TË QENIT KORREKT ME VETVETEN
Në Kur’anin Fisnik na janë shpalosur detaje të shumta që kanë të bëjnë me njeriun: krijimin, karakterin, bindjet dhe sjelljet e tij. Të dhënat që na ofrohen për njeriun nuk janë thjesht histori dhe përshkrime por edhe udhëzime dhe këshilla, veçmas kur bëhet fjalë për karakterin, bindjet dhe sjelljet, sepse Kur’ani është mbi të gjitha libër i udhëzimit. Kështu, Kur’ani na i përshkruan të metat por edhe mënyrën e shërimit prej tyre. Një nga të metat e njeriut është edhe mbrojtja e veprimeve të tij të gabuara me gjithë dijen që ka për to se janë të gabuara. Kur’ani na ka folur për këtë dukuri njerëzore duke na ofruar brenda përshkrimit të saj edhe mënyrën e shërimit të saj. Thotë Allahu:
﴿بَلِ ٱلإِنسَـٰنُ عَلَىٰ نَفْسِهِ بَصِيرَةٌ وَلَوْ أَلْقَىٰ مَعَاذِيرَهُ﴾
“Po, vërtet që njeriu do të dëshmojë kundër vetvetes, 15. edhe sikur të paraqesë shfajësimet e veta.” [Kijame: 14-15]
Pra, në natyrën e njeriut ka një lloj arrogance e cila e shtyn ta refuzojë të vërtetën dhe të mos i bindet asaj pavarësisht që e njeh.
Këto dy ajete kur’anore në vete fshehin edhe ilaçin e shërimit nga ky ves i ligë, nga ky imazh i keq i karakterit, nga kjo sjellje e refuzuar veçmas kur bëhet fjalë për një besimtar i cili synon kënaqësinë e Allahut.
Në vazhdim do të ofrojmë disa shembuj[1] se si manifestohet kjo arrogancë e njeriut bashkë me mënyrat e shërimit të saj:
1. Anashkalimin e ndërgjegjes
Njeriu nuk është se nuk e di të vërtetën. Madje, për shumë gjëra se janë të mira apo jo, ai nuk duhet ta pyesë askënd tjetër pos vetes së tij. Askush nuk mund t’i jep njeriut udhëzim më të mirë se shpirti i vet. Një njeri kishte ardhur tek Profeti ﷺ për të mirën dhe mëkatin, ose thënë më mirë për kriteret dhe mjetet se si mund t’i dallonte këto dy gjëra. Profeti ﷺ i tha:
»استَفْتِ نفسَك واستَفْتِ قلبَك – ثلاثًا – ؛ البِرُّ ما اطمأنَّتْ إليه النفسُ, واطمأنَّ إليه القلبُ، والإثمُ ما حاك في النفسِ وتردَّدَ في الصدرِ وإنْ أفتاك الناسُ»
“Pyete shpirtin dhe zemrën tënde -i tha tre herë. Mirësia është ajo në të cilën të pushon zemra dhe të pushon shpirti, ndërsa mëkati është ai që të gërryen (shqetëson) në shpirt dhe të shkakton hamendje në gjoks, edhe nëse njerëzit të japin përgjigje (tjetër).[2]”
Ne nuk kemi nevojë ta pyesim askënd se a është keq ta përgojosh shokun, ta vjedhësh fqinjin, ta tradhtosh mikun. Zemra ndien neveri nga veset e liga andaj nuk ke nevojë ta pyesësh askënd për to. Pra, për tu shëruar nga kjo dukuri duhet lënë zemrën të flet, jo epshin.
2. Mospranimi i mëkatit
Nëse njeriu bën keq, atëherë zgjidhja është që të pendohemi prej mëkatit. Pendimi, siç është thënë, i shlyen mëkatet. Në vend që besimtari të mundohet ta justifikojë mëkatin atë që ka bërë se nuk është gabim, duhet të pendohet prej tij. Për këtë shkak, të parët kanë thënë: ‘Sinqeriteti që më së shumti të bën dobi është të pranosh të metat tua para Alalhut.’ Kjo për shkak se me këtë hapen dyert e pendimit ose shpëtimit nga mëkati. Kështu kanë vepruar profetët a.s. dhe kështu duhet të veprojmë dhe ne, pasuesit e tyre. Allahu i Madhëruar duke na folur për Ademin dhe Havvanë a.s. na tregon se ata shpëtuan nga mëkati sepse e pranuan atë dhe kërkuan falje:
﴿قَالَا رَبَّنَا ظَلَمْنَا أَنفُسَنَا وَإِن لَّمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ﴾
“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”.” [A’rafë: 23]
Ibn Tejmije duke u mbështetur në këtë ajet nxjerr këtë mësim: ‘Kështu mësohet (nga ky ajet) se kush nuk e pranon mëkatin, është hipokrit.’
3. Marrja me të tjerët
Marrja me të tjerët është formë tjetër si manifestohet arroganca e njeriut që mundohet të justifikojë gabimet e veta. Do të ishte mirë që në vend të kësaj të merret me vetveten. Ne të gjithë e njohim vetveten dhe e dimë sa shumë kemi nevojë të bëjmë përmirësime. Mosmarrrja me veten por me të tjerët është matës i devijimit tek dijetarët. Ebu Bekir in Abdullah Muzeniu ka thënë: Nëse e shihni ndonjë njeri që është përkushtuar për të metat e njerëzve ndërsa ka harruar të metat e veta, dijeni se ai njeri është i mashtruar (lajthitur)!
Andaj, që të mos prekemi nga ky sindrom i mëkatarëve, na duhet në pasqyrë të shohim vetëm veten tonë. Rebi bin Huthejmit i thanë: Nuk të kemi parë kurrë ta kesh përgojuar dikën?! Jam i zënë me veten time- iu përgjigj.
4. Mashtrimi me të tjerët
Formë tjetër e manifestimit të kësaj arrogance është mashtrimit me fjalët e njerëzve edhe pse ne e njohim veten tonë. Lëvdatat e njerëzve nuk na i ndryshojnë veprat e këqija. Për këtë shkak, të parët tanë i kanë marrë me shumë rezervë lëvdatat. Sufjan bin Ujejne ka thënë: ‘Kush e njeh veten nuk mashtrohet me lëvdatat e të tjerëve.’ Për këtë shkak, të parët tanë ose kanë marrë shkas lëvdatat e kanë përmirësuar vepra, ose kanë kërkuar falje tek Zoti duke mos shpresuar në asgjë tjetër pos tek mëshira e Tij.
Për fund,
Njeriu e njeh më së miri veten e tij, andaj, në vend se të pushtohet nga nefsi e të shfaqë arrogancë, le të pushtohet nga besimi dhe arsyeja që të merr vendime të duhura; në vend se ta justifikojë mëkatin, të kërkojë falje; në vend se të merret me të metat e të tjerëve, duke e njohur veten dhe të metat e veta, të merret me vetveten; në vend se të mashtrohet me fjalët e të tjerëve e lëvdatat e tyre, të punojë sinqerisht që të jetë i mirë dhe i dashur tek Allahu, ndryshe, justifikimet nuk bëjnë punë ndërsa ngel mëkati dhe dënimi për të.