Uji është begati dhe dhuratë e madhe nga Allahu i Ploftuqishëm. Ai është pikënisja e çdo gjëje dhe bazamenti i jetës. Allahu thotë në Kur’an:
وَجَعَلْنَا مِنَ الْمَاءِ كُلَّ شَيْءٍ حَيٍّ ۖ أَفَلَا يُؤْمِنُونَ ﴿٣٠﴾
“…dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë?”
Është dhuratë nga Zoti që ne pak jemi falënderues për të, ai nuk i përket askujt, por është begati nga Zoti që bëhet pa kompensim.
أَفَرَأَيْتُمُ الْمَاءَ الَّذِي تَشْرَبُونَ ﴿٦٨﴾ أَأَنتُمْ أَنزَلْتُمُوهُ مِنَ الْمُزْنِ أَمْ نَحْنُ الْمُنزِلُونَ ﴿٦٩﴾
“A e shihni ujin që po e pini? A ju e lëshoni atë prej reve, apo Ne jemi që e lëshojmë?
Kur kemi me bollëk nuk falënderojmë dhe nuk jemi mirënjohës, e kur na mungon ai atëherë e kuptojmë se sa i vlefshëm është dhe se pa të as jeta nuk mund të ekzistojë.
Ibn Semaku hyri te udhëheqësi i myslimanëve Harun Reshidi. Haruni ishte i etur dhe kërkoi një gotë ujë, që iu soll menjëherë. Ibn Semaku e pyeti: “O prijësi i besimtarëve. Sikur të ndalej uji e të mos kishe fare, me sa do e kishe blerë atë? “Me gjysmën e pushtetit tim”- u përgjigj udhëheqësi i myslimanëve. Pi tashmë atë ujë nga Allahu i Plotfuqishëm!
Pasi piu ujë, ibn Semaku e pyeti përsëri: “O prijësi i besimtarëve. Ujin që e pine, nëse do të pengohej të largohej nga trupi juaj, me çfarë do ta blini?! Me krejt pushtetin tim-iu përgjigj udhëheqësi i myslimanëve. Atëherë Ibn Semaku tha: “Nuk ka mirësi për një pushtet që nuk vlen as sa një gotë uji! Prijësi i besimtarëve kur dëgjoi këto fjalë ja filloi të qaj!
Përderisa është dhuratë prej Allahut, të mos i privojmë të tjerët prej tij, ngase i Dërguari i Allahut tha që njerëzit janë bashkëpjesëmarrës në ujë, që nënkupton se askush të mos e pengojë tjetrin.
Islami ndaloi pengimin e ujit për nevojtarët. I Dërguari i Allahut në një tekst tha se Allahu tre personave nuk do t’iu flet dhe as që do t’i shikoj ata në Ditën e Gjykimit, e përmendi mes tyre një njeri që ndaloi ujin për të tjerët. Baballarët dhe gjyshërit tanë, hapnin puse e ndërtonin kroje me të vetmin qëllim që kalimtarët e rastit, nevojtarët dhe shpezët të pinin aty. Ata nuk kishin shumë pasuri, madje edhe njohuri për islamin nuk kishin siç kemi ne, por kishin zemra dhe shpirt që tërë atë që e posedonin e ndanin me të tjerët dhe krejt ato që i dinin i zbatonin në jetën e tyre.
Feja Islame na mëson që të kujdesemi për ujin dhe pastërtinë e tij. Të mos hedhim mbeturina, papastërti dhe mbetje të ndryshme në ujë. Islami na mësoi që në vendet ku uji nuk rrjedh të mos urinojmë në të, ngase mund të ketë ndonjë kalimtar dhe i lodhur nga ecja, freskohet apo edhe mund të pijë ujë, kështu që ai ujë mund të bëhet bazë e epidemisë dhe vend i sëmundjeve që mund të përhapen mikrobet.
Feja islame gjithashtu na mësoi të mos e shpërdorojmë ujin, madje të kemi kujdes edhe gjatë abdesit të mos derdhet ujë më tepër se që kemi nevojë. I Dërguari i Allahut kaloi pranë Sa’dit që po merrte abdes dhe i tha: “Ç’është ky teprim (i ujit)?” Sa’di i çuditur tha: “Ja Resulallah, a edhe në abdes konsiderohet teprim e shpërdorim i ujit? “Po”-tha i Dërguari i Allahu, edhe nëse je në një lumë që rrjedh.” Gjithashtu ai e mësoi një beduin të merrte abdes duke pastruar pjesët e trupit nga tre herë, e në fund tha: “Kështu është abdesi, kush shton më tepër se kaq, e ka keqkuptuar, e ka tepruan dhe ka bërë padrejtësi.” Në këtë rast nëse duart apo sytë i kemi larë më tepër se tre herë, pa arsye, kemi shtuar dhe e kemi tepruar.
Mos të harrojmë se ne e shpërdorojmë atë e dikush tjetër në kërkim të tij edhe vdes. Janë qindra miliona njerëz që nuk kanë ujë të pijshëm dhe çdo ditë disa prej tyre vdesin në mungesë të ujit.
T’i kujtojmë mirësitë e Allahut dhe begatitë e Tij të pakufishme dhe ta falënderojmë Atë për ato mirësi në mënyrë që ta fitojmë kënaqësinë e Tij.
(Marrë nga: https://www.facebook.com/kbi.vushtrri)