Falënderimi i takon Allahut, Krijuesit të gjithësisë, që na ka bekuar me jetën, shëndetin dhe me një mundësi tjetër për të festuar Kurban-Bajramin. Salavatet dhe selamet tona qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), familjen e tij të pastër dhe mbi të gjithë shokët e tij të nderuar.

Vëllezër dhe motra besimtare!

Sot, në këtë ditë të bekuar të Kurban-Bajramit, dua t’i kushtojmë një moment reflektimi një prej dhuratave më të mëdha që na ka dhënë Allahu, e ajo është familja. Në këtë kohë kur shoqëria po përballet me sfida të mëdha dhe me tendenca që synojnë ta dobësojnë dhe ta shpërbëjnë familjen, është e domosdoshme të rikujtojmë vlerën dhe rolin e saj thelbësor.

Krijuesi Absolut jetën në sipërfaqen e Tokës e filloi me familjen. Hazreti Ademi dhe Hava janë familja e parë në këtë botë. Me kalimin e kohës u zhvillua jeta e njeriut në tokë, prandaj dhe u shfaqen raca, fe, kultura dhe civilizime të ndryshme. Në të gjitha këto, familja e ka ruajtur ekzistencën dhe forcën e saj si një vlerë e lartë superiore.

Në Islam, familja konsiderohet si qeliza bazë e shoqërisë. Ajo është vendi ku individi mëson vlerat e para, parimet dhe moralin islam. Pejgamberi ynë i dashur (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka theksuar rëndësinë e familjes në shumë hadithe. Ai ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë ndaj familjes së tij.” Ai ka folur për babën e nënën, për vëllanë e motrën, për bashkëshortët, për fëmijët dhe familjen e gjërë, etj.

Familja është streha ku njeriu gjen ngushëllim, dashuri dhe përkrahje. Ajo është vendi ku fëmijët mësojnë për besimin, moralin dhe kulturën islame. Familja është themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e shëndetshme dhe e qëndrueshme. Çdo ndryshim në shoqëri, fillon nga familja. Dijetari i mirënjohur musliman, Ibn Kajjim El-Xhevzijje, ka thënë: “Nëse një person dëshiron të shohë ndonjë ndryshim në shoqëri, ai duhet të fillojë me ndryshimin e familjes së tij.”

Të respektuar të pranishëm!

Prindërit kanë një rol të rëndësishëm dhe të shenjtë në edukimin dhe udhëheqjen e fëmijëve të tyre. Ata janë shembujt e parë që fëmijët ndjekin dhe duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre. Kur’ani na mëson: “O ju që keni besuar, ruani veten dhe familjet tuaja nga një zjarr, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Surja Tahrim, 66:6).

Nga ana tjetër, fëmijët duhet të tregojnë respekt dhe dashuri ndaj prindërve të tyre. Respekti dhe mirënjohja ndaj prindërve është një nga detyrimet më të mëdha në Islam. Allahu thotë në Kur’an: “Dhe Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni tjetër përveç Tij, dhe të bëni mirë ndaj prindërve tuaj…” (Surja Isra, 17:23).

Në kohën moderne, familja po përballet me shumë sfida dhe kërcënime. Individualizmi, materializmi dhe mungesa e komunikimit po ndikojnë negativisht në unitetin dhe forcën e familjes. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këto rreziqe dhe të punojmë për të ruajtur dhe përforcuar lidhjet tona familjare.

Puna nuk mund të jetë më e rëndësishme se familja. As shoqëria nuk mund të ketë më shumë përparësi ndaj familjes. Në asnjë mënyrë nuk duhet të harrojmë se një familje e fortë është më e madhe se çdo pasuri, më e lartë se çdo pozitë dhe më e vlefshme se çdo karrierë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Le të marrim këtë Bajram si një mundësi për të ripërtërirë lidhjet tona familjare dhe për të përkujtuar rëndësinë e familjes në jetën tonë. Le të punojmë së bashku për të ndërtuar familje të forta, të cilat janë themeli i një shoqërie të shëndetshme dhe të begatë.

Allahu na ndihmoftë të jemi shembuj të mirë për familjet tona dhe të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe të qëndrueshme. Amin!

Dua

O Allah, na jep urtësi dhe dashuri për të udhëhequr familjet tona drejt së mirës. Na ndihmo të jemi prindër të përkushtuar dhe fëmijë të respektueshëm. Na mbro nga çdo gjë që dëmton familjet tona dhe na ndihmo të ndërtojmë shoqëri të qëndrueshme dhe të begatë. Amin.

Vëllezër e motra!

Me këtë e përfundojmë hytben tonë të sotme. Falënderojmë Allahun për këtë ditë të bekuar dhe lutemi për paqe, dashuri dhe mirësi për të gjitha familjet tona.

Gëzuar festa e Kurban-Bajramit!

Hutbeja e Kurban-Bajramit mbajtur në St.Gallen në organizim të xhamisë El-Hidaje, më 16.06.2024)

Hfz. Mehas Alija
Burimi