Adhurim i vërtet ndaj Allahut është ai adhurim që bëhet mes frikës dhe shpresës. Allahu thotë në Kuran: Vet ata që idhujtarët u luten, kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre, madje edhe më të afërtit, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. Me të vërtetë, nga dënimi i Zotit tënd duhet të ruhet gjithkush. (Isra’ 57).
Ata të cilët janë të përmalluar për Allahun janë njerëzit të cilët jeta e tyre është mes shpresës në Allahun dhe frikës ndaj Tij, ashtu si e ka përshkruar Allahu familjen e Zekerijës alejhi selam: Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh (Enbija’ 90). Jetën e robit të mirë të Allahut nganjëherë e përcjellë shpresa dhe dëshira, sa që zemra e tij fluturon nga mallëngjimi për Allahun. Por, nganjëherë e kaplon frika, sa që zemra e tij dëshiron të shkrihet nga frika ndaj Allahut. Besimtari vazhdimisht jeton duke kërkuar kënaqësinë e Zotit të Tij, duke shpresuar në Të, si dhe frikohet nga dënimi i Tij.
Të Dërguarit e Allahut sollën shembullin më të mirë në përmallimin e tyre për Allahun. Ja ky është Pejgamberi i Allahut Musai, i cili iu drejtua Allahut: “O Zoti im, shfaqu që të të shoh” (A’raf). Kjo kërkesë e Musait për ta parë Allahun nuk ishte nga ndonjë dyshim i Musait në këtë. Por, vinte nga mallëngjimi dhe dëshira e flakët për ta parë Allahun. Se Musai alejhi selam mallëngjehej për ta parë Allahun tregon edhe pyetja që Allahu ia bëri Musait, kur i shpalli pejgamberllëkun: “Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?” (Ta Ha, 17). Musai iu përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia, më shërben edhe për punë të tjera.” (Ta Ha,18). Komentuesit e Kuranit kur shpjegojnë këtë thonë: “ do ti mjaftonte Musait në dhënien e përgjigjes që ai të thotë se ai është shkopi im. Por, ai e vazhdoi bisedën duke thënë se ky është shkopi im me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia. Momenti ishte që të zgjatet biseda. Musait i erdhi shansi që të flasë me Zotin e tij, nuk ishte një bisedë e thjeshtë, por ishte bisedë e krijesës me Krijuesin, ishte bisedë mes robit dhe Allahut. Për këtë Musai nga mallëngjimi dhe dëshira e tij e zjarrtë që të zgjas biseda me Zotin e tij i tha të gjitha këto fjalë rreth shkopit të tij, të cilat nuk ishin të kërkuar në pyetjen që iu drejtua.
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët shpejtojnë dhe garojnë në vepra të mira. Allahu thotë: për ata që nxitojnë, (Naziat 4). Ka thënë Mukatili (njëri prej komentuesve të Kuranit) se janë melaiket ato që nxitojnë me shpirtrat e besimtarëve për në xhenet, të përmalluar për Zotin e tyre.
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët dashurin ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij e kanë mbi çdo dashuri, mbi dashurin ndaj vetvetes, mbi dashurinë ndaj familjes, ndaj pasurisë, ndaj prindërve, ndaj njerëzve në përgjithësi. Allahu thotë: Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre) (Bekare 165). I Dërguari i Allahut thotë: “Tri gjëra nëse i posedon njeriu ka shijuar ëmbëlsinë e Imanit. Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur te ai se çdo gjë. Ta duaj një njeri vetëm për Allahun, e jo për diçka tjetër. Dhe të urrej kthimin në mosbesim ashtu sikur e urren hedhjen në zjarr (shënon Buhariu dhe Muslimi).
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët krenohen me fenë që i përkasin dhe i japin përparësi përkatësisë fetare ndaj çdo përkatësie. Transmeton Ibn Abasi se është pyet i Dërguari i Allahut cila fe është më e dashur te Allahu? I Dërguari i Allahut tha: është feja e pastër dhe tolerante” (Buhariu).
Transmeton Enesi se një njeri kërkoi nga Pejgamberi dhe Pejgamberi i dha një tufë me dele. Njeriu u kthye te populli i tij dhe ju tha o ju njerëz bëhuni mysliman se për Zotin Muhamedi po jepte shumë dhe nuk po iu frikohej varfërisë. Enesi thotë ndoshta vinte një njeri, e pranonte islamin për qëllime të kësaj bote (kur shihte se i Dërguari i Allahut jepte shumë). Por, pastaj bëhej një mysliman i mirë dhe feja bëhej gjëja më e dashur te ai se çdo gjë tjetër”.
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët e duanë librin e Tij. Transmetohet nga Enesi se një njeri erdhi te Pejgamberi dhