Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit
Të nderuar besimtarë! Profeti ynë – sal lall llahu alejhi ue sel lem – na ka porositur që ditën e xhuma – në mes të punëve të tjera që ka kjo ditë e veçantë – duhet të lexojmë edhe suretul Kehf (kapitulli i shpellës, aty ku u strehua besimi).
Po çfarë urtësie ka kjo gjë? Përse pikërisht suretul Kehf në mesin e sureve të tjera? Në fakt kur vjen çështja tek urtësitë e disa rregullave fetare, njerëzit mundet vetëm të përpiqen të nxjerrin disa urtësi, por kurrsesi të pohojnë në mënyrë të prerë se urtësia është kjo apo ajo, nëse për këtë nuk ka ardhur asnjë argument i drejtpërdrejtë. Prandaj edhe predikimi i sotëm do të jetë një vështrim i përgjithshëm mbi disa prej mesazheve që mund të nxjerrë muslimani prej kësaj sureje madhështore, të mbushur me mësime dhe urtësi hyjnore.
Sigurisht që kjo sure i kujton muslimanit disa të vërteta të mëdha që lidhen me besimin e tij, siç është Xhenneti dhe Xhehennemi, paralajmërimi nga mveshja e fëmijëve Allahut të Madhëruar, shpërblimi i besimtarëve punëmirë, paralajmërimi nga të folurit për Allahun pa argument, dhe pa dituri. Ndëshkimi i mendjemadhësisë, lavdërimi i thjeshtësisë, kërkimi i diturisë e të tjera dobi të shumta.
Rregulli i parë që duhet të ketë parasysh muslimani kur lexon Kuranin, nëse dëshiron të marrë prej tij maksimumin e përfitimeve, është: që të jetë i vetdijshëm për librin që ka përpara, libri i kujt është ai? Kush i ka thënë ato fjalë që gjenden aty? Allahu i Lartmadhëruar, i Gjithdijshmi, i Urti, Zoti i tij dhe i gjithçkaje që ekziston. Dhe duhet të kuptojë se Allahu po i flet, po po, po të flet drejtpërdrejt ty o musliman, prandaj dëgjo me vëmendje, sepse unë kam frikë se nëse ti e lexon fjalën e Allahut dhe mendja jote hallakatet sa andej këtej, dhe nuk e ke mendjen te Kurani, kam frikë se Allahu i Madhëruar do të thotë: Robi Im, Unë po të flas! Ku e ke mendjen?! Çfarë qenka ajo gjë që meriton më shumë vëmendje sesa Unë që të kam krijuar? Kush është ai që mund të të mësojë diçka më me vlerë për ty se sa Unë? Robi Im, Unë, Zoti yt po të flas, dëgjomë me vëmendje që të përfitosh prej fjalëve të Mia.
Nëse do ta lexonim Kuranin kështu, unë ju jap fjalën se Kurani do të na dhuronte shumë më tepër urtësi dhe besim seç marrim prej tij normalisht.
Këtë kapitull – ashtu si edhe katër të tjerë – Allahu i Madhëruar e ka nisur me lavdërim të Vetes së Tij. Dhe na tregon se një nga qëllimet e zbritjes së Kuranit është: paralajmërimi prej dënimit të Allahut dhe përgëzimi i besimtarëve për shpërblimin madhështor që i pret te Zoti i botëve, ku do të priten si miq, me të gjitha nderimet, dhe ku do të qëndrojnë përjetësisht.
A nuk ia vlen të lodhesh një kohë të shkurtër për të qëndruar përjetësisht në lumturi, rini, bukuri dhe pasuri?
Pastaj i drejtohet Profetit tonë Muhammed – sal lall llahu alejhi ue sel lem – me këto fjalë: “Ndoshta ti do ta shkatërrosh veten tënde nga trishtimi se përse ata nuk e besojnë këtë ligjërim (Kuranin)” (Kehf: 7)
Kështu janë shpirtrat e mëdhenj, brengat e tyre janë të mëdha kur shoqëria në të cilën ata jetojnë nuk është e udhëzuar. Sepse duan që të gjithë njerëzit të jenë të mirë, të udhëzuar, të dobishëm, të dijshëm, të bashkuar, robër të vërtetë të Allahut.
Pastaj Allahu i Madhëruar i kujton muslimanit se ç’është vërtetë kjo botë duke i thënë: “Ne e kemi bërë gjithë çka mbi të zbukurim për të, që t’i sprovojmë se kush prej tyre do të jetë më vepërmirë.”
Kujdes, ka thënë: kush bën vepra më të mira, e jo kush bën më shumë, sepse ajo që ka rëndësi tek Allahu është cilësia pastaj sasia, dhe veprat më të mira janë ato që bëhen sinqerisht për të arritur kënaqësinë e Krijuesit, dhe që bëhen ashtu siç i ka bërë Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem.
“Pastaj Ne do ta bëjmë gjithë çka mbi të dhe të rrafshuar” Ky është përfundimi i dynjasë. Gjithë kjo dynja e bukur për të cilën njerëzit vriten, do të rrafshohet nga themelet. Sikur vetëm këtë përkujtim dhe mesazh të merrte muslimani në javën e tij, do t’i mjaftonte.
Pastaj Zoti i botëve na tregon historinë e atyre djemve të rinj, të cilët besuan Allahun e Madhëruar dhe e urryen idhujtarinë. Lanë popullin e tyre që ishte në humbje dhe u strehuan në shpellë, ku fjetën për 309 vite.
Lanë gjerësinë e dynjasë dhe bukurinë e saj, nuk shkuan mbas dëshirave rinore – si shumica e rinisë – por iu bindën thirrjes së pastër të shpirtit të tyre, thirrjes së natyrshme të besimit që ekzsiton te çdo njeri për të njohur vetëm Allahun për Zot të Plotpushtetshëm dhe si të vetmin që meriton çdo adhurim, dhe askush tjetër nuk meriton asgjë prej tij. Lanë gjerësinë e dynjasë dhe u strehuan në ngushtësinë e shpellës për shkak të imanit.
Dhe i shpërbleu Krijuesi i tyre që në këtë botë me përkujtim të mirë deri në Ditën e Kijametit. Të gjithë ata që lexojnë historinë e tyre apo dëgjojnë për të, mahniten me qëndrueshmërinë e tyre dhe lënien që i bënë dynjasë për të fituar Akhiretin. Nuk pranuan t’i nënçmonin vetet e tyre para askujt prej krijesave duke u frikësuar, shpresuar, apo përulur para tyre, por vetëm prej Zotit, prandaj Zoti i tyre i krenoi, e ngriti lart emrin e tyre, dhe u dhuroi mrekulli që nuk ia dhuroi askujt tjetër.
Qëndruan të rinj për të paktën 320 vjet, rini tri-shekullore! Që të kuptosh se rinia dhe pleqëria, janë disa ligje që i ka vënë Allahu i Madhëruar, dhe kur Ai dëshiron i ndryshon ato, ashtu siç do të ndryshojnë në botën tjetër, shumë ligje që ne njohim, ku nuk do të ketë më vdekje, as pleqëri, as gjumë e as lodhje, e as zhurmë, e as frikë për banorët e Xhennetit. Allahu na bëftë prej tyre.
Dhe nuk na tregoi Zoti ynë në Kuran se ata janë Profetë, por disa njerëz të thjeshtë, besimtarë të sinqertë. Që të kuptosh se Allahu i nderon robërit e Tij të sinqertë, dhe u jep edhe mrekulli dhe thyen për ta edhe ligjet e Tij të zakonshme. Kështu besimtari i sinqertë, njësues i Allahut, që e urren idhujtarinë dhe idhujtarët, dhe bën gjithçka për të ruajtur fenë e tij, meriton nderimet më të mëdha prej Zotit të botëve.
Shtatë kundër një shoqërie të tërë! Që të kuptosh se numri i shumtë, shumica nuk është gjithmonë tregues i vërtetësisë dhe i saktësisë së mendimeve dhe ideve. Madje shpesh herë Allahu në Kuran e qorton shumësinë, siç thotë në suren (Jusuf: 103) : “Dhe shumica e njerëzve – edhe pse ti përpiqesh për këtë – nuk janë besimtarë”
Dhe thotë pas tri ajetesh: “Dhe nuk beson shumica e njerëve në Allahun veçse duke ia shoqëruar Atij edhe të tjerë” (Jusuf: 106) Besim në të cilin përzihet idhujtaria, e cila e shkatërron nga themelet besimin. Prandaj mos u mashtro nga shumica e të shkatërruarve, dhe mos ndje vetmi nga pakica e shoqëruesve në udhëtimin drejt Allahut. Por bëhu i vendosur dhe kujto djemtë e shpellës!
“Dhe bëhu i durueshëm me ata që i luten Zotit të tyre mëngjes e mbrëmje duke dashur të arrijnë me këtë kënaqësinë e Tij dhe parjen e Tij, dhe mos e kapërce shikimin tënd përtej tyre duke ia hedhur sytë bukurive të jetës së kësaj bote…”
Pastaj Allahu i Madhëruar na porosit që të mos heqim dorë nga shoqërimi me muslimanët, me të mirët, edhe nëse ata kanë gabime, e para: sepse s’do të gjesh njeri pa gabime, sepse edhe ti vet nuk ja pa të tilla, dhe e dyta sepse nuk do të gjesh shoqëri më të mirë se ajo që përmend Allahun dhe dëshiron të fitojë kënaqësinë e Tij.
Prandaj muslimani duhet t’i zgjedhë shokët të mirë, të dijshëm dhe të devotshëm, ashtu siç bënë ata djemtë e rinj të cilët qëndruan me njëri-tjetrin dhe Zoti i nderoi të gjithë. Zgjidhi shokët të mirë, sepse edhe nëse ke gjynahe, qëndrimi me ta do të t’i fshijë gjynahet.
Argument për këtë është hadithi që e transmeton Muslimi ku flet për engjëjt që kërkojnë rrethet ku përmendet Allahu i Madhëruar dhe se si i fal Allahu ata të gjithë, derisa njëri prej engjëjve thotë: “O Zot në mesin e tyre ishte filani, një rob shumë gjynahqar, ai thjesht kaloi aty pari dhe u ul bashkë me ta. – Thotë (Allahu i Madhëruar) : Edhe atij ia kam falur, sepse ata janë njerëz që nuk trishtohet kush qëndron me ta”!
Për shkak të të mirëve e fali edhe të keqin. Prandaj o musliman përpiqu të qëndrosh gjithmonë me të mirët dhe ta përmendësh Allahun bashkë me ta, sepse edhe nëse ke gjynahe Allahu do të t’i falë.
Pastaj Allahu i Madhëruar na tregon historinë e të pasurit pabesimtar, i cili u mahnit me pasurinë e vet dhe e mohoi Botën Tjetër dhe llogarinë para Allahut. Dhe u mashtrua me shpresa boshe. Tha: “Dhe nuk mendoj se Kijameti do të bëhet ndonjëherë, por edhe nëse do të kthehem te Zoti im, do të gjej tek Ai një vend edhe më të mirë se ky” (Kehf: 36)
Nga kjo nxjerrim se ai që mohon takimin me Allahun dhe llogarinë para Tij, i tilli është pabesimtar dhe këtë Allahu na e tregon nëpërmjet fjalëve të atij besimtarit që e këshilloi pasanikun: “I tha atij shoku i tij: A e mohove Atë që të krijoi prej dheut, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri burrë?!” (Kehf: 37) Shoku i tij besimtar, për ta sjellë në vete pasi ai shkoi shumë larg, i kujtoi origjinën e vet? Nuk ishe asgjë tjetër veçse ky dhe mbi të cilin ti shkel tani. Pastaj Zoti yt të krijoi nga një pikë ujë e nënçmuar. Sa larg shkove? Si e harrove zanafillën tënde? Si e harrove mrekullinë që bëri Zoti me ty dhe e harrove fuqinë e Zotit tënd të Plotfuqishëm?! Si mund të mos e besosh Ditën e Gjykimit të cilën Zoti yt ia ka bërë premtim Vetes së Vet?! Si munde të përgënjeshtrosh Allahun e Plotfuqishëm dhe të dyshosh në fuqinë e Tij të pakufishme për ta rikthyer edhe një herë atë që e krijoi nga hiçi?!
Kështu ky i mjerë bashkoi mes dy të këqijave: mohimin e Ditës së Fundit – që konsiderohet mohim i Zotit – dhe shpresave të kota. E Allahu deshi t’i jepte një mësim të mirë dhe i dërgoi një dënim kopshtit të tij, pasurisë së tij më të madhe, dhe ja rrafshoi nga themelet.
Kështu pasuria e pashoqëruar me besim dhe dituri shndërrohet në mjerim për të zotin e saj.
Dhe e kundërta, pasuria e shoqëruar me besim dhe dituri është mirësi mbi mirësitë, dhe i vazhdon të zotit të saj, dhe Allahu i jep bereqet në të.
Dhe kjo nxirret nga hadithi që e transmeton Muslimi prej Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – i cili thotë:
“Një herë kur një burrë po qëndronte në një tokë të shkretë, dëgjon nga retë një zë që tha: ‘Ujite kopshtin e filanit.’ Atëherë reja u anua pak dhe e hodhi ujin që kishte në një tokë me gurë të zi, e cila pastaj rrodhi në një rrjedhë uji. Atëherë burri e ndoqi vijën e ujit derisa arriti te një burrë që qëndronte në baçen, (kopshtin) e tij dhe e shpërndante ujin me një vegël pune që kishte në dorë. Atëherë e pyeti atë burrë dhe i tha: O rob i Allahut si e ke emrin? – i thotë – Filan. – Emri që dëgjoi prej resë – Pastaj i tha: O rob i Allahut, përse më pyete për emrin tim? – i tha: Unë dëgjova një zë prej resë që solli këtë ujë, iu tha asaj: Ujite kopshtin e filanit – dhe përmendi emrin tënd. Prandaj më trego çfarë bën ti në këtë kopësht? – i thotë: Meqë the kështu (po të tregoj). Unë shikoj të ardhurat që më vijnë prej këtij kopshti dhe e jap sadaka një të tretën e tyre. Një të tretën e ha dhe ushqej edhe familjen time, ndërsa një të tretën e kthej aty (te kopshti).”
E shikoni besimtarin? Jep sadeka, ushqen veten dhe familjen, dhe i bën yzmetin punës, sepse furnizimi nuk vjen duke ndenjur.
Allahu na bëftë dobi me ato që themi dhe dëgjojmë, dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Emin Bilali