“Elif, lam, mim. Romakët u mundën, në një tokë të afërt. Megjithatë, pas disfatës së tyre ata do të triumfojnë. Brenda disa viteve.” (Er-Rum 30, 1-4)
Këto ajete kanë zbritur pas disfatave që perandoria bizantine pësoi prej perandorisë perse në Sham (territor që përfshin Sirinë, Palestinën, Libanin dhe Jordaninë e sotme). Në pjesën e parë të shekullit të shtatë, sundimtari pers Husrau Parviz dërgoi një ushtri nën komandën e gjeneralit Shahrbaraz për të sulmuar bizantinët. Këto forca pushtuan një pjesë të Shamit, duke marrë Damaskun në vitin 613 dhe Jeruzalemin në vitin 614. Në të njëjtën kohë, një ushtri tjetër nën komandën e gjeneralit Shahin kishte pushtuar Egjiptin dhe kishte rrethuar Kostandinopojën. Shumëkujt, disfata e plotë e perandorisë bizantine i dukej e pashmangshme.
Disfata në tokën e afërt e përmendur në ajet i referohet me shumë gjasa betejave që bizantinët humbën në qytetet Adhri’at dhe Busrah, të cilat janë territoret më të afërta të Sirisë me tokat arabe. Profeti dhe muslimanët në Mekë dëgjuan për këto humbje dhe u trishtuan, sepse persët zoroastrianë kishin mundur romakët që ishin ndjekës të një feje abrahamike.
Megjithë disfatat e pësuara, Kurani parashikoi që bizantinët do të triumfonin brenda disa viteve. Në vitin 622 rrjedha e ngjarjeve filloi të ndryshojë, kur perandori Heraklit e mundi ushtrinë perse në Issus. Ky ishte suksesi i parë në serinë e disa fitoreve, të cilat kulmuan në triumfin e betejës së Nineves, pas së cilës perandoria perse u dobësua së tepërmi.
Emërtimi i një sureje me emrin e romakëve dhe përmendja e tyre në mënyrë pozitive janë elementë mjaft domethënës. Në ndryshim nga perandoria perse, e cila u shpërbë me zgjerimin e muslimanëve në trojet e zotëruara më parë prej saj, perandoria bizantine ishte më jetëgjatë. Vazhdimësia e saj i dedikohet në një masë të madhe virtyteve që perandori Heraklit shfaqi me qëndrimin e tij ndaj Profetit të Islamit.
Imam Ahmedi transmeton se Profeti i dërgoi një letër Heraklitit nga Tebuku, nëpërmjet së cilës e ftonte të pranonte Islamin. Pasi hasi në kundërshtimin e prerë të priftërinjve dhe patriarkëve të krishterë për të pranuar Islamin, perandori romak nisi një të dërguar me një letër për Profetin. Kur i dërguari arriti në Tebuk, Profeti i tha:
“Unë i dërgova një letër sundimtarit pers, të cilën ai e grisi dhe e bëri copash. Në të njëjtën mënyrë, Allahu do ta copëtojë atë dhe perandorinë e tij. I shkrova gjithashtu perandorit tuaj dhe ai e ruajti letrën. Prandaj njerëzit do të vazhdojnë ta ndjejnë fuqinë e tij për sa kohë të ketë mirësi në këtë jetë”.
Në një transmetim tjetër të hadithit nga Ahmed bin Ismail el-Busajri, fjalët e Profetit kanë qenë:
“I shkrova letër sundimtarit pers. Ai e grisi, prandaj Allahu do ta copëtojë atë dhe perandorinë e tij. I shkrova letër perandorit të romakëve dhe ai më ktheu përgjigje. Prandaj njerëzit do të vazhdojnë t’i druhen fuqisë së tyre për sa kohë të ketë mirësi te njerëzit.”
Ndërsa në hadithin e transmetuar nga Bejhakiu, kur u njoftua për reagimet e sundimtarit pers dhe atij romak, Profeti tha: “Perandoria e të parit do të copëtohet, kurse e të dytit do të ketë vazhdimësi.”
Shokët e Profetit e kuptuan se romakët dhe trashëguesit e civilizimit të tyre do të ishin vazhdimisht të pranishëm në jetën e muslimanëve. Në këtë bashkëjetesë të shoqëruar shpeshherë me konflikte, muslimanët lipset të mbajnë parasysh vlerat civilizuese të pasardhësve të romakëve, të cilat do t’u japin atyre epërsi mbi kombet e tjera në kohët afër Kijametit.
