Vepra e mirë nuk përkufizohet vetëm në adhurime si namazi, agjërimi, zeqati, haxhi etj. Po ashtu vepra e mirë nuk ka ndonjë gjendje të caktuar, ose ndonjë kohë të caktuar. Por, vepra e mirë është e gjerë dhe ka kuptim të përgjithshëm. Ai i cili ka ndërtuar një xhami, ose ka kontribuar për të. Ai i cili ka ndërtuar një shkollë. Ai i cili ka ndërtuar një spital. Ai i cili ka ndërtuar një fabrikë për nevojat e njerëzve. Me të gjitha këto njeriu llogaritet se ka vepruar një vepër të mirë dhe për të do të ketë shpërblim. Po ashtu, ai i cili ka ndihmuar një të varfër, është përkujdesur për në bonjak, ka vizituar një të sëmur, ka shpëtuar një njeri nga fundosja, i ka ndihmuar një nevojtari, i ka lehtësuar një borxhliu, ka udhëzuar një të humbur. Të gjitha këto bëjnë pjesë në veprat e mira dhe se njeriu do të shpërblehet për to.
Çdo vepër e mirë, prej të cilës të tjerët kanë dobi, ti do shpërblehesh për të dhe ajo llogaritet prej gjërave të mira. Mirësia ndaj kafshëve është vepër e mirë. I Dërguari i Allahut ka treguar për një njeri i cili i ka dhënë të pijë ujë një qeni , Allahu pat në konsideratë angazhimin e tij dhe për këtë gjest që e bëri ia fali mëkatet. Njeriu mbjell një pemë. Ndoshta ajo pemë është me vite dhe prej saj kanë ngrënë njerëz dhe kafshë. Çdo krijesë që ka ngrënë prej asaj peme, edhe nëse dikush është ulur në hijen e asaj peme, pronari i saj do të ketë shpërblim te Allahu. Largon një pengesë prej rrugës, llogaritet vepër e mirë. Shërbimin që i bënë shoqërisë me profesionin tënd, llogaritet vepër e mirë dhe do të shpërblehesh për të.
Është me rëndësi për besimtarin që veprës së mirë ti paraprij sinqeriteti dhe nijeti i pastër, e sigurisht se ai do të shpërblehet për të. I Dërguari i Allahut ka treguar për një njeri i cili ka kaluar pranë një rruge ku një trung kishte mbyllë një pjesë të rrugës. Njeriu tha pasha Allahun do ta largoj këtë trung nga rruga që mos ti dëmtoj kalimtarët. Për këtë vepër ai hyri në xhenet”. (Shënon Buhariu dhe Muslimi). I Dërguari i Allahut gjithashtu thotë: “ Imani është shtatëdhjetë e ca degë, ose gjashtëdhjetë e ca degë. Më e larta është fjala LA ILAHE IL-LALLAH dhe më e ulëta largimi i pengesës nga rruga.
Njeriu nuk duhet të nënvlerësoj veprën e mirë, sa do e vogël të jetë ajo. Allahu e shpërblen çdo vepër, qoftë edhe sa grimca. Thotë Allahu: kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. E kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë” ( Zelzele 7,8). Ndërsa i Dërguari i Allahut thotë: “ mos nënvlerësoni asnjë të mirë, çoftë edhe të takosh vëllanë tënd me fytyrë të buzëqeshur”. Gjithashtu i Dërguari i Allahut thotë: “ çdo mysliman duhet të jap lëmosh. I thanë o i Dërguari i Allahut e nëse nuk gjen?! Tha punon me dorën e tij, ia sheh hajrin vetës dhe jep lëmosh me të. I thanë e nëse nuk gjen?! Tha i ndihmon atij që ka nevojë. I thanë e nëse nuk gjen me çka ti ndihmoj?! Tha atëherë le të urdhëroj në të mirë dhe le të largohet nga e keqja, edhe kjo është lëmoshë.” (Shënon Buhariu dhe Myslimi).
Vepra e mirë i bënë dobi njeriut në këtë botë, në momentet e vdekjes, kur të lëshohet në varr dhe kur të ringjallet. Shoku më i mirë për njeriun është ai i cili e shoqëron atë gjithmonë. Kur njeriu vdesë, e përcjellin atë deri te varri tre gjëra. E përcjell familja dhe qëndrojnë me të deri në atë moment kur të mbulon dheu. Me një herë pas mbulimit me dhe, familja kthehen mbrapa duke të lënë të vetmuar. Të përcjell edhe pasuria dhe kur të mbulojnë me dhe, pasuria mbetet jashtë shtëpisë tënde që ti do të jetosh në të deri sa të ringjallesh. Ajo e cila të shoqëron ty në varr është vepra e mirë.
