Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 1442/57
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2010
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Historiku
Xhamia e Mehmed Pashës (Bajrakli) gjendet në qendër të qytetit në kuadër të Zonës Historike dhe ka vlerë të veçantë kulturo-historike.
Gazi Mehmed Pasha ndërtoi kompleksin me xhaminë, tyrben, medresenë, bibliotekën, ders-hanen (mësonjtoren) dhe objektet tjera përcjellëse gjatë viteve 1563-74. Në afërsi, në anën perëndimore, gjendet edhe Hamami i Mehmed Pashës. Kompleksi i xhamisë është i lidhur me Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nëpërmes portës që gjendet në anën lindore të oborrit.
Mbi portën kryesore të xhamisë është vendosur epitafi në mermer në gjuhën arabe, me këtë përmbajtje: “Gazi Mehmed pasha përsëri ndërtoi një xhami. Nuk e bëri për nam të tij por e bëri për Allahun. Xhami prej argjendi në shehrin e Prizrenit. Shehrin e bëri xhenet. Duke ditur historinë thotë Shejh Aliu e ka bërë Allahu Qabën për të varfërit.” Edhe pse Mehmed Pasha ndërtoi tyrben (mauzolen) në oborrin e xhamisë ai aty nuk u varros pasi që vdiq në betejë diku në Panoni (Hungari).
Xhamia Mehmed Pashës është nga xhamitë më të mëdha të Prizrenit. Ka planimetri katrore me hajat të theksuar në të tre anët, ndërsa hapësira qendrore e lutjeve mbulohet me një kupolë impozante. Pjesa e hajatit mbulohet me kulm tre-ujor të mbështetur në shtylla të drurit. Objekti është ndërtuar me gurë dhe është suvatuar në enterier dhe eksterier. Muret në enterier janë kryesisht të ngjyrosura me të bardhë dhe të dekoruara me piktura me motive florale, ku dominon ngjyra e kaltër. Kupola, gjithashtu është e dekoruar me piktura murale me motive gjeometrike dhe florale. Mihrabi dhe mimberi i xhamisë janë të punuara nga mermeri ndërsa mahfili nga druri i dekoruar.
Oborri është i shtruar me kalldrëm, në anën perëndimore gjenden nëntë krojet që shërbejnë për abdes (larje para namazit) dhe kanali i ujit.
Përpos rëndësisë arkitektonike, Xhamia e Mehmed Pashës ka rëndësi historike pasi që në këtë objekt është mbajtur Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit. Këtu është ngritur edhe flamuri, ku xhamia mori nofkën “Bajrakli” (flamurtar). Objekti është restauruar disa herë fatkeqësisht në mënyrë joprofesionale. Restaurimi i fundit më voluminoz është bërë në vitin 1994/96 ku është bërë edhe ripikturimi i enterierit.
Xhamia e Bajraklisë së bashku me bibliotekën, medresenë, tyrben dhe shtëpitë e vjetra tradicionale të lagjes, formojnë një tërësi të shkëlqyer të trashëgimisë arkitektonike të periudhës Osmane.
Emërtimet dhe Referimet
Numri Unik: 000351
Emri: Xhamia e Gazi Mehmed Pashës
Klasa: Monument
Institucioni: QRTK – Prizren
Lokacioni
Shteti: Kosove
Komuna: Prizren
Qyteti/Fshati: Prizren
Lokaliteti: Bajrakli-Rahlin, Sheshi i Lidhjes së Prizrenit
Kodi Postar: 20000
Emri i rrugës: “Bajrakli”
Lloji funksional dhe datimi
Lloji (Tipi):Arkitektuale
Periudha: Osmane
Shekulli: XVI