Hyrje
Jemi në xhumanë e parë të muajit Ramazan, këtij muaji të dalluar për mirësitë, mësimet dhe urtësitë e shumta që ka. Ramazani, si çdo adhurim tjetër, në vete fsheh urtësi, njohja me të cilat na motivon për të agjëruar me dashuri dhe kënaqësi. Ramazani, nëse vështrohet thellësisht, është shkollë e veçantë edukimi, e cila besimtarin brenda një muaj arrin ta formojë shpirtërisht dhe përgatitë fizikisht për sprovat e jetës.
Kjo hutbe në fokus ka disa prej leksioneve dhe mësimeve më të rëndësishme të Ramazanit.
Çiltërsia e raporteve me Zotin
Agjërimi nuk është thjesht detyrim fetar. Mënyra e kërkuar e manifestimit të tij, duke hequr dorë jo vetëm nga ushqimi dhe pijet por edhe nga çdo gjë tjetër që mund të zymtojë lidhjet me Zotin, jep të kuptojmë se agjërimi është rrugë drejt realizimit të devotshmërisë me botëkuptimet më të larta. Allahu thotë në Kur’an: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [Bekare, 183]
Agjërimi realizon me sukses këtë objektivë për shkak se, siç thotë një dijetar mysliman, Vahidiu: “besimtari heq dorë nga gjërat që i lakmon nefsi.” Me këtë, besimtari dëshmon se timonin e shpirtit të tij e ka në dorë ai, jo epshet. Ebu Mudhafer Sem’ani këtë funksion të agjërimit e konsideron si një forcë e cila shtyp epshet dhe i vë ato nën kontrolle. Këto kuptime janë të bazuara në hadithin e Pejgamberit a.s., në të cilin qëndron: “Allahu ka thënë: Secila vepër e njeriut është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Besimtari i braktisë ushqimin, pijen dhe epshin për hir Timin…” (Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
Formësimi moral
Funksion i agjërimit është shumëdimensional. Edukimi i tij përfshin më shumë se fushën e shpirtit. Agjërimi është edhe edukim moral dhe shoqëror. Agjërimi synon ta nxjerr besimtarin sa më të përsosur në vlera dhe tipare. Dijetari Ibn el-Kajjimi ka thënë: “Ai që shoqërohet me agjëruesin do të përfitojë prej tij dhe do të jetë i mbrojtur nga shpifja, gënjeshtra, imoraliteti dhe padrejtësia. Kjo ngase agjëruesi nuk flet fjalë që ia dëmtojnë agjërimin dhe nuk bën vepra që ia prishin atë…”
Po, disa fjalë dhe vepra mund ta ngulfasin agjërimin. Në të kaluarën disa dijetarë kanë thënë: “Përgojimi e prish agjërimin!” duke synuar me këtë zhveshjen totale të agjërimit nga shpërblimi. Nëse agjërimi nuk luan rolin e tij edukues dhe përmirësues, atëherë fakti pse kemi hequr dorë nga ushqimi dhe pija absolutisht nuk thotë asgjë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që agjëron por nuk iu është larguar shpifjes dhe veprimit sipas saj, ai është sikur të mos ketë agjëruar fare ngase Allahu nuk ka nevojë për braktisje të ushqimit dhe pijes prej nesh.” (Hadithin e shënon Buhariu)
Disa dijetarë, duke iu referuar këtij hadithi, kanë thënë se përmbajtja nga morali dhe sjelljet e këqija duhet të jetë sikur përmbajtja nga ushqimi dhe pijet. Sahabiu i nderuar Xhabir bin Abdullahu ka thënë: “Nëse agjëron atëherë le të agjërojë me ty veshi, syri dhe gjuha jote nga gënjeshtra dhe mëkatet. Mos e shqetëso shërbëtorin, bëhu i urtë dhe i qetë gjatë agjërimit, dhe assesi, ditën kur agjëron dhe ditën kur han mos i bë të njëjta.”
Përgjegjësia shoqërore
Agjërimi është shkollë ku individi aftësohet për rolin dhe përgjegjësinë që ka në shoqëri. Manifestimi i agjërimit duke abstenuar nga ushqimi dhe pija është caktuar për një urtësi shoqërore. Dikush nga të parët ishte pyetur: Përse Zoti e ka bërë obligimin agjërimin (duke hequr dorë nga ushqimi dhe pija dhe jo në një formë tjetër)?, për çka kishte dhënë këtë përgjigje: “Që i pasuri ta përjetojë urinë e të mos i harrojë kurrë të varfrit.” Muhammed Reshid Rida, një dijetar mysliman me famë botërore, duke folur për këtë funksion të agjërimit thotë: “Kur agjëruesi të ndjejë uri, atëherë ai përkujton ata që gjithnjë janë të uritur, kështu që kjo ia ngjall ndjenjat e butësisë dhe mëshirës, e rrjedhimisht e bën që të ndajë lëmoshë për ta…”
Përfundim
Nga kjo që shpjeguam mund të nxjerrim një konkluzion se lidhja ndërmjet agjërimit dhe mësimeve të tij është kusht për tu pranuar agjërimi së pari, si ibadet, e pastaj edhe për të realizuar me sukses objektivat shpirtërore, morale dhe shoqërore.
Allahun e Madhërueshëm e lusim të mos na privojë nga mirësitë dhe dobitë e agjërimit!