Abdullah ibn Mesudi tregon se Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Xheneti është më afër jush sesa lidhësja e nallaneve tuaja. Ashtu është edhe Zjarri.”[1]

Po, vëllezër, Xheneti është afër nesh, e edhe Xhehenemi. Njerëzit ose do të hyjnë te njëri ose te tjetri. Madje, në secilin prej tyre është lehtë të hyhet dhe i lehtë të fitohet. Në Xhenet duhet të jetë nijeti për Allahun dhe të kryhen veprat e mira, ndërsa në Xhehenem ose Zjarr vetëm duhet të pasohet epshi dhe të bëhen sa më shumë mëkate.

Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Gjithë umeti im do të hyjë në Xhenet, përveç atyre që refuzojnë.” Të pranishmit pyetën: “O i Dërguari i Allahut, e kush refuzon?”  Pejgamberi ﷺ tha: “Kush më bindet mua, do të hyjë në Xhenet, e, kush më kundërshton, vetëm se ka refuzuar.”[2]

Pra, rruga qenka e vizatuar, e lehtë, mirëpo ne nuk guxojmë ta shkëpusim lidhjen me të e as ta ndërrojmë këtë rrugë. Mos thuaj do të provoj një rrugë tjetër, sepse të gjitha rrugët e tjera përveç rrugës së Allahut janë të mbyllura ose rrugë qorre.

Kur vdiq Othman ibn Medhuni, sahabiu i njohur, një grua e quajtur Umu Ala tha: “Mëshira e Allahut qoftë mbi ty, o Ebu Saib (Othman ibn Medhun)! Unë jam dëshmitare jotja që Allahu të ka nderuar.” Pejgamberi ﷺ më tha: “E si e ditke ti se Allahu e ka nderuar atë?”

I thashë: “Nuk e di, t’u bëfsha kurban me babë e nënë, o i Dërguari i Allahut, e kë pra (e mëshiruaka Allahu)?!” Ai më tha: “Sa i përket këtij, betohem në Allahun se i ka ardhur e qarta (vdekja). Betohem në Allahun se unë shpresoj për të mirësinë. Ndërkaq, betohem në Allahun se unë as për vete nuk e di çfarë do të bëhet me mua, edhe pse jam i Dërguari i Allahut.”[3]

Ne nuk themi në mënyrë të prerë për askënd se ky do të hyjë në Xhenet ose ai do të hyjë në Xhehenem, përveç për ata që ka treguar Allahu ose Muhamedi ﷺ  në hadithe.

Mirëpo, ne kemi mendim të mirë dhe shpresojmë se ata që kanë bërë vepra të mira do të hyjnë në Xhenet, ndërsa ata që bëjnë vepra të këqija kemi frikë se do të përfundojnë në vend të keq.

Të gjithë besimtarët, në parim, do të hyjnë në Xhenet me Mëshirën e Allahut, pastaj ata do të shpërblehen sipas veprave të mira të tyre. Pejgamberi ﷺ  na ka treguar se një njeri ka hyrë në Xhenet për shkak të një dege që e ka larguar nga rruga e njerëzve. Po ashtu një personi tjetër iu falën të gjitha mëkat sepse i dha ujë një qeni të etur…

Kështu, shkaqet për të hyrë në Xhenet janë të shumta, siç janë të shumta edhe shkaqet për të hyrë në Zjarr.

﴿وَلَا يَظۡلِمُ رَبُّكَ أَحَدٗا٤٩﴾

“Allahu askujt nuk i bën padrejtësi.” (EL Kehf, 49)

﴿يَوۡمَ لَا يَنفَعُ مَالٞ وَلَا بَنُونَ٨٨ إِلَّا مَنۡ أَتَى ٱللَّهَ بِقَلۡبٖ سَلِيمٖ٨٩﴾

“Atë Ditë nuk do të bëjë dobi as pasuria e as fëmija, përveç atij që vjen me zemër të pastër.” (Esh Shuara, 88-89)

Pra, rruga e Xhenetit qenka zemra. Gjëja më e rëndësishme është të jetë zemra e pastër dhe motori duhet të lëvizë me forcë, e jo vetëm me fjalë goje.

Ne të gjithë e dimë se Allahu na sheh e na dëgjon, mirëpo a e ndiejmë këtë gjë?! Këtë e zbulojmë në raste krizash e vështirësish. Nëse e dimë se në filan vendin ka haram, por më vete themi: “S’ka gjë të keqe” dhe shkojmë aty.

Mbase mund t’i gënjej njerëzit, porse Allahun jo, sepse Ai më sheh.

Me njerëzit çështja është lehtë, porse me Allahun jo. Në këtë rast zemra e shëndoshë duhet të lëvizë menjëherë.

Dëgjojeni këtë ajet:

﴿ وَيُحَذِّرُكُمُ ٱللَّهُ نَفۡسَهُۥۗ ٢٨﴾

“Allahu jua tërheq vërejtjen nga Vetja e Tij.” (Ali Imran, 28)

Dëgjoje mirë: “jua tërheq vërejtjen” porse nga cila gjë, nuk po e përmend. Edhe ne, kur kërcënojmë dikë, i themi: “Ruaju!” dhe nuk i themi nga çfarë të ruhet, porse kjo kuptohet si kërcënim.

