Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2003
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Xhamia e Çohaxhi Mahmudit gjendet në lagjen e “Tabakhanes”, në pjesën perëndimore të Prizrenit.
Sipas mbishkrimit në hyrje të saj, ndërtimin e xhamisë e ka filluar Çohaxhi Mahmud Çelebiu gjatë shek. XVIII. Pas vrasjes së tij në luftë xhaminë e përfundojnë besimtarët në fillim të shek. XIX.
Që nga koha kur është ndërtuar e deri më tani ka kryer funksionin fetar si xhami e lagjes. Kompleksi i xhamisë përbëhet nga oborri që rrethohet nga muri rrethues, që e kufizon kompleksin nga rruga kah ana lindore dhe veriore, ndërtesa e xhamisë, shatërvani, krojet e hapura për marrjen e abdesit dhe nyjat sanitare.
Si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes, në vitin 1995 struktura e vjetër e xhamisë rrënohet dhe ndërtohet një xhami e re, me formë dhe përmasa të ndryshme nga ajo e vjetra. Nga struktura e vjetër ruhet vetëm minarja e xhamisë.
Xhamia e re posedon hapësirat e dedikuara për lutje, duke përfshirë hajatin, sallën qendrore të lutjes dhe minaren.
Hajati gjendet në anën veriperëndimore, ka planimetri drejtkëndëshe, të mbuluar me dy kupola. Mbi portën e drurit është vendosur mbishkrimi i xhamisë së vjetër.
Salla e lutjes ka planimetri drejtkëndëshe. Në murin juglindor janë vendosur mihrabi me bazë ovale dhe minberi i punuar nga druri. Në pjesën veriperëndimore të sallës së lutjes gjendet mahvili – galeria si hapësirë e lutjes për gra. Salla e lutjes mbulohet me kupolë që mbështetet mbi bazën tetëkëndore. Kupolat dhe kulmi janë mbuluara me llamarinë të plastifikuar.
Minarja gjendet në murin perëndimor të xhamisë, ka planimetri rrethore, të ndërtuar nga gurët shpuzorë. Ka një lartësi mesatare, mbulohet me kulmin në formë koni dhe karakterizohet me sherefen – ballkonin rrethor dhe dekorimet gjeometrike.
Ndërhyrjet joprofesionale të realizuara ndër vite kanë shkaktuar humbjen e strukturës origjinale të xhamisë, duke u zëvendësuar me strukturë të re të ndërtuar me materiale moderne.
Minarja e vjetër është element i vetëm origjinal i ruajtur nga ky monument i trashëgimisë kulturore.
Emërtimet dhe Referimet
Numri Unik: 000387
Emri: Xhamia e Çohaxhi Mahmudit
Klasa: Monument
Institucioni: QRTK – Prizren
Lokacioni
Shteti: Kosove
Komuna: Prizren
Qyteti/Fshati: Prizren
Lokaliteti:
Kodi Postar: 20000
Emri i rrugës: “Ejup Statovci”
Lloji funksional dhe datimi
Lloji (Tipi):Arkitektuale
Periudha: Osmane
Shekulli: XVIII