Ramazani, ngërthen në veten e tij shumë vlera të mëdha, ndër to;
1. Ramazani, është muaji në të cilin zbriti Kur’ani, Allahu i madhëruar thotë: “Këto ditë janë, ditët e muajit të ramazanit, në të cilin muaj ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente të dokumentuara për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja.” (El Bekare; 185 ).
2. Ramazani, është muaji në të cilin hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët. I dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur të vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit si dhe prangosen shejtanët.” (Mutefekun alejhi ).
3. Ramazani, është muaji në të cilin arrihet falja e mëkateve, për ata ditët e ramazanit i kalojnë në agjërim dhe netët e ramazanit i kalojnë në namaz. I dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe bindje, i falen mëkatet e kaluara.” (Mutefekun alejhi)
“Kush e falë namazin me besim dhe bindje, i falen mëkatet e kaluara.”
4. Ramazani, është muaji në të cilin gjendet Nata e Kadrit, e cila është më me vlerë se njëmijë muaj, Allahu i madhëruar, thotë: “Na kemi fillur ta shpallim (Kur’anin) në natën e Kadrit, e kush të tregon ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.” (El Kadr: 1 – 3 )
Kush e kalon natën e Kadrit me namaz, i falen mëkatet e kaluara. I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e kalon natën e Kadrit duke falur namaz, me besim dhe bindje, i falen mëkatet e kaluara.” (Mutefekun alejhi).
5. Ramazani, është muaji në të cilin Allahu i liron robërit e Tij nga zjarri i Xhehenemit. I dêrguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu liron (në ramazan) nga zjarri (robër të Tij), dhe kjo ndodh në çdo natë (të ramazanit).” (Tirmidhiu, Albani thotë se hadithi është hasen (i mirë).
Dr. Ahmed el Mezid
Nga arabishtja: Suad Shabani
Burimi: albislam.com