TROKISNI NË PORTAT E QIELLIT ME LUTJET TUAJA

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Me të vërtetë falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë kërkojmë. Kërkojmë ndihmë tek Ai prej veseve tona të këqija, dhe punëve tona të ndyra. Kë e udhëzon Allahu në rrugë të drejtë nuk ka kush e humbet, dhe atë të cilin Ai e humbet nuk ka kush ta udhëzojë.

Dëshmoj dhe deklaroj, se nuk ka të adhuruar tjetër që e meriton të adhurohet përveç Allahut, njëshit të vetëm e të pa shok.

Gjithashtu dëshmoj dhe deklaroj, se Muhamedi -alejhi selam- është robi dhe i dërguari i Tij i sinqertë, i cili e përcolli shpalljen, e mbajti amanetin, e këshilloi metin, dhe luftoi në rrugën e Allahut derisa i erdhi vdekja.

“O ju të cilët keni besuar, kijeni frikë Allahun dhe punoni në mënyrë që vdekja tu kapë duke qenë besimtar myslimanë”

“O ju të cilët keni besuar, kijeni frikë Allahun dhe thoni vetëm fjalë të drejta. Ai i rregullon punët tuaja dhe i fal mëkatet tuaja. Ai që i frikësohet Allahut dhe të dërguarit të Tij ka arritur fitoren më të madhe”

Fjala më e drejtë është ajo e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është ai i profetit -alejhi selam-. Punët më të këqija janë risitë në fe, sepse çdo risi është bidat, çdo bidat të çon në humbje e çdo humbje të çon në zjarr”

Allahu i madhëruar thotë në kuran:

“Kush i përgjigjet nevojtarit kur e lut Allahun dhe e largon të keqen prej tij, ndërsa juve ju bën sundues në tokë?

A ka të adhuruar rival me Allahun, shumë pak po përkujtoni?

“Nëse të pyesin robërit e Mi për Mua, thuaju se Unë jam afër dhe i përgjigjem lutjes së lutësit kur ai Më lutet”

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të madhëruar, lutësit e të Cilit kurrë nuk poshtërohen.

Asnjëherë nuk është bërë pishman ai që ka kërkuar prej Tij apo tek Ai ka shpresuar.

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut që e meriton të adhurohet. Atij nuk i fshihet lutja e lutësit kur ai e lut.

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut që e meriton të adhurohet.

Ai e dëgjon pëshpëritjen e të dëmtuarit dhe rënkimin e tij.

Ai e kupton lëvizjen e buzëve dhe nënkuptimin e saj.

Trokitini  dyert e qiellit me çelësat e lutjeve.

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

Ai e dëgjon lutjen e milingonës së zezë, në natën e errët, mbi shkëmbin e zi.

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

Ai ia plotësoi kërkesën një populli me anën e lutjes së një milingone pasi kishte ngritur duart drejt qiellit.

Pasi Sulejmani -alejhi selam- doli nga shtëpia e tij për të shkuar në faltore, vërejti në rrugë një milingonë e cila kishte ngritur duart drejt qiellit dhe po e luste Bujarin që dhuron pa masë, po e luste atë që me të vërtetë të ndihmon. Atëherë Slejmani -alejhi selam- tha:

– O njerëz kthehuni në shtëpi pasi mjafton për ju lutja e milingonës!

Pasha Allahun, në atë moment filluan të shfaqen retë në horizont dhe filloi të bjerë shi për shkak të lutjes së asaj milingone të vogël.

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

Tek ai ngrihet fjala e mirë, lutja e pastër, loti i padjallëzuar.

A nuk po e trokisni derën e tij?

A nuk dëshironi të shijoni ëmbëlsinë e përuljes para tij, duke ndenjur modest e duke kërkuar falje pranë dyerve të mëshirës së tij?

O nevojtarë!

O ju të cilët  ju është deformuar shpina si rrjedhojë e halleve dhe problemeve!

O ti borxhli që nuk bën rehat netët e gjata për shkak të borxheve!

O ti student që shpreson të kalosh në provime e nuk të zë vendi!

O ti që dëshiron të gjesh një vend pune duke mos lënë zyrë drejtori pa trokitur!

O ti i dëmtuar!

A nuk gjendet ndonjë prej jush që ka sy me të cilët qanë?!

Zemër e cila hidhërohet?!

A nuk ndodhen midis jush njerëz të dobët e të poshtëruar?!

Ku janë zemrat tuaja të cilat ndjejnë?!

Ku janë lotët të cilët do t’i lagin faqet tuaja?!

A nuk keni parë ndonjë krenarë i cili është poshtëruar?!

Të pasur që janë varfëruar?!

Të shëndoshë që janë sëmurë?!

Ju të gjithë së bashku, kujt i drejtoheni?!

Kë thërrisni e tek kush ankoheni?!

Duart tuaja kujt ia shtrini?!

Trokitini dyert e qiellit dhe lutuni me përkushtim?!

Duaja është aroma e besimtarit, shtylla e fesë dhe drita e qiejve dhe e tokës.

Trokitini dyert e qiellit pa u dorëzuar!

Shtojini lutjet tuaja, sepse ai që troket pa pushim, pa dyshim që një ditë do t’i hapen dyert e qiellit.

Kur të zbresë fatkeqësia.

Të largohet mirësia.

Të thahet toka.

Të ketë uri bagëtia.

Trokasin dyert e qiellit dhe thërrasin, o Allah!

Kur të ngushtohen rrugët.

Të ndërpriten shpresat.

Të këputen litarët.

Trokasin dyert e qiellit dhe thërrasin, o Allah!

Kur të ngushtohet toka edhe pse është kaq e gjerë.

Shpirti me hallet e tij.

Trokit dyert e qiellit dhe thuaj, o Allah!

Ky është emri më i përkryer.

Këto janë shkronjat më të bukura.

Kjo është thënia më e sinqertë.

Kjo është fjala më e shtrenjtë.

A njeh ndokënd që barazohet me të?

Allah!

Drejt Tij shtrihen duart natën vonë.

Drejt tij shtrihen pëllëmbët në vështirësi.

Nga Ai drejtohen shikimet në meditime.

Atij i dedikohen pyetjet në fatkeqësi.

Ai është afër dëgjon dhe përgjigjet.

I jep të afërtit dhe të largëtit.

E furnizon të dashurin dhe armikun.

I Afërt, dhuratat e Tij janë të përhershme.

Mirësia e Tij përhapet dhe me erën  lundron.

Ndërsa dera e Tij mbetet e hapur përgjithmonë.

I Afërt, e ndihmon nevojtarin.

E ngop të uriturin.

I shuan etjen të eturit.

Dhe të mirën e pason me të mire.

Me emrin e Tij lagen gjuhët dhe drejtohen, thërrasin e kërkojnë.

I pranishëm, dëgjon dhe i përgjigjet lutjes

Mos i ndërprit shpresat edhe nëse problemi yt zgjatet dhe vonohet!

Nëse kërkon ndihmë me durim do të gjesh rrugëdalje.

Pajisu me cilësinë e durimit dhe do të gjesh shpëtim!

Trokitësi i vazhdueshëm i derës një ditë do të hyjë në të.

Ibën Kajim el Xheuzije na tregon historinë e një nëneje e cila pas disa debatesh që kishte pasur me të birin e saj e nxjerr nga shtëpia dhe e përzë prej saj.

Djaloshi i cili ishte i vogël vërtitet sa lartë-poshtë por nuk gjen vend ku të futet dhe mbështet me shpinë në dyert e shtëpisë derisa e zë gjumi.

Pas disa orësh del nëna e tij nga shtëpia dhe e shikon në atë gjendje të mjeruar -i mbështetur tek dera, me shpinë të kurrizit, mbi dheun e ftohtë- e ngre, e shtrëngon fort dhe i thotë:

– Djali im, të kam thënë të mos më kundërshtosh, kush do të të strehojë përveç meje?

Për këtë ndodhi Profeti alejhi selam ka thënë:

“ Allahu është më i mëshirshëm me robërit e tij se sa kjo nënë me fëmijën e saj”.

Ku krahasohet mëshira e nënës me atë të Allahut e cila ka përfshirë çdo gjë?!

Kemi qëndruar pranë derës tënde o Mbret i lartë

Qëndruam tek dera jote, sundimi vetëm ty të takon

Nuk është mashtruar ai që tek ty po shpreson

Falja është më e dashur për Allahun se ndëshkimi

Mëshira është më e dashur se dënimi

Mëshira mbizotëron ndaj hidhërimit të tij

Bamirësia është me e dashur për të

Dhuratat janë më të dashur për të se sa mosdhurimi

Atëherë vëlla, shpejto për të trokitur dyert e qiellit, duke qenë i përulur, i nënshtruar para të Gjithëfuqishmit më të lartit, ashtu siç lutet robi me zemër të thyer, thuaj:

O i adhuruari i botërave

Ti je më bujari i bujarëve

Unë jam robi yt, skllav i mëkateve

Qëndroj në këmbë para derës tënde

Trokas dyert e mëshirës tënde

Mirësia është zakoni yt

Gjykimi vetëm ty të takon

Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve

Këto janë balluket e mija mëkatare

Ja ku janë para teje të përulura

Nuk kam rrugëdalje e shpëtim vetëm se tek ty

O zot nuk kemi për tu shkatërruar për sa kohë që Ti je shpresa jonë

Nuk do të humbim kur Ty të jemi nënshtruar

O Gjithëmirëbërës, mirësitë Tua nuk llogariten

O Gjithëmirënjohës, mirënjohja Jote kurrë nuk ndërpritet

Ty të lutemi në çdo çast, pranoji Zoti ynë lutjet tona

Një person u dënua me 15 vjet burgim, pasi e akuzuan për vrasjen e dikujt, dëgjojeni historinë e tij! Thotë:

Kam qenë me shërbim ushtarak, dhe pasi u ktheva nga ushtria pas disa vitesh më pritën tek pragu i shtëpisë të afërmit, gruaja, fëmijët, nëna dhe babai.

Pasi kaluam disa orë gëzimi e lumturie, dëgjohet një trokitje jo e zakontë në derën e shtëpisë. Shkoj të shikoj se cili është dhe befasohem pasi në derë shikoj forcat e rendit të cilat më pyesin për emrin tim.

Pasi e vërtetojnë që unë jam ai të cilin ata po e kërkonin më thonë se unë akuzohem për vrasjen e një njeriu të pafajshëm.

Nuk po arrija të kuptoja se çfarë po më thoshin? Një herë më dukej sikur kishin ngatërruar adresë, ndërsa një herë tjetër mendoja se më kishin ngatërruar emrin. Mundohesha të qetësoja vetveten, pasha Allahun nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte, por gjëja më e çuditshme ishte se unë nuk e njihja as viktimën.

Pikëllimi, brenga dhe dhimbja mu shtua akoma më tepër pasi fëmija e viktimës ishte i vogël dhe më duhej të prisja për 15 vjet rresht në burg derisa ai të rritej.

Gjatë gjithë kësaj kohe jam lutur e kam falur namaz.

Kur ja, vjen dhe dita  ku inspektori i krimeve më thotë, se kjo është dita e fundit që po jetoj, ndaj më duhej të shkruaja testamentin.

Dola nga qelia e burgut me duar të lidhura nga mbrapa, me këmbë të prangosur dhe me kokë të mbuluar. Më vendosën në vendin e ekzekutimit dhe ma hoqën mbulesën nga koka, çfarë të shikoj? Një turmë e madhe njerëzish ishin mbledhur përreth, dhe me padurim prisnin të shikonin çastin e ekzekutimit.

Inspektori i krimeve filloi të lexojë letrën e akuzës për shkakun e të cilës do të ndëshkohesha, dhe në ato çaste përkujtova Allahun dhe thashë:

– Zoti im, më kanë bërë padrejtësi, ndërsa Ti ke premtuar e Ti kurrsesi nuk e thyen premtimin. Ti je më i sinqerti dhe e mban premtimin. Ti e dëgjon lutjen e të dëmtuarit. Mua më kanë bërë padrejtësi, ndërsa Ti je i dituri i të fshehtave.

Në dorën tënde e kam dorëzuar çështjen time, nuk ka të adhuruar tjetër përveç teje…

Pa e përfunduar mirë lutjen time, dëgjova disa zëra, turma e njërëzve u hutua, ndërsa nga mezi i tyre u shfaq dikush i cili thërriste më zë të lartë:

– Mos e vrisni atë, unë jam vrasësi

– Mos e vrisni atë, unë jam vrasësi!

I lavdëruar qoftë Ai që e dëgjon lutjen e të dëmtuarit

I lavdëruar qoftë Ai që dëgjon rënkimet e nevojtarëve

Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut

Ai është ndihmësi i të dobëtit

Strehuesi i të pa strehuarit

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut

E dëgjon thënien e atij që flet

E nëse hesht e di të fshehtën e tij

Kush jeton tek ai e ka rrizkun e vet

E kush vdes tek ai do të kthehet

Kush e lut i përgjigjet

Nëse dëshiron diçka i thotë bëhu

e ajo menjëherë bëhet!

Allahu i madhëruar thotë në kuran:

“Nëse të pyesin robërit e mi për mua thuaju, Unë jam afër dhe i përgjigjem lutjes së lutësit kur ai më lutet”

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

I pranishëm, e lut ai që është në mes të detit,

Ai i cili është në mes të shkretëtirës dhe ka humbur rrugën

Ai që është i lidhur pas hekurave të qelisë.

Ashtu siç e luti robi i tij pasi qëndroi në shpellë.

I pranishëm, e zgjidh problemin sa hap e mbyll sytë.

Nëse e lut i poshtëruari e ndihmon

Nuk ka zot tjetër vec Allahut.

I pranishëm, Bujar e Krenar

Nuk ka shok, as të barabartë e as rival.

Është më afër tek njeriu se damari i qafës së tij

I lavdëruar, i falënderuar dhe i madhëruar.

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

I pranishëm,

I fton mëkatarët që të pendohen,

U ka hapur dyert e faljes,

Dhe e ka ngritur perden për nevojtarët.

A nuk po i trokisni dyert e qiellit dhe të thërrisni më krenarin, i cili dhuron pa masë?!

Siç e luti robi i tij Junusi -alejhi selam- dhe i erdhi përgjigja.

“Nuk ka të adhuruar që meriton të adhurohet përveç teje, i lavdëruar qofsh, me të vërtetë unë isha nga të padrejtit”.

Por, çfarë përgjigje i erdhi nga ana  e Allahut, dëgjojeni!

“Ne iu përgjigjëm lutjes së tij dhe e shpëtuam nga brenga, dhe kështu  ne i shpëtojmë besimtarët”

Allahu iu përgjigj lutjes së tij pasi engjëjt  e dëgjuan atë dhe thanë:

– Ky është një zë i njohur nga një njeri i njohur.

E luti Allahun mes tre errësirave.

  1. Në errësirën e natës
  2. Në errësirën e detit
  3. Në errësirën e barkut të balenës

I lavdëruar është Allahu i cili e dëgjoi lutjen e tij nga skajet më të largëta të detit, edhe pse Ai është mbi arshin e tij i vetëm dhe i pamposhtur.

Ku jeni ju o nevojtarë?!

Ku janë të sëmurët?!

Ku janë të poshtëruarit?!

Ku janë të dobëtit?!

Nuk latë derë pa trokitur, ndërsa shumica prej jush e ka harruar derën e Allahut më bujarit.

Biri i Ademit lutet për hallet e tija

Lute atë, dyert e të cilit nuk mbyllen

Allahu mërzitet nëse atij nuk i kërkon

Ndërsa biri i Ademit kur i kërkon mërzitet

Ku jeni ju o të sëmurë?

Ju të shtrirë mbi krevatet e bardha

Ku jeni ju që i keni mbushur spitalet plot e përplot?

Ku jeni ju që nuk ju zë gjumi si rrjedhojë e rënkimeve?

Pse i drejtoheni njerëzve, pse shkoni tek falltarët e magjistarët?

Luteni Allahun, sepse lutja është ndër ilaçet më efikase!

Lutja është armiku i fatkeqësisë, e largon atë, ose nuk e lejon të zbresë, ose e lehtëson.

Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

Me emrin e tij lagen gjuhët, luten kërkojnë ndihmë e thërrasin.

Me përkujtimin e tij qetësohen zemrat, e  rehatohen shpirtrat.

Imam Ahmedi  –imami i xhamisë  së Medinës- tregon një histori e thotë:

“Banorët e Medinës dolën për të falur namazin e shiut, por nuk u pranua lutja e tyre. Në darkë hyri në xhami një njeri me ngjyrë. Shikon majtas e djathtas dhe pasi sigurohet se në xhami nuk ka njeri ulet, ngre duart drejt qiellit dhe thotë:

– O zot, o zot, sot u lutën robërit e tu që tu zbresësh shi e Ti nuk iu përgjigje, o zot betohem në madhështinë tënde, zbrite shiun për ta!

– Imam Ahmedi thotë:

– Si guxon ky njeri të betohem mbi Allahun e t’i kërkojë shiun në këtë formë?

Ndërsa i panjohuri edhe pse nuk e përfundoi mirë lutjen e tij shiu filloi t’ia lagë duart.

Ndoshta i pakrehur dhe i pahekurosur,

nëse betohet në Allahun pa dyshim Ai i përgjigjet.

Dëgjo o nevojtar!

Dëgjo o i sëmurë!

Dëgjo o i dëmtuar!

O ti që tu ka bërë padrejtësi!

Dëgjo o ti hallexhi!

Hasen ka thënë:

“Cilido që e lut Allahun në këtë formë do t’i përgjigjet lutjes së tij, nevojtarë qoftë apo jo”.

I lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Kur e lut i humburi e drejton.

Kur e lut njeriu në rrezik e shpëton.

Kur e lut i sëmuri e shëron.

Kur e lut hallexhiu e ndihmon.

Ah sikur ta lusnim Allahun shumë?!

Ah sikur ta lidhnim pafuqinë tonë me fuqinë e tij të pakufishme?!

“Zoti juaj ka thënë, mu lusni t’u përgjigjem, me të vërtetë ata që e përbuzin adhurimin do t’i fus në xhehenem të poshtërua.

Transmetohet se Ibrahim Eled’hemi ishte në një anije bashkë me shokët e tij, dhe pas disa dallgëve të fuqishme anija gati po përmbytej, ndërsa ai rrinte shtrirë në qoshen e saj dhe nuk ndihej.

Njëri nga të pranishmit i afrohet dhe i thotë:

-O Ibrahim a nuk po e shikon anijen që është gati për tu mbytur?!

Lute Allahun të na shpëtojë!

Ibrahimi u ngrit ta lusë Allahun, dhe tha:

-Zoti im, na e tregove madhështinë tënde, tani na trego mëshirën tënde!

-U qetësua deti sikur mos të kishte gjë më parë-.

I lavdëruar qoftë Allahu!

Ne e kemi për detyrë ta lusim Allahun në begati e fatkeqësi, të qajmë para dyerve të tij duke kërkuar mëshirën e tij.

Me të vërtetë pas vështirësisë ka lehtësim.

Pas durimit vjen çlirimi.

Pas natës vjen dita.

Pas urisë vjen ngopja.

Pas sëmundjes vjen shëndeti.

Përgëzoje hallexhiun me një rrugëzgjidhje të shpejtë!

Përgëzoje të sëmurin me një shërim të afërt!

Nëse shikon që saharaja shtrihet e shtrihet dije se pas saj do të vijë një lëndinë me burime të kulluara!

Nëse e shikon litarin të tërhiqet e të tërhiqet dije se ai do të këputet një ditë!

Pas lotit do të vijë buzëqeshja.

Pas frikës do të vijë siguria.

Përgëzoje të lodhurin me rehati!

Përgëzoje të burgosurin me një lirim të shpejtë!

Frikësojuni Allahut ashtu siç e meriton, dhe ruhuni prej Tij!

Dijeni mirë se ai që i frikësohet Allahut gjen prej tij rrugëdalje dhe e furnizon nga ku nuk ia pret fare.

Ai që i frikësohet Allahut i lehtësohet çdo gjë.

Nëse i frikësohesh Allahut t’i fal mëkatet dhe ta shumëfishon shpërblimin.

Allahu është folësi e thënia e tij është mëse e vërtetë.

E luti Ademi dhe i erdhi përgjigja.

”Më pas Zoti  tij e përzgjodhi, e fali dhe e udhëzoi”

I trokiti Nuhu dyert e qiellit dhe i erdhi përgjigja.

”Ne  e shpëtuam atë dhe familjen e tij nga barra e madhe”

Gjithashtu Ibrahimi -alejhi selam-.

”Ne i thamë zjarrit, bëhu i ftohët dhe paqe për Ibrahimin”

Jakubi e luti Allahun dhe i erdhi përgjigja.

”Shpresoj prej Allahut që të mi sjellë të gjithë”

Daudi –alejhi selam-:

“Ne e falëm atë, ndërsa ai është nga më të afërmit tek Ne. Ne i kemi përgatitur një ardhmëri shumë të mirë”

Ejubi e luti Allahun dhe atij iu përgjigj Allahu i madhëruar.

”Ne ia larguam të keqen”

Junusit iu përgjigj Allahu i madhëruar.

“E shpëtuam nga fatkeqësia dhe kështu i shpëtojmë besimtarët”

Dhe Muhamedi -alejhi selam-:

” Edhe nëse nuk e ndihmoni, atë e ka ndihmuar Allahu i madhëruar”.

E lus Allahun të na japë sinqeritet në veprat dhe fjalët tona.

E lus Allahun të na bëjë dobi me atë që e kemi mësuar dhe të na mundësojë mësimin e asaj që na bën dobi.

O Zot mundësoja gjuhëve tona lutjen e sinqertë!

O Zot hapi dyert e qiellit dhe mirëpriti lutjet tona!

O Zot fali të gjithë gabimtarët e umetit të Muhamedit -alejhi selam-!

O Zot ndihmoji myslimanët kudo që janë në botë!

O Zot ruaje nderin e besimtareve të ndershme!

O Zot mos na dëno për shkak të mendjelehtëve që gjenden midis nesh!

O Zot bashkoji zemrat tona në kënaqësinë Tënde!

O Zot pas kësaj dite mos ja mundëso asnjë pabesimtarë t’i poshtërojë muslimanët!

O Zot, Ti je i Gjithëfuqishmi dhe i Pamposhturi.

Dhe në përfundim, nëse kemi qenë të saktë kjo ka qenë prej Allahut, e nëse kemi gabuar kjo është prej meje dhe shejtanit.

Ues-selamu alejkum ue rrahmetullahi ue berrakatuhu!

Dorian Balliu

26.05.2006