Ligjërimi im i sotëm i drejtohet çdokujt që ka bërë gjynahe dhe të cilat i shikon vërtet të mëdha dhe turpërohet ta takoj Allahun me to e që i frikësohet dënimit të Tij.

Ky ligjërim është për të gjithë ata të cilët i kanë bërë padrejtësi vetes duke qenë të mangët në përmbushjen e urdhrave të Allahut dhe që kanë kryer gjynahe, të cilët kërkojnë të zëvendësojnë atë që u ka humbur e që shpresojnë mëshirën dhe faljen e Tij.

Ky ligjërim është për këdo të cilit këmba i ka rrëshqitur në gjynah e gjurmët e saj i kanë lënë dhimbje dhe kërkon të gjejë rrugën e përuljes ndaj Allahut dhe pendimin tek Ai.

E pra, po u drejtohem të gjithë atyre zemrat e të cilëve i ka djegur pikëllimi nga gjynahu, dhe mendoj se çdonjëri prej nesh e gjen veten në këtë ligjërim.

Allahu i lartësuar thotë: “O ju robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten me gjynahe, mos i humbni shpresat nga mëshira e Allahut, vërtet Allahu i fal gjynahet të gjitha, Ai është Falës, Mëshirues”.

Vëlla i nderuar, motër e shtrenjtë! O ti i penduar! Mos e humb shpresën nga mëshira e Allahut, mos mendo se gjynahet e tua janë më të mëdha se falja e Allahut, sepse pikërisht ky mendim është i ndërtuar mbi mos sigurinë në gjerësinë e madhe të mëshirës së Allahut.

Dije se Zoti yt është Madhështor, i Mëshirshëm, Ai padyshim i fal të gjitha gjynahet. Në një hadith kudsi thuhet: “Kushdo që e di se Unë i fal gjynahet, do ta fal atë e nuk pyes përderisa nuk më bën Mua shok”. Taberaniu Sahih el Xhami.

Hidhe vështrimin  në bukurinë e faljes së Allahut dhe gjerësinë e madhe të saj sikur pohohet në hadithin Kudsi: “O robi Im, përderisa ti do të më kërkosh falje dhe do shpresosh te Mua, Unë do të fal; nëse gjynahet e tua arrijnë kulmin e qiellit e më pas ti më kërkon falje, Unë do të të fal e nuk pyes; o biri i Ademit nëse më vjen me gjynahe sa madhësia e tokës e më takon Mua duke mos bërë shok, do të vijë me falje sa madhësia e saj”. Tirmidhiu.

Besoj se ti e di se çfarë u bën pendimi i sinqertë gjynaheve, ai i fshin ato, i bën copa-copa; a nuk e ke dëgjuar hadithin e Profetit, salallahu alejhi ue selem, që thotë: “Ai që pendohet nga gjynahu është sikur nuk e ka kryer atë”? Ibnu Maxha, Sahih Albani.

Ndërsa Ebu Bekri, radijallahu anhu, përcjell se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Cilido që bën një gjynah, më pas shkon e merr abdes dhe falet pastaj kërkon falje, padyshim që Allahu do ta falë”. Autorët e suneneve.

Në një hadith tjetër Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shembulli i atij i cili kryen një gjynah, më pas atë e pason me një vepër të mirë, është si i atij i cili ka veshur një parzmore të ngushtë e cila ia merr frymën, e sa herë që ai punon një vepër të mirë i lirohet një hallkë zinxhiri, më pas punon një tjetër e ajo sërish lirohet dhe ai vazhdon kështu derisa të zhvishet prej saj”. Sahih Xhami.

Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pendimi ka një derë gjerësia e së cilës është sa gjerësia midis Lindjes dhe Perëndimit, ajo nuk mbyllet derisa të lindë Dielli nga Perëndimi i tij”. Sahih Xhami

Po ashtu, në hadithin kudsi Allahu i madhëruar thotë: “O robërit e Mi, ju gaboni natën dhe ditën e Unë i fal gjynahet të gjitha, kërkomëni Mua falje se do t’ju fal…”. Muslimi.

O ti që të ka pushtuar keqardhja për shkak të gjynahut, e që je penduar! Bëj kujdes se pendim nuk do të thotë që sërish të qëndrosh pa punuar, nuk do të thotë se po u pendove edhe pse je dembel e moskokëçarës ndaj të mirave Xhenetin e ke të garantuar.

Padyshim se që pendimi të plotësohet ka nevojë për punë të mira, sepse pendimi siç është braktisje e asaj që Allahu ka ndaluar, njëkohësisht është edhe të punosh atë që Allahu të ka urdhëruar.

Po ashtu të gjithë ne e dimë se fjalët kanë nevojë për vepra dhe janë pikërisht veprat ato që i vërtetojnë apo përgënjeshtrojnë fjalët që ne themi dhe padyshim që kjo është edhe për pendimin.

E lus Allahun të më bëj dobi mua dhe juve nga ajetet e Kuranit madhështor, t’i zbusë dhe t’i qetësojë zemrat tona me të.

E lus Allahun të më falë mua dhe ju, kështu dhe ju kërkoni falje se vërtet Allahu është Falës i madh.

II

Imam Ibën Kajimi Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Një ditë një besimtar i devotshëm ishte duke ecur në rrugë, gjatë ecjes papritur pa një derë e cila u hap e prej së cilës doli një fëmijë i vogël i cili qante dhe kërkonte ndihmë, ndërkohë nëna i rrinte nga pas e qortonte dhe i bërtiste derisa e nxori përjashta dhe ia mbylli derën në fytyrë. Fëmija lëvizi prej andej por nuk u largua shumë, për disa çaste qëndroi dhe po mendohej, ai nuk gjeti dot strehë tjetër veç asaj prej të cilës doli, dhe askush nuk mund ta përkëdhelte veç nënës së tij, ndaj dhe u kthye zemërthyer, i brengosur. Derën e gjeti të mbyllur ndaj u mbështet në të, e vendosi faqen në pragun e derës dhe fjeti ndërkohë që lotët ende i rridhnin në fytyrë. Pas pak del e ëma e cila iu hodh dhe e pushtoi, e puthte qante dhe i thoshte: -Biri im pse m’u largove? Pos meje kush do të strehojë? A nuk të thash që të mos më kundërshtoje e të mos më detyroje të dal nga natyra ime? Më pas e mori dhe e futi atë brenda në shtëpi.

Medito në fjalët dhe veprimin e nënës, dhe medito në thënien e Profetit, salallahu alejhi ue selem: “Allahu është më i mëshirshëm me robërit e Tij, se nëna për fëmijën e saj”. Muslimi.

E ku mund të krahasohet mëshira e nënës me mëshirën e Allahut e cila ka përfshirë çdo gjë?!

Nëse Allahu na ka udhëzuar drejt pendimit, atëherë të bëjmë kujdes që të mos i kthehemi më gjynahut, në mënyrë që flaka e saj të mos na e djegë zemrën sërish, dhe që laku i saj të mos na e marrë frymën përsëri.

O Zot, bëna prek atyre që Ty të frikësohen. Na bëj prej atyre që vazhdimisht për gjynahet e tyre pendohen. Na fal gjynahet tona dhe na Mëshiro, ne te Ty pendohemi, ndaj pendimin tonë na e prano!

Zoti ynë, mëshira Jote është e gjerë, ajo ka përfshirë çdo gjë, mëshirona dhe falna ne, prindërit dhe fëmijët tanë, gratë tona dhe çdo të afërm që ne kemi, ata që janë gjallë dhe të gjithë ata që më nuk janë!

Na bëj prej atyre që punojnë punë të mira dhe largohen nga të këqijat, bëna nga banorët e Xhenetit dhe ruana nga Zjarri i Xhehenemit dhe flaka e tij përvëluese!

Ndihmona ne dhe të gjithë muslimanët kudo që janë, të uriturit ushqeji, të zhveshurit veshi, të humburit udhëzoji, të pasigurtët qetësoi dhe siguroji, të sëmurët shëroji, borxhlinjve mundësoji ta lajnë borxhin dhe të sëmurët shëroji, të rinjtë ruaji nga fitnet epshit dhe dyshimit dhe beqarët martoji!

Bledar Tefik Haxhiu

Burimi Jetës

02.10.2016


Pin It

Burimi