Vlera e leximit të Kur’anit dhe sjellja e selefit ndaj Kur’anit

Pa dyshim se fjala më e mirë është Fjala e All-llahut, e shpallur në Librin e Tij, të cilin e ka shjellur shpirti besnik (xhibrili [alejhis-selam]) mbi zemrën e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], për tua tërhjek vëmendjen njerëzimit me gjuhë arabe të qartë.

Kur’ani i madhërishëm dhe sunneti i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] janë përplot me citate që flasin mbi vlerën e leximit të Kur’anit dhe veprimit sipas tij.

Ajetet dhe hadithet që flasin mbi vlerën e leximit të Kur’anit

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di çpunoni ju”. (El-Ankebut: 45).

“Ne do ta lexojmë ty e nuk do të harrosh (Kur’anin)”. (El-A’la: 6).

“Ata që lexojnë librin e All-llahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (All-llahu) do t’ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është mëkatfalës dhe shumë mirënjohës”. (Fatir: 29- 30).

Kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

1- Ebu Umame [radijall-llahu anhu] thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë: “Lexojeni Kur’anin, vërtet ai do të ndërmjetësojë Ditën e Gjykimit për të zotët e vet”. (Muslimi)

2- Abdull-llah ibn Mesudi [radijall-llahu anhu] thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush e lexon një shkronjë nga Kur’ani e meriton një shpërblim, kurse një e mirë vlen sa dhjetë të ngjajshme me te. Nuk jamë duke thënë: Elif lam mim, është një shkronjë, por elifi është një shkronjë, lami është një shkronjë dhe mimi është një shkronjë”. (transmeton Tirmidhiu, hadithi është sahih).

3- Nevvas bin Sem’an [radijall-llahu anhu] thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë: “Ditën e Gjykimit do të vijë Kur’ani dhe të zotët e tij, të cilët vepronin sipas tij në këtë botë (dunja), u prijnë suret “El-Bekaretu” dhe “Ali imran”, të cilat ndërmjetësojnë për shokun (lexuesin) e vet”. (Muslimi)

4- Uthman ibnu Affan [radijall-llahu anhu] thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili mëson Kur’an dhe ia mëson atë dikujt”. (Buhariu)

5- Ebu Musa El-Esh’ariu [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i qitrës (etruxhxhetu): aroma e së cilës është e mirë dhe shijen e ka të mirë; shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kur’anin, është sikurse hurma (temretu): nuk ka erë, por shijen e ka të ëmbël; ndërsa shembulli i munafikut (hipokritit) i cili e lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i krizantemës (lule vjeshte) (rejhanetu), aroma e së cilës është e mirë, ndërsa shija e idhët. Shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i kungullit të egër (handzaletu), që nuk ka aromë, kurse shijen e ka të idhët”. (Muttefekun alejhi)

6- Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Vërtet All-llahu me këtë Libër do t’i ngrit disa popuj, ndërsa do t’i ulë disa të tjerë”. (Muslimi)

7- Ibnu Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk ka xhelozi vetëm në dy veta: Njeriut të cilit All-llahu ia ka dhënë Kur’anin dhe ai e lexon atë (në namaz) natën dhe ditën , dhe njeriut të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri dhe ai atë e harxhon natë e ditë në bamirësi”. (Muttefekun alejhi)

8- Berra bin Azib [radijall-llahu anhuma] thotë: “Ishte një njeri i cili lexonte suretul Kehf, kurse pranë tij ishte një kalë i lidhur me dy litarë. Në një moment zbriti një re dhe filloi t’i afrohet, ndërsa kali filloi të ikë prej saj. Pasi agoi, njeriu erdhi te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe i tregoi për atë që kishte ndodhur. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Kjo është mëshirë, zbriti për hir të Kur’anit”. (Muttefekun alejhi)

9- Abdull-llah ibnu Amr ibnul Asi [radijall-llahu anhuma] tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Poseduesit të Kur’anit do t’i thuhet: Lexo dhe hip lartë, lexoje ashtu si e ke lexuar në dynja. Vendi yt do të jetë ke ajeti i fundit të cilin do ta lexosh”. (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thonë: hadith hasen sahih)

10- Ebu Musa [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ruajeni Kur’anin, betohem në Atë që shpirti i Muhammedit është në duart e Tij, vërtet Kur’ani zgjidhet më shpejt se sa deveja nga litari i saj”. (Muttefekun alejhi)

11- Ibnu Umeri [radijall-llahu anhuma] tregon se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Vërtet shembulli i një hafidhi të Kur’anit është sikurse shembulli i një deveje të lidhur. –Nëse kujdeset për të e mban e nëse e lë ik”. (Kështu pra është edhe me hafidhin e Kur’anit, nëse gjithnjë e lexon do të mbetet hafidh i tij, përndryshe do ta harrojë). (Muttefekun alejhi)

12- Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë: “All-llahu nuk i lejon askujt atë që ia ka lejuar Pejgamberit, që me zë të bukur, melodik e të lartë ta lexojë Kur’anin”. (Muttefekun alejhi)

13- Berra bin Azib [radijall-llahu anhuma] thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke lexuar në namazin e jacisë “Vettini vezzejtuni” (suren Tin). Unë nuk kam dëgjuar zë më të bukur se zërin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]”. (Muttefekun alejhi)

Disa hadithe që flsain për vlerën e disa sureve dhe ajeteve:

1- Nga Ebu Seid El-Huderijj [radijall-llahu anhu] përcillet se i Dërguari All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë për “Kulhuvall-llahu ehad”: “Për Atë, shpirti im në duart e të cilit është, kjo sure është e barabartë me një të tretën e Kur’anit”. Në një transmetim tjetër tregohet se I Dërguari i All-llahut u tha shokëve të tij: “A asnjëri prej jush nuk mund ta lexojë një të tretën e Kur’anit brenda një nate?” –Kjo iu duk e rëndë atyre dhe thanë: “Cili prej nesh do të mund ta përballonte o I Dërguari i All-llahut?” –Në atë rast u përgjigj: “Kulhuvall-llahu ehad. All-llahus-samed është një e treta e Kur’anit” (Transmeton Buhariu)

2- Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë se: “‘Kul huvAll-llahu ehad’ është e barabartë me një të tretën e Kur’anit”. (Transmeton Muslimi)

3- Ebu Mes’ud El-Bedrijj [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures “Bekare” gjatë një nate, do t’i mjaftojnë”. (Muttefekun alejhi)

4- Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] thotë: “Më autorizoi Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për ruajtjen e zekatit të Ramazanit (sadakai fitrit) dhe më erdhi një udhëtar që filloi të marrë ushqim, e kapa dhe i thashë: “Patjetër do të të dërgoj te i Dërguari i All-llahut!” Ai tha: “Unë jam i nevojshëm, unë kam familje dhe nevojë shumë të madhe”. Unë e lejova të shkojë. Kur agoi, i Dërguari i All-llahut tha: “O Ebu Hurejre ç’bëri me ty ai që e zure mbrëmë?” Unë i thashë: “O i Dërguari i All-llahut, u ankua në nevojshmëri dhe familje, më është dhimbsur dhe për këtë e lashë të hyjë. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Sa i përket atij, ai të ka gënjyer dhe prapë do të vijë”. Pasi e dija se do të vijë prapë, sipas fjalëve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], unë e pritja: erdhi dhe filloi të marrë ushqim. Unë i thashë: “Të dërgoj te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]”. Ai prapë tha: “Më lësho, unë jam i nevojshëm, kam shumë fëmijë dhe nuk do të vij tjetër herë”. Mu dhimbs dhe e lëshova të shkojë. Të nesërmen i Dërguari i All-llahut më tha: “O Ebu Hurejre ç’bëri me ty ai që e zure mbrëmë?” Unë i thashë: “Ankohej se ka nevojë shumë të madhe dhe ka shumë fëmijë. Mu dhimbs dhe e lirova të shkojë”. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më tha: “Ai të ka gënjyer dhe përsëri do të kthehet”. E prita për të tretën herë kur erdhi të marrë ushqim. E kapa dhe i thashë: “Gjithsesi do të të dërgoj te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] Kjo është hera e tretë që ti thua se nuk do të kthehesh dhe prapë vjen”. Ai më tha: “Liromë, sepse unë do t’i mësoj disa fjalë, të cilat do të sjellin dobi te All-llahu”. I thashë: “Cilat janë ato?” Ai më tha: “Kur të shkosh të fleshë në shtratin tënd, lexoje ajeti Kursinë deri në fund të ajetit: “All-llahu la ilahe il-la huvel hajjul kajjumu”, dhe se All-llahu atë natë do të ruajë dhe se shejtani nuk do të afrohet deri në agim. Për këtë e lejova të shkojë. Të nesërmen pas agimit, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më tha: “Çka bëri robi me ty dje?” Unë i thashë: “O i Dërguari i All-llahut, ai më premtoi se do të më mësojë disa fjalë me të cilat All-llahu do të më sjellë dobi, për këtë e lejova të shkojë”. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më tha: “Cilat janë ato fjalë?” Unë i thashë se ai më tha: ‘Kur të shkosh të flesh lexoje ajeti Kursinë “All-llahu la ilahe il-la huvel hajjul kajjumu”, atë do ta kesh vazhdimisht mbrojtës të All-llahut, as nuk do të të afrohet ndonjë shejtan derisa të zgjohesh. Prap e lejova të shkojë. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Të ka thënë të vërtetën, edhe pse ai gjithmonë është gënjeshtar. A e di se me kënd ke biseduar prej tre netësh o Ebu Hurejre?” I thash: Jo. Ai ishte shejtani!”, – m’u përgjigj. (Buhariu)

5- Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ata njerëz që tubohen në njërën prej shtëpive të All-llahut (xhami), që të lexojnë Librin e All-llahut dhe ta studiojnë në mes veti, do t’ju vijë atyre paqja (qetësia) e plotë e All-llahut dhe do t’i mbulojë mëshira e Tij, dhe melaqet do të kujdesen për sigurimin e tyre e All-llahu do t’i lavdërojë tek ata që i ka pranë”. (Muslimi)

Për këto argumente që i paraqitëm muslimanët duhet dhënë rëndësi mësimit të Kur’anit, duhet ndërlidhur fëmijët tanë me Kur’anin, duhet nxitur që në secilën lagje, secila xhami të ketë vend ku do të mësohet Kur’ani.

Kujdesi që në çdo lagje të kemi vende, që secila xhami të mëson fëmijët leximin e Kur’anit do të na sjellë shumë dobi. Prej tyre janë:

1- E mësojmë leximin e Kur’anit, e mësojmë përmendësh dhe na shtohet dashuria ndaj tij.

2- I ndërlidhim fëmijët me xhamitë.

3- E shfrytëzojnë kohën në veprën më të dobishme.

4- Shkakton edukim të mirë të fëmijut, me çrast edhe prindi fiton nga sevapet që i fiton ai fëmijë.

5- Ata që tubohen në mexhlise të tilla fitojnë sevape të ndryshme, siç u përmend në hadithin e mëparshëm..

6- I largojmë fëmijët tanë nga humbja e kohës pa dobi.

Si të përfitojmë nga Kur’ani

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Në të gjitha këto ka përkujtim, për atë që ka zemër, ka hedhur dëgjimin dhe është dëshmitar”. (Kaf: 37).

Nëse dëshiron të përfitosh nga Kur’ani, përmbledhe zemrën gjatë leximit, hedhe dëgjimin, konsidero vehten se All-llahu të drejtohet me këto ajete, pasiqë All-llahu ti ka dedikuar këto ajete ty. Për tu arritur dobia nga leximi i Kur’anit duhet të ketë element që ndikon, vend qe e pranon këtë ndikim, kushti për tu realizuar ndikimi dhe largimi i pengesës që e pengon realizimin. Përbmushja e këtyre katër kushteve mundëson arritjen e efektit të plotë. Këto gjëra ajeti i lartcituar i përmbledhë dhe i sqaron me sqarim të plotë.

Pjesa e ajetit: “Në të gjitha këto, ka përkujtim”, dmth në ajetet që kanë kaluar nga sureja Kaf deri në këtë ajet. Ky është elementi ndikues.

“Për atë që ka zemër”, është vendi që e pranon ndikimin. Qëllimi është zemra e gjallë që kupton atë që ia thotë All-llahu, sikurse thotë në ajetin tjetër:

” ai (Kur’ani) nuk është tjetër vetëm se këshillë dhe Kur’an i qartë. Për t’ia tërhequr vërejtjen ati që është gjallë “. (Jasin: 69-70). Dmth atij që ka zemër të gjallë.

“Dhe ka hedhur dëgjimin”. Dmth ka drejtuar dëgjimin e tij dhe e ka angazhuar këtë shqisë që të dëgjon atë që i thuhet. Kjo është kushti që të arrihet ndikimi me fjalë.

“Dhe është dëshmitar”. Dmth është i pranishëm me zemër, nuk është duke munguar.

Ibn Kutejbeja [rahimehull-llah] thotë: dëgjo Librin e All-llahut duke qenë i pranishëm me zemër dhe kuptim, e jo gafil dhe i pakujdesshëm. Me këtë ka aluduar në pengesën e cila mund të pengon arritjen e dobisë, që është neglizhenca (gafleti) dhe pakujdesi ndaj asaj që i thuhet dhe mendimi rreth asaj që i thuhet. Pra, nëse gjindet elementi ndikues, që është Kur’ani, vendi që e pranon ndikimin, që është zemra e gjallë, ekziston kushti, që është dëgjimi dhe largohet pengesa, që është angazhimi i zemrës dhe moskujdesi ndaj asaj që i thuhet dhe marja me gjëra tjera në atë kohë, do të arrihet ndikimi, që është pasja dobi nga Kur’ani i madhëruar.

Si ta lexojmë Kur’anin

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

” dhe Kur’anin lexoje me vëmendje”. (El-Muzzemmil: 4). Dmth, lexoje ngadal, me kujdes që të ndihmon ta kuptosh Kur’anin dhe të meditosh rreth ajeteve të tija.

E kanë pyetur Ummu Selemen [radijall-llahu anha], si e lexonte Kur’anin Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]? Është përgjigjur: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur lexonte Kur’an, e ndalte leximin në secilin ajet. Lexonte bismil-lahir-rahmanir-rahim, pastaj ndalej, lexonte el-hamdulilahi rabbil-alemin, pastaj ndalej, lexonte er-rahmanur-rahim, pastaj ndalej, lexonte maliki jeumid-din, pastaj ndalej. Kështu vepronte deri në fund të sures”. (Transmeton Tirmidhiu, hadithi është sahih).

Është e pëlqyer që leximi i Kur’anit të bëhet ngadal, të zbukurohet zëri dhe mos të nxitohet.

Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Zbukuroni zërin e juaj gjatë leximit të Kur’anit, sepse zëri i bukur ia shtonë bukurinë Kur’anit”. (Ebu Davudi dhe tjerët, hadithi është sahih).

Kurse Abdull-llah ibn Mesudi [radijall-llahu anhu] thotë: “Mos e lexoni Kur’anin sikur kur e hedhni rërën e as sikur kur e lexoni poezinë, por lexoni ngadal dhe ndaluni në mrekullitë e tija, lëvizni zemrat dhe mos ta keni qëllim përfundimin e sures”. (Buhariu).

Është e pëlqyer që pasi të lexon Kur’an të bëjë lutje dhe të kërkon prej All-llahut ndonjë gjë që i nevojitet, sepse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kush lexon Kur’an, le të kërkon prej All-llahut me këtë vepër çka të dëshiron”. (Tirmidhiu, hadithi është hasen).

Kur’ani është argument për ty ose kundër teje

Ky nëntitull është marur nga hadithi të cilin e transmeton Imam Muslimi në “sahihun” e tij, hadith i cili i ndaka njerëzit në dy grupe:

Një: lexues i Kur’anit, për të cilin Kur’ani do të jetë argument për te në Ditën e Kijametit. Ky është njeriu i cili e ka lexuar Kur’anin, ka vepruar sipas urdhërave të Kur’anit, largohet nga harami, hallallin e konsideron hallall, haramin haram, me te gjukon dhe ate e arbitëron, me gjykimin e tij është i kënaqur dhe mediton rreth kuptimeve të ajeteve të tij.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend”.(Sad: 29). Ai vazhdimisht lexon Kur’an, e mëson përmendsh dhe e dëgjon, qoftë drejt për së drejti ose nëpërmejt audi kasetave.

Dy: lexuesi që lexon Kur’an, mirëpo ky Kur’an do të jetë argument kundër tij në Ditën e Kijametit. Ky njeri është ai që e lexon Kur’anin, mirëpo nuk vepron sipas urdhërave të Kur’anit, nuk largohet prej ndalesave të Kur’anit, hallallin nuk e konsideron hallall, as haramin haram, nuk gjykon me te as nuk arbitërohet te ai, nuk e pëlqen gjykimin e tij, nuk i intereson ta kuptojë, të meditojë rreth tij e as ta zbatojë në jetën e tij. Ai e lexon ajetin:

” mandej sinqerisht të lutemi për mallkim, dhe mallkimi nga ana e All-llahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve”. (Ali Imran: 61). Mirëpo parap se prapë i gënjen njerëzit gjatë bisedës, në premtime, në sjelljen e tij, në marëveshje, etj. Është për tu habitur që , kafirat disa herë i gjenë ma të drejtë se muslimanët në bisedat, sjelljet dhe premtimet e tyre.

Abdull-llah ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] ka thënë: Ka zbritur Kur’ani që të veprohet sipas tij, kurse njerëzit leximin e konsiderojnë vepër”.

Disa njerëz e lexojnë Kur’anin, bile edhe përmendësh e mësojnë, mirëpo aspak nuk veprojnë sipas porosive që janë brenda në Kur’an. Sjellja e tyre është krejtësisht në kundërshtim me atë që është në Kur’an.

Disa të tjerë leximin e Kur’anit e kanë bërë profesion nga i cili fitojnë para. Kjo është e ndaluar. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

“Lexoni Kur’anin dhe veproni me te, mos e teproni e as mos e leni pas dore, mos hani me te e as mos u pasuroni me Kur’an”. (Ahmedi dhe të tjerët, hadithi është sahih).

“Lexoni Kur’an dhe kërkoni me te prej All-llahut, para se të vijnë disa njerëz, të cilët do të lexojnë Kur’an dhe do të kërkojnë me te prej njerëzve”. (Ahmedi dhe të tjerët, hadithi është sahih).

Mos u largoni nga Kur’ani

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“E i dërguari tha: “O Zot imi, vërtet, populli im e konsideroi këtë Kur’an si (diç) të hedhur!”. (El-Furkan: 30).

Mushrikët e Mekës, kur u lexonte Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] Kur’an, ata nuk e dëgjonin, por bisedonin dhe e ngritnin zërin me biseda që mos ta dëgjojnë Kur’anin. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ata që nuk besuan thanë: “Mos dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni!”. (Fussilet: 26).

Mosbesimi dhe mosbindja në Kur’an është largim prej tij.

Moskuptimi dhe mosmeditimi mbi ajetet e tij është largim prej Kur’anit.

Mosveprimi me te, moszbatimi i urdhërave dhe moslargimi nga ndalesat është largim prej tij.

Mosgjykimi sipas tij dhe mosarbitërimi i tij është largim prej tij.

Mosleximi i tij është largim prej tij.

E lusim All-llahun që të na largojë nga ajo që e hidhëron dhe të na orijenton nga ajo që i pëlqen, siç është leximi i Kur’anit, memorizimi i tij dhe veprimi sipas tij gjatë natës dhe ditës, ashtu sikur e dëshiron dhe e pëlqen Ai. Amin.

Selefi dhe Kur’ani

Jeta e selefit është përplot shembujsh interesantë mbi interesimin e madh që e kanë pasur ndaj leximit të Kur’anit. Në vijim do t’i sjellim

vetëm disa prej tyre:

1- Abdull-llah ibn Amr ibn Asi [radijall-llahu anhu] tregon dhe thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më tha: lexoje krejt Kur’anin për një muaj. I thashë: mundem edhe ma tepër. Më tha: lexoje për 20 netë. I thashë: mundem edhe ma tepër. Më tha: lexoje për shtatë ditë, e mos i shto asgjë kësaj”. (Buhariu dhe Muslimi).

Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e ka ndaluar Abdull-llah ibn Amrin që ta lexojë Kur’anin për ma pak se shtatë, ose sipas disa transmetimeve tjera, për më pak se tre ditë, sepse njeriu që e lexon krejt Kur’an për më pak se kaq ditë nuk mundet ta kuptojë, e aspak nuk mundet të meditojë rreth asaj që e lexon. Për këtë, po ta lexon një musliman krejt Kur’anin për shtatë ditë, kjo do të ishte një punë e vlefshme, sepse feja është lehtësim.

2- Musejeb ibn rafiu thotë: Abdull-llah ibn Mesudi [radijall-llahu anhu] thoshte: bartësi i Kur’anit duhet të njihet gjatë natës, kur tjerët flejnë, duhet të dallohet gjatë ditës, kur tjerët hanë ushqim, duhet të jetë i mërzitur kur tjerët gëzohen, duhet të heshtë kur njerëzit përzihen tepër , duhet të ketë hushu, kur njerëzit kanë kibër. Bartësi i Kur’anit duhet të jetë qajtës, i mërzitur, i butë, i urtë dhe njeri që heshtë. Bartësi i Kur’anit nuk duhet të jetë i vrazhdë, as neglizhent (gafil), nuk duhet të bërtasë dhe nuk duhet të hidhërohet.

3- Junus ibn Xhubejri [rahimehull-llah] thotë: Ishim duke ecur me Xhundubin [radijall-llahu anhu], e i thashë: më këshillo. Tha: ke frikë All-llahun, kujdesu për Kur’anin, sepse ai është dritë në natën e errët dhe udhëzim gjatë ditës. Veproni sipas tij edhe nëse e keni rëndë dhe vështirë. Nëse të vjen ndonjë sprovë, jepe pasurinë tënde, e mos e jep fenë tënde. Nëse vazhdon kjo sprovë, jepe vetveten dhe pasurinë e mos e jep fenë tënde, sepse i prishur është ai që e ka prishur dinin e tij dhe i plaçkitur është ai të cilit ia kanë plaçkitur fenë. Dije se s’ka vështirësi pas xhen-netit dhe pasuri pas xhehenemit.

4- Imran El-Xheuni ka thënë: Xhundubi thoshte: ishim fëmijë të vegjël dhe ecnim me Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ne e mësuam imanin para se ta mësojmë Kur’anin, pastaj e mësuam Kur’anin, e me këtë e shtuam imanin.

5- Ata ibn Saibi thotë: Ebu Abdur-Rahmani thoshte: e kemi marur Kur’anin prej disa njerëzve që na tregonin se kur i mësonin dhjetë ajete, nuk i kalonin derisa nuk e mësoni çdo gjë që ishte në to. Ne e mësonim Kur’anin dhe veprimin sipas tij. Do ta trashëgojnë Kur’anin pas neve disa njerëz, që do ta lexojnë sikur që e pinë ujin, mirëpo nuk do tua kalon fytin.

6- Is’hak ibn Ibrahimi thotë: Fudajl ibn Ijadi lexonte Kur’an mërzitshëm, me këndje dhe ngadal, sikurse t’i flet ndonjë njeriut. Kur kalonte ndonjë ajet ku përmendej xhenneti e përsëritke disa herë.

7- Amr ibn Seleme [radijall-llahu anhu] thotë: e kishim fshatin përreth rrugës. Njerëzit kur vinin nga Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kalonin përreth fshatit tonë. Kur vinin, unë afrohesha dhe dëgjoja leximin e Kur’anit. Kështu vazhdova derisa memorizova shumë pjesë të Kur’anit. Njerëzit pritnin çlirimin e mekës që të publikojnë islamin e tyre. Kur u çlirua Mekeja, njerëzit vinin te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe i thonin: ne jemi delegatët e këtij fisi, të kam sjellur dëshminë se ata janë musliman, e kështu me radhë. Babai im shkoi si delegat i fisit tonë për t’i dëshmuar Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] islamin tonë. Dhe u kthye prap, e tha: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Jepni përparësi atij që di më së shumti Kur’an”. Ata kërkuan njeriun që dinte më së shumti Kur’an, e nuk e gjetën askend që dinte Kur’an ma shumë se unë. Unë ateherë isha djalosh. (Ahmedi).

8- Zejd ibn Thabiti [radijall-llahu anhu] tregon dhe thotë: fisi im i thanë Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ky djalosh i fisit Benu Nexhar, i dinë dhjetë sure e më tepër nga ajo që të është shpallur. I pëlqeu kjo Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe tha: “Zejd, mëso shkrim leximin e gjuhës hebreje, sepse unë nuk u besoj çifutëve gjatë leximit të letrave që më vijnë”. E mësova shkrimleximin e gjuhës së tyre pa kaluar 15 ditë. Unë ia lexoja letrat kur i vinin dhe ia shkruaja kur u përgjigjej. (Buhariu dhe Ahmedi).

Tregimet janë të shumta në këtë drejtim, mirëpo mendojmë se kjo mjafton të jetë nxitës për secilin musliman që të kujdeset për mësimleximin e Kur’anit, pastaj leximin e tij pa ndërprerë dhe memorizimin e tij sa ka mundësi. Këtu është shpëtimi ynë, përparimi dhe bereqeti. All-llahu na bëftë prej atyre që kurrë nuk ndahen prej Kur’anit, e lexojnë dhe mendojnë rreth asaj që e lexojnë, dhe në fund veprojnë sipas asaj që i poristë ky Kur’an. Amin.

Bekir Halimi,
27.10.2000