Statusi

Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003

Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015

Historiku

Xhamia e Sejdi Beut gjendet në zonën historike të Prizrenit, në bregun jugor të lumit Lumbardhi.
Data e saktë e ndërtimit nuk dihet, por sipas mbishkrimit dhe dokumenteve besohet se ndërtuesi i xhamisë është Sejdi Beu. Sipas dokumenteve arkivore kuptojmë se Sejdi Beu në Prizren ka ndërtuar dy mesxhide (xhami të lagjes). Në mungesë të mbishkrimit të ndërtimit, besohet se xhamia është ndërtuar ndërmjet viteve 1642-1644, periudha kur Sejdi Beu ka qenë vali – guvernator i Egjiptit. Në xhami gjenden dy mbishkrime në gjuhën e vjetër osmane ku jepen të dhënat për rinovimet e bëra në fillim dhe në fund të shek. XIX.
Xhamia ka qenë në funksion të pandërprerë që nga koha e ndërtimit, përpos gjatë periudhës socialiste kur si rezultat i numrit të vogël të besimtarëve nuk është shfrytëzuar. Pas një rinovimi, në vitin 1994 xhamia sërish hapet për kryerjen e riteve fetare.
Ndërtesa i takon xhamive të lagjes, e ndërtuar me teknikë tradicionale në frymën e arkitekturës popullore. Xhamia posedon hapësirat e dedikuara për lutje, duke përfshirë hajatin, sallën qendrore të lutjes dhe minaren. Ka planimetri drejtkëndëshe, me mure të ndërtuara nga gurë dhe qerpiçë dhe minaren me planimetri rrethore, e ndërtuar nga gurët shpuzorë. Kulmi është katërujor i mbuluar me tjegulla.
Hajati është i ngritur mbi pesë shtylla druri që karakterizohen me kapitel të dekoruar me drugdhendje. Salla e lutjeve ka bazë katrore, me dy rende të dritareve. Nga elementet karakteristike të enterierit vlen të theksohet mahvili – galeria, e cila daton nga shek. XIX, e punuar nga konstruksioni i drurit, me gardh druri të dekoruar me drugdhendje. Elementet e tjera në sallën e lutjes, sikurse mihrabi dhe minberi, i takojnë periudhës së rinovimeve të viteve 2007-2012. Pikturat murale në enterier të punuara me teknikën arabeske me motive florale, gjeometrike dhe pjesë nga Kurani janë vizatuar në vitin 2012 me një trajtim të lartë artistik.
Nga viti 1994 e deri më sot janë kryer disa ndërhyrje, sikurse ndërtimi i anekseve, duke degraduar vlerat autentike dhe penguar pamjen e xhamisë nga të gjitha anët.

Emërtimet dhe Referimet

Numri Unik: 000369

Emri: Xhamia e Sejdi Beut

Klasa: Monument

Institucioni: QRTK – Prizren

Lokacioni

Shteti: Kosove

Komuna: Prizren

Qyteti/Fshati: Prizren

Lokaliteti: “Shatërvan”

Kodi Postar: 20000

Emri i rrugës: “Shuaip Spahiu”

Lloji funksional dhe datimi

Lloji (Tipi):Arkitektuale

Periudha: Osmane

Shekulli: XVII



Source link