Vepra e mirë njeriut në këtë botë i jep qetësi të zemrës, siguri dhe lumturi. I jep forcim në fe, ruajtje të familjes dhe pasardhësve, pranim të lutjeve, dashuri te krijesat. Njerëzit e duan njeriun e mirë, e respektojnë dhe dëshirojnë të jenë sikur ai.
Çdo njeri i cili ka shijuar vdekjen ka vetëm një dëshirë pas saj, që të kthehet edhe një herë në këtë botë për të vepruar vepra të mira të cilat nuk i ka vepruar. Jo besimtari dëshiron të kthehet prapë në këtë botë që të besoj dhe të veproj vepra të mira. Por, kjo mbetet vetëm një shpresë, pasi që ka kaluar koha e veprimit. Allahu thotë: Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi!… (Mu’minun 99,100). Thotë Ala b. Zijad: “ secili prej nesh la ta mendoj vetën e tij se e ka shijuar vdekjen dhe po kërkon prapë të kthehet në këtë botë. Le të veproj vepra të mira”. Ndërsa Katade ka thënë: “pasha Allahun i vdekuri nuk kërkon që të kthehet në familjen e tij, e as në farefisin e tij. Por, kërkon që të kthehet dhe të veproj vepra të mira. Shikoni shpresën e jo besimtarit i cili ka neglizhuar jetën e tij. Atëherë, punoni vepra të mira”.
Koprraci kur shijon vdekjen do të dëshiron që të lihet edhe disa çaste në këtë botë që pasurinë të cilën e ka grumbulluar gjatë tërë jetës së tij ta shpenzon te nevojtarët dhe skamnorët. Allahu thotë: Prandaj jepni prej atyre mirësive që ju kam dhënë Unë, para se t’i vijë vdekja ndonjërit, e ai të thotë: “O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë, do të kisha dhënë lëmoshë dhe do të bëhesha ndër të mirët!” Por Allahu nuk ia shtyn afatin asnjë shpirti, që i vjen koha (e vdekjes); Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju. (Munafikun 10,11).
Njeriu i cili ka bërë vepra të mira, në momentet e vdekjes do ti lehtësohet dalja nga kjo botë, do të përgëzohet për të mirat që i ka bërë. I Dërguari i Allahut thotë: “ Melaqet prezantojnë te i vdekuri. Nëse ka qenë njeri i mirë i thonë dil o shpirti i mirë që ke qenë në trup të mirë. Dil duke qenë i lavdëruar. Myzhde për erën e mirë, myzhde për xhenetin dhe për Zotin i kënaqur me ty. Vazhdon ti thuhet kështu deri sa të del shpirti nga trupi”. Ndërsa nëse ka qenë njeri i keq, në momentet e vdekjes do ti ndodhë e kundërta: Thotë i Dërguari i Allahut po në të njëjtin hadith: “nëse është njeri i keq, melaqet i thonë dil o shpirt i keq që ke qenë në trupin e keq, dil i poshtëruar. Myzhde për dënimin e dhembshëm dhe shoqërimin me të këqij. Kështu do ti thuhet deri sa të dal nga trupi”.
Vepra e mirë, pronarin e saj e përgëzon edhe gjatë bartjes së xhenazes deri te varri. Sikur që është cekur në hadithin e Pejgamberit: “kur të vendoset xhenazja dhe ta bartin njerëzit mbi supet e tyre, nëse është e mirë thotë më dërgoni sa më shpejt. Ndërsa, nëse nuk është e mirë thotë o i mjeri unë ku po më dërgoni. Këtë zë e dëgjon çdo krijesë përveç njeriut. Sikur ta dëgjonte njeriu do ti binte të fiktë”. Xhenazja e mirë kërkon që ta dërgojnë së më shpejt sepse ka marrë përgëzime me qëndrim të përhershëm në xhenet dhe begati të pafund për veprat e mira që i ka bërë në këtë botë. Ndërsa xhenazja e keqe lëshon klithmën e saj që mos ta dërgojnë në varr për shkak të veprave të liga që i ka bërë dhe përgëzimi që iu është bërë me qëndrim të përhershëm në zjarr dhe me dënim të dhembshëm.
Kur njeriu vepër mirë vendoset në varr, vjen vepra e mirë dhe e përgëzon pronarin e saj. Vjen një njeri me fytyrë të mirë, veshje të mirë, erë të mirë, i thotë myzhde për atë e cila sot të gëzon. Kjo është dita që të është premtuar. Njeriu i thotë kush je ti?! Fytyra e jote po sjell lajme të mira. Thotë unë jam vepra jote e mirë. Për Zotin! Unë ty gjithmonë të kam njohur si njeri që shpejton në vepra të mira dhe i ngadalshëm në mëkate. Allahu të shpërbleftë me të mirat e Tij. Atëherë njeriu thotë o Zot bëje kiametin më shpejt që të kthehem te familja dhe pasuria ime. Ndërsa e kundërta do të ndodhë me jo besimtarin dhe atë i cili ka vepruar punë të liga.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi:Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati