Zekati luan një rol të rëndësishëm në sigurimin social dhe, siç e kanë përshkruar shumë dijetarë, ai përbën një institucion të mirëfilltë të sigurimit social, pasi është i detyrueshëm, ka burime të caktuara financimi, mënyra të përcaktuara shpenzimi dhe vlera të rregulluara. Zekati ka pasur sukses ndër shekuj si një institucion financiar, zhvillimor dhe bashkëpunues në realizimin e objektivave të shumta ekonomike brenda ekonomisë islame, veçanërisht në kontributin e tij të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendeve islame.
Zekati dhe lufta kundër varfërisë dhe papunësisë
Në epokat e mëparshme islame, kur u zbatohej parimi i zekatit, shoqëritë islame arritën të luftonin varfërinë, ta ulin nivelin e saj dhe të zhduknin papunësinë. Ato ndërtuan solidaritetin shoqëror, sollën stabilitet dhe qetësi, hoqën urrejtjen e të varfërve ndaj të pasurve dhe penguan përplasjet klasore mes tyre. Zekati i mësoi myslimanët të japin, të tregohen bujarë dhe fisnikë, i ndihmoi të varfrit dhe nevojtarët të rifillonin jetën, si dhe e shpëtoi pasurinë nga grumbullimi dhe paraliza që pengon investimin.
E gjithë kjo dëshmon se zekati nuk është thjesht një dhënie e një pjese të pasurisë për të varfrit, nevojtarët dhe të paaftët, por është një mjet i vërtetë për çrrënjosjen e papunësisë dhe varfërisë, apo për uljen e niveleve të tyre. Kjo realizohet përmes metodave që nxisin punën dhe punësimin, si për shembull: ndihma për të rinjtë e varfër duke u dhënë kapital të mjaftueshëm për të investuar, për të prodhuar, për të nisur një punë apo tregti, ose duke blerë pajisje për zanate të ndryshme si rrobaqepësia, farkëtaria apo zdrukthtaria, për të punuar dhe për të dalë nga gjendja e varfërisë dhe nevojës. Në fund, qëllimi është t’i shndërrojmë ata nga përfitues të zekatit në dhënës të tij, pra nga marrës në kontribuues.
Solidariteti shoqëror ka një kuptim të gjerë që përfshin aspekte të ndryshme, si paqja sociale, ndihmat shoqërore dhe sigurimet shoqërore. Ai është një nga parimet themelore që rregullon marrëdhëniet shoqërore në ekonominë islame.
Profeti ﷺ ka thënë: “Dora e sipërme është më e mirë se ajo e poshtme. Ti fillo me ata që i ke nën kujdes. Sadakaja më e mirë është ajo që jepet duke qenë i pasur. Kush përpiqet të ruajë dinjitetin, Allahu do ta ndihmojë ta ruajë; dhe kush përpiqet të jetë i pavarur, Allahu do ta bëjë të tillë.” [Buhariu – 1361]. Dhe gjithashtu: “Dora e sipërme është ajo që jep, ndërsa e poshtmja është ajo që kërkon.” [Buhariu – 1362].
Kështu, solidariteti shoqëror është një nga themelet kryesore të shoqërisë islame. Ky solidaritet realizohet përmes mjeteve të ndryshme financiare të ligjshme si: zekati, sadakaja, vakëfi, kefaretet, zotimet e ndryshme etj., për të garantuar jetesën e denjë për individin dhe për të siguruar lumturinë, stabilitetin, dashurinë dhe paqen brenda shoqërisë.
Obligimi i zekatit përbën një pjesë thelbësore të sistemit të solidaritetit shoqëror ndërmjet atyre që kanë mundësi dhe atyre në nevojë brenda shoqërisë islame.
Ky solidaritet shoqëror është një e drejtë themelore nga të drejtat njerëzore që Allahu i ka garantuar robërve të Tij në kuadër të dispozitave fetare. Ai nënkupton që individët e shoqërisë të jenë në përkujdesjen e ndërsjellë të komunitetit të tyre dhe që çdo person i aftë apo me ndikim të kontribuojë për të mirën e përbashkët, për forcimin e strukturës shoqërore dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj të tjerëve. Neglizhimi i kësaj detyre mund të çojë në rrëzimin e kësaj ndërtese, duke i dëmtuar të gjithë.
Solidariteti shoqëror ka një kuptim të gjerë që përfshin shumë aspekte, si: paqen sociale, ndihmat sociale dhe sigurimin social. Ai përbën një nga shtyllat themelore që rregullojnë marrëdhëniet shoqërore në ekonominë islame, sidomos përballë kushteve të jashtëzakonshme, qofshin ato të përgjithshme apo të veçanta. Solidariteti është një shprehje praktike ekonomike e vëllazërisë islame dhe e bashkëpunimit mbi bazën e mirësisë dhe devotshmërisë, si dhe është fryt i lidhjeve shpirtërore, ekonomike dhe kulturore që bashkojnë individët e shoqërisë islame me njëri-tjetrin.
Zekati dhe lufta kundër dominimit
Zekati është një mjet sheriatik i Eonomisë Islame për të afruar distancën mes të pasurve dhe të varfërve dhe për të zvogëluar pabarazinë ndërmjet tyre. Islami, ndonëse e pranon që ekziston një dallim natyror në të ardhura, furnizim dhe fitim mes njerëzve, dhe ndonëse nuk e ndalon pasurinë dhe nuk vendos një kufi të caktuar për të, megjithatë ai: e respekton të varfrin, e ngre pozitën e tij, dhe nuk lejon që ai të bjerë në greminën e mjerimit dhe zhdukjes.
Islami nuk lejon që i varfri të bëhet edhe më i varfër, ashtu siç ndodh në sistemin kapitalist, i cili e bën të pasurin edhe më të pasur e të varfrin edhe më të varfër. Në këtë mënyrë, zgjerohen dallimet dhe boshllëqet sociale e ekonomike mes dy shtresave, derisa të pasurit bëhen një klasë që jeton në rrokaqiej të pasurisë, ndërsa të varfrit bëhen klasë që vdes në kasolle të mjerimit dhe privimit.
Prandaj Islami ndërhyri me legjislacionin e tij kushtetues dhe ligjor, si dhe me porositë shpirtërore dhe morale, për të afruar distancën mes të pasurve dhe të varfërve. Ai punoi për të thyer tiraninë absolute të të pasurve dhe për të zhdukur dominimin “dinosauror” të kapitalit, ashtu siç ndodh në sistemet kapitaliste të ndërtuara nga njeriu. Njëkohësisht, kundërshtoi dominimin “oktapod” të shtetit socialist, që manifestohet përmes sektorit publik të centralizuar.
Zekati e pakësoi hendekun dhe përçarjen ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, e rriti nivelin e jetesës së të varfërve, dhe e përforcoi pozitën e tyre në shoqëri. Islami i konsideron të gjithë muslimanët si vëllezër të bashkuar dhe mbështetës të njëri-tjetrit, të barabartë si dhëmbët e krehërit, pa ndonjë epërsi të ndonjë njeriu mbi tjetrin, përveçse me devotshmëri.
Allahu i Madhëruar thotë:
“O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i nderuari ndër ju tek Allahu është më i devotshmi. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Mirënjohur.”
[El-Huxhurat: 13]
Dhe Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“O njerëz! Zoti juaj është një dhe babai juaj është një. Nuk ka asnjë epërsi arabi mbi jo-arabin, e as jo-arabi mbi arabin, e as i bardhi mbi të ziun, e as i ziu mbi të bardhin përveçse me devotshmëri. Vërtet, më i nderuari prej jush tek Allahu është më i devotshmi.”
[E transmeton Ebu Nuajm në Hiljetu’l-Evlija, dhe Bejhekiu në Shuabu’l-Iman]
Dallimi ndërmjet zekatit dhe taksave
Zekati nuk është një taksë apo ryshfet që merret nga njerëzit, por është një obligim fetar që Allahu e ka vendosur mbi pasuritë e të pasurve për të përfituar të varfërit, të nevojshmit dhe të pafuqishmit. Allahu thotë:
“Disa nga beduinjtë konsiderojnë atë që japin (në mënyrë të detyrueshme) si humbje dhe presin që t’ju vijnë fatkeqësi. Ata do të kenë një dënim të rëndë.” [Surja Teube: 98]
Kjo do të thotë se disa i shohin dhëniet në rrugë të Allahut si humbje dhe nuk e bëjnë atë për hir të Allahut.
Në të njëjtën kohë, zekati është një adhurim dhe Allahu e ka bërë atë shtyllën e tretë të Islamit. Pejgamberi ﷺ tha: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: dëshminë që nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e Ramazanit dhe kryerjen e haxhit për atë që ka mundësi.”
[Albani – Tahrixh Mushkilti l-Fakr, fq. 57 – Sahih]
Zekati është nga të drejtat e të varfërve dhe nevojtarëve, e pastërson shpirtin nga koprracia dhe lakmia, dhe përmbush qëllime të rëndësishme për muslimanët, duke i nxitur të japin me zemër dhe të falin, të ndjejnë gëzim në shpirt dhe falenderim për bekimet.
Zekati e ka zvogëluar hendekun dhe përçarjen mes të pasurve dhe të varfërve, e ka ngritur nivelin e jetesës së të varfërve dhe e ka forcuar pozitën e tyre, duke i konsideruar të gjithë muslimanët si vëllezër.
Kur vjen punonjësi i zekatit dhe kërkon zekatin nga një musliman, atëherë ai që e jep zekatin duhet ta dijë se ky akt ka përfitime të mëdha shoqërore, si për atë vetë, ashtu edhe për të gjithë shoqërinë islame. Zekati e shpëton individin nga varfëria, nevoja dhe poshtërimi, ndërsa për shoqërinë islame sjell fuqi dhe unitet.
Ai i jep të varfrit ndjesinë se ka të drejtë në pasurinë e të pasurit, një të drejtë që ruhet dhe mbrohet. Zekati gjithashtu forcon ndjenjën e solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë, duke mbrojtur shoqërinë muslimane nga ndikimet e rrezikshme të mashtruesve dhe propagandistëve dashakeqë.
vijon….



