Një aspekt i xhelozisë hyjnore është zelli për të ruajtur dijen e thellë, të cilën dëgjuesi nuk e kupton dot, nga përmendja vend e pa vend. Për hir të kësaj xhelozie Ali bin Ebi Talibi (r.a.) ka thënë:
“Foluni njerëzve me atë që dinë. A mos vallë dëshironi që të përgënjeshtrohen Allahu dhe i Dërguari i Tij?!” Ndërsa Ibn Mes’udi ka thënë: “Sa herë që u flet njerëzve gjëra që nuk ua rrok mendja e tyre, patjetër që kjo do të kthehet në sprovë për ndonjërin prej tyre.”
Pra, dijetari bëhet xheloz që dijen e tij ta vërë jo në vendin e duhur dhe ta çojë dëm me njerëz të padenjë për të. Isai, i biri i Merjemes, u thoshte izraelitëve: “Mos ua ndaloni urtësinë njerëzve të saj, se kështu u bëni padrejtësi atyre; dhe mos e harxhoni atë me njerëz që nuk janë për atë punë, se kështu i bëni padrejtësi asaj.”
Një herë, dikush e pyeti Ibn Abbasin (r.a.) për shpjegimin e ajetit:” Allahu, I Cili krijoj shtatë qiej dhe po aq Toka…” (Et-Talaḳ: 12)
Ai u përgjigj: “Përse je i sigurt që po ta tregova shpjegimin e këtij ajeti ti nuk do të bëhesh femohues? Nëse do ta quash atë të pavërtetë, atëherë kjo është mohim.”
Pra, çështjet e holla të dijes që u parashtohen atyre që nuk janë të kualifikuar për to, ngjasojnë me një grua të bukur të cilën e martojnë me një burrë të paralizuar e të verbër, siç kanë thënë:
Rioshja e bukur nusëron në qendër, me një plak verbër si dhëndërr.
Ebu Aliu, nëse ndodhte gjatë kuvendit të tij diçka që ua shpërqendronte zemrat, thoshte: “Kjo vjen nga xhelozia e Zotit të Vërtetë. Ai do që të mos ju zgjasë shumë kthjelltësia e kësaj kohe. ”
(Iʙɴ Kᴀᴊᴊɪᴍ)