Hutbeja e parë
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” Ali Imran 102.
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. Nisa 1.
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. Ahzab 70-71.
Vëllezër besimtar,
Frikojuni Allahut dhe dijeni se veprat janë të arriturat e njeriut me të cilat del prej kësaj dynjaje dhe se mbi ato bazohet përfundimi i tij në ahiret. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen kurse një mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse me të mbesin veprat e tij”. Vepra pra është shoqëruesi i njeriut në varr dhe është shkaku kryesor i begatimit të tij në varr ose i dënimit të tij në varr. Përcillet në një hadith se vepra e mirë i vjen pronarit të saj në varr në formën e një burri me rroba të bardha, fytyrë të bukur dhe parfum të mirë, i cili i thotë: “Gëzohu për atë që do të shohin sytë. Gëzohu për kënaqësinë e Zotit, xhenetin që ka të mira të pashtershme. Kjo është dita jote e cila të është premtuar”. I vdekuri e pyet: “Po ti, kush je, pasi nga fytyra ngjan sikur je njeri i mirë?”. I përgjigjet: “Unë jam puna jote e mirë. Për Zotin, nuk të kam njohur veçse i shpejtë në bindje të Zotit, i ngadalshëm për të vepruar gjynahe. Zoti të shpërbleu me të mira për këtë”. Ndërsa vepra e keqe i vjen pronarit të saj në varr në formën e një burri me rroba të zeza, me erë të keqe dhe me fytyrë të shëmtuar, i cili i thotë: “Të përgëzoj me diçka rrëqethëse! Kjo është dita jote që të është premtuar”. I vdekuri e pyet: “Po ti që paralajmëron të keqen, kush je? Fytyra jote qenka simbol i të keqes”. Ai i përgjigjet: “Unë jam puna jote e ligë. Ajo që di rreth teje, është se ke qenë i ngadalshëm në kryerjen e detyrave ndaj Zotit dhe i shpejtë për të vepruar gjynahe që zemëronin Zotin. Prandaj Zoti të dënoi me sherr”.
O ti rob i Allahut, vepra e mirë është ajo që e shpreson njeriu në momentin e vdekjes. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!”. Muminun 99-100.Poashtu vepra e mirë është ajo që e shpresojnë banorët e xhehenemit në momentin kur hidhen në të. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Atje, ata do të thërrasin: “O Zoti ynë, nxirrna se do të bëjmë vepra të mira e jo nga ato që kemi bërë”. Fatir 37.
Nëse e përsiatim Kuranin do të vërejmë se Allahu në shumë ajete na orienton kah vepra. Ndonjëherë me veprën e ndërlidh shpërblimin siç thotë në thënien e Tij: “Atë ditë askujt nuk do t’i bëhet ndonjë padrejtësi dhe ju do të shpërbleheni vetëm sipas asaj që keni bërë”. Jasin 54. Ndonjëherë na lajmëron se Ai i mbikëqyrë të gjithë veprat e tona ku edhe thotë: “Unë e di mirë çfarë bëni ju”. Muminun 51, dhe“Allahu di gjithçka që punoni ju”. Ali Imran 153, dhe “Allahu dëgjon dhe di gjithçka”. Bekare 256. Ndonjëherë na lajmëron se na ngarkoi kujdestar të cilët i shënojnë të gjithë veprat e tona dhe i numërojnë të gjitha ato: “Kurse ndaj jush kanë përcjellësit! Janë shkrues të ndershëm te Allahu. Ata e dinë se çka punoni”. Infitar 10-12. Ndonjëherë na lajmëron se Ditën e Kiametit do të ballafaqohemi me atë çka e kemi vepruar prej veprave dhe se ato do t’i shohim dhe do t’i lexojmë: “Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre: kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë”. Zelzele 6-8, dhe “Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!”. Isra 13-14. Ndonjëherë na lajmëron se njeriu vepron vetëm se për vetveten e jo për të tjerët: “Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt”. Isra 15, dhe “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet”. Fusilet 46.
Jeta e kësaj dynjaje është mundësia e vetme ku njeriu mundet të vepron dhe dije se sot ke mundësi vetëm se të veprosh e të mos llogaritësh, ndërsa nesër vetëm se do të llogaritësh dhe nuk do të kesh mundësi të veprosh. Jeta e njeriut është e shkurtë, përfundimi i tij është i panjohur dhe njeriu nuk e di se kur do t’i vijë çasti i fundit të cilin as nuk do të ketë mundësi ta shtyjë e as ta shpejtojë: “Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë”. Araf 34.
O ti njeri, këto ditë të kësaj dynjaje të cilat i jeton janë shans i artë që nuk mund të përcaktohen me çmim. Nëse e di vlerën e këtyre ditëve dhe i shfrytëzon ato në atë që të bën dobi do të investosh në vetveten lumturi të përgjithmonshme. Ndërsa nëse i humb në dëfrim, lojë dhe shkujdesje do të jesh përgjithmonë në humbje. Atyre të cilët e shfrytëzuan jetën e kësaj bote në veprimin e veprave të mira Ditën e Kiametit do t’u thuhet: “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!”. Haka 24. Ndërsa atyre të cilët e kaluan kohën e tyre të kësaj dynjaje në lojë, dëfrim dhe shkujdesje do t’u thuhet: “Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to, ndërsa sot do të ndëshkoheni me dënim poshtërues, sepse keni qenë arrogantë në Tokë pa kurrfarë të drejte dhe nuk i jeni bindur Allahut”. Ahkaf 20.
Hutbeja e dytë
Falënderimi i takon vetëm Allahut që na bëri prej muslimanëve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
Vëllezër musliman,
Njeriun në rrugëtimin pwr ta larguar nga veprat e mira e pengojnë pengesa të shumta, prej saj: shpirti i cili është i prirë fort për të keqen, pastaj shejtani me ushtrinë e tij, epshet dhe dyshimet, etj. Këto pengesa kërkojnë ballafaqim të fortë dhe mund të madh që të largohen, prandaj kush mbështetet në Allahun dhe kërkon ndihmën e Tij, e pastaj drejtohet që të bën ndonjë vepër të mirë padyshim se Allahu do t’ia lehtëson atë dhe do t’ia largon të gjitha pengesat prej rrugës së tij. Ndërsa kush i nënshtrohet këtyre pengesave dhe i largohet veprimit të veprave të mira padyshim se do të bie në kurth të këtyre pengesave dhe do ta humb shansin prej dorës së tij me përfundimin e jetës së tij dhe afrimin e exhelit. I Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “I zgjuar është ai që e kontrollon vetveten dhe punon për jetën pas vdekjes, kurse kokëtul është ai që ndjek dëshirat e epshit të vet dhe (pa kurrfarë merite) shpreson se All-llahu do t’ia falë”.
Poashtu në rrugën e robit qëndrojnë edhe disa pengesa të tjera të cilat prej frikës së do ta arrijnë e detyrojnë robin që të përshpejton në veprimin e veprave të mira, prej tyre: sëmundja, varfëria, pleqëria, sprovat dhe vdekja. I Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Nxitoni në vepra (të mira) para se të paraqiten fitnet sikur nata e errët, gdhihet njeriu besimtar dhe ngryset jobesimtar (qafir), ose ngryset besimtar dhe gdhihet jobesimtar. Do ta shesë ndonjëri prej jush fenë e tij për një kotësi të kësaj bote”.
Në një transmetim tjetër thotë: “Nxitoni në punë të mira para se të ndodhë ndonjëra nga shtatë gjërat e vështira. Vallë! A mos pritni varfërinë e t’ju shtyjë të harroni punët e ahiretit, apo, pasurinë e cila ju shtynë të azdiseni e të bëheni zullumqar, apo, ndonjë sëmundje që t’ju shkatërrojë shëndetin tuaj, apo, pleqërinë e cila ju humb fuqinë, apo, vdekjen që ju rri në pritje, apo, Dexhallin më e keqja që mund të ndodhë, ose, vallë! Mos po e pritni Ditën e Kiametit e cila është më e vështirë dhe më e hidhur”.
O ju robërit e Allahut, frikojuni Allahut dhe nxitoni në vepra të mira para se t’ju afrohet exheli: “O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin”. Munafikun 9.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU