Urtësi nga Imam Shafiu
- Kush dëshiron ta fitojë dynjanë, le t’i rreket dijes, kush dëshiron ta fitojë ahiretin, le t’i rreket dijes po kështu.
- Nëse dijetarët e sinqertë nuk janë evlija (të dashur, miq) të All-llahut, atëherë unë nuk di se kush mund të jenë?!
- Kush e fsheh sekretin, zgjidhjen e ka të mirën në dorë.
- Nëse të janë shumuar nevojat, fillo nga më të rëndësishmet.
- Ndërmjetësimi (për punë të mira) është zekat i burrërisë.
- Po ta dija se konsumimi i ujit të ftohtë ma zbeh burrërinë time, nuk do ta pija ndryshe vetëm se duke qenë i nxehtë.
- Mos jetoni në një vend ku nuk ka një hoxhë që ta mëson fenë dhe një mjek që të informon (këshillon) për trupin (shëndetin).
- Logjika, ngjashëm me të parit, ka një kufi ku nuk sheh përtej tij asgjë.
- Grada e dijetarëve është devotshmëria, uniforma e tyre është morali i mirë ndërsa bukuria është bujaria e tyre.
- All-llahu ka për ta demaskuar atë që zbukurohet me të kotën (për ta promovuar atë si të mirë).
- Kush e mbivlerëson veten, All-llahu ka për ta kthyer tek vlera që ka.
- Nuk ka kënaqësi që është e barasvlershme me shoqërinë e vëllezërve, sikur që nuk ka brengë të barasvlershme me ndarjen e tyre.
- I mençur është ai të cilin mendja e ndalon nga të padëshiruarat.
- Gjëja që më së shumti të duhet është devotshmëria ndërsa ajo për të cilën më së paku ke nevojë është armiqësia.
- Sa shumë do të kisha dashur që çdo gjë që di unë, ta dinë edhe njerëzit: të shpërblehem tek All-llahut e të mos më falënderojnë njerëzit.
- Sa shumë do të doja që njerëzit ta mësojnë këtë dituri dhe mua të mos më atribuohet asgjë.
- O Rebi’, po të kisha mundësi të të ushqej me dije, do të ushqeja.
Rebiu ka qenë nxënës i Imam Shafiut.
- Nëse e gëzon, ta thotë (lëvdon me) atë që nuk e ke, e nëse e hidhëron, ta thotë (akuzon me) atë që nuk e ke.
- Kush tregon vëllazëri të çiltër ndaj vëllait, atëherë do t’ia pranoj (justifikoj) të metat, do t’ia mbulojë mangësitë dhe do t’ia fal gabimet.
- Atë që devotshmëria nuk e bën krenar, nuk ka për ta bërë asgjë tjetër.
- Askush përveç të sinqertëve nuk e njohin syefaqësinë.
- Edhe po të përpiqej dikush prej jush që t’i bëjë njerëzit të kënaqur me të, nuk do t’ia arrinte, andaj krijoni raporte të sinqerta me All-llahun.
- Kush pretendon të ketë bashkuar në zemrën e tij ndërmjet dashurisë për dynjanë dhe dashurisë për All-llahun, dijeni se ka gënjyer.
- Sa furnizim i keq për botën tjetër është armiqësia dhe padrejtësia ndaj robërve të All-llahut!
- Dijetari pyet për të që e di dhe atë që nuk e di, në mënyrë që të sigurohet për atë që e di dhe ta mësojë atë që nuk e di. Ndërsa injoranti hidhërohet nga të mësuarit për vete dhe përbuz mësimin e të tjerëve.
- Shkencat janë dy: shkencë e fesë dhe shkencë e trupit. Shkencë e fesë është fikhu ndërsa shkencë e trupit është mjekësia.
- Kërkimi i dijes është më me vlerë sa falja e namazit në mënyrë fakultative.
- Nuk ka të metë më të madhe për dijetarët sesa të lakmojnë në atë që All-llahu kërkoi të heqin dorë prej saj (dynjasë/përfitimit material).
- Grindja (polemika) në fe e bën zemrën të vrazhdë dhe për pasojë ka zili e hasmëri.
- Kush nuk e ruan veten e tij, dituria nuk do t’i bëjë dobi.
- Nëse e shoh një njeri të lajthitur që pason epshin edhe duke ecur mbi ujë, nuk do ta pranojë.
Shpjegim: Për të qenë një vepër e pranuar tek All-llahut, duhet të përmbushë dy kritere?
1) Të jetë e çiltër për All-llahun, dhe
2) Të jetë në përputhje me udhëzimet profetike.
Së këndejmi, nëse një njeri që nuk ka këto tipare, sado që me veprat e tij të jashtme mund të duket si njeri i dalluar- evlija, ato nuk i pranohen, sepse ai nuk i ka shkak i fesë. Ai mund të jetë magjistar, pro jo edhe evlija. Versione tjera të kësaj thënie të Imamit shpjegojnë qartë se veprat nuk i pranohet askujt pa shikuar më parë nëse e praktikon Sunnetin apo jo.
- Sikur tërë njerëzit të meditonin vetëm në kaptinën el-Asr, do t’iu mjaftonte.
[Betohem në kohë, – (1) me të vërtetë, njeriu është në humbje, (2) përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën (fenë Islame), dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin, (në zbatimin e urdhrave të Perëndisë). (3)]
- Mos e konsulto atë që nuk ka miell në shtëpi, sepse ai është matuf (i hutuar, trullosur).
