Ligjërues: Imam Didmar Faja
Lavdërimet i takojnë Allahut Fuqiplotë. Paqja dhe lutjet e Tij qofshin mbi Hz. Muhamedin (a.s.), familjen e tij të pastër, shokët e tij dhe mbi gjithë pasuesit e tij.
Të nderuar besimtarë. Në xhaminë tonë, ç’do natë pas Namazit të Jacisë, përveç të dielave dhe të martave, mbahet një sesion i shkurtë prej pesë deri në dhjetë minuta. Në këtë sesion lexohet një ose dy Hadithe (thënie profetike), që shoqërohen me komentim. Para disa netësh kemi filluar kapitullin e ri rreth moralit, që gjendet në përmbledhjen e Haditheve të Buhariut dhe që quhet: “Libri i moraleve dhe i sjelljeve të Muslimanit”. Në këtë kapitull gjendet një hadith, i cili do jetë dhe baza e kësaj Hutbeje sot.
Transmetohet se Abdullah Ibn Umer ka thënë: “ Nëse posedon katër karakteristika, do bëjë që ti të mos jesh i privuar nga mirësitë e kësaj bote. Morali i mirë, pamja e virtytshme, sinqeritet në të folur dhe besueshmëria.”
Këto ishin mësimet e të Dërguarit të Allahut që ua mësonte shokëve e tij dhe ne sot do flasim shkurtimisht rreth këtyre katër cilësive.
Morali i lartë
Që në fëmijëri, Zoti (xh.sh.) më ka dhënë mundësinë të qëndroj afër dijetarëve dhe njerëzve të ditur dhe gjithmonë njerëzit vlerësonin dhe dëgjonin më shumë, atë që posedonte moralin më të mirë. Në shumicën e kohës, sjellja e jashtme e njeriut tregon brendësinë e tij dhe njeriu vlerësohet nga sjellja e tij. Për këtë dhe thuhet që fëmijët shpeshherë nuk sillen sipas urdhrave të prindërve, por sipas sjelljeve të tyre.
Hz. Muhamedi (a.s.), në një shprehje të tij, e ka krahasuar poseduesin e moralit të mirë, me atë që fal namazin e natës. Ai që ngrihet natën duke trazuar gjumin e tij, thjeshtë për të kujtuar Atë që i ka dhënë gjumin, bën sakrificë dhe tregon sinqeritet të madh. Po ja pra, Pejgamberi (a.s.) e ka krahasuar atë njeri me njeriun besimtarë që posedon moralin e mirë. Gjithashtu raportohet nga Ebu Hurejrah se Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
فقهوا إذا خلاقا أ أحاسنكم إسلاما خيركم
“Më të mirët nga ju në Islam, janë ata që kanë sjelljen më të mirë, nëse kanë sensin e të kuptuarit.” Buhari
Përmendet sensi i të kuptuarit, sepse virtyti është cilësi që mësohet, si shumë cilësi të tjera. Njerëzit, megjithëse lindin të pastër nga gabimet, nuk lindin me virtyte të larta, por gjatë jetës i mësojnë dhe i përvetësojnë ato. Një ditë, Hz. Muhamedi (a.s.) i ka pyetur shokët e tij që e rrethonin: “ Cila është ajo gjë, që bën njeriun më shumë të hyj në Xhennet? Tha: “ Devotshmëria dhe morali i lartë.
Pamja e virtytshme.
Islami kërkon nga njeriu që të jetë i virtytshëm në shikimin e tij, dëgjimin e tij etj. Në Zina, përfshihet dhe ajo e syrit, kur njeriu shikon atë që nuk duhet. Po ashtu zina e të dëgjuarit konsiderohet dhe kur njeriu dëgjon ato që nuk është i lejuar. Përfshihet po në atë kategori dhe ajo e të ecurit dhe të prekurit e asaj që është e ndaluar.
Transmetohet nga Abdullah Ibn Umer (r.a.) se Hz. Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Musliman është ai, i cili nuk u sjell dëm muslimanëve as me gjuhën dhe as me dorën e tij …” (Muttefekun Alejh)
Një student i dijetarit indian Mevlana Eshref Ali Nedvi thotë: “ Kërkohet nga ti të bëhesh njeri i mirë, para se të bëhesh besimtarë i devotshëm.”
Një student i dijes paraqitet para Hoxhës së tij dhe i thotë: “ Në momentin kur falem, ndihem sikur jam në prezencën e Allahut.” Hoxha i tha: “ Kjo është shkëlqyeshëm, po a ndihesh ashtu dhe në marrëdhënie me njerëzit?”
Sinqeritet në të folur
Sinqeriteti shuan hipokrizinë dhe padyshim tek Allahu mbërrijnë ato vepra dhe fjalë të cilat janë bërë me sinqeritet. Hz. Muhamedi (a.s.), i cili është shembulli ynë më i mirë, që i ri, para se t’i zbriste revelata nga Zoti, ishte i njohur si njeri i sinqertë dhe besnik, në fjalë dhe në vepra nga i gjithë populli i Mekes.
Dijetari i njohur Islam, Fudejl, definon sinqeritetin në Islam me këto fjalë: “ Ndalimi i kryerjes së veprave të mira për hatrin e njerëzve, është hipokrizi dhe kryerja e tyre për hatër të njerëzve, është politeizëm, ndërsa sinqeriteti, është që Zoti të shpëtojë ty nga të dyjat.
Nuk fiton ai që gënjen, por vetëm ai që është i sinqertë. Në Kur’anin famëlartë flitet për sinqeritetin në më shumë se njëqind vende.
Mbajtja e premtimit
Mbajtja e premtimit konsiderohet si gjë e shenjtë në Islam. Ajo fillon me përmbushjen e obligimeve fetare, të cilat i kemi emanet dhe vazhdon në relatat e besimtarit me njerëzit që e rrethojnë.
Në versetet e para të Sures Mu’minun, Allahu (xh.sh.) sqaron kategoritë e besimtarëve, ku në to përfshihen dhe ata që mbajnë premtimin dhe i përgëzon ata duke i quajtur: “Trashëgimtarë të Firdevsit.(Parajsës më të lartë)”
وَٱلَّذِينَ هُمۡ لِأَمَـٰنَـٰتِهِمۡ وَعَهۡدِهِمۡ رَٲعُونَ (٨) وَٱلَّذِينَ هُمۡ عَلَىٰ صَلَوَٲتِہِمۡ يُحَافِظُونَ (٩) أُوْلَـٰٓٮِٕكَ هُمُ ٱلۡوَٲرِثُونَ (١٠) ٱلَّذِينَ يَرِثُونَ ٱلۡفِرۡدَوۡسَ هُمۡ فِيہَا خَـٰلِدُونَ (١١)
“Dhe ata të cilët me kujdes i ruajnë ato që u janë besuar (sende ose fjalë), e ruajnë edhe premtimin e dhënë. Dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre. Të tillët janë mu ata trashëgimtarët. Të cilët e trashëgojnë Firdevsin (Xhennetin e lartë), aty janë përgjithmonë.”
O Zot na bëj posedues të moralit të lartë, të virtytshëm në pamje, të sinqertë në fjalë dhe të besueshëm në fillim tek Ti dhe pastaj tek ata që na rrethojnë.
Ligjërata e Xhumasë në Greenway Masjid, AZ
Janar 21, 2011