Vlera e zuhdit dhe realiteti i tij

Nevoja për të folur rreth zuhdit është shumë e madhe, sepse njëra prej shkaqeve kryesore që i ka largua njerëzit nga zbatimi i islmait në jetën e përditshme është dashuria ndaj dunjasë dhe angazhimi i tërësishëm në arritjen e të mirave të saja. Andaj kur të kuptojmë vlerën e kësaj bote dhe vlerën e ahiretit, kur të kuptojmë dallimin e madh mes tyre, atëherë do të veprojmë për këtë botë aq sa do të qëndrojmë këtu dhe do të veprojmë për ahiret aq sa do të jetojmë atje.

Fundi i fundit dashuria ndaj dunjasë është edhe shkaku për të cilin armiqtë kanë ngadhnjyer mbi ne. Ju kujtohet hadithi i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të cilin e transmeton Theubani [radijall-llahu anhu]: “Së shpejti do t’ju sulmojnë armiqtë nga çdo anë, ashtu siç e sulmojnë pjatën me ushqim të uriturit. Thanë: o i Dërguar i All-llahut, a pse do të jemi pak atë ditë? Tha: jo, ju atë ditë do të jeni shumë, mirëpo do të jeni sikur shkuma e përrockës, do të futë në zemër të juaj vehnin, kurse do të largon nga zemra e armikut tuja frikën prej jush. Thanë: ç’është vehni, o i Dërguar i All-llahut? Tha: dashuria ndaj kësaj bote dhe urrejtja e vdekjes”. (Ahmedi dhe Ebu Davudi, hadithi sahih).

Kjo edhe shumë shkaqe tjera më ka shtyrë të flas mbi këtë temë.

Çka domethënë Zuhd

Dije se zuhdi është pozitë e ndershme në të cilën ndalet ai që ecë drejt All-llahut [subhanehu ve teala] dhe domethënë largim prej një gjëje të cilën e do drejt asaj që është më e mirë se ajo edhe pse ndoshta nuk e do. Disa njerëz zahid i thonë atij që largohet prej dunjasë, mirëpo zahid i vërtetë është ai që largohet prej çdo gjëje përveç All-llahut [subhanehu ve teala].

Nuk është zuhd largimi prej pasurisë dhe harxhimi i tij sidoqoftë, por zuhd është lërja e dunjasë duke e ditur vlerën e ultë që e ka përballë vlerës së çmueshëm që e ka ahireti.

Njerëzit kanë dhënë definicione të ndryshme mbi zuhdin, secili sipas shijes së tij.

– Ibn Kajimi [rahimehull-llah] thotë: kam dëgjuar Shejhul-Islam, Ibn Tejmijen, [rahimehull-llah] duke thënë: “zuhd dmth lërja e asaj që nuk të bën dobi në ahiret, kurse ver’ dmth lërja e asja që të bënë dëm në ahiret”. Pastaj thotë: kjo është shprehja më e mirë që e kam dëgjuar mbi zuhdin.

– Sufjan Theuriu thotë: zuhd në dunja është të shkurtosh shpresën, e jo të hashë ushqim të vrazhdë dhe të veshish rroba të vrazhda.

– Xhunejdi thotë: zuhd është përmendur në ajetin:

“Ashtu që të mos dëshproheni tepër për atë që u ka kaluar, e as të mos gëzohi tepër me atë që Ai u ka dhënë, pse All-llahu nuk e do asnjë arrogant që u lavdërohet të tjerëve”. (El-Hadid: 23). Zahidi nuk i gëzohet ekzistimit të diçit në dunja dhe nuk i dëshpërohet humbjes së diçkaje nga dunjaja.

– Jahja ibn Muadhi [rahimehull-llah] thotë: zuhd është të jesh bujar me pushtet, kurse dashuri është të jeshë bujar me shpirtë.

– Ibn Xhelai thotë: zuhd është të shikosh dunjanë se është një gjë kalimtare, të zvogëlohet në syrin tënd dhe të jetë më lehtë largimi prej saj.

– Xhunejdi thotë: zuhd është të zbrazet zemra nga ajo që tu ka zbrazur dora.

– Imam Ahmedi thotë: zihd është shkurtimi (zvogëlimi) i shpresave. Në një transmetim tjetër qëndron: mos të gëzohet nëse i vjen dunjaja dhe mos të dëshpërohet nëse i ikë dunjaja. E kanë pyetur për një njeri që i ka një mijë dinar, a mund të jetë ky njeri zahid? Është përgjigjur: po, nëse nuk gëzohet kur ti shtohen këto para dhe nëse nuk dëshpërohet nëse i pakësohen.

– Ebu Sulejman Darani thotë: zuhd është lërja e çdo gjëje që të angazhon nga All-llahu.

– Imam Ahmedi ka thënë: zuhdi është në tre aspekte:

Një: lërja e haramit, kjo është zuhdi i masës së thjeshtë;

Dy: lërja e tepricës së hallallit, kjo është zuhdi i masës së veçantë dhe

Tre: lërja e asaj që të angazhon nga All-llahu, kjo është zuhdi i atyreve që e njohin All-llahun (arif- njohës, gnostik).

Ibn Kajimi në lidhje me këto fjalë të Imam Ahmedit [rahimehull-llah] thotë: Kjo thënje e Imam Ahmedit i kaplon të gjitha thënjet e mëparshme të dijetarëve, me sqarime plotësuese mbi shkallët e saja. Ky është definicioni më përmbledhës mbi zuhdin dhe njëherazi tregon se ky Imam ka qenë në post të lartë sa i përket kësaj shkence. Andaj Imam Shafiu [rahimehull-llah] e ka dëshmuar imamllëkun e tij në tetë sfera, njëra prej tyre ka qenë edhe zuhdi.

Definicioni për të cilin kanë konzensus njohësit e mirë të All-llahut është: udhëtimi i zemrës nga toka e dunjasë drejt shkallëve të ahiretit. Në këtë kontekst edhe janë shkruajtur librat e njohura mbi zuhdin, siç është libri i Ibn Mubarekut, i Imam Ahmedit, Vekiut etj.

Zuhdi ka të bëjë me gjashtë gjëra, nuk mund të jetë njeriu zahid nëse nuk bënë zuhd në këto gjashtë gjëra,e ato janë: pasuria, fotografia, pushteti, njerëzit, shpirti dhe çdo gjë përveç All-llahut.

Nuk është qëllimi mosposedimi i tyre, sepse Davudi dhe Sulejmani [alejhimes-selam] kanë qenë zahidat më të mëdhenj edhe pse kanë poseduar mbretëri, pasuri dhe gra. Kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka qenë zahidi më i madh, kurse i ka pasur nëntë gra. Ali ibn Ebi Talibi, Abdur-Rahman ibn Aufi, Zubejri, Uthmani [radijall-llahu anhum], etj kane qenë zahida edhe pse kanë poseduar pasuri, kurse Hasan ibn Aliu [radijall-llahu anhu] ka qenë zahid edhe pse ka qenë njeriu që më së shumti i ka dashur gratë. Abdull-llah ibn Mubareku ka qenë zahid edhe pse ka qenë i pasur, etj.

Ajetet dhe hadithet që flasin mbi zuhdin

Ajetet dhe hadithet që flasin mbi zuhdin janë të shumta ne do t’i përmendim vetëm disa prej tyre.

1- “Shembulli i jetës së kësaj bote është si i një shiu që e kemi zbritur nga qielli, e me anën e të cilit gërshetohen bimët e tokës (mbijnë dhe shpeshtohen të gjitha llojet) prej nga hanë njerëzit e kafshët deri kur toka të ketë marrë stolinë e vet dhe të jetë zbukuruar (me bimë, pemë e behar), e banorët e saj të mendojnë se janë të zotët e saj, e asaj i vjen urdhëri ynë, natën ose ditën, Ne e bëjmë atë (të mbjellat) të korrur sikurse të mos ekzistonte dje. Kështu Ne u sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë”. (Junus: 24).

2- “E ti (Muhammed) paraqitjau atyre shembullin e kësaj bote që ëshë si një ujë (shi) që Ne e lëhsojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshëtohet sa që përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. All-llahuka fuqi për çdo send. Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (frtyi i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë”. (El-Kehf: 45-46).

3- “Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues”. (El-Hadid: 20).

4- “Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po te All-llahu është e ardhmja më e mirë. Thuaj: “A t’ju kumtoj për diç shumë më të mirë se ato (kënaqësitë e dunjasë)? Për ata që janë ruajtur, ata kanë te Zoti i tyre Xhennete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përgjithmonë, kanë bashkëshorte të pastra, dhe kënaqësinë e All-llahut. All-llahu është i kujdesshëm për robtë”. (Ali Imran: 14-15).

5- “Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se dëfrim e lojë, e jetë e vërtetë, padyshim është ajo e botës së ardhme (Ahireti), sikur ta dinin”. (El-Ankebut: 64).

6- “Juve u preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurirë, të fëmijëve, të pozitës)! Derisa të mos i vizitoni varrezat (të bëheni banues të tyre – të vdisni). Jo, nuk është ashtu! Gjithsesi këtë do ta kuptoni më vonë! Përsëri jo, jeni gabim! Më vonë do ta kuptoni! Jo, pse, sikur ta dinit me një dije të sigurt (nuk do të bënit ashtu). Ju pa tjetër do ta shihni Xhehennemin. Madje atë do ta shihni të bindur plotësisht. Pastaj në atë ditë do të pyeteni për të mirat (e dunjas). (Et-Tekathur: 1-8).

Kurse sa i përket haditheve ato janë edhe shumë ma shumë se ajete, në në vazhdim do t’i përmendim vetëm disa prej tyre.

1- Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ” përgëzoni dhe shpresoni atë që ju gëzon. Sepse vall-llahi nuk ju frikohem për varfuri, mirëpo ju frikohem të ju hapet dunjaja e të garoni në te ashtu siç kanë garuar ata që kanë qenë para jush, e të ju shkatërron ashtu si i ka shkatërruar”. (Buhariu dhe Muslimi).

2- Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Ajo që i frikohm për ju është se do tu hapen të mirat e kësaj bote dhe zbukurimet e saja”. (Buhariu dhe Muslimi).

3- Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Me të vërtetë dunjaja është e ëmbël dhe e gjelbërt, kurse All-llahu ju ka bërë mëkëmbës të vetin në te, andaj shikoni se si do të veproni. Keni drojë dunjanë dhe keni drojë gratë sepse fitneja e parë që i ka goditur izraelitët ka qenë sprova e grave”. (Muslimi).

4- Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Do të sjellin një banor të xhehenemit, i cili ka jetuar jetë më të mirë në dunja dhe do ta fusin një herë në xhehenem, pastaj do t’i thonë: a ke parë ndonjëherë të mira, a ke përjetuar ndonjëherë nonjë dhunti? Ai do të thotë: kurrë o Zot. Pasta do të sjellin një njeri prej banorëve të xhennetit, i cili ka jetuar jetë më të vështirë në dunja dhe do ta fusin një herë në xhennet dhe do t’i thonë: a ke parë ndonjëherë të keqe, a ke vuajtur ndonjëherë? Ai do të thotë: jo, kurrë o Zot, ska vuajtur as që kam përjetuar të këqija”. (Muslimi).

5- Transmetohet nga el-Mustevrid ibn Shedad [radijall-llahu anhu] se i Dërguari i All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kjo botë (dunjaja) ndaj botës tjetër (Ahiretit) është sikur kur njëri prej jush ta vendosë gishtin e tij në det, pastaj le të shikojë me çka i kthehet (nga uji i detit)”. (Muslimi)

6- Transmetohet nga Xhabiri [radijall-llahu anhu] se i Dërguari i All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kaloi nëpër treg, kurse njerëzit ishin tubuar rreth tij. Pastaj kaloi pranë një cjapi të ngordhur me veshë të vegjël, e kapi për veshi dhe tha: “Cili prej jush dëshiron ta marrë për një dirhem?” I thanë: “Askush prej neve nuk jep për të asgjë, çka mund të bëjmë me të?” Pastaj tha: “A doni të jetë juaji?” Thanë: “Pasha All-llahun, edhe të ishte i gjallë ishte me të meta, me veshë të vegjël, e lëre më i ngordhur!” Atëherë tha: “Pasha All-llahun, kjo botë vërtet për All-llahun është më e pavlefshme se sa ky (cjap) për ju”. (Muslimi)

7- Transmetohet nga Ebu Dherri [radijall-llahu anhu] se ka thënë: “Isha duke shkuar me Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nëpër një tokë me gurë të zi në Medine derisa u drejtuam nga Uhudi, atëherë më tha: “O Ebu Dherr”. I thashë: “Si urdhëron, o i Dërguari i All-llahut!” Tha: “Nuk gëzohem të kem ar sa ky Uhudi e të kalojnë tek tri ditë, e nga ai të mbetet vetëm një dinar përpos nëse kam të paguaj borxh, ose që me të t’u flas robërve të All-llahut (njerëzve) kështu, kështu dhe kështu të jetë nga e djathta, nga e majta dhe nga prapa”. Pastaj eci (Pejgamberi) dhe më tha: “Vërtet, ata që kanë shumë, në Ditën e Gjykimit do të kenë pak, përveç nëse thonë (veprojnë) me pasurinë kështu, kështu dhe kështu është edhe nga e djathta, nga e majta dhe nga prapa, por të këtillët janë pak”. Pastaj më tha: “Qëndro në atë vend, mos lëviz askund derisa të kthehem!” Pastaj u nis nëpër errësirë të natës derisa nuk dukej, atëherë dëgjova një zë të lartë, unë u frikësova se mos e sulmoi dikush Pejgamberin s.a.v.s. dhe dëshiroja t’i shkoj, mirëpo m’u kujtua fjala e tij “mos lëviz askund derisa të kthehem” andaj nuk lëviza derisa më erdhi, atëherë i thashë: “Unë dëgjova një zë, nga i cili u frikësova.”.. dhe ia shpjegova…ndërsa ai më tha: “A e ke dëgjuar?” I thashë: “Po”. Tha: “Ai ishte Xhibrili, më erdhi dhe më tha: “Kush vdes prej ummetit tënd duke mos i shoqëruar All-llahut asgjë, do të hyjë në Xhennet”. I thashë: A edhe nëse ka bërë prostitucion (zina) dhe nëse ka vjedhë? Tha: “A edhe nëse ka bërë prostitucion dhe nëse ka vjedhë”. (Muttefekun alejhi, ky citat është i Buhariut)

8- Transmetohet nga Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] se i Dërguari i All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Sikur të kisha ar sa është Uhudi, do të gëzohesha sikur të mos kalojnë tri ditë e te unë të mos mbetet asgjë, përveç diç për ta paguar borxhin”. (Muttefekun alejhi)

9- transmetohet nga Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “I mallkuar qoftë robi i dinarit, robi i dirhemit, robi i kadifes, nëse i jipet kënaqet, nëse nuk i jipet hidhërohet ” (Buhariu).

10- Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Xhenneti është burg i besimtarit dhe xhennet i mosbesimtarit”. (Muslimi).

11- Transmetohet nga Abdull-llah ibn Omeri [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më kapi për supe dhe më tha: “Qëndro në këtë botë sikur të jeshë i huaj ose kalimtarë”. Kurse Ibn Omeri [radijall-llahu anhu] thoshte: Nëse ngrysesh mos e prit agimin, nëse dhinë në mëngjesë, mos e pritë mbramjen, mer nga shëndeti jotë për kohën e sëmundjes tënde dhe mër nga jeta jotë për vdekjen tënde. (Buhariu).

12- Transmetohet nga en-Nu’man ibn Beshir [radijall-llahu anhu] se ka thënë: “Umer ibn el-Hattabi [radijall-llahu anhu] foli për fitimin e njerëzve nga të mirat në këtë botë dhe tha: “Vërtet e kam parë të Dërguarin e All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] gjatë tërë ditës (me bark) të përkulur (nga uria) nuk kishte as hurma të këqija, që ta mbushte barkun e tij”. (Muslimi)

13- Transmetohet nga Aisheja [radijall-llahu anhu] se ka thënë: “Ndërroi jetë i Dërguari i All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kurse në shtëpinë (dhomën) time nuk kishte asgjë që mund të hante ai që ka mëlqi (qoftë njeri, kafshë etj.) përveç pak elb në raftin tim, e mora dhe hëngra prej tij mjaftë gjatë, pastaj e mata dhe ai u harxhua”. (Muttefekun alejhi)

14- Transmetohet nga Ka’b ibn Malik [radijall-llahu anhu] se i Dërguari i All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Dy ujq të uritur të cilët bien ndër dele nuk bëjnë më tepër dëm se sa lakmia e njeriut për pasuri dhe karrierë (autoritet) që i bën fesë së tij”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)

15- Transmetohet nga Ibni Abbasi dhe ‘Imran ibn el-Husajn [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kam shikuar në Xhennet dhe kam parë se shumica e xhennetlinjve janë të varfërit (e kësaj bote), dhe kam shikuar në Xhehennem dhe kam parë se shumica e tyre janë gra”. (Muttefekun alejhi, nga transmetimi i Ibni Abbasit, po ashtu e transmeton Buhariu nga transmetimi i Imran ibn el-Husajn)

GRADAT E ZUHDIT

Të gjith njerëzit nuk janë në një gradë sa i përket zuhdit, andaj ata ndahen në tre grada kryesore:

Një: Njeriu i cili mundohet të bëhet zahid ndaj kësaj bote edhe pse ia kënda, mirëpo ai e lufton vetveten, ky njeri konsiderohet, njeri që mundohet të bëhet zahid. Kjo është fillimi i zuhdit.

Dy: të tregohet zahid ndaj dunjasë me vullnetin e tij, mos të gjejë në këtë vepër aspak lodhje. Mirëpo ai në këtë gradë e sheh zuhdin e tij dhe shpesh herë e kthenë kokën nga kjo vepër, saqë disa herë përpak të mburret me këtë vepër. Ky mendon se me këtë vepër që ka bërë ka lërë një gje me vlerë për një gjë me vlerë më të madhe.

Tre: kjo është grada më e lartë të tregohet zahid ndaj zuhdit të tij. Ai nuk konsideron se ka lërë diç, sepse e di se dunjaja nuk vlen asgjë. Ai e sheh veprën e tij sikurse ka lënë një leckë dhe ka marur për te një margaritar. Këtu aspak nuk vjen në shprehje kompenzimi.

Lërja e dunjasë i ngjanë një njeriut i cili dëshiron të hyjë te një mbret. Mirëpo në derë të mbretit gjindet një qen, i cili nuk e le askend të hyjë. Ky ia hedh një kafshatë qenit dhe hynë brenda në pallat të mbretit e i afrohet mbretit. Shejatni është qeni në derë të All-llahut, i pengon njerëzit nga hyrja mbrenda, edhe pse dera është e hapur, kurse perdeja e ngritur. Kurse dunjaja i ngjanë asaj kafshatës, andaj ai që e le atë kafshatë për të arritur krenarinë e mbretërisë, aspak nuk e llogaritë atë kafshatë.

Llojet e zuhdit

Zuhdi është tre lloje:

Një: zuhd për të shpëtuar nga denimi, llogaria dhe vështirësitë në Ditën e Kijametit. Ky është zuhd i frikacakëve.

Dy: zuhdi duke shpresuar dhe lakmuar shpërblimin dhe të mirat e përhershme në xhennet. Ky është zuhdi i shpresuesve. Këta lanë të mira për të mira. Dhe:

Tre: lloji më i lartë i zuhdit. Ky njeri nuk bënë zuhd për tu larguar nga dhimbjet e as për t’i arritu kënaqësitë, por duke kërkuar takimin me All-llahun [subhanehu ve teala]. Ky është zuhdi i bamirësve dhe njohësve. Sepse kënaqësia e shikimit në Fytyrë të All-llahut është me i madhë në krahasim me kënaqësinë e xhennetit, sikur dallimi në kënaqësi me posedimin e krejt botës ndaj atij që e posedon vetëm një shpezë që luan me te.

Disa tregime të selefit që kanë të bëjnë me zuhdin

1- Tregon Malikud-Dar se Omeri [radijall-llahu anhu] i përgaditi katërqind dinar dhe i tha shërbëtorit të vet: meri këto njëqind dinar dërgoja Ebu Ubejdes dhe prit e shiko se çka do të veprojë me ato para. Shkoi shërbëtori dhe ia dërgoi atij ato para. I mori Ebu Ubejdeja dhe tha: All-llahu e mëshiroftë Emirin, pastaj tha: oj robëreshë, meri këto pesë dinar dërgoja filanit, këto shtatë dinar dërgoi tjetrit, kështu veproi derisa i harxhoi të gjitha paratë. U kthye shërbëtori i Omerit te Omeri dhe i tregoi ndodhinë. Omeri [radijall-llahu anhu] kishte përgaditur një qese tjetër me para dhe i tha: shko, dërgoja Muadhit. Ia dërgoi Muadhit [radijall-llahu anhu], kurse ai i mori dhe tha: All-llahu e mëshirfotë emirin. Pastaj i mori ata para dhe i tha robëreshës së tij: këto para dërgoja filanit, këto tjerat atij tjetrit, në ndërkohë doli gruaja e Muadhit dhe tha: edhe Nesaiu jemi të varfur, atëherë ia hedhi dy dinar që i kishin mbetur. U kthye shërbëtori dhe i tregoi edhe për rastin e Muadhit, u gëzua Omeri dhe tha: ata janë vëllezër.

2- Erdhën Esha’th ibn Kajsi dhe Xherir ibn Abdull-llahi te Selman Farisiu, i dhanë selam dhe u ulën, pastaj i thanë: a je ti shokë i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]? Tha: jo. Ata u habitën. Vazhdoi dhe tha: shok i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është ai që ka hyrë me te në xhennet. I thanë: kemi ardhur nga Ebu Derdaja [radijall-llahu anhu]. U tha: ku është hedija e tij për mua? Thanë: vall-llahi nuk na ka dhënë hedije. U tha: nuk ka ardhur njeri prej te ai e që nuk më ka dërguar hedije nëpërmjet tyre. I thanë: vall-llahi ai hedije për ty nuk na ka dhënë, mirëpo po dashë pasuri Nesaiu kemi pasurinë tonë. U tha: jo, unë hedijen e tij e kërkoj. Atëherë ata u kujtuan pak dhe thanë: Nesaiu kur ishim te ai, ai na tha: në mesin e juaj është një njeri, kur vetmohej Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me te nuk kërkonte askend tjetër. Nëse takoheni me te dërgoni selam prej meje. U tha: kjo është hedija, të cilën e kërkoja prej jush, vallë ka hedije më të mirë se kjo?

3- Katadeja [radijall-llahu anhu] tregon dhe thotë: kur i erdhi vdekja Amirit, filloi të qajë. I thanë: pse po qanë? Tha: nuk jamë duke qajtur nga frika prej vdekjes e as nga lakmia për këtë botë, mirëpo jam duke qajtur agjërimin e ditëve të nxehta dhe namazin e natës.

4- Abdull-llah i biri i motrës së Muslim ibn Sadit thotë: u nisa të shkojë për në haxhxh, daja im, Muslimi mi dha dhjetëmijë dirhem dhe më tha: kur të shkoshë në Medine, kërko shtëpinë më të varfur në Medine dhe jepja këto para. Kur hyra në Medinë, pyeta për shtëpinë më të varfur në medine dhe ma treguan një shtëpi. Shkova te ajo shtëpia dhe trokita derën. U përgjegj një grua. I thashë: jam një njeri nga Bagdadi, mi kanë dhënë dhjetëmijë dirhem për ti shpërndarë shtëpisë më të varfur në Medine, më thanë se ju jeni ata. U përgjegj gruaja: ai njeri paska kushtëzuar tia japish familjes më të varfur, fqinjët tanë janë më të varfur se ne. e lash këtë shtëpi dhe shkova te fqinjtë e tyre. Trokita derën, mu përgjegj një grua. I thashë njejtë sikur të parës. Kurse ajo ma ktheu: ne dhe fqinjët tanë jemi të barabartë në varfuri, ndaje mes nesh në mënyrë të barabartë.

5- Ibrahim ibn Shebib ibn Shejbe thotë: të xhumanë uleshim dhe bisedonim mbi fikhun, ndërkohe erdhi një njeri me një pal rrobash dhe u ul me dhe ne dhe e parashtroi një mesele. Filluam të bisedojmë mes vehte mbi këtë mesele derisa u ndamë. Ky njeri erdhi përsëri të xhumanë e ardhshme, kurse ne filluam ta duam dhe pyetëm se ku banon. Na thanë: banon në Harbije kurse lagapin e ka Ebu Abdull-llah. Filluam të dëshirojmë të ulemi me te, sepse mexhliset tona, me te, bëheshin mexhlise të fikhut. Kështu vazhduam një kohë, pastaj filloi të mungojë. Pyetmë njëri tjetrin, vallë çka ky njeri që filloi të mungojë?! Tubimet tona ishin shumë të mira me te, në mungesë të tij disi e ndijshmi tubimin tonë të vetmuar. I premtuam njëri tjetrit se nesër në mëngjesë do të shkojmë në Harbije dhe do të pyesim për të. Erdhëm në Harbije dhe ishim një numër i madh. Na vinte turp të pyesim për Ebu Abdull-llahin. I pamë disa fëmijë që ishin lëshuar nga shkolla dhe i pyetëm për Ebu Abdull-llahin. Ata na thanë: sigurisht se jeni duke pyetur për gjuetarin? U thamë: po. Thanë: tani e ka kohën të vjen, pritni pak. U ulëm ta presim, pas pak kohe me të vërtetë erdhi, ishte i veshur me një leckë në vend të izarit dhe një leckë në vend të ridasë, kurse me vehte kishte disa shpenzë të therur dhe disa të gjallë. Kur na pa, u buzqesh dhe tha: çka ju solli këtu? I thamë: fillove të mungosh nga tubimet tona, kurse prania yte e bëne tubimin tonë interesant, erdhëm të shohim pse po mungon? Tha: po ua them të vërtetën. Kisha një fqinjë, ia mernja rrobat atij kur vija te ju. Mirëpo ai nuk ishte i këtij vendi, andaj edhe u kthye prap, kurse unë nuk kisha rroba që të vije te ju. Ejani të hyjmë te unë dhe të hamë atë rizk që na e ka sjellur All-llahu. I thamë njëri tjetrit: të hymë në shtëpi të tij. Kur iu afruam shtëpisë së tij dha selam dhe priti pak, pastaj hyri dhe na dha leje edhe neve për të hyrë. I shtroi disa gjëra dhe na mundësoi të ulemi mbi to. Pastaj shkoi te gruaja e tij dhe ia dorëzoi shpenzët e prerë, kurse të gjallët i mori me vehte dhe na tha: unë së shpejti do të kthehem. Shkoi në treg i shiti shpenzët e gjalla dhe për to bleu bukë. Kur u kthye, gruaj e tij vetëmse i kishte bërë gati shpenzët, e na shtruan sofrën me bukë dhe mish shpenzësh, ndërkohë na binte ujë dhe kripë. Çdo herë që ngritej i thonim njëri tjetrit: shikoni këtë gjendje të tij, ne jemi zotëri të basrës, pse mos tia ndryshojmë gjendjen e tij?! Njëri tha: unë do ti jap pesëqind, tjetri tha: unë do ti jap tetëqind, tjetri tha: unë do ti jap kaq, e tjetri kaq. U mblodhën pesëmijë dirhem. Thanë: të ngritemi dhe tia sjellim këto para që të ndryshojë gjendjen e tij. U ngritëm nga ai, duke kalërosuar kaluam pranë tregit të Basrës, aty pamë Muhammed ibn Sulejmanin, princin e Basrës ishte hypur në vend të lartë dhe shikonte njerëzit. Kur na pa i tha shërbëtorit të vet: sjellma këtu Ibrahim ibn Shebib ibn Shejben. Shkova te ai, e ai më pyeti për ardhjen tonë këtu, kurse unë ia tregova qëllimin e ardhjes tonë në këtë vend. Atëherë tha: unë do tua kaloi në këtë të mirë. Djalosh sjellma një qese me dirhemë. Ai e solli. Tha: thërrite një rrojtar dhe shkoni me këtë njeri ku jam duke u dërguar dhe jepnija këto para. U gëzova dhe u ngrita duke nxituar. Kur arrita te dera e tij, i dhashë selam, mu përgjegj ebu Abdull-llahi dhe doli jasht. Kur e pa rojtarin që mbante në qafë qesen me dirhemë, ju duke sikur ti kisha hedhur hi në sy, u drejtua nga unë me fytyrë të ndryshuar dhe më tha: çka është kjo, çke me mua, o ti njeri, dëshiron të më sprovosh?! I thashë: o Ebu Abdull-llah, kështu është tregimi i kësaj ndodhie, pastaj ti e di se është njeri tiran, po të më urdhëronte ti dërgojë në ndonjë vend, unë do të kthehesha dhe do t’i thoja se i kam dërguar në atë vend. Kë dro All-llahun për këtë gjë. Ai edhe më tepër mu hidhërua për këto fjalë. Hyri në shtëpi dhe e mbylli derën në fytyrën time. Unë mbeta, nuk dija se ç’ti tham emirit. Vendosa t’ia tregoi të vërtetën. Erdha dhe ia tregova atë që ndodhi me mua. I mllefosur tha: sigurisht është havarixh. I tha shërbëtorit të vet: sjelle shpatën dhe ma dha mua: mere këtë shpatë shko me rojtarin tim dhe hjekja kokën dhe ma sjell mua këtu. Ibrahimi thotë: i thash emirit: All-llahu e përmirësoftë emirin, ai njeri nuk mundet të jetë havarixh, mirëpo po shkoj unë dhe të sjell lajmin e tij. Dëshiroja ta shpëtoj njeriun. Më dha garancë. Eca derisa arrita te shtëpia e tij, kur arrita te shtëpia e tij gjeta një grua duke qajtur, pastaj ma hapi derën, u mbulua dhe më dha leje që të hyjë. Më tha: çkeni me ebu Abdull-llahin? Thashë: çka ka? Tha: hyri brenda, shkoi te bunari, mori ujë, mori abdest dhe tha: All-llahu im, më mer te ti dhe mos më sprovo. Pastaj u shtri duke e thënë këtë fjalë. Shkova ta shoh, e gjeta se kishte vdekur. Oj ti grua mes nesh ndodhi një tregim i madh, mos i trego askujt. Shkova te Muhammed ibn Sulejmani dhe i tregova tregimin. Atëherë ai tha: unë do t’ia fali xhenazen. U përhap lajmi i këtij njeriu dhe i fali xhenazen emiri me të gjith banorët e Basrës. All-llahu e mëshiroftë.

All-llahun e lusim të na bëjë prej zahidave në dunja dhe prej garuesve dhe nxituesve për në ahiret. Amin.

Bekir Halimi,
22.9.2000