Hutba e parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, dhe tek Ai strehohemi nga të këqijat e vetes sonë dhe nga veprave të këqija që veprojmë. Këdo që e udhëzon Allahu, askush nuk mund ta humbasë, e këdo që Ai e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një dhe i pa shok, dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, Paqja dhe bekimet  e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

O myslimanë, robër të Allahut! Islami është fe madhështore që erdhi për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, për t’i udhëzuar drejt rrugëve të mirësisë dhe shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër. Islami erdhi për t’i dhënë zgjidhje problemeve të njerëzimit, për t’ia lehtësuar vuajtjet dhe barrët e jetës, në mënyrë që njeriu të jetojë një jetë të qetë dhe të begatë në këtë botë, dhe të përfitojë shpërblimin e përjetshëm në botën tjetër.

Shumë prej problemeve që i mundojnë njerëzit, Islami për to ka sjellë  zgjidhjet më të mira dhe më të përsosura. Një ndër këto probleme të mëdha është “problemi i varfërisë”. Kjo është një sprovë e vjetër dhe e re njëkohësisht, që e ka shoqëruar njerëzimin në çdo kohë dhe vend. Ajo është plagë që dhemb, një problem që i bën njerëzit të ankohen dhe të vuajnë.

Njerëzit kanë provuar shumë mënyra për ta zhdukur varfërinë, por pa sukses. Ndërsa Islami ka ardhur me zgjidhjet më të drejta dhe më efektive. Por para se t’i përmendim këto zgjidhje, le të ndalemi në një pyetje të rëndësishme:
A është varfëria një sprovë që duhet luftuar për ta  larguar, apo është një caktim hyjnor që njeriu duhet ta pranojë e t’i nënshtrohet pa kundërshtim?

Disa njerëz, kur dëgjojnë për varfërinë, mendojnë se ajo është gjendje e lavdëruar, se është diçka e kërkuar në fe, sidomos kur dëgjojnë hadithet që flasin për shpërblimin e të varfërve, si fjala e Profetit ﷺ: “Të varfërit e myslimanëve do të hyjnë  në xhenet gjysmë dite para të pasurve- pesë qind vite”, e një ditë në ahiret është sa një mijë vjet nga vitet e dynjasë. ( Sahihul Xhami:7976)

Këtë dhe hadithe të tjera që tregojnë për virtytin e varfërisë,  disa njerëz i keqkuptojnë  sikur varfëria të ishte diçka e kërkuar dhe e dëshiruar  fetarisht. Por ky kuptim, o të dashur, nuk është i drejtë dhe nuk është interpretim i saktë. Këto hadithe dhe të ngjashmet me to kanë për qëllim të tregojnë se varfëria nuk është njollë turpi, as diçka që e ul vlerën e njeriut; prandaj, nuk duhet përçmuar të varfërit vetëm pse janë të varfër. Përkundrazi, ata mund të jenë më të dashur dhe më të vlefshëm tek Allahu sesa shumë pasanikë.

Këto hadithe gjithashtu synojnë t’i japin durim të varfërve që vuajnë nga dhembja e varfërisë që Allahu ua ka caktuar dhe parashkruar. Kur ata e dinë se i pret shpërblim i madh dhe gradë e lartë tek Allahu nëse tregohen të durueshëm dhe e kërkojnë shpërblimin e tyre vetëm prej Tij, atëherë kjo i nxit që të durojnë vështirësitë dhe hidhërimet e varfërisë. Veçanërisht, o të dashur, sepse i varfri zakonisht nuk ka mundësi të bëjë aq mëkate sa i pasuri, pasi pasuria shpesh bëhet shkak për shtimin e mëkateve dhe gabimeve, gjë që nuk ndodh në të njëjtën masë me të varfërit.

Në këtë mënyrë duhet kuptuar këto hadithe; nuk është qëllimi i tyre nxitja drejt varfërisë apo preferimi i saj. Si mund të jetë kështu, ndërkohë që vetë Profeti ﷺ kërkonte strehim tek Allahu nga varfëria? Ai ﷺ lutej duke thënë: “O Allah, unë kërkoj strehim tek Ti nga varfëria, nga pakësia dhe nga poshtërimi. Kërkoj strehim tek Ti që të mos bëj padrejtësi apo të më bëhet padrejtësi.”( Sahihu Nesaij: 5460)

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton, siç vjen në dy Sahihët (të Buhariut dhe Muslimit), se Profeti ﷺ lutej duke thënë: “O Allah, unë kërkoj strehim tek Ti nga dënimi i zjarrit dhe nga sprova e varrit; kërkoj strehim tek Ti nga sprova e pasurisë dhe kërkoj strehim tek Ti nga sprova e varfërisë.” ( Sahihul Buharij: 6368)

Ai kërkonte mbrojtje nga sprova e varfërisë ashtu siç kërkonte edhe nga sprova e pasurisë, sepse varfëria është një sprovë, është një fatkeqësi dhe është diçka e qortuar që nuk ka të mirë në vetvete.

Profeti ﷺ lutej tek Zoti i tij që ta mbronte nga varfëria. Në një nga lutjet e tij, që transmetohet në Sahih, ai thoshte: “O Allah, Ti je i Pari, nuk ka asgjë para Teje; Ti je i Fundit, nuk ka asgjë pas Teje; Ti je i Dukshmi, nuk ka asgjë mbi Ty; dhe Ti je i Padukshmi, nuk ka asgjë poshtë Teje. Shlyeje borxhin tim dhe më pasuro nga varfëria.”( Sahih Ibn Maxheh: 3104)
Kështu lutej Profeti ﷺ.

Aisheja, radijallahu anha,  transmeton se i Dërguari ﷺ lutej: “O Allah, kërkoj strehim te Ti nga dënimi i zjarrit, nga sprova e varrit, nga sprova e pasurisë dhe nga sprova e varfërisë.”

Kjo tregon qartë se varfëria është sprovë siç është edhe pasuria. Ajo është një fatkeqësi që mund të dëmtojë njeriun në fenë e tij. Sa e sa njerëz kanë braktisur fenë për pak pasuri, sa kanë tradhtuar parimet, janë devijuar nga besimi për të mbushur barkun!

Një nga të parët ka thënë: “Kur varfëria hyn në një vend, kufiri-mohimi i thotë: më merr edhe mua me vete.”
Prandaj Pejgamberi ﷺ lutej: “O Allah, kërkoj strehim te Ti nga kufri dhe varfëria.” Sepse varfëria është porta e kufrit, rruga drejt nënshtrimit ndaj padrejtësisë, dhe prishjes së njeriut në besim, moral e dinjitet.

Islami erdhi për të çliruar njerëzit nga varfëria, jo për t’i mësuar ta duan atë, por për t’u dhënë mundësi, dinjitet dhe qëndrueshmëri në jetë, që të mos bien në mëkate, dhe të mos luten tek krijesat, por vetëm tek Krijuesi.

Për këtë arsye, Islami, o të dashur,  erdhi për t’i çliruar njerëzit nga varfëria. Varfëria është sprovë, është fatkeqësi me pasoja të rënda dhe me rrezik të madh. Ajo është rrezik për fenë dhe për besimin. Sa e sa njerëz janë shkëputur nga feja e tyre dhe kanë dalë nga bindjet e tyre për të kërkuar pasuri, vetëm që të largojnë varfërinë dhe të plotësojnë nevojat e tyre! Sa myslimanë janë bërë të krishterë, sa sunitë janë kthyer në shiitë! Sa njerëz kanë shkelur mbi parimet dhe vlerat e tyre, kanë hequr dorë nga besimi i tyre për një grusht para! Dhe asgjë tjetër nuk i ka shtyrë përveç varfërisë dhe nevojës.

Disa nga të parët e mirë kanë thënë: “Kur varfëria hyn në një vend, i thotë kufrit: Më merr edhe mua me vete.” Në këtë mënyrë, ideologjitë e devijuara, besimet e shtrembëra dhe fetë e rreme kanë mundur të depërtojnë në vendet islame duke shfrytëzuar nevojën dhe varfërinë e myslimanëve, Allahu na ruajt prej kësaj.

Varfëria, o të dashur, mund ta bëjë njeriun që nuk ka besim të fortë të dyshojë në mëshirën e Allahut, në drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Kur sheh se një person tjetër është pasuruar dhe i është dhënë shumë, ndërsa ai vetë nuk ka marrë asgjë, nëse nuk është besimtar i sinqertë dhe i bindur në mëshirën e Allahut dhe në drejtësinë e Tij, atëherë mund të bjerë në dyshim për këto gjëra.

Kjo është ajo që e bëri një poet të vjetër të thoshte:

Sa dijetar i ditur që u lodh me mendimet e tij,
dhe sa injorant që e gjen të pasuruar!
Kjo është ajo që mendjet i ka hutuar ,
dhe  dijetarin e mençur në mohues e ka shëndërruar .

Ai ra në mohim sepse nuk mundi ta kuptojë këtë çështje, pse një njeri jepet e tjetrit jo. Por besimtari i sinqertë e di mirë se Allahu është Gjykues i drejtë, nuk i bën padrejtësi askujt; Ai jep me urtësi dhe ndalon me urtësi, dhe se  Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.

Varfëria, o të dashur, është rrezik për moralin, për vlerat, për parimet dhe për sjelljen. Ajo është rrugë që çon në devijim dhe në shkatërrim. Kur njeriu e ndien dhimbjen e varfërisë, ai bëhet i gatshëm të bëjë çdo gjë.

Kur nuk gjen ushqim për të ngrënë, veshje për t’u mbuluar apo strehë ku të strehohet, kur sheh fëmijët e tij që vuajnë urinë përpara syve të tij, që sëmuren dhe dëshirojnë diçka që ai nuk mund t’ua sigurojë,  atëherë ai bëhet i gatshëm për çdo gjë: të vrasë, të vjedhë, të bëjë zina, të mashtrojë, të tradhtojë, të bëjë çdo gjë që mendon se do t’i lehtësojë dhimbjen e varfërisë.

E njihni hadithin , o të dashur, që tregon rrëfimin e tre njerëzve që dolën në udhëtim dhe nata i detyroi të strehohen në një shpellë. Papritur, një shkëmb i madh u rrëzua dhe ua mbylli hyrjen e shpellës. Atëherë secili prej tyre filloi të lutet tek Allahu me veprën më të sinqertë që kishte bërë për Të. Njëri prej tyre tregoi se ishte një grua të cilën e donte fort, siç nuk do njeriu një tjetër. Ai kërkoi prej saj të kryente mëkatin, por ajo refuzoi.

Ai tregoi: “Kaluan disa vite dhe mbi të ra një vit i vështirë, një periudhë varfërie e skamjeje. Ajo erdhi tek unë dhe më kërkoi ndihmë financiare. I dhashë njëqind e njëzet dinarë me kusht që të më lejonte të qëndroja me të, dhe ajo pranoi.”

Ishte një grua e ndershme dhe e pastër, e cila më parë kishte refuzuar të bënte haram, por nevoja dhe varfëria e madhe e shtynë ta pranonte marrëveshjen.

Në dy Sahihët (Buhari dhe Muslim) përmendet një tjetër tregim i bukur ku na e rrëfen Profeti ﷺ për një burrë nga Beni Israilët, që tregon se si varfëria mund t’i shtyjë njerëzit drejt mëkatit, krimit dhe shthurjes.

Profeti ﷺ ka thënë, sipas transmetimit të Ebu Hurejrës: “Një burrë tha: ‘Sonte do të jap një sadaka.’ Doli natën dhe ia dha sadakanë një gruaje. Të nesërmen njerëzit thanë: ‘Mbrëmë i është dhënë sadaka një prostitute!’ Ai tha: ‘Falënderimi i qoftë Allahut, një prostitute?! Do të jap sadaka edhe sonte.’ Doli përsëri dhe ia dha një burri. Të nesërmen njerëzit thanë: ‘Mbrëmë i është dhënë sadaka një hajduti!’ Ai tha: ‘Falënderimi i qoftë Allahut, një hajdut?! Do të jap sadaka edhe sonte.’ Doli dhe ia dha një burri tjetër. Të nesërmen njerëzit thanë: ‘Mbrëmë i është dhënë sadaka një të pasuri!’”

Më pas, një engjëll iu shfaq në formë njeriu dhe i tha: “Sadakaja jote është pranuar. Sa i përket gruas, ndoshta ajo do të përmbahet (nga mëkati); sa i përket hajdutit, ndoshta do të pendohet; dhe sa i përket të pasurit, ndoshta do të japë edhe ai nga pasuria e tij.”

Shumica e njerëzve që bien në krim, në të vërtetë i shtyn nevoja dhe varfëria. Sikur të kishin gjetur mjaftueshëm për t’i mbuluar nevojat e tyre, do ta kishin lënë atë rrugë të gabuar.

Varfëria, o të dashur, e ndryshon moralin dhe sjelljen. Profeti ﷺ shpesh kërkonte mbrojtje nga Allahu duke thënë: “O Allah, unë kërkoj strehim tek Ti nga mëkatet dhe nga borxhi.” Fjala “borxh” këtu nënkupton detyrimin që të shtyn nevoja dhe varfëria.

Një njeri i tha: “O i Dërguar i Allahut! Pse kërkon kaq shpesh strehim nga borxhi?” Profeti ﷺ tha: “Sepse njeriu, kur e zë borxhi, fillon të gënjejë kur flet dhe të mos mbajë premtimet që jep.”( Sahih Muslim: 589) Kur njeriu rëndohet nga borxhet dhe ndiqet nga kreditorët, detyrohet të gënjejë për të shpëtuar prej tyre dhe të shkelë premtimet e veta për t’u fshehur prej borxhit,  e gjithë kjo si pasojë e varfërisë.

Sa bukur ka thënë poeti:

E kam provuar jetën e njerëzve për shtatëdhjetë vjet,
kam përjetuar kthesat e kohës, në vështirësi e në lehtësi.
Nuk kam parë pas besimit asgjë më të mirë se pasuria,
dhe nuk kam parë pas kufrit asgjë më të keqe se varfëria.

Allahu e bëftë të bekuar për mua dhe për ju në Kuranin fisnik, dhe na bëftë dobi me ajetet e tij. Them atë që dëgjuat, dhe kërkoj falje nga Allahu për veten dhe për ju – me të vërtetë Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.

Hutbja e dytë

Falënderimi i takon Allahut, i Cili e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim dhe fenë e vërtetë për ta bërë atë të mbizotërojë mbi të gjitha fetë, dhe Allahu mjafton si Dëshmitar. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij të ndershëm.

Pas kësaj, o të dashur vëllezër: Varfëria është gjithashtu rrezik për familjen,  për krijimin e saj dhe për qëndrueshmërinë e saj. Një nga pengesat më të mëdha që e ndalon formimin e familjeve është varfëria. Ajo është pengesa më e madhe që i pengon të rinjtë nga martesa, sidomos në kohë kur janë shtuar tepër çmimet e mehrit, shpenzimet dhe kostot e jetesës. Shumë prej tyre e gjejnë të pamundur të martohen, dhe si pasojë nuk krijohen familje të reja. Ndërsa edhe kur familja krijohet, varfëria shpesh bëhet kërcënim për qëndrueshmërinë e saj. Shumica e problemeve bashkëshortore e kanë shkakun dhe burimin e tyre në varfëri.

Gruaja, nëse burri nuk është në gjendje t’i sigurojë shpenzimet e domosdoshme, ka të drejtë të kërkojë ndarje apo divorc, edhe nëse e do burrin e saj, sepse ajo kërkon të drejtën e saj për ushqim dhe veshje.

Varfëria, o të dashur, ka shtyrë disa prindër madje të vrasin-abortojnë  fëmijët e tyre për të mos mbajtur peshën e jetesës së tyre. Kështu bënin njerëzit e kohës së injorancës së parë (para Islamit), ndaj Allahu i qortoi dhe tha: “Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë! Ne ju furnizojmë juve dhe ata.” (El-En‘am, 151).

Por kur dobësohet bindja dhe imani, dhe shtohet varfëria, atëherë njeriu mund të bjerë në këtë mëkat të tmerrshëm. Edhe në kohën tonë, madje në vendet tona, dëgjojmë për njerëz që vrasin fëmijët e tyre ose heqin dorë prej tyre sepse nuk janë në gjendje t’u sigurojnë jetesën!