Në një hadith të transmetuar nga Muslimi, kur sahabi ‘Amr bin al-‘As ka dëgjuar se Profeti kishte parathënë se pasardhësit e romakëve do të jenë shumica e njerëzve kur të vijë Kijameti, i shpjegonte transmetuesit të hadithit arsyet e këtij mbizotërimi duke thënë:
“Kjo do të ndodhë sepse ata kanë katër cilësi:
1- janë pa dyshim më të përmbajturit e njerëzve në kohë trazirash;
2- e marrin veten më shpejt se të tjerët pas mynxyrave;
3- janë njerëzit me më shumë gjasa për t’ju kthyer betejës pas tërheqjes prej saj;
4- janë më të mirët e njerëzve me të varfrin, jetimin dhe të dobëtin,
si dhe një cilësi të pestë, të shkëlqyeshme dhe të fisme:
5- janë njerëzit më të vendosur për të penguar padrejtësitë e sundimtarëve.”
“Profeti kultivoi mendjegjerësi dhe objektivitet ndaj të tjerëve. Kjo hapje i mundësoi shokëve të tij të njihnin dhe pranonin anën pozitive të civilizimeve të tjera, edhe kur ato ishin armiqësore ndaj muslimanëve, siç ishte rasti i Perandorisë Romake. ‘Amr bin al-‘As tërhoqi vëmendjen drejt atyre karakteristikave kulturore të Perëndimorëve, të cilat ai i konsideronte si të pajtueshme me parimet Islame dhe universalisht të dëshirueshme si cilësi njerëzore. Arsyetimi i tij tregon largpamësi.
Epërsia në të ardhmen e Perëndimorëve do të ishte rrjedhojë e cilësive të veçanta civilizuese, të cilat mendja e tij filloi t’i kërkonte menjëherë pasi dëgjoi profecinë e Profetit. Katër cilësi i erdhën përnjëherësh në mendje, ndërsa e pesta – pengimi i padrejtësisë së sundimtarëve – i erdhi ndërmend më vonë. Megjithatë, ai e konsideroi si më të rëndësishmen” (Umar Faruq Abd-Allah).
Ashtu sikurse mbajtja e drejtësisë është një nga arsyet e zhvillimit të Perëndimit në shekujt e fundit, në mënyrë të ngjashme korrupsioni dhe devijimi nga drejtësia janë prej shkaqeve kryesore të prapambetjes në masë të muslimanëve në kohën e sotme. Ligjësia hyjnore nuk bën dallim mes besimtarëve dhe jobesimtarëve kur bëhet fjalë për jetëgjatësinë e pushtetit të atyre që mbajnë drejt peshoren e drejtësisë. Mbizotërimi në këtë jetë do t’u takojë atyre që frenojnë korruptimin në tokë dhe ruajnë drejtësinë, pavarësisht besimit të tyre.
Ibën Tejmija është shprehur kështu në fetvatë e tij:
“Mirëqenia e njerëzve në këtë jetë ka qëndrueshmëri më të madhe kur ekziston drejtësia, e shoqëruar edhe me ndonjë lloj mëkati, sesa kur njerëzve ju bëhet padrejtësi, edhe pse e papërlyer me mëkate të tjera.
Për këtë arsye, është thënë se Zoti i jep vazhdimësi shtetit të drejtë, edhe nëse ai është i jobesimtarëve, ndërkohë që nuk i jep qëndrueshmëri shtetit të padrejtë, edhe nëse ai është i muslimanëve.
Jeta e kësaj bote do të gëzojë vijimësi për sa kohë të ekzistojë drejtësia, qoftë e shoqëruar me mohim të Zotit, dhe nuk do të gëzojë vijimësi nëse Islami do të shoqërohet me padrejtësi. Kjo sepse drejtësia është në themel të çdo gjëje.
Nëse çështjet që i përkasin jetës së kësaj bote gjykohen me drejtësi, atëherë jeta në të ka qëndrueshmëri, edhe pse jobesimtarët që e ngrenë atë nuk kanë pjesë nga jeta e botës tjetër. Nëse çështjet e jetës së kësaj bote nuk gjykohen me drejtësi, atëherë ajo nuk do të ketë qëndrueshmëri, edhe pse ndërtuesit e saj mund të jenë besimtarë, të cilëve do t’ju shpërblehet besimi në botën tjetër.
Nga: Gerdi Demneri / nëbrendësitëkuranit.com