- Nuk mund të shpëtojë (fitojë dituri) ai që diturinë e kërkon me pushtet dhe kryelartësi. Diturinë e fiton ai që e kërkon atë me nefs të nënshtruar (përulësi dhe modesti), me kushte të rënda ekonomike dhe me shërbim ndaj dijetarëve.
- Dituria nuk mund të arrihet ndryshe vetëm se me durim ndaj përuljes dhe përbuzjes.
- Sofizmi është themeluar mbi dembelinë.
- Nëse në njeri i mençur është bërë sofist, nuk do të vijë dreka pa mos u bërë torollak (ahmak).
- Imam Shafiu rrëfen: Një njeri i urtë i kishte shkruar një tjetri: O vëlla, të është dhënë dije, andaj mos e njollos dijen tënde me errësirën e mëkateve që të mbetesh pastaj në errësirë në ditën kur dijetarët e sinqertë ecin në nurin e dijes së tyre.
- Kush e këshillon vëllanë e tij në vetmi, ai e ka këshilluar dhe vlerësuar, ndërsa kush e këshillon publikisht, ai e ka poshtëruar dhe tradhtuar.
- Ligësia është në natyrën e njeriut: ai i afrohet atyre që i largohen dhe i largohet atyre që i afrohen.
- Njeriu patjetër se ka miq dhe kundërshtarë, kështu, nëse patjetër duhet ta kesh dikë afër vetes, atëherë le të jenë ata besimtarë të sinqertë.
- Shtyllat e burrërisë janë katër: morali i mirë, bujaria, modestia dhe fetaria (adhurimi).
- Një njeri e pyeti Imam Shafiun për moshën ndërsa ai ia ktheu: Nuk është punë e mençur të tregojë njeriu për vitet e tij, sepse, nëse është i ri, e nënvlerësojnë, e nëse është i vjetër, e marrin për plak (që nuk di çfarë flet).
- Kush ka dëshirë që t’i përmbyllet jeta me të mirë, le të ketë mendim të mirë për njerëzit!
- Njeriu më i padrejtë ndaj vetes së tij është ai që tregohet modest para atij që nuk e nderon, që shpreson në dashurinë dhe respektin e atij që nuk i bën dobi, dhe që pranon lëvdatat e atij që nuk e njeh.
- Njeriu me pozitën më të lartë është ai që nuk e sheh pozitën e vet fare, sikur që njeriu më me vlerë është ai që nuk e sheh vlerën e vet fare.
- Ndihmojeni veten për të folurit me heshtje dhe për përfitimin rregullave dhe nxjerrjen e mësimeve me meditim.
- Dituri nuk është jo që memorizohet por ajo që të bën dobi.
- Bazë e dijes është verifikimi ndërsa fryt i saj është shpëtimi. Bazë e devotshmërisë është pajtimi (me atë që të është dhënë) ndërsa fryt i saj është qetësia shpirtërore. Bazë e durimit është vendosmëria ndërsa fryt i saj është triumfi. Bazë e veprës është bekimi ndërsa fryt i saj është suksesi. Ndërsa qëllim i çdo gjëje është sinqeriteti/korrektësia.
- Bëhu asket sepse asketizmi në trupin e besimtarit duket më bukur se qaforja në gjoksin e vashës së re.
- O Rebië, po ta lë amanet që të mos flasësh (keq) për shokët e të Dërguarit të All-llahut sepse nesër, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë kundërshtari yt!
- Nuk më ka ndodhur ta ngriti ndonjë njeri mbi pozitën që e meriton e të mos më ketë ulur nën pozitën time për aq sa e kam ngritur.
- Kënaqësia e njerëzve është ideal që nuk arrihet dhe nuk ka rrugë që mund të të shpëtojë nga gjuha e njerëzve. Kështu, mbaju asaj që të bën dobi!
- Nuk di shkencë më fisnike -pas hallallit dhe haramit (shkencave fetare)- se mjekësia, por ithtarët e librit (çifutët dhe të krishterët) na kanë dominuar në këtë drejtim.
- Mirësia është në pesë gjëra: pasurinë e shpirtit, shmangien nga dëmtimit i të tjerëve, fitimi hallall (i pasurisë), devotshmëria dhe besimi (mbështetja) në All-llahun.
- Kur e shoh një dijetar të hadithit, më duket që jam duke e parë një shok të Resulullahit ﷺ.
- Dijetarët e hadithit janë njerëzit më të udhëzuar.
- Nëse për veprën tënde ke frikë vetëpëlqimin, atëherë shiko se:
- Kënaqësinë e kujt po e kërkon,
- në shpërblimin e kujt po shpreson,
- nga dënimi i kujt ke frikë,
- për cilin shëndet je mirënjohës,
- cilën sprovë/fatkeqësi e kujton?
Nëse ti ndalesh dhe mendon në ndonjërën prej këtyre tipareve, atëherë vepra jote do të zvogëlohet në sytë e tu (nuk do të mashtrohesh me të).
Imam Gazaliu duke komentuar këtë thotë: Imam Shafiu e përmendi të vërtetën përkitazi me syefaqësinë dhe shërbimin e dukurisë së vetëpëlqimit.
Shënim: Vetpëlqimi (ar. el-uxhbu) nënkupton konsideratën se ke bërë mjaftueshëm vepra të mira dhe se ato të mjaftojnë ndaj çdo gjëje tjetër, duke harruar për ta falënderuar All-llahun që ta mundësoi realizimin e tyre.
Dr. Sedat ISLAMI