahdait, kur zbriti fjala e Allahut: “Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?” (Bekare, 245)

Ebu Dahdai thotë: “Allahu prej nesh kërkon hua?” I përgjigjet i Dërguari i Allahut: “Po.” Pastaj tha: “Ma jep dorën, o i Dërguar i Allahut.” Pasi e zgjati dorën i tha: vërtetë unë i jap hua Zotit tim, kopshtin me gjashtëqind trupa hurmash të rrethuar me mur.” Dhe me shpejtësi e urdhëron gruan, familjen duke i thënë: “Largohuni nga kopshti, se unë ia dhashë hua Zotit tim.”

 

O besimtarë!
Shikoni! Mësoni! Kuptoni se si sahabët e Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, i kanë kuptuar fjalët e Allahut.

Në çast vendosnin në favor të vetin, vetëm që të fitonin faljen, kënaqësinë e Allahut. Zemrat e tyre nuk hamendeshin. Ata me ndihmën e Allahut i kishin pastruar zemrat nga ndryshku i dyshimeve dhe epsheve.

– Leximi dhe marrja e leksioneve nga mirësitë, dhuratat, favoret e panumërta të Allahut. Zemrat janë të përgatitura për të dashur atë që i ka bërë mirë.

Ajetet që ia kujtojnë njeriut dhuntitë dhe të mirat e pakufishme janë të shumta. Atëherë aq sa të kesh njohuri për të mirat e Allahut, aq më tepër të shtohet lakmia dhe dëshira për ta falënderuar Atë për mirësitë e Tij.

Përkujto mirësitë e Allahut, që po të vinë nga të gjitha anët; shëndeti në trup, ushqimi, veshmbathja, ajri, uji e gjithë dynjaja në shërbim.

Dy sy për të parë, gjuha, buzët, duart, këmbët… Mendon që është e lehtë të ecësh me këmb, pyete ata që nuk i ka. Ke nevojë për mbështetje apo për të mbajtur me dorë, pyete ate që nuk e ka dorën.

Gjumin nuk e peshon dhe nuk ia di rëndësinë, pyete atë që nuk mund të flejë për shkak të dhimbjeve apo sëmundjes. Ushqimin e merr dhe e fut në stomak, mendoje këtë dhe falëndero.

Mendo për sytë dhe nuk je i verbër. Mendo për lëkurën që ke në trup dhe sëmundje lëkure nuk ke. Mendo për mendjen që ke, a pajton të mbetesh i çmendur?!

A e ndërron të shikuarit me një kodër ar?! A e shet të dëgjuarit për një kilogram ar?! A e shet gjuhën, dorën dhe të mbetesh pa të për një pallat të mirë?!

O njeri, mendo për të gjitha këto! Mendo për veten tënde, për familjen, për shtëpinë, për punën, për shëndetin, për shokët dhe dynjanë!

– Rrekja, përpjekja, nxitimi, angazhimi duke garuar në çdo gjë që ka urdhëruar Allahu i Lartësuar

“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhenetit,” (Aliimran, 133)

“Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht…” (Hadid, 21)

“Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen.” (Mutafifin, 26)

 

I nderuar!

Mëso! Nëse je prej tyre që dëshirojnë zgjimin, epërsinë, mallëngjimin për të ecur drejt Allahut të Lartësuar, atëherë mobilizohu edhe para Ramazanit për ta rritur prodhimin e adhurimit. Ky gjallërim është një lloj lënde djegëse imanore dhe katalizator që ia mundëson adhuruesit shijimin dhe përjetimin e adhurimit dhe lutjes.

Ajo që është më përmalluese dhe kurora përfundimtare e të mirave të Allahut në xhenet është shikimi i Allahut në xhenet. Ke mundësi ta lexosh fjalën e Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, duke menduar në vete. “Vallë cili është përmallimi im për ta parë Allahun? A do ta përjetoj këtë?”

I Dërguari i Allahut thotë: “Kur do të hynë banorët e xhenetit në xhenet, Ai u thotë atyre: “A dëshironi ndonjë gjë edhe më tepër (që t’ua plotësoj, shtoj)?” Do të thonë: “A nuk i ke zbardhur fytyrat tona? A nuk na ke futur në xhenet e na ke shpëtuar prej xhehenemi?” Kështu zbulohet (e heq mbulesën), atëherë nuk u dhurohet atyre asgjë më të dashur sesa shikimi në Zotin e tyre.” (Transmeton Muslimi)

“Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!” (Junus, 26)

Sferat dhe fushat e mallit janë të llojllojta: malli për ta takuar Allahun, për xhenetin e Tij, Mëshirën e Tij, shikimi në Fytyrën e Tij, takimi me Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, në Firdevsin e lartë.

Kini kujdes mos t’ju mashtrojë hajduti sidomos në Ramazan, duke ua grabitur kohën, si: pasuria, gruaja, fëmijët, që të mos mundesh ta realizosh mallin.

Kujdes, bëhu i vendosur, ec rrugës për tek Allahu dhe motoja jote të jetë në Ramazan: “Unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde.” (Taha, 84)

 

Ulvi Fejzullahu