Vetmashtrimi (gurur)

Gurur: domethënë qetësimi i shpirtit në gjërat që pajtohen me epshin dhe me natyrën në bazë të mëdyshjeve dhe mashtrimit të shejtanit.

Ai që beson se është në gjendje të mirë, në kohën e tashme apo të ardhshme, duke u mbështetur në mëdyshje të prishur ai është njeri mashtrues i vetvetes. Shumë njerëz mendojnë për vete se janë të mirë, mirëpo gabojnë në këtë vlerësim, andaj shumica e njerëzve janë vetmashtrues edhe pse dallon kategoria dhe niveli i vetmashtrimit të tyre “. (Shiko: Tehdhib Ihjau Ulumidin”, 2/ 146).

Vetmashtrimi është defekt i shpirtit të njeriut dhe nuk mund ta ndash kategorikisht nga gjendjet e njeriut. Ky defekt nuk mund të ndahet nga mendjemadhësia, vetpëlqimi, syefaqësia dhe publiciteti.

Në këtë trajtim dëshirojmë të spikasim këtë defekt që ka të bëjë me dijetarët dhe hoxhallarët në veçanti, sepse iblisi i mallkuar vepron edhe ndaj dijetarëve, edhe pse imamët e mëdhenjë çdo herë i kanë shkyer këtij të mallkuari mbulesat e tija dhe ia kanë rrënuar metodat.

Imam Ibën Xhevziu, rahimehull-llah, ka thënë:

“Ka njerëz që nga ambicjet e tyre të larta arritën dijet e fesë, Kur’anin, Hadithin, Fikhun, Edukatën islame, etj. kurse iblisi i mallkuar mundohet me kurthe dhe mashtrime të fshehura dhe i ngacmon ata që të shohin vetveten me sy të madhërimit për faktin se kanë arritur grada të larta dhe se përfitmi i njerëzve prej tij është shumë i madh, tjetrin e prek në aspekt të lodhjes së madhe që ka përjetuar për të mësuar, andaj ia zbukuron kënaqësirat dhe ëndjet, duke i thënë: deri kur do të lodhesh, jepi vetes pak liri dhe rehato trupin tënd, e nëse bie në ndonjë gabim dije se dija të mbron nga denimi, dhe ia citon shpejt e shpejt tekstet që flasin për vlerën e dijetarëve, e nëse këta shtresa të njerëzve e pranojnë këtë mashtrim, sigurisht se do të shkatërrohen.

Iblisi disa shtresave të dijetarëve ua stolisë mendjemadhësinë me dijen që ka, zilinë ndaj kolegut, syefaqësinë duke kërkuar prijatarinë, disa herë duke i shtyrë të mendojnë se kjo është e drejtë e tyre, e disa herë aq shumë pasionohen pas këtyre gjërave saqë edhe pse e dinë se kjo kërkesë është gabim, ata insistojnë në te.

Atyreve që nuk kanë rënë në këto mashtrime të tejdukshme dhe kurthe sipërfaqësore, u ofrohet në një formë tjetër: askend nuk njoh si ti, ti shumë mirë i njeh format e veprimtarisë time, e nëse ky njeri qetësohet në këtë gjë do të shkatërrohet me këtë vetpëlqim, nëse nuk bie në këto kurtha shpëton (Shiko: “Telbisu Iblisi, fq. 129).

Prijësi i njerëzve vetmashtrues dhe mburraveca, komandanti i tyre dhe bartësi i flamurit deri në zjar është iblisi, sepse ai mashtroi vetveten se është i krijuar nga zjari andaj nuk pranoi ti përulet Ademit, alejhisselam, i cili ishte i krijuar nga dheu, kështuqë bëri një krahasim të gabuar dhe doli me rezultat të gabuar, kjo e shtyri t’i rebelohet urdhërit të All-llahut dhe të bëjë mëkat ndaj All-llahut, Zotit të botërave.

“Ne ju vendosëm në tokë dhe ju mundësuam jetesën (mjetet për të jetuar), e pak prej jush po falënderoni. Ne ju krijuam pastaj ju dhamë formën, e mandej engjëjve u thamë: “Bëni sexhde për Ademin”. Ata i bënë sexhde pos Iblisit. Ai nuk qe prej atyre që bënë sexhde. (All-llahu) Tha: “?ka të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova?” Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i vlefshëm se ai, më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta!” (All-llahu) Tha: “Zbrit nga ai (xhenneti), nuk të takon të bësh kryelartësi në të, dil jashtë, s’ka dyshim ti je i poshtëruar”. (El-A’raf: 10- 13).

Imam ibën Kethiri, rahimehull-llah, duke e komentuar këtë ajet mes tjerash thotë:

“ky arsyetim i iblisit është më i madh se sa vet gabimi, sepse ai me këtë arsyetim nuk iu përul Ademit, alejhisselam, sepse si ka mundësi ti përulet më i vlefshmi atij që nuk është aq i vlefshëm. Pastaj solli, sipas tij, argumentin tjetër: është i krijuar nga zjari, e njeriu nga dheu, kurse zjari është më i mirë se sa dheu. Ai vuri theksin në origjinën e krijimit e jo në gjërat tjera që kanë nderuar dhe ngritur njeriun e ato elemente janë shumë, prej tyre janë: All-llahu krijoi Ademin, alejhisselam, vet me Dorën e Tij dhe vet i dha shpirtin. Ai në vend se të vepron sipas tekstit, urdhërit të All-llahut për sexhde, përulje, ai përdori krahasimin dhe analogjinë dhe me këtë u largua nga mëshira e All-llahut. Ai gaboi shumë me këtë krahasim dhe pretendim se zjari është më i ndershëm se dheu, sepse dheu ka veti maturinë, butësinë, mosnxitimin dhe verifikimin, dheu është vendi i mbjelljes së bimëve, zhvillimit, shtimit dhe përmirësimit, kurse zjari ka vetinë e djegjes, veprimit të pamatur dhe nxitimin, andaj e mashtroi iblisin origjina e lëndës nga e cila është krijuar, kurse i bëri dobi të madhe Ademit origjina e lëndës nga e cila është krijuar, sepse i mësoi kthimin, pendimin, përuljen, nënshtrimin, dorëzimin, konfirmimin e gabimit dhe kërkimin e faljes”. (shiko: “Tefsirul-Kuranil-Adhim”, 2/203).

Imam Kurtubiu, rahimehull-llah, duke komentuar ajetin Kur’anor:

“O ju njerëz, kini kujdes ndaj Zotit tuaj dhe kini frikë ditës kur prindi nuk mund t’i bëjë dobi fëmijës së vet, e as fëmija nuk mund t’i bëjë dobi asnjë send prindit të vet. Premtimi i All-llahut (për thevab ose azab) është i sigurt, pra të mos ju mashrojë jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashrojë ndaj All-llahut djalli mashtrues” të sures Lukman, ajeti i tredhjet e tre, mes tjerash thotë:

“Mos t’ju mashtroj jeta e dynjasë me stolitë dhe joshjet e saja e të mbështetesh në te, atë ta synosh dhe të lësh veprat për ahiret. Mos lejo që të mashtroj shejtani, i cili e mashtron njeriun duke i dhënë premtime dhe shpresa të rrejshme dhe duke i angazhuar me argëtime të ndryshme nga ahireti”. (“El-Xhamiu Liahkamil-Kuran”, të Imam Kurtubiut, 14/ 82).

Kurse Imam Sadiu, rahimehull-llah, duke e komentuar këtë ajet mes tjerash thotë:

“Mos lejoni që t’ju mashtroj jeta e dynjasë me stolitë, zbukurimet, sprovat dhe telashet e saja dhe mos lejoni që t’ju mashtroj shejtani, i cili pa ndalë vepron për ta mashtruar njeriun dhe në të gjitha kohërat. Njerëzit kanë obligime ndaj All-llahut, kurse All-llahu u ka dhënë njerëzve ditë kur do t’i shpërblen për veprat e tyre, andaj parashtrohet pyetja: njerëzit e kanë kryer detyrën ndaj All-llahut, apo jo?!

Njeriu duhet të preokupohet për këtë çështje dhe duhet vazhdimisht ta ketë parasysh, sepse kjo është kapitali i tij që e posedon, kurse pengesa më e madhe në këtë rrugë është dynaja mashtruese dhe shejtani cytës, andaj All-llahu, azze ve xhel-le, ia ndaloi njerëzve që ti mashtron dynjaja dhe shejtani duke thënë:

” pra të mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë ndaj All-llahut djalli mashtrues”. (Shiko: “Tejsirul-Kerimir-Rahman”, fq. 601).

Në anën tjetër, All-llahu, subhanehu ve teala, na tregon se mashtrimi i vetvetes nuk është cilësi e besimtarit të devotshëm por cilësi e pandarë e dyftyrëshit. Ata mashtrohen me gjëra të kota në dynja derisa tu vijë vendimi i All-llahut, subhanehu ve teala.

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“(Hipokritët e mbetur në errësirë) I thërrasin ata (besimtarët): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!? (Besimtarët përgjigjen): “Po, por ju e shkatërruat veten (me hipokrizi), ju prisnit kob të zi për besimtarët, ju dyshonit në çështjet e fesë dhe juve ju mashtruan shpresat e kota deri kur ju erdhi caktimi i All-llahut (vdekja) dhe ashtu, përkitazi me All-llahun, mashtruesi ju mashtroi. E sot prej jush nuk pranohet ndonjë kompensim e as prej atyre që nuk besuan, vendi juaj është zjarri, ai është ndihma juaj: sa përfundim i keq është ai”. (El-Hadid: 14- 15).

Imam Kurtubiu, rahimehull-llah, duke komentuar këtë ajet mes tjerash thotë:

“ju mashtruan shpresat e kota”, ato janë disa gjëra:

– gjërat e kota;

– shpresa e madhe;

– shpresimi i dobësimit të muslimanëve;

– mashtrimet e shejtanit;

– dynjaja;

– mendimi se do tu falen mëkatet;

– kujtimi i veprave të mira dhe haresa e të këqijave.

Disa dijetarë kanë thënë: “Ata që kanë mbetur duhet të marin mësim prej atyreve që kanë ikur, kurse për të fundin duhet të jetë qortim ajo që i ka ndodhur të parit. I lumtur është ai që nuk mashtrohet me grykësi dhe nuk mbështetet në mashtrim. Ai që kujton vdekjen haron shpresën, kurse ai që ka shpresa të mëdhaja haron veprën dhe neglizhon vdekjen”. (shiko: “(“El-Xhamiu Liahkamil-Kuran”, të Imam Kurtubiut, 17/ 237).

Po të kishin pasuar muslimanët dhe dijetarët e këtij umeti rregullin e artë islam: nuk shikohet sasia e punës por dëlirësia e punës nga njollat, sikurse na ka treguar All-llahu në Kur’an duke thënë:

“Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi”. (El- Mulk: 2), atëherë askush nuk do të binte në këto mashtrime dhe kurthe të djallit.

Dijetarët e famshëm të umetit islam nga e kaluara i janë përmbajtur në mënyrë rigoroze këtij rregulli dhe na kanë dhënë shembuj shumë interesantë në këtë drejtim.

Na tregon Abdullahu, djali i Imam Ahmedit, se Ebu Zur’a ka thënë: “Babi yt kishte në kujtesë një milion hadithe. I thanë: nga e di? Tha: kam mësuar me te dhe e kam kuptuar këtë gjë.

Ali ibën Medini, rahimehull-llah, ka thënë:

“All-llahu e ka ndihmuar këtë fe me Ebu Bekrin në ditën e rides (dita kur disa fise arabe braktisën islamin), kurse me Imam Ahmed ibën Hanbelin në ditën e mihnes (sprovës së pohimit se Kur’ani është i krijuar).

Ky imam edhe pse kishte arritur këto grada kaq të larta në të gjitha sferat e dijes, kishte frikë të madhe për fundin e tij, e frikësonte shumë ahireti dhe shpresonte shumë në Mëshirën e madhe të All-llahut, subhanehu ve teala.

Imam Mervedhiu, rahimehull-llah, tregon e thotë: i tregova Imam Ahmedit, rahimehull-llah, se një njeri ka ardhur nga Tarsusi e më tha: ishim në luftë në vendet bizantine, e kur binte nata i ngrisnim duart dhe bënim dua për Ebu Abdullahun, Imam Ahmedin. Hedhnim gurë me menxhenik dhe thonim këtë gurë e hedhim për te, kurse ky gurë shkatërronte edhe mburojat që kishin ata po edhe vet ata njerëz. Kur i dëgjoi këto fjalë Imam Ahmedi tha: do Zoti e nuk është përshkallëzim (Istidraxh). I thashë: jo, asesi.

Abas Duriu tregon: më ka treguar Ali ibën Fuzazete, komshiu ynë, duke thënë: nëna ime ishte e palëvizshme njëzet vjet. Një ditë më tha: shko te Imam Ahmedi dhe kërko prej tij që të lutet për mua. Shkova dhe i trokita në derë. Ai nuk ma hapi derën, por tha: kush është? I thashë: më ka dërguar nëna, e cila është e palëvizshme që të lutesh për te, kurse ai si i hidhëruar ma ktheu: ne kemi më shumë nevojë që të luteni për ne. Duke u kthyer për në shtëpi, doli një plak e cila tha: e lash duke u lutur për atë grua. Erdha në shtëpi dhe duke dashur të hy në shtëpi më doli përpara nëna ime duke ecur në këmbët e saja e tha: ma dha All-llahu shërimin dhe shëndetin.

Imami i të gjithve, Pejgamberi i mëshirës, Muhammedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, të cilit All-llahu ia kishte falur mëkatet e kaluara dhe ato eventuale që mund ti bëjë, ka thënë:

“Askush nuk do të hyjë në xhennet me veprat e veta. I thanë: as ti, o i Dërguar i All-llahut? Tha: as unë, përpos nëse më kaplon All-llahu me mëshirën e Tij”. (Buhariu dhe Muslimi).

Mugire ibën Shube, radijall-llahu anhu, tregon e thotë: “Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, aq shumë falej saqë i ishin ënjtur këmbët. Kur i thanë: pse lodhesh kaq shumë? Tha: a nuk duhet të jem rob falënderues”. (Buhariu dhe Muslimi).

Pra, na ka sqaruar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, se veprat e mira jane perde mes njeriut dhe xhehenemit, mburojë e tij dhe se dy reqate namaz, me abdest të mirë dhe qëndrim të vogël në xhami i falen gjynahet që i ka bërë më herët.

Mirëpo në fund e dha një vërejtje dhe alarmim, e ajo është mos të mashtrohet njeriu me këto vepra, e të mbështetet në to e jo në mëshirën e All-llahut.

Muadh ibën Abdurahmani tregon se babai i tij i ka treguar: i çova Othman ibën Afanit ujin për abdest, kurse ai ishte i ulur në karige. Mori abdest mirë e pastaj tha: kështu e kam parë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke marrë abdest e oastaj tha:

“Kush mer kësi abdesti e shkon në xhami dhe i fal dy reqate e pastaj ulet në xhami, i falen mëkatet që i ka bërë më herët”. Tha: Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, gjithashtu tha:

“Mos u mashtroni”. (Buhariu).

Hafidh Ibën Haxheri, rahimehull-llah, duke e komentuar këtë pjesë të hadithit thotë:

“Kuptimi i kësaj pjese të hadithit ka dy sqarime:

1- Mos u jepni pas mëkateve me preteks se namazi i shlyn mëkatete, sepse namazi që i shlyn mëkatet është namazi i pranuar te All-llahu, e këtë nuk e di askush.

2- Nëse i shlyn mëkatet namazi, atëherë i shlyen ato të voglat, andaj mos u jepni pas të gjitha mëkateve, të voglave dhe të mëdhajave, sepse të mëdhajat sigurisht se nuk i shlyen këto mëkate. Mëkatet e vogla nëse insistohet në to, edhe ato marrin pozitën e mëkateve të mëdhaja, sikurse kanë sqaruar dijetarët.

3- Kjo është e veçantë për ata që kanë marrë epitetin njerëz të adhurimit e jo për ata që janë zhytur në mëkate. (shiko: “Fet’hul-Bari”, 11/ 255).

Kategoritë e dijetarëve të mashtruar

Kategoria e parë:

Ata i kanë kuptuar shumë mirë shkencat fetare dhe ato logjikore, mirëpo neglizhuan kujdesin ndaj gjymtyrëve, ruajtjen e tyre nga mëkatet dhe angazhimin e tyre në adhurime. Ata u mashtruan me dijen e tyre dhe menduan se kanë pozitë të lartë te All-llahu, andaj nuk ju duhet zbatimi i këtyre mësimeve. Po të kishin patur dije të vërtetë dhe vizion në jetë, do të kuptonin se dija mësohet për të punuar sipas saj, sepse po mos të ishte veprimi sipas dijes nuk do të kishte patur vlerë dija. All-llahu, subhanehu ve teala, ka thënë:

“Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten”. (Esh-Shems: 9).

E nuk ka thënë: Ka shpëtuar ai që ka mësuar si të pastrojë shpirtin e tij.

Nëse dikujt shejtani ia lexon ajetet dhe hadithet për vlerën e dijes dhe dijetarëve, le të kujotn ajetin që flet për dijetarin e keq, ku All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“Dhe lexoju atyre tregimin e atij që ia patëm dhënë dituritë Tona, ndërsa ai u zhvesh prej tyre dhe atëherë atë e shoqëroi shejtani dhe kështu ai u bë prej të humburve. E sikur të donim Ne, do ta ngrenim lartë me atë (dituri), por ai nuk iu largua tokës (Dunjasë) dhe shkoi pas epshit të vet. Shembulli i tij është si ai i qenit, të cilin nëse e përzë ai e nxjerr gjuhën, po edhe nëse nuk e përzë, ai sërish e nxjerr gjuhën. Ky është shembulli i atyre që i konsideruan të rreme argumentet Tona. Ti rrëfe tregimet (umetit tënd) në mënyrë që ata të mendojnë. Shembull i keq është populli që i përgënjeshtroi faktet Tona dhe e dëmtoi vetveten. Atë që All-llahu e udhëzon, ai është në rrugë të drejtë, e atë që e humbë, e ata janë të dëshpëruarit. Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehennem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët”. (El-A’raf: 175- 179).

“Shembulli i atyre që janë obliguar me Tevrat, dhe nuk e zbatojnë atë, është si shembulli i ndonjë gomari që bart libra. Shembull i keq është shembulli i popullit që i përgënjeshtroi ajetet e All-llahut, e All-llahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë popullin jobesimtar”. (El-Xhumua: 5).

Kategoria e dytë:

Kanë mësuar shumë mirë dijen dhe e zbatojnë atë publikisht, mirëpo nuk janë marur me zemrën e tyre që ta pastrojnë nga veset e këqija, sikurse janë mendjemadhësia, zilia, syefaqësia, dëshira për pushtet, dëshira për publicitet, etj. Këta njerëz kanë stolisur aspektin e dukshëm të tyre por kanë neglizhuar brendësinë e tyre dhe kanë haruar fjalën e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

“All-llahu nuk shikon pamjet dhe pasurinë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja”. (Muslimi).

Ata u kujdesën për veprat mirëpo nuk u kujdesën për zemrën, kurse zemra është baza dhe nuk shpëton askush përpos atij që shkon te All-llahu me zemër të shëndoshë.

Kategoria e tretë:

Ata kanë mësuar se këto vese të brendshme janë të këqija dhe të rezikshme, por nga vetpëlqimi i tyre mendojne se ata janë larg këtyre veseve dhe nuk kanë rënë në këto gabime dhe se kanë aq pozitë të lartë te All-llahu saqë nuk mund të sprovohen me këto gjëra. Nëse dikush prej tyre manifeston mendjemadhësi, do të thotë se kjo nuk është mendjemadhësi, por është krenari dhe mburrje me fe dhe poshtërsim i bidatçive, sepse po të vishem me petk të varfër dhe ri nën masën dhe njerëzit, do të gëzohen me këtë veprim armiqtë e fesë, do të gëzohen me poshtërsimin tim, kurse me poshtërsimin tim ndodh edhe poshtërsimi i fesë dhe haron mashtrimin e Iblisit.

Tregohet në librat e historisë islame se kur Omeri, radijall-llahu anhu, erdhi në Sham, në mesrruge e gjeti një lum të madh, zbriti nga deveja, i nxori këpucët dhe u fut në ujë, kurse devenë e tërhiqte për litari. Ebu Ubejde, radijall-llahu anhu, i tha: ke bërë sot një veprim shumë të madh. E goditi Omeri në gjoks e i tha: vaj për ty, sikur dikush tjetër ta kishte thënë këtë gjë. Ishit njerëzit më të poshtër dhe të nënçmuar, kurse All-llahu ju ngriti me Pejgamberin e Tij, andaj nëse kërkoni krenari me dikend tjetër përpos tij, All-llahu do t’ju nënçmon.

Kategoria e katërt:

Kanë mësuar dijen, kanë pastruar gjymtyrët dhe i kanë stolisur me adhurime, janë kujdesur për zemrën e tyre, pastrimin e sajë nga syefaqësia, zilia, mendjemadhësia, etj, mirëpo i kanë mbetur disa njolla të fshehura nga mashtrimet e nepsit dhe kurtheve të shejtanit, të cilat nuk i ka kuptuar si duhet dhe i ka neglizhuar.

Ndodh që të shohish njeri, i cili lodhet gjatë ditës dhe mbetet pa gjum gjatë natës duke hulumtuar çeshtjet fetare, përpiluar tekste dhe hulumtuar fraza të zbukuruara, mendon se shtytës për këtë gjë është kujdesi për publikimin e fesë, apo përmendja dhe publiciteti, brenda këtij përpilimi të tij doemos gjen shprehje të lavdërimit të vetvetes ose drejtpërdrejt ose indirekt, duke akuzuar tjerët dhe publikuar gabimet e tjerëve, sikurse të dëshiron të thotë se këto gabime që i ka ai, unë nuk i kam dhe se ka dije më të madhe. Këto gjëra janë defekte të cilat nuk i kupton askush tjetër përpos njerëzve shumë mendjeprehtë.

Ky është mashtrimi i atyreve që kanë nxënë dije të rëndësishme, e çka mund të themi për ata që mjaftohen me dije që nuk i preokupon dhe lën pas dore ato gjëra që i preokupojnë?! (Shiko: “Muhtesar Minhaxhul-Kasidin”, fq. 304).

Hatib Bagdadi, rahimehull-llah, pasiqë e transmeton fjalën e Sufjan ibën Ujejnes, rahimehull-llah, “Dija e cila nuk të bën dobi, ajo të dëmton”, thotë: “Nëse nuk i ban dobi duke e zbatuar atë, e dëmton, pasiqë bëhet argument kundër tij”. (Shiko: “Iktidaul-Ilmil-Amel”, fq. 56).

All-llahu na bëftë prej atyreve që dinë dhe veprojnë sipas dijes së tyre dhe kujdesen për adhurimet e zemrës dhe të gjymtyrëve.

All-llahu na ruajtë nga ky ves, na ruajtë nga mashtrimet dhe kurthet e shejtanit dhe na bëftë syhapur në udhëtimin tonë drejt All-llahut. Amin!

Bekir Halimi

Bekir Halimi,
24.11.2006