Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 26.03.2003
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Historiku
Suzi Efendiu është një ndër poetët më të vjetër të këtyre trevave. Nuk dihet data as vendi i saktë i lindjes por dihet se në pjesën më të madhe të jetës ka punuar dhe vepruar në Prizren, ku edhe ka vdekur në vitin 1524/5. Në bregun jugor të Lumbardhit, në perëndim të Zonës Historike të Prizrenit, ka ndërtuar kompleksin me xhami, një shkollë me bibliotekë, një çeshme, kanal për ujitjen e fushave dhe një urë prej gurit. Për nder të tij edhe kjo lagje thirrej “Lagjja e Suziut”. Emri i saktë i Suziut është Muhamed-efendi i biri i Mahmudit i biri i Abdullahut, derisa Suzi ishte pseudonim që d.m.th. “I flaktë”. Një kohë Suziu ka qenë Kadi (Gjykatës) derisa nuk angazhohet si sekretar personal i Gazi Ali-beut Mihalogllu dhe ka marrë pjesë në luftëra së bashku me te. Ka shkruar më se 15.000 vargje. Ka qenë mësimdhënës në shkollën që ka themeluar. Po ashtu edhe bibliotekën (biblioteka e parë në këto treva) e ka pasuruar me tituj të autorëve të njohur. Vdiq dhe u varros në oborrin e xhamisë në anën jug-lindore.
Xhamia është ndërtuar në vitin 1513 dhe është ndër objektet më të vjetra të periudhës Osmane. Në oborrin e xhamisë gjenden edhe shumë varreza me mbishkrime shumë të pasura me dekorime që datojnë nga shekujt XVII-XVIII-XIX-të.
Objekti i xhamisë gjendet në pjesën veriperëndimore të kompleksit të Suziut. Ka planimetri drejtkëndëshe me kulm katër ujor të mbuluar me tjegulla. Në anën veri-perëndimore është edhe hajati që është ngritur mbi njëmbëdhjetë shtylla druri dhe mbulohet me kulm tri ujor. Mbi shtyllat e drurit është i punuar kapiteli i dekoruar me forma harkore. Hyrja në xhami bëhet nga rruga kryesore nëpërmjet hajatit, të ngritur mbi katër shkallë nga niveli i rrugës. Hajati është i hapur dhe dy anët janë të denivelizuara, tavani dhe dyshemeja janë të shtruara me dërrasa. Në fasadën veri-perëndimore gjendet porta e punuar me drugdhendje dhe nisha që e shënjon mihrabin.
Minarja gjendet në pjesën perëndimore të xhamisë. Është punuar nga gur të lidhur me llaç gëlqeror, i suvatuar nga jashtë. Ka bazë katrore dhe trung rrethor të dekoruar me motive gjeometrike. Në pjesën e sipërme gjendet sherefeja, gjithashtu e dekoruar me motive gjeometrike. Minarja mbulohet me kylah në formë konike, të mbuluar me pllaka plumbi. Hyrja në minare bëhet nga hajati nga ana perëndimore.
Në enterier, gjatë tërë gjerësisë së objektit mbi hyrjen kryesore është mahfili i cili qëndron mbi shtyllat prej drurit dhe është i rrethuar me gardh prej druri. Mihrabi ka bazë gjysmë rrethore dhe në pjesën e sipërme është i dekoruar me motive gjeometrike në formë të stalaktiteve. Në të djathtë të mihrabit gjendet mimberi i punuar nga druri me motive të pasura gjeometrike ku dallohen forma e rrethit dhe e yllit. Tavani është tetëkëndësh dhe i veshur me dërrasa. Dyshemeja është e shtruar me dërrasa.
Xhamia është ndërtuar me qerpiç të lidhur me llaç gëlqeror dhe shtrihet mbi themelet prej gurit.
Në oborr të xhamisë, në pjesën jug-lindore gjendet tyrbja e Suziut dhe varrezat e vjetra, me gur mbivarror të punuar me mermer, me dekorime të pasura gjeometrike e florale dhe mbishkrim në gjuhën Arabe.
Në vitin 2011 ky objekt ka përfituar nga programi Intervenimet Emergjente, të financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me ç’rast është bërë restaurimi i tërësishëm i hajatit.
Emërtimet dhe Referimet
Numri Unik: 000349
Emri: Xhamia e Suziut
Klasa: Monument
Institucioni: QRTK – Prizren
Lokacioni
Shteti: Kosove
Komuna: Prizren
Qyteti/Fshati: Prizren
Lokaliteti: Lagj-ja e Tabakhanës
Kodi Postar: 20000
Emri i rrugës: Suzi Çelebi
Lloji funksional dhe datimi
Lloji (Tipi):Arkitektuale
Periudha: Osmane
Shekulli: XVI