Hoxhë Bekir Halimi shkruan:
Pejgamberi(alejhi selatu ue selam), edhe pse ishte i zgjedhur nga Allahu, kishte aftësi psiko-fizike të mëdha dhe të veçanta, megjithatë ai kishte nevojë të konsultohej me shokët e tij dhe të shërbehej me ndihmën e tyre.
Sot disa hoxhallarë, jo vetëm që nuk bashkëpunojnë me xhematin, por as me hoxhallarët e tjerë. Përveç disa tubimeve dekorative dhe manifestimeve folklorike, mungon shumë bashkëpunimi esencial apo ai për projekte të caktuara në interes të Islamit dhe Vatanit.
Edhe nëse kjo do të ishte e vetmja gjendje, do të ishte mjaft e mjerueshme, por nëse kësaj ia shtojmë faktin se ai hoxhë, i cili nuk nxit dhe nuk udhëheq ndërtimin e infrastrukturës për bashkëpunim të përgjithshëm të hoxhallarëve, ose të paktën për disa projekte të caktuara, shpeshherë di të bëhet pengesë e disa nismave të xhematit, duke i sabotuar ato, ose duke dhënë aq shumë vërejtje saqë ata të demotivohen, ose duke thirrur grupin e tij në bojkot të atyre projekteve.
Thirrje vetes time dhe të gjithëve, hoxhallarë e xhematë: nëse s’mund ta bësh një të mirë, nëse s’mund ta ndihmosh një projekt, së paku gëzohu për atë projekt dhe për atë sukses, sepse vetëm me gëzimin tënd për tjetrin, bëhesh ortak me të në shpërblimin që e sjell realizimi i atij projekti.
Allahu na faltë dhe na udhëzoftë!