Zemra e gjallë pendohet, mërzitet. Ajo nuk rri heshtur. Nëse vepron gjë të keqe, zgjohet dhe ndihet ngushtë. Nëse lë një urdhër të Zotit, ndihet keq dhe kështu pendohet. Kur ajo ta dijë se Xheneti është afër, asgjë nuk lë pa punuar: as adhurim, as respekt, as agjërim e as namaz, as sadaka e as lidhje familjare.

Zemra e sëmurë dhe e fjetur nuk dëshiron të dëgjojë:

﴿وَلَا تَكُونُواْ كَٱلَّذِينَ نَسُواْ ٱللَّهَ فَأَنسَىٰهُمۡ أَنفُسَهُمۡۚ أُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡفَٰسِقُونَ١٩﴾

“Mos u bëni sikurse ata që e harruan Allahun dhe kështu Allahu i bëri që ta harrojnë veten e tyre. Këta janë mëkatarët.” (El Hashër, 19)

Ky njeri çmimin e paguan shumë shtrenjtë. Zemra e gjallë lëviz.

﴿ وَهُمۡ يَكۡفُرُونَ بِٱلرَّحۡمَٰنِۚ قُلۡ هُوَ رَبِّي ٣٠﴾

“Ata e mohojnë Allahun! Thuaj: “Ai është Zoti im.” (Er Rad, 30)

Allahut i takon shembulli më i lartë, por po e sjell një shembull: Sikur të shahej babai i ynë, ne sigurisht do të thoshim: “Ai është babai im!” Pra, lavdërohemi me të dhe nuk lejojmë të shahet. Kjo pra është dashuria ndaj babait dhe për këtë arsye ne e mbrojmë atë. Kjo tregon se ne e ndihmojmë atë dhe assesi nuk heshtim. Nëse heshtim, kjo i bie se jemi frikacakë dhe jemi të nënçmuar.

“Thuaj: “Ai është Zoti im.” Kjo shprehje tregon se duhet pasur krenari për Allahun, ndërsa zemra duhet të këndellet e të lëvizë e mos të rrijë e heshtur.

Zemra e gjallë bënë sexhde nën Arshin e Allahut. Prej shtatë kategorive të njerëzve që do të jenë nën hijen e Allahut në Ditën e Gjykimit do të jetë edhe: “… një person, zemra e të cilit është e lidhur për xhamitë.”

Kur Sad ibn Muadhi e pranoi Islamin, ishte tridhjetëvjeçar. Kur vdiq, kishte vetëm tridhjetë e gjashtë vjet, por për vdekjen e tij është dridhur Arshi i Allahut. Po pra, është dridhur Arshi sepse ai ishte shumë i sinqertë dhe nuk i bënte punët për t’ia pëlqyer  njerëzit.

Ajo që është e rëndësishme është që të mos vdesim pa qenë të njohur në Qiell. Mos vdiq duke qenë i njohur në Qiell me mëkate, por vdiq duke qenë i njohur në Qiell me vepra të mira e me burrëri.

Zemra e gjallë, edhe nëse trupi është i sëmurë, lëviz. Omer ibn Hatabi, pasi u plagos, i ra të fikët, dhe askush nuk mundi ta këndellë, derisa dikush i tha: “Namazi, o prijës i besimtarëve.” Atëherë ai u këndell. Omeri thoshte: “Po, nuk ka hise në Islam ai që e lë namazin.”

 

Pjesa e dytë e hutbes

Zemra e gjallë dhe e shëndoshë duhet të mbetet e tillë e të mos lihet të sëmuret.  Është një ves shumë i keq, të cilit i thonë vetëpëlqim. “Unë jam mashalla.” Pra, të jetë i kënaqur me veten e tij e ti hyjë vetja në qejf, se si unë nuk është kush.

Prej gjërave që e dobësojnë zemrën, është “do ta bëj”, pra, të shtyhen veprat e mira për më vonë. Do të filloj namazin. Më vonë do ta bëj këtë ose atë vepër.

Kështu pothuajse të gjithë njerëzit arsyet i kanë të ngjashme: jam i zënë me shkollimin, pastaj me punën, pastaj me martesën, pastaj me shtëpinë, pastaj fëmijët… pastaj… E kur do të kthehesh e do të këndellesh?

Vëllezër, veprat e mira janë në çdo vend, në çdo kohë dhe për çdo njeri mbetet që ta lëvizim zemrën e të mos dorëzohemi.

Mos thuaj: “Javën e ardhshme”, “Vitin tjetër”, “Këtë verë”, “Dimrin që vjen” do ta bëj… Zemra e shëndoshë nuk rri në të njëjtin vend dhe në të njëjtën gjendje për njëzet vjet me radhë.

Sot i bëjmë veprat e sotme, ndërsa ëndrrat i lëmë për natën.

[1] Buhariu nr.6488.

[2] Buhariu nr.7280.

[3] Buhariu nr.3929.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

Burimi