Varfëria, o të dashur, është rrezik për shoqërinë. Ajo kërcënon stabilitetin, sigurinë dhe paqen, e dëmton unitetin dhe qëndrueshmërinë e saj. Nëse varfëria lind si pasojë e mungesës së burimeve dhe shtimit të popullsisë, atëherë ndoshta i varfri mund të durojë, ashtu si të gjithë të tjerët. Por nëse ajo lind nga padrejtësia, nga keqshpërndarja e pasurisë, nga shfrytëzimi i njerëzve prej njëri-tjetrit dhe nga uzurpimi i të drejtave, atëherë i varfri nuk duron dot dhe nuk mund të përballojë një gjendje të tillë.

Kur sheh se disa jetojnë në pallate e disa në kasolle, kur disa vdesin nga uria dhe disa nga tepria, kur disa janë në kulmin e pasurimit dhe të tjerët në fundin e mjerimit mos pyet më për gjendjen e një shoqërie të tillë!

Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të,  ka thënë: “Më çudit njeriu që nuk ka ç’të hajë në shtëpinë e tij dhe nuk del me shpatë kundër njerëzve.” Ai nuk e tha këtë për t’i nxitur njerëzit në dhunë, por për të përshkruar realitetin: kur njeriu nuk ka ushqim për të jetuar, jeta dhe vdekja bëhen të barasvlershme për të; nuk ka më asgjë për të humbur, dhe kështu mund të dalë e të luftojë nën çdo flamur e për çdo qëllim, sepse nuk i mbetet asgjë për të ruajtur.

Varfëria, o të dashur besimtarë, është rrezik për dijen, për mendjen dhe për idetë. Nëse njeriu është i zënë ditë e natë duke kërkuar kafshatën e gojës dhe mundësitë për mbijetesë, kur do të ketë kohë të mësojë? Kur do të gjejë mundësi për të studiuar? Fëmijët e familjeve të varfra shpesh detyrohen të punojnë për të plotësuar nevojat e tyre, ndaj nuk mund të vazhdojnë shkollimin dhe humbin mundësinë për arsimim.

Si mund të zhvillohet mendja dhe të thellohet arsimi, kur njeriu është i lodhur nga puna që kërkon bukën e gojës ditë e natë?  Poeti ka thënë:

“Kur i pakësohet njeriut pasuria, edhe turpi i pakësohet ,
Dhe toka e qielli i bëhen pa rrugëdalje, i  ngushtohen.
Nuk di ç’të bëjë, edhe nëse është i mençur,
A t’i ndjekë hapat përpara, apo t’i kthejë pas me dëshpërim.”

Tregohet se imami Muhamed ibn el-Hasen, nxënësi i imamit Ebu Hanife, Allahu i mëshiroftë të dy,  një ditë hyri në shtëpi dhe shërbyesja i tha: “Na ka mbaruar mielli.” Ai u përgjigj: “ Allahu të vraftë! Më bëre të harroj dyzet çështje të fikhut!” Vetëm nga kjo fjalë që i solli në mendje mungesën e ushqimit, iu shpërqendrua mendja nga dija. Si mund të lulëzojë dituria në një shtëpi ku mungon buka?

Prandaj varfëria është ndër shkaqet më të mëdha të paditurisë, të analfabetizmit dhe të prapambetjes. Ajo është burim i shumë problemeve që i mundojnë shoqëritë: politike, ekonomike, shoqërore, shëndetësore e arsimore. Shumica e sprovave të njerëzve kanë rrënjët në varfëri.

Pikërisht për këtë, Islami erdhi për ta çliruar njeriun nga varfëria dhe për t’i ofruar zgjidhje kësaj sprove të vjetër që ka shoqëruar njerëzimin brez pas brezi.

Por nuk na lejon koha të flasim sot për zgjidhjet që Islami ofron për këtë problem; këtë do ta lëmë për hutben e ardhshme. Lusim Allahun e Lartësuar të na e pezulloi   shtrenjtësinë,  sprovat, fatkeqësitë dhe vështirësitë, ato të dukshme dhe ato të fshehta.
Amin.

Ali Bavezir

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve