Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015
Historiku
Xhamia e Gërmovës ndodhet në fshatin Gërmovë të komunës së Vitisë. Supozohet që është ndërtuar diku në vitin 1827, edhe pse në disa shënime përmendet shekulli XIV, e diku edhe viti 1447.
Xhamia e parë, përkatësisht kati i parë i saj, siç mbajnë mend pleqtë e fshatit, ka qenë e ndërtuar prej thuprash të lyera me llaç balte. Muratimi me qerpiçë është bërë më vonë, si dhe në vitet 1969-1970 është ndërtuar edhe kati i dytë i xhamisë. Po në këtë kohë është punuar edhe kulmi i saj nga mjeshtri popullor Ali Tërziqi nga Pozherani.
Xhamia ka bazë katërkëndëshe, me sipërfaqe prej 7.35 x 11.40 m. Themelet e xhamisë janë punuar me gurë, ndërsa muret me qerpiçë. Kulmi i xhamisë është katërujor. Xhamia i takon tipit të xhamive lokale. Ajo nuk ka minare. Xhamia ka gjithsej 9 hapje katrore. Niveli i dritareve është i ndryshëm.
Në enterier në sallën e lutjeve dallohet mihrabi, minberi dhe mahvili.
Mihrabi është i kthyer kah Kibla. Ka ngjyrë të bardhë sikurse edhe muri, por në të dy anët e tij është i stilizuar me lule të ndryshme. Mendohet që dikur lulet e gravuara në mihrab kishin ngjyrë tjetër. Punimi i minberit dhe i mahvilit është realizuar nga druri i bungut. Parmakët e mahvilit i ka punuar drugdhendësi mulla Mehmeti nga Smira, ndërsa plafonin e ka punuar haxhi Nazim Buzhala, gjithashtu drugdhendës.
Minberi është i ndarë nga muri, sikundër ndodhte me të gjitha xhamitë në kohë. Në mimber ka kryesisht punime gjeometrike, ndërsa në anën e dukshme, kah qendra e sallës së lutjeve, ka qenë i punuar edhe një yll me gjashtë cepa, si ylli i Davidit, por që tani është prishur.
Mahvili është ndërtuar në vitet 1969-1970, dhe qëndron mbi tri shtylla me kapitel. Është i shtruar me dërrasa, ndërsa parmakët kanë formë të halave të peshkut, ose më saktë janë si një përsëritje e gjysmëhënës (hëna në formë drapri).
Në oborrin e xhamisë janë të ruajtur edhe dy gurë me mbishkrime, që u zbuluan në themelet e hajatit të xhamisë. Supozohet se kemi të bëjmë me një shkrim shumë të vjetër (stili i shkrimit pa ndërprerje), pasi që së bashku me këta dy gurë është gjetur edhe një altar i papërpunuar.
Shkronjat në këto mbishkrime janë mjaft të dëmtuara, dhe është me interes shkencor që ky mbishkrim të studiohet dhe të mbrohet.
Ndërtimi i xhamisë së re afër të vjetrës, i ka zbehur vlerat e xhamisë së vjetër gati dyqindvjeçare.
Emërtimet dhe Referimet
Numri Unik: 000881
Emri: Xhamia e Gërmovës
Klasa: Monument
Institucioni: QRTK – Gjilan
Lokacioni
Shteti: Kosove
Komuna: Viti
Qyteti/Fshati: Gërmovë
Lokaliteti: Gërmovë
Kodi Postar: 61000
Emri i rrugës:
Lloji funksional dhe datimi
Lloji (Tipi):Arkitektuale
Periudha: Osmane
Shekulli: XIX