Prishtinë, më 21 nëntor 2024

Këshilli i Bashkësisë Islame i Deçanit, organizoi të enjten Tryezë diskutimi me temë “Roli i fesë në shoqërinë bashkëkohore”. 

Kjo tryezë mblodhi rreth vetes referues nga fusha të ndryshme, të cilët shtjelluan aspekte të rëndësishme të ndikimit të fesë në jetën sociale dhe kulturore të ditëve të sotme.

Organizatorët thanë se me këtë tryezë po synohet të shpaloset ndikimi i Islamit në jetën bashkëkohore në vendin tonë.

Kryetari i Deçanit, z. Bashkim Ramosaj dhe ai i Junikut, z. Ruzhdi Shehu, theksuan se Islami ka pasur një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar.

Kryemami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, si pjesë e referuesve të kësaj Tryeze,  ndër të tjera potencoi faktin se Islami ka qenë faktor kyç në unitetin dhe respektimin e njëri-tjetrit në Kosovë.

Drejtori për Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, gjatë fjalës së tij përmendi atakimin e padrejtë ndaj vlerave të Islamit që po bëhet kohëve të fundit.

Në anën tjetër edhe prof. Hysen Matoshi dhe drejtori i Institutit të Historisë, z. Shkodran Imeraj, veçuan disa prej rreziqeve, prej të cilave kanosej kombi shqiptar dhe rolin vendimtar të prijësve fetarë në kohet më të vështira.

Referues të tjerë po ashtu theksuan rolin e Islamit, si në aspektin e edukimit, ashtu edhe në ruajtjen e familjes.

Po ashtu, gjatë kësaj tryeze, kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, shpërndau dy mirënjohje për imamët, Ajni Ramadanin dhe Binak Tolajn për kontributin e dhënë në aspektin fetar dhe kombëtar.

Burimi
* Rubrika e informacioneve sjell lajme nga aktivitetet që organizojnë institucione islame organizata islame, thirrës apo ngjarje të tjera me interes për komunitetin musliman. Sjellja e informacioneve nuk nënkupton pajtueshmëri të redaksisë së Thirrja.org me ngjarjet apo përmbajtjen e informacioneve që sillen.