Florim ef. Mellova

Lavd-falënderimet, frikë-respektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është Krijues i kënaqësive të përhershme të Xhenetit, dhe Krijues i dënimeve të përkohshme e të përhershme Xhehenemit.
Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi me të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin a.s , mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi shokët e tij të zgjedhur.
Mexhliset ku përmendet Allahu xh.sh janë mexhliset më të pastra, më me vlerë, më të dobishmet, më madhështore dhe më të respektuara tek Allahu.
Përcillen shume citate rreth vlerës së këtyre mexhliseve, se ato janë jetë për zemrat, rritje për besimin, përmirësues dhe pastrim për njeriun, në krahasim me mexhliset e shkujdesjes ku nuk përmendet Allahu. Nuk ngritët njeriu prej atyre mexhliseve përveçse me besim më të mangët, me zemër më të dobët, ku për të do të bëhet pikëllim, brenga dhe pendim.
Të parët tanë këtyre mexhliseve i kushtonin rëndësi të veçantë dhe i respektonin shumë.

“O besimtarë, nëse ju ndihmoni (fenë) Allahun, Ai ju ndihmon juve dhe u forcon këmbët tuaja.” (Muhamed 7)

Abdullah ibën Revaha, r.a, i kapte për dore disa prej shokëve të tij dhe u thoshte: “Ejani të besojmë disa çaste, ejani ta përmendim Allahun, ta rrisim besimin duke iu nënshtruar, e ndoshta Ai na përmend me falje.”
Umejr el Hatamij, r.a, thoshte: “Besimi rritet dhe pakësohet.” – U pyet se çka e rrit dhe pakëson? – Tha: “Kur e përmendim Allahun e Madhëruar, e falënderojmë dhe e lartësojmë, kjo e rrit besimin. Kur e neglizhojmë, e humbim dhe e harrojmë, kjo e pakëson besimin.”
Mexhliset ku përmendet Allahu janë kopshtet e xhenetit në tokë. Transmeton Enes ibën Malik, r.a, se Pejgamberi, s.a.v.s, ka thënë: “Kur të kaloni nëpër kopshtet e xhenetit, qëndroni në to.” I thanë: “Cilat janë kopshtet e xhenetit?” U përgjigj: “Ato janë mexhliset ku përmendet Allahu.” (Imam Ahamedi dhe Tirmidhiu)
Tra. Xhabir ibën Abdullah, r.a, i cili thotë: Pejgamberi, s.a.v.s, një ditë doli dhe na tha: “O ju njerëz, qëndroni në kopshtet e xhenetit.” – O i Dërguar i Allahut, cilat janë kopshtet e xhenetit? – U përgjigj: “Ato janë mexhliset ku përmendet Allahu.” – Pastaj tha: “Ngrihuni, shkoni dhe përmendeni Allahun. Ai i cili dëshiron ta di pozitën e tij te Allahu, le ta shikon pozitën e Allahut në veten e vet, se Allahu ia jep pozitën robit të Tij aq sa i jep robi pozitën e Allahut në vete.” (Ibën Ebi Dunja dhe Hakimi)
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush dëshiron të jetojë në kopshtet e xhenetit të dynjasë, le të bëhet banor i mexhliseve ku përmendet Allahu, se ato janë kopshtet e xhenetit.”
Mexhliset ku përmendet Allahu janë mexhlise të melekëve. Ato nuk kanë mexhlise të tjera në dynja, përveç se mexhliseve ku përmendet Allahu.
Ebu Hurejra, r.a, na përcjell se Pejgamberi, s.a.v.s, ka thënë: “Allahu ka caktuar melaqe që shëtisin nëpër rrugë duke kërkuar ata që përmendin Allahun. Dhe nëse gjejnë ndonjë grup që përmendin Allahun, i thonë: Na i tregoni nevojat tuaja, dhe i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e dynjasë. Allahu i pyet melekët, ndërkohë që Ai e di më mirë: “Çfarë po thonë robërit e Mi?” Melekët i përgjigjen: “Ty të lavdërojnë, o Allah, Ty të falënderojnë, Ty të madhërojnë dhe Ty të lartësojnë.” Allahu u thotë: “Vallë, a më kanë parë Mua?” I thonë: “Jo, pasha Ty, nuk të kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur të më shihnin Mua?” Melekët përgjigjen: “Sikur të kishin parë Ty, ata do të lavdëronin edhe më shumë, do të falënderonin edhe më shumë.” Allahu i pyet: “Çfarë kërkojnë prej meje?” I përgjigjen: “Xhenetin.” Allahu iu thotë: “Vallë a e kanë parë xhenetin?” I përgjigjen: “Jo, pasha Ty, nuk e kanë parë.” Allahu u thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Do ta kërkonin pa pushim, dhe do të përpiqeshin me çdo kusht ta fitonin.” Allahu u thotë: “Nga se kërkojnë mbrojtje prej Meje?” I përgjigjen: “Nga zjarri i xhehenemit.” Allahu i pyet: “A e kanë parë atë?” I përgjigjen: “Jo, pasha Ty, nuk e kanë parë.” Allahu u thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Nëse do ta kishin parë atë, do t’i largoheshin e frikësoheshin akoma më shumë.” Allahu thotë: “O melaqet e Mia, Unë ju bëj dëshmitarë juve se Unë i kam falur ata.” Një prej melekëve thotë: “O Allah, aty ndodhet një person i cili nuk është aty për tjetër pos për nevojat e veta.” Allahu thotë: “Tek ai mexhlis edhe ai që është rastësisht nuk do të dalë i humbur.”
Pra, mexhliset ku përmendet Allahu janë mexhlise të melekëve, ndërsa mexhliset e dëfrimit dhe neglizhencës janë mexhlise të shejtanëve. Çdonjëri shkon te ajo çka i përshtatet dhe i takon. Pra, le ta zgjedhë njeriu më të mirën dhe atë që më së shumti e mahnit. Ai që rri me atë që e përmend Allahun është i lumtur, në krahasim me atë që është i shkujdesur dhe dëfryes. Ai e dëmton shokun dhe e bën të palumtur.
Mexhliset ku përmendet Allahu e mbrojnë njeriun prej pikëllimit dhe pendimit në ditën e Kiametit, kurse mexhliset e dëfrimit do të jenë pikëllim dhe pendim ditën e Kiametit.
Ebu Hurejra, r.a, na përcjell se Pejgamberi, s.a.v.s, ka thënë: “Kush ulet në një vend dhe nuk përmend Allahun, ajo tek Allahu është humbje kohe dhe do të pendohet, dhe kush shtrihet në një shtrat dhe nuk e përmend Allahun, tek Allahu është humbje e kotë dhe do të pendohet.”
I Dërguari, s.a.v.s, doli një ditë dhe gjeti një grup të shokëve të vet dhe i pyeti: “Pse jeni tubuar?” I thanë: “Jemi tubuar ta përmendim Allahun dhe ta falënderojmë që na ka udhëzuar në Islam e na ka dhënë këtë dhuratë.” U tha: “Pashë Allahun, vetëm për këtë shkak jeni tubuar?” Thanë: “Po, vetëm për këtë qëllim jemi tubuar.” U tha: “Unë nuk kërkova prej jush betimin pse nuk ju besova, mirëpo më erdhi Xhibrili, alejhi selam, dhe më lajmëroi se Allahu me ju krenohet para melekëve”.
Mexhliset ku përmendet Allahu janë shkak për zbritjen e qetësisë shpirtërore, kaplimin e mëshirës dhe rrethimin e melekëve. Tra. Ebu Hurejra se Muhamedi a.s ka thënë: “Nuk ulet një popull në një mexhlis ku përmendet Allahu, përveçse i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai.” (Muslimi)

“E kush do që i bindet Allahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!. Ky shpërblim i madh është prej Allahut. Mjafton që Allahu di më së miri.” (Nisa 69-70)

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mexhliset ku përmendet Allahu janë shkak i madh për mbrojtjen e gjuhës dhe mbrojtjen e saj prej fyerjeve dhe bartjes së fjalëve, prej sjelljeve të pamoralshme dhe prej së kotës. Njeriu patjetër detyrohet që të flasë. Në rast se nuk flet duke e përmend Allahun, dhe duke i përmend urdhëresat e Tij, dhe nuk flet diçka të mirë dhe të dobishme, atëherë ai patjetër do t’i bëjë ato mëkate. Kush e ushtron gjuhën e tij në përmendjen e Allahut e mbron gjuhën e tij prej të kotës dhe dërdëllitjeve. Ndërsa kujt i thahet gjuha prej përmendjes së Allahut, do të flas çdo të kotë, gjepura dhe çdo gjë të pamoralshme.”
E lus Allahun xh.sh që ta plotëson kohën tonë me adhurim, dhe mexhliset e tona t’i bëjë mexhlise ku përmendet, falënderohet dhe madhërohet emri i Tij, dhe të na mbrojë prej mexhliseve të dëfrimit dhe të kotës, se vetëm prej Tij kërkohet ndihmë dhe vetëm Ai është që mundet t’i plotëson dëshirat e robërve të Tij.

Hutbeja u mbajt me 15.07.2011
në xhaminë e Hadumit-Gjakovë

Burimi