Veprat e mira që mund të bëhen gjatë Ramazanit
Me të vërtet muaji i Ramazanit është muaj i të mirave dhe bamirësisë. Është kohë e vlefshme. Kjo vlerë ndikon edhe te veprat e mira që bëhen gjatë këtij muajit të bekuar. Shpirtërat janë më aktve në këtë muaj se sa në muajt tjerë. Dyert e veprave të mira janë të shumta edhe në këtë muaj edhe në muajt tjerë, mirëpo edhe më shumë potencohen në këtë muaj.
Prej këtyre veprave janë:
1- Sinqeriteti:
Sinqeriteti është baza e çdo vepre, boshti i çdo iniciative dhe themeli i çdo përpjekje. Është njëri prej dy kushteve të pranimit të veprave të mira.
All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:
“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë”. (El-Bejjine: 5).
2- Ripërtëritja e pendimit
Pendimi është një adhurim i cili duhet ta shoqëron njeriun deri në vdekje. Njeriu çdo herë ka nevojë për pendim, sepse nga natyra e tij është mëkatar. Pra, pendimi është obligim i njeriut gjatë tërë ymrit të tij.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Ai që pendohet para se të del dielli nga perendimi, atij All-llahu ia pranon pendimin”. (Muslimi).
Ky afat është në rrafshin kolektiv, mirëpo në rrafshin individual është ardhja e shpirtit në fyt.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“All-llahu ia pranon pendimin njeriut derisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt”. (Hasen, Tirmidhiu).
3- Agjërimi i Ramazanit me besim dhe shpresim
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresim, i falen mëkatet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).
4- Namazi i teravisë gjat Ramazanit
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Ai që e ngjall me namaz Ramazanin me besim dhe shpresim, i falen mëkatet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).
5- Ngjallja e natës së Kadrit me adhurime
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Ai që e ngjall natën e Kadrit me besim dhe shpresim, i falen mëkatet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).
Në tre hadithet e larpërmendura flitet për falje të mëkateve. Shikoni me këto vepra sa mund të fitojmë, të na falen mëkatet që i kemi bërë gjatë tërë vitit. Subhnall-llah, a ka dhuratë më të mirë dhe më të madhe se kjo. Andaj pse mos ti analizojmë pak më thellë këto gjëra dhe të mundohemi ta kemi parasysh këto gjëra gjatë realizimit të këtyre veprimeve.
6- Përpjeket për adhurime në dhjetë ditët e fundit
Aisheja [radijall-llahu anhu] thotë:
“Kur hynin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e ngjallte tërë natën me adhurime, e zgjonte familjen dhe e shtërngonte brezin”. (Buhariu dhe Muslimi).
7- Umreja në Ramazan
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Umreja në Ramazan vlen sa haxhi, ose haxhi me mua”. (Buhariu dhe Muslimi).
8- Itikafi
Itikafi është një adhurim, i cili shkakton që njeriu të vetmohet dhe të analizon vetveten, veprat e tija, të arriturat e tija, gabimet dhe rrëshqitjet e tija. Është një mundësi shumë e madhe për përmirësim. Larg nga çdo bisedë e kotë, larg nga çdo ndejë e pavlefshme, larg çdo gjëje që e largon njeriun nga Zoti, Famëmadh.
“Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit bante itikaf”. (Buhariu dhe Muslimi).
9- Ta falim namazin e teravis me imanin derisa ta përfundon
Ebu Dherri [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
“Kush falet me imamin derisa ta përfundon, i regjistrohet sikur të kishte falur tërë natën namaz”. (Ebu Davudi, sahih).
10- Shtimi i leximit të Kur’anit
Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Abbasi [radijall-llahu anhuma], i cili thotë:
“Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte njeriu më bujar, edhe më bujar ishte në Ramazan, kur takohej me Xhibrilin [alejhis-selam], para të cilit e mësonte Kur’anin. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur takohej me xhibrilin ishte edhe më bujar se sa era që sjell bereqetin”.
Muaji i Ramazanit është muaji i Kur’anit. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:
“Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra) “. (El-Bekare: 185).
11- Nxitimi i iftarit
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Njerëzit janë në të mirë përderisa e nxitojnë iftarin”. (Buhariu dhe Muslimi).
12- Iftari në hurma nëse gjinden
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Kur dikush prej jush është agjërueshëm, le të ban iftar në hurme, e nëse nuk gjen, atëherë në ujë, sepse uji është pastrim”. (sahih, shih: “Sahihu Xhamus-Sagir”, nr. 746).
13- Kujdesu për lutjen pas iftarit
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur hante iftar thoshte:
“Shkoi etja, u lagën venët dhe mbeti shpërblimi inshaAll-llah”. (hasen, Ebu Davudi).
14- Të bëjmë sa ma shumë lutje kur jemi agjërueshëm
Lutja është thelbi i adhurimit dhe kajmaku i tij. Lutja të jep gjëra që as në ëndër nuk mund ti mendosh. Është një adhurim shumë i lehtë, irëpo dobitë e saja janë shumë të mëdha.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Tre lutje janë të pranuara: lutja e agjëruesit, lutja e atij që i është bërë zullum dhe lutja e udhëtarit”. (Bejhakiu, sahih).
15- Kujdesi për syfyrin
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Hani syfyr se në syfyr ka bereqet”. (Buhariu dhe Muslimi).
Koha e syfyrit është kohë e bereqetshme, sepse në këtë kohë zbret All-llahu [subhanehu ve teala] në qiellin e dynjasë, për të parë robërit e Tij dhe nevojat që kanë.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Zoti ynë zbret për çdo natë në qiellin e dynjasë, kur mbetet pjesa e tretë e natës e thotë: kush më lutet që ti përgjigjem, kush kërkon që ti jap, kush kërkon falje që tia fali”. (Buhariu).
16- Ta falënderojmë All-llahun pas ngrënies dhe pijes
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“All-llahu është dakord me njeriun, i cili kur ha një ushqim e falënderon All-llahun për te dhe kur pin ndonjë pije e falënderon All-llahun për te”. (Muslimi).
17- Heshtja dhe kujdesi për gjuhën
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Ai që beson në All-llahun dhe në Ditën e mbramë le të flet mirë ose le të heshtë”. (Buhariu dhe Muslimi).
Poashtu Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Ai që nuk le fjalët e rrejshme dhe veprimin sipas tyre dhe injorimin, All-llahu nuk ka nevojë që ai ta le ushqimin dhe pijen”. (Buhariu).
Poashtu thotë:
“Agjërimi nuk është nga ngrënia dhe pija, por agjërimi është nga fjalët e kota dhe imorale. Nëse ndokush të shan ose ofendon, thuaji: unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm”. (sahih, Ibn Hibbani dhe të tjerët).
18- Shkuarja herët në xhami dhe pritja e namazeve
Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
“Po ta dinin njerëzit çfarë vlere ka në ezan dhe në safin e par, e nëse nuk gjenin mënyrë tjetër për të takaur këto vlera përveç se me short, do të hedhnin short”. (Buhariu dhe Muslimi).
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Njeriu konsiderohet në namaz, përderisa namazi e ndal, vetëm namazi nuk e le të shkon në shtëpi te familja”. (Buhariu dhe Muslimi).
Poashtu Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“A t’ju tregoj se çka ua shlyen mëkatet dhe ua ngrit shkallët? Thanë: po o i dërguar i All-llahut. Tha: Marja e abdestit edhe pse të vjen rëndë, hapat e shumta drejt xhamisë dhe pritja e namazit pas namazit. Kjo është ribat (qëndrim në gatishmëri ushtarake nëpër kufinjë), kjo është ribat”. (Muslimi).
19- Kujdesi për të dhënë ushqim në këtë muaj
Abudll-llah ibn Amri [radijall-llahu anhu] tregon se një njeri e pyeti Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: cili Islam është më i miri? Ai u përgjegj:
“Të japish ushqim dhe ti japish selam atij që e njeh dhe atij që se njeh”. (Buhariu dhe Muslimi).
Abdull-llah ibn Selami [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
“O ju njerëz! Përhapne selamin, jepni ushqim, kujdesuni për farefisin, faluni natën kur tjerët flejnë, do të hyni në xhennet me paqë”. (sahih, Tirmidhiu dhe të tjerët).
Zuhriu kur hynte Ramazani thoshte:
“Ky muaj është për të lexuar Kur’an dhe për të dhënë ushqim”.
20- Dhënia iftar agjëruesve, ose duke u përgadit ushqim në shtëpitë tona, ose duke u dërguar ushqimin në shtëpitë e tyre ose atje ku gjinden ata
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Ai që i jep iftar një agjëruesit, ka sa shpërblimi i tij, edhe pse atij nuk i pakësohet aspak shpërblimi”. (Sahih, Tirmidhiu).
21- Sadakaja dhe lëmosha në rrugë të All-llahut
All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:
“O ju që keni besuar, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësim, jepni nga ajo me çka Ne u furnizuam juve. Pabesimtarët janë mizorë”. (El-Bekare: 254).
Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
“Ai që jep sadaka sa një hurmë nga pasuria hallall, sepse All-llahu vetëm hallallun e pranon, All-llahu e pranon me të Djathtën e Tij, pastaj e rit, ashtu sikurse e rit njeriu mazin e tij, gjersa të bëhet sakur kodra”. (Buhariu dhe Muslimi).
Adij ibn Hatimi [radijall-llahu anhu] thotë: Kam dëgjuar Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë:
“Secili prej jush do të flet me All-llahun, nuk do të ket mes tij dhe Zotit ndërmjetësues. Do të shikon në të djathtën e tij, do të sheh vetëm kontributin e tij, do të shikon në të majtën e tij, do të sheh vetëm kontributin e tij, do të shikon para vethetes, vetëm zjarin do ta sheh. Rujuni nga zjari edhe vetëm një gjysmë hurme”. (Buhariu dhe Muslimi).
22- Koordinimi me tregtarët dhe të pasurit për të blera rroba dhe gjëra të nevojshme për nevojtarët dhe skamnorët, për tua ndarë gjatë këtij muajit të bekuar
All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:
” Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi “. (El-Maide: 2).
Ebu Musa [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
“Deponisiti besnik, i cili e jep atë që është urdhëruar të plotë, pa mangësi, me zemërgjërësi, derisa tia dorëzon atij që është urdhëruar tia jep, është dhënës i sadakasë”. (sahih, Ebu Davudi).
23- Zgjedhja e disa fjalive, një këshille të shkurtër, ose thirrja e ndonjë hoxhe për të këshilluar njerëzit
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Kush thërret në udhëzim, ka shpërblimin e atyreve që udhëzohen, duke mos iu pakësuar aspak shpërblimi, i atyreve që e kanë pasuar”. (Muslimi).
24- Dhënia e zekatul-fitrit në fund të Ramazanit
Abdull-llah ibn Abbasi [radijall-llahu anhuma] thotë:
“Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e ka bërë obligim zekatul-fitrin si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të imoralshme dhe ushqimpër nevojtarët. Ai që e jep para namazit (të bajramit) është zekat i pranuar, e kush e jep pas namazit, është sadaka sikur edhe sadakatë tjera”. (Hasen, Ebu Davudi).
25- Falja e namazit të bajramit me muslimanët
Ebu Seid el-Hudriu [radijall-llahu anhu] thotë:
“Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në namazin e fitër dhe kurban bajramit dilte në namazgjah (musalah), vepra e parë që bante ishte falja e namazit”. (Buhariu dhe Muslimi).
26- Ti mësojmë fëmijët në agjërim
Rubeji’ bin Mivedh [radijall-llahu anha] thotë:
“I shtinim fëmiët tanë të agjërojnë dhe u bënim lojë nga leshi i ngjyrosur, e kur qante ndonjëri prej tyre për ushqim, ia jepnim derisa të bëhej koha e iftarit”. (Buhariu).
27- Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevvalit
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Kush agjëron Ramazanin dhe e pason me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, i reghjistrohet si agjërim i tërë vitit”. (Muslimi).
Vëlla i dashur, këto janë disa vepra të mira që kanë të bëjnë me këtë muaj të bekuar të Ramazanit, andaj kujdesu për këto vepra të mira dhe mos lejo që të ikin, sepse mundet të jetë ky Ramazani i fundit. Shfrytëzo shansën dhe vepro vepra, të cilat dëshiron ti shohish atë ditë kur do të prezentohen veprat para Zotit [subhanehu ve teala]:
“Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). All-llahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithëqë All-llahu është i mëshirshëm ndaj robërve”. (Ali Imran: 30).
“Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?”, dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme – prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejt askujt”. (El-Kehf: 49).
All-llahu na dhuroftë vepra me të cilat është i kënaqur dhe të cilat i Do.
Paqa dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.
Përgaditi: Bekir Halimi
Bekir Halimi,
7.11.2003