Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili i shumëfishon veprat, i falë mëkatet dhe e pranon pendimin e robit. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju musliman, së pari e porosis veten e pastaj juve me devotshmëri. Devotshmëria është furnizimi më i mirë i dynjasë dhe ahiretit dhe me të robi shpëton Ditën e Kiametit: “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu”. Shuara 89.

Allahu i Madhëruar thotë: Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese. Ali Imran 185.

Vdekja dhe ajo që do të ndodhë pas saj janë realitet. Vdekjen do ta shijon çdo njëri nga ne, pasanik apo fukara, i shëndoshë apo i sëmurë, i madh apo i vogël, kryetar apo punëtor, nuk do t’i shpëton askush edhe nëse ik larg apo fshehët pas kodrave, ajo do ta arrin: “Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!”. Nisa 78.

Vdekja edhe pse është e qartë dhe gjurmët e saj dallohen prapë mbetet fshehtësi nga fshehtësitë që i huton mendjet për arsye se çështja ndërlidhet me shpirtin. Allahu i Madhëruar thotë. Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështjen që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni. Isra 85.

E sheh një të ri me shëndet të mirë dhe me trup të fortë se si për një çast të vogël bëhet trup pa jetë, i palëvizshëm. Iku rinia e tij u asgjësua fuqia e tij dhe nuk funksionojnë më veshi, syri, gjuha dhe shqisat e tij. Ndoshta ishte dijetar i njohur apo poet i shquar apo mjek i dalluar apo shpikës i veçuar mirëpo a ka kush mund ta ndal melekun e vdekjes që t’ua merr shpirtin kur t’ju përfundon exheli. Allahu i Madhëruar thotë: Çdo popull ka afatin e vet. Prandaj, kur t’u vijë ai, ata nuk mund ta shtyjnë për asnjë çast e as ta shpejtojnë. Junus 49.

Njeriu duke i shfrytëzuar begatit e Allahut në shëndet e pasuri dhe lozje e dëfrim, i vjen koha kur sëmundja e vdekjes e sulmon sikurse luani viktimën e tij dhe atëherë i dobësohet trupi, i ulet zëri, këmbët nuk e mbajnë, i humbet fuqia dhe pasi që ta len këtë dynja i hapen fletushkat e veprave të tij. Sa e afërt është vdekja!! Çdo ditë na afrohet dhe ne i afrohemi asaj dhe mes neve dhe asaj nuk na ndan vetëm se ndërhyrja e exhelit dhe të radhitemi në mesin e të vdekurve. Vitet në realitet nuk janë tjetër vetëm se trëndafila që hapen e pastaj vyshken, apo fener që bën dritë e pastaj fiket apo yll që ndriçon e pastaj bëhet hi.  Të gjithë ata që i pasojnë epshet dhe pasionet dhe shkojnë pas kënaqësive të ndaluara le ta dinë se një ditë do t’i bashkëngjiten banorëve të varrezave. Atë që e shohim nëpër varreza është argument i madh për të medituar. Bartësi i xhenazes sot, nesër do të bëhet për ta bartur atë dhe ai që kthehet në shtëpi nga varrezat, nesër do të kthehet përsëri në to ku do të mbetet përgjithmonë i vetmuar me atë që e ka punuar nga veprat e veta, e ato nëse kanë qenë të mirë do të shpërblehet e nëse kanë qenë të liga do të dënohet.

Sot jemi dëshmitar të disa njerëzve që lozin dhe dëfrehen apo janë sprovuar me syfaqësi dhe dëshirë për autoritet nga shkujdesja e madhe e tyre e cila ua ngurtësoi zemrat derisa e harruan jetën e varrit dhe të ahiretit. Ajo që ja vlen të ceket se i lumtur është ai që e din se vdekja do ta arrin dhe se dheu do të bëhet shtrati i tij, varri vendbanimi i tij, Kiameti takimi i tij, Xheneti dhe Xhehenemi arritja e tij dhe ai përgatitet me përpikshmëri dhe veten e llogarit nga banorët e varrezave.

Ai që e rikujton vdekjen i lehtësohet dynjaja dhe sprovat e saj, ambiciet i ka të mëdha, është larg syfaqësisë dhe kërkimit të famës dhe autoritetit dhe afër kërkimit të begative të Xhenetit të përhershëm. Të rikujtuarit e vdekjes nuk e ka për qëllim dëshpërimin e jetës së njeriut dhe izolimin i tij nga jeta dhe largimin nga puna dhe prodhimi por e ka për qëllim thirrjen për vepra sa më të shumta të mira dhe largimin nga gjynahet dhe zbutjen e zemrës së ngurtësuar. Ne e rikujtojmë vdekjen që t’i shtojmë veprat dhe adhurimet, agjërimin dhe namazin e natës, thirrjen në të mirë dhe ndalimin nga e keqja dhe ndihmesën e nevojtarëve.

Abdurrahman ibën Mehdi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Nëse i thonin Hamad ibën Seleme, Allahu e mëshiroftë, se ti do të vdesësh nesër, ai nuk do të kishte mundësi të shton nga veprat asgjë. Kjo për arsye se ai kohën e vet e kishte të preokupuar të tërën me adhurime dhe nënshtrime.

Përgatitja për vdekje të jetë me largimin nga të ligat dhe gjynahet dhe dhënien e të drejtave dhe largimin e padrejtësive. Përgatitja për vdekje të jetë me largimin e urrejtjeve dhe armiqësive nga zemrat. Përgatitja për vdekje të jetë me respektimin e prindërve dhe lidhjeve farefisnore.

Ceket se një nga selefi kishte thënë: “Nëse një orë e largoj nga unë rikujtimin e vdekjes, do të më shkatërrohet zemra”.

Thuhet se: Kush e shpeshton përmendjen e vdekjes fisnikërohet me tri gjëra: Ngutet në pendim, zemrën e vet e bindë dhe bëhet më aktiv në adhurim. Kurse kush e harron përmendjen e vdekjes pendimin e vonon, kënaqësinë e largon dhe bëhet dembel në adhurime.

Kur do të përgatitet ai të cilin e kanë pushtuar retë e epshit dhe ecën nëpër luginën e shkujdesjes? Kur do të përgatitet ai të cilit nuk i intereson hallalli dhe harami? Kur do të përgatitet për vdekje ai që e ka braktisur Kuranin dhe e ka harruar ta fal namazin e sabahut me xhemat dhe e ha kamatën dhe i ha të hollat e njerëzve me të padrejtë dhe bën imoralitet? Si do të jetë i përgatitur ai që përgojon dhe bart fjalë dhe zemra e tij është e mbushur me urrejtje dhe zili dhe e ka humbur jetën e tij duke i përcjellur të metat e muslimanëve dhe shpif në nderin e tyre?

Vdekja kur i afroheshte Pejgamberëve ata kishin mundësi zgjedhjeje, mes mbetjes në dynja apo kalimit tek Zoti i tyre. Padyshim se të gjithë nga ta e zgjodhën kalimin tek Zoti i tyre dhe kjo ishte edhe zgjedhja e të Dërguarit tanë, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë. “Nuk i është marrë shpirti asnjë Pejgamberi derisa ta sheh vendin e tij në Xhenet”.

Kur u sëmurë erdhi Xhibrili dhe i tha se Allahu më ka dërguar të jap leje të zgjedhësh me qëndrimit në këtë botë dhe shkuarje te Allahu. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja qofshin mbi të, tha: “Gjithsesi se unë e zgjedh Allahun, gjithsesi se unë e zgjedh Allahun”.

Në momentin e vdekjes dhe dhembjeve të saj, në varr dhe errësirën e tij, në Ditën e Kiametit dhe vështirësive të saj njerëzit ndahen në dy grupe: njëri grup nga ta përqendrohet gjatë sprovave dhe sigurohet gjatë frikës dhe përgëzohet me Xhenet, kurse Grupi tjetër është grupi i nënçmuar dhe i poshtëruar: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. Fusilet 30.

Besimtarëve të përqendruar në fenë e Allahut u zbresin melekët gjatë vdekjes së tyre, në varr dhe gjatë ringjalljes së tyre duke i qetësuar dhe duke i siguruar nga frika dhe vështirësitë e ahiretit dhe duke u thënë: Mos u frikoni nga ajo që ju vjen dhe mos u pikëlloni për atë që e latë në dynja nga familja, fëmijët dhe pasuria. Ne jemi kujdestarët e tyre dhe ne jemi kujdestarët e juaj në ahiret. Do ju mbrojmë nga egërsira e varrit dhe kur do t’i fryhet Surit dhe kur do të ringjalleni.

Kurse jobesimtarëve kur do t’ju zbres vdekja dhe vështirësitë e saj do t’ju merret shpirti të poshtëruar dhe të nënçmuar: “Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij”. Enam 93. Në ato momente u shtohen mundimet e vështirësitë dhe vuajtjet e pikëllimet dhe dëshirojnë të kthehen në dynja: “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: O Zoti im, më kthe”.Muminun 99.

Katade, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “Pasha Allahun, ata nuk shpresojnë të kthehen tek familja apo tek pasuria dhe as të tubojnë nga dynjaja e të shkojnë pas epsheve, po ata shpresojnë që të kthehen ta bëjnë një vepër për Allah dhe t’i nënshtrohen urdhërave të Tij. Allahu e mëshiroftë atë që e vepron atë që e shpresojnë jobesimtarët kur ta shohin dënimin e zjarrit”.

O ju musliman, njeriut që i është afruar momenti i vdekjes është shumë nevojtar për përqendrim nga ana Allahut që fjala e fundit e tij me të cilën do të del nga kjo dynja të jetë: La ilahe il-lallah.

Muadh ibën Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, na përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,  ka thënë: “Ai i cili thotë si fjalën e fundit la ilahe il- lallah hyn në xhenet.”

Pëlqehet që njeriu të shkon të prezanton tek ai që është afër vdekjes që t’ia rikujton dëshminë dhe poashtu veprat e mira të tij me qëllim që të ketë mendim të mirë për Zotin e tij.

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mos të vdesë askush nga ju vetëm se duke pasur mendim të mirë për Allahun”.

Nga Suneti është që t’i ceken të mirat që i ka bërë i vdekuri dhe t’i mbulohen të metat dhe veprat e liga të tij. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mos i shani dhe mos i përgojoni të vdekurit, sepse ata e kanë arritur vendin e merituar për çfarë ata kanë kryer (nga veprat e tyre për t’u shpërblyer për ta).

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon: “Kaloi një kortezh me një xhenaze dhe njerëzit e lavdëruan të ndjerin. Pejgamberi,lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,  tha: “U vendos për të.” Pastaj kaloi një kortezh me një tjetër xhenaze dhe njerëzit folën keq për të vdekurin. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “U vendos për të.” Omeri e pyeti të Dërguarin e Allahut dhe i tha: “Çfarë u vendos?” Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,  u përgjigj: “Për këtë ju folët mirë dhe e lavdëruat, kështu që për të u vendos (u pohua Xheneti), ndërsa për atë tjetrin ju folët keq, kështu që edhe për të u vendos (u pohua) Zjarri. Ju njerëz jeni dëshmitarët e Allahut në tokë.”

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon: “Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,   ka thënë: “Nëse katër vetë dëshmojnë për drejtësinë dhe përkushtimin e një muslimani, Allahu do t’i dhurojë atij Xhenetin.” E pyetën: “Po tre?” Ai tha: “Edhe tre.” Thanë: “Po dy?” Ai tha: “Edhe dy.” Pastaj nuk e pyetën më për një dëshmues.

Nga të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit është që t’i falet namazi, të bëhet dua për të dhe të varroset. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur nga ai,  përcjell se i Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush përcjell një xhenaze derisa t’i falet namazi ai ka shpërblim një kirat, e kush qëndron derisa të varroset ai ka shpërblim dy kirate”. Ç’janë dy kirate? – e pyetën. Sa dy kodra të mëdha – u përgjigj i Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,

Ndërsa sipas imam Muslimit: “Prej atyre të dyjave, më e vogla është sa kodra e Uhudit.”

SHEJH DR. ABDULBARIJ THUBEJTI

Nga arabishtja: Irfan JAHIU