Allahu, xhele ve ala, thotë: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar; ai që e obligon veten të kryejë haxhin, nuk duhet të ketë marrëdhënie me gruan dhe as nuk duhet të bëjë grindje e sharje. Ndërkaq çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Dhe furnizohuni me gjërat që u nevojiten për rrugë, e furnizimi më i mirë është të largoheni nga të lypurit (në haxhillëk). Prandaj druani prej Meje or mendar! (El Bekare; 197).

Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut.” (El Bekare; 196).

Allahu i ka obliguar njerëzit, ata që kanë mundësi t’i përballojnë rrugës, ta vizitojnë (haxhillëk) këtë Faltore.” (Ali Imran; 197).

Dhe ftoi njerëzit në haxhillëk, do të vijnë ata ty – në këmbë dhe (duke shaluar) në çfarëdo deve; duke ardhur prej të gjitha viseve të largëta. Që të prezentojnë në dobitë e tyre dhe të përmendin emrin e Allahut në ditët e njohura (të therrjes së kurbanit) – të shtazëve me të cilat i ka furnizuar Ai. E, hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (El Haxh: 27-28).

Transmeton Ibn Omeri, radijAllahu anhuma, se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, salAllahu alejhi ue selem, duke thënë; “Është ngritur Islami mbi pesë shtylla; 1. Dëshmia se nuk meriton askush të adhurohet me të drejtë pos Allahut, xhele ue ala dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. 2. Falja e namazit. 3. Dhënia e zekatit. 4. Kryerja e Haxhit dhe 5. Agjërimi i ramazanit. (Mutefekun alejhi).

Transmeton Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se i dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë; “O ju njerëz! U është bërë obligim haxhi, andaj kryeni atë! Një njeri tha; A çdo vit, o i dërguar i Allahut, e përsëriti tre herë! I dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, tha; Sikur t’u thosha po, do t’u obligohet, por nuk dot mundit ta kryenit atë çdo vit.” (Muslimi).

“Haxhi është obligim vetëm njëherë gjatë jetës, nëse dikush e kryen më shumë se njëherë, atij i llogaritet si vullnetarë.” (Ahmedi, Ebu Davudi, Ibn Maxhe).

Transmeton Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se e pyetën të dërguarin e Allahut, Muhamedin salAllahu alejhi ue selem, se cila janë veprat më të rëndësishme? Tha; Besimi në Allahun dhe në Pejgamberin e Tij. Më pas e pyetën prap; E pastaj cila? Tha; Lufta në rrugën e Allahut. Prap u pyet; E pastaj cila? Tha; Haxhi që kryhet sipas normave (dispozitave sheriatike), pa gabime dhe që pranohet tek Allahu.” (Buhariu).

“Shpejtoni në kryerjen e haxhit, ngase ju nuk e dini se çka do t’ju ndodhë nesër.” (Ahmedi, Ebu Davudi, Ibn Maxhe, Albani e saktësoi në; Irvaul Galil, 990).

Transmeton Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se i dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai i cili e kryen haxhin xhe nuk ofendon e as nuk shkakton grindje, i tilli do të kthehet nga haxhi sikurse atë ditë kur e ka lindur nëna e tij.” (Buhariu; 2/209, Muslimi; 1350).

Transmeton Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se i dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë; “Umreja deri në umren tjetër është shlyese për mëkatet që janë bërë mes tyre, kurse për haxhin mebrur (të pranuar) nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.” (Buhariu; 1773, Muslimi; 1349).

Transmetohet se Aisheja, radijAllahu anha, ka thënë; E pyeta të dërguarin e Allahut se a ka xhihad për gratë? Tha; “Po ka xhihad për gratë, xhihad në të cilin nuk ka mbytje dhe dyluftim; Ai (xhihad për gratë) është haxhi dhe umreja.” (Ahmedi, Ibn Maxhe, Ibn Haxheri e saktësoi: Bulug el Meram; 728).

Dobitë nga kjo hutbe e shkurtër;
1. Haxhi është bërë obligim në vitin e nëntë hixhri.

2. I dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, e ka kryer vetëm njëherë haxhin.
3. Haxhi është obligim për të gjithë muslimanët të cilët kanë kushtet materiale dhe janë shëndosh dhe psiqikisht mirë.
4. Haxhi është adhurim i cili përfshinë të gjitha adhurimet, siç janë adhurimet e zemrës, e gjuhës, trupit dhe përmes sadakasë (pasurisë).
5. Haxhi ishte obligim edhe për popullin e Ibrahimit, alejhi selam.
6. Haxhi është nga adhurimet më madhore, ngase ai ngërthen në veten e tij shumë vlera dhe dobi.
7. Allahu, ia falë mëkatet haxhilerëve dhe umrexhive, nëse ata kryejnë haxhin dhe umren si ka porositur Allahu.
8. Kush ka mundësi ta kryej haxhin dhe e vonon kryerjen e tij, i tilli duhet të pendohet tek Allahu.
9. Furnizimi më i mirë për haxhilerët është devotshmëria.
10. Grave u lejohet shkuarja në haxh, nëse ato kanë mahrem i cili i shoqëron ato gjatë udhëtimit.
11. Haxhi është një prej shtyllave të Islamit.
12. Realizimi i Teuhidit gjatë ritualeve të haxhit dhe umres, është qëllimi më madhorë.
13. Takimi, njohja mes muslimanëve në Haxh dhe Umre.
14. Uniteti gjatë kryerjes së ritualeve të haxhit, në një vend, në një kohë dhe në një qëllim të caktuar.
15. Haxhi obligohet vetëm njëherë gjatë jetës, nëse ekzitojnë mundësitë, materiale, shëndetësore.
Dhe dobia e fundit;
Për t’u falur mëkatet haxhilerëve dhe umrexhive dhe për ta fituar xhenetin e Allahut, duhet plotësuar këto kushte;
1. Të kryhet haxhi dhe umreja sinqerisht për Allahun.
2. Largimi nga polemikat dhe debatet e kota në haxh dhe umre.
3. Të jetë pasuria nga fitimi hallall.
4. Të kryhet haxhi dhe umreja sipas sunetit të Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem.

Allahu ua pranoftë haxhin dhe adhurimet e bëra gjatë këtyre muajve të shenjtë haxhit.

Allahu e dinë më së miri!

Përgatiti dhe ligjeroi: Suad Shabani

Burimi: albislam.com