Falënderimi i takon Allahut të Vetëm dhe Ngadhënjimtar, Atij që i përmbys zemrat dhe shikimet, që e mbështjell natën me ditën dhe ditën me natën, që ato të jenë kohë për vepra dhe masa për jetëgjatësi. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe të pashoq, të Fuqishmit dhe Falësit të madh; një dëshmi që e pastron zemrën e atij që e beson nga shirku me vërtetësinë e pohimit dhe e çon thënësin e saj në Xhenet. Eh sa përfundim i bukur! Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, i zgjedhuri dhe i përzgjedhuri; Allahu me dërgimin e tij ia hoqi umetit prangat dhe barrat. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi gratë e tij dhe mbi shokët e tij të zgjedhur, paqe dhe bekime të pandërprera deri në Ditën e Vendimit. E më pas:
Ju këshilloj veten time dhe ju, o robër të Allahut, me devotshmëri ndaj Allahut, sepse ajo është furnizimi më i mirë me të cilin robi pajiset për në botën e kthimit: “Merrni furnizim, sepse furnizimi më i mirë është devotshmëria” (El-Bekare, 197).
Dijeni se ndër shenjat që i Fuqishmi dhe Dhuruesi i ka bërë mësim për njerëzit me mendje dhe zemra të zgjuara është njohja e numrit të viteve dhe llogaritja e kohës. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është që e bëri diellin ndriçim dhe hënën dritë dhe ia caktoi asaj fazat, që ju të dini numrin e viteve dhe llogaritjen. Allahu nuk i krijoi këto veçse me të vërtetën; Ai i shpjegon argumentet për njerëzit që dinë. Me të vërtetë, në ndërrimin e natës dhe ditës dhe në atë që Allahu ka krijuar në qiej dhe në tokë ka shenja për njerëzit që kanë devotshmëri” (Junus, 5–6).
O vëllezër të nderuar,
Nuk ka asnjë ditë prej ditëve dhe asnjë muaj prej muajve të vitit, pa pasur në to adhurime me të cilat robërit i afrohen Zotit të tyre.
Ja ku është afruar në prag, o vëllezër të dashur, është një muaj prej muajve më fisnikë të vitit. Allahu ka ligjësuar për ju në të agjërimin dhe ju ka nxitur që në të të përmirësoni marrëdhëniet mes jush dhe vëllezërve tuaj muslimanë, duke larguar armiqësinë dhe grindjen. Aishja, Nëna e Besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ agjëronte aq shumë sa thonim: nuk po e ndërpret agjërimin; dhe e ndërpriste aq sa thonim: nuk po agjëron. Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ ta plotësojë agjërimin e një muaji të tërë përveç Ramazanit, dhe nuk e kam parë të agjërojë më shumë në ndonjë muaj sesa në Shaban” (Buhariu dhe Muslimi).
Ebu Davudi transmeton nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Muaji më i dashur për të Dërguarin e Allahut ﷺ që ta agjëronte ishte Shabani; pastaj ai e lidhte me Ramazanin.”
A e dini, o njerëz, arsyen pse Profeti juaj ﷺ e veçoi këtë muaj të bekuar me agjërim? Sepse është muaji në të cilin ngrihen veprat tek Zoti juaj i Madh dhe i Lartësuar. Usame ibn Zejdi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, transmeton: “I thashë: O i Dërguari i Allahut, nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj siç agjëron Shabanin. Ai ﷺ tha: ‘Ai është një muaj për të cilin njerëzit janë të pavëmendshëm, mes Rexhebit dhe Ramazanit. Është muaji në të cilin ngrihen veprat tek Zoti i botëve, dhe unë dua që përderisa vepra ime ngrihet të jem agjërues’” (Ahmedi dhe Nesaiu).
Lum ai të cilit vepra i ngrihet dhe është dëshmitare për të, dhe ndërmjetësuese që ndërmjetëson për të tek Zoti i Tij i Bekuar dhe i Lartësuar për pranimin e asaj që ka fituar me duart e veta.
Agjëro sot ditën tënde të afërt, që nesër
të fitosh në Bajramin e Fitrit, kur njerëzit janë agjërues.
O vëllezër fisnikë,
Ky është një muaj me shumë mirësi dhe dhurata. Në të, Zoti i Bekuar dhe i Lartësuar i hedh shikimin krijesave të Tij dhe i fal të gjithë, përveç atij që i bën Allahut shok me idhujtari dhe atij që mban armiqësi me vëllanë e tij musliman. Nga Ebu Musa el-Esh’ariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu shikon natën e mesit të Shabanit dhe i fal të gjithë krijesat e Tij, përveç idhujtarit dhe atij që mban armiqësi” (Ibn Maxhe).
Mjerë ai që e ka bërë veten armik për muslimanët! Pasha Allahun, ai ka bërë një mëkat të madh dhe ka kryer një krim të rëndë. Sa e rëndë është armiqësia e zemrave, kur i Gjithdijëshmi e ka shoqëruar atë me shirkun, që është mëkati më i shëmtuar! A do të ndalesh nga përqarja me vëllezërit e tu? A do të tërhiqesh nga armiqësia me bashkëmoshatarët e tu?
Dije, o njeri, se nata dhe dita janë si dy arka; shiko çfarë vendos në to: mirësi apo padrejtësi.
Bëhu, o vëlla musliman, prej të lumturve që i shfrytëzojnë stinët e mirësive, vlerat e muajve, ditëve dhe orëve, dhe i afrohen Zotit të tyre me adhurime; ndoshta i prek ndonjë rreze e mirësisë dhe mëshirës nga ato rreze, e bëhen të lumtur me një lumturi që i siguron nga zjarri dhe nga flakët e tij.
Dita e djeshme kaloi, dëshmitare e drejtë,
dhe pas saj erdhi një ditë e re për ty.
Nëse sot e përmirëson, dobi do të kthehet,
ndërsa e djeshmja, pasi kaloi, nuk kthehet më.
Nëse dje ke bërë gabim, pasoje me mirësi sot,
dhe do të jesh i lavdëruar.
Mos e shty kurrë të mirën për nesër,
se ndoshta nesër vjen dhe ti nuk je më.
Allahu na bekoftë mua dhe juve me Furkanin dhe Përkujtimin e Urtë, dhe na dhëntë sukses të kapemi fort pas tij dhe pas asaj në të cilën ishte Profeti fisnik ﷺ, me udhëzimin e drejtë dhe rrugën e drejtë.
I kërkoj falje Allahut, Falësit dhe të Butit, për veten time dhe për ju, nga çdo padrejtësi dhe mëkat. Me të vërtetë, Ai është Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Falënderimi i takon Allahut, Falësit të mëkateve, Pranuesit të pendimit, Mbuluesit të të metave, Çliruesit të brengës dhe Heqësit të fatkeqësive. I Lartësuar dhe i lavdëruar qoftë Ai: Ai e përkrah të thyerin, e pasuron të varfrin, e mëson të paditurin, e udhëzon të hutuarin, e drejton të humburin, i vjen në ndihmë të dëshpëruarit, e shëron të sprovuarin, e çliron të burgosurin, e ngop të uriturin, e vesh të zhveshurin, i fal rrëshqitjet dhe i mbulon të metat. Ai ia jep pushtetin kujt të dojë dhe ia heq pushtetin kujt të dojë; e lartëson kë të dojë dhe e poshtëron kë të dojë. Në dorën e Tij është e mira; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe të pashoq, Falës dhe i Fuqishëm; dhe dëshmoj se Profeti ynë Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, dritë ndriçuese dhe përgëzues earalajmërues. Paqja e Allahut, dhe bekimet e Tij qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Kthimit. E më pas:
“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe le të shikojë çdo shpirt çfarë ka përgatitur për nesër; dhe kini frikë Allahun, se Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që punoni. Dhe mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e Ai i bëri të harrojnë vetveten; të tillët janë mëkatarët. Nuk janë të barabartë banorët e zjarrit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit janë fitimtarët” (El-Hashr, 18–20).
Dijeni, o vëllezër të nderuar, se jeta më e mirë që robi e jeton në këtë botë, dhe mbjellja më fisnike që ai e mbjell për të korrur frytin e saj në botën e përhershme, është t’i përkushtohet Krijuesit, duke e shoqëruar këtë me përulësi të zemrës dhe me varësi të vazhdueshme ndaj Tij.
Dhe mbyllja më e bukur, o vëllezër të dashur, është freskimi i gojëve me salavate dhe selam mbi më të mirin e njerëzimit, në zbatim të urdhrit të Mbretit të Shenjtë, Burimit të paqes, i Cili ka thënë në Fjalën më të mirë: “Me të vërtetë, Allahu dhe engjëjt e Tij e bekojnë me salate Profetin. O ju që keni besuar, dërgoni salate atij dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab, 56).
O Allah, begatoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç e ke begatuar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit; Ti je i Lavdëruar dhe i Madhëruar. Dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç e ke bekuar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit, në mbarë botët; Ti je i Lavdëruar dhe i Madhëruar.
O Allah, ji i kënaqur me katër halifët, udhëheqësit e drejtë dhe të udhëzuar, zotërues të virtytit të madh dhe pozitës së lartë: Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun.
Dhe ji i kënaqur, o Allah, me familjen e Profetit Tënd, me gratë e tij të pastruara nga çdo e metë, dhe me shokët e tij të zgjedhur ndër njerëz.
O Allah, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit.
O Allah, ne jemi robërit e Tu, bij të robërve të Tu dhe bij të robëreshave të Tua; ballët tanë janë në dorën Tënde, gjykimi Yt mbi ne zbatohet, dhe vendimi Yt ndaj nesh është i drejtë. Të lusim me çdo Emër që është i Yti, me të cilin e ke quajtur Veten, ose që e ke zbritur në Librin Tënd, ose që ia ke mësuar ndonjërit prej krijesave të Tua, ose që e ke ruajtur në fshehtësitë e dijes së padukshme pranë Teje, që Kur’anin ta bësh pranverë të zemrave tona, dritë të kraharorëve tanë, shërim të pikëllimeve tona dhe largim të brengave e shqetësimeve tona.
O Allah, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, largo prej nesh sprovat dhe të këqijat, me mëshirën Tënde, o i Fuqishëm, o Falës. Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër, dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.
Dr. Gazi bin Hamed Elhakemij
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



