Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Xhamia gjendet në lagjen e “Terzive”, në kryqëzimin e rrugës kryesore dhe të asaj anësore me pjesën ballore të orientuar kah veriperëndimi.
Bazuar në dokumente të ndryshme xhamia quhet xhamia e Terzi Memit, Terzi Memishit dhe Terzi MehmetBeut, ndërsa në popull njihet si Xhamia e Terzi- Mëhallës. Sipas mbishkrimit në derën hyrëse, e shkruar në gjuhën arabe, xhamia është ndërtuar në shekullin XVIII, saktësisht në vitin 1721 nga Terzi Memishi. Pjesa e hajatit të xhamisë është rindërtuar në fund të shek. XIX. Qasja në xhami mundësohet nga rruga “Ismet Jashari-Kumanova”, me anë të derës nga metali. Në hyrje të xhamisë gjendet oborri dhe një çezme e re.
Muret kryesore të xhamisë janë të ndërtuara me material guri, të lidhur me llaç gëlqeror, me trashësi 100 cm, ndërsa muret e hajatit 60 cm, të ndërtuara prej tullave të pjekura. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Kubeja e xhamisë veçohet për nga lartësia, afër 10 m, dhe është e mbuluar me kulm tetëkëndësh, me tjegulla të luguara.
Xhamia është restauruar disa herë, ku restaurimi i fundit është realizuar në vitin 2010 nga Agjencioni Turk për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkombëtar -TIKA.
Në anën e prapme të oborrit dikur ishin varrezat, të cilat sot nuk ekzistojnë, ndërsa sot në oborr gjendet Medreseja e Mesme “Alaud-din” e ndërtuar në vitin 2000.
Në oborr të xhamisë dikur ekzistonte kroi, mbishkrimi i të cilit sot ruhet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit.
Xhamia e Terzi-Mëhallës është një ndër xhamitë ku kryhet falja e namazit për të vdekurit.
Sot xhamia është në gjendje të mirë dhe në pronësi të Bashkësisë Islame të Prizrenit. Posedon vlera historike si monument fetar islam i shekullit XVIII si dhe ka vlera shoqërore, sepse është në shërbim të komunitetit islam të qytetit.
Emërtimet dhe Referimet
Numri Unik: 000402
Emri: Xhamia e Terzi-Mëhallës
Klasa: Monument
Institucioni: QRTK – Prizren
Lokacioni
Shteti: Kosove
Komuna: Prizren
Qyteti/Fshati: Prizren
Lokaliteti: Lagjja“Terzi-Mëhalla”
Kodi Postar: 20000
Emri i rrugës: “Ismet Jashar -Kumanova”
Lloji funksional dhe datimi
Lloji (Tipi):Arkitektuale
Periudha: Osmane
Shekulli: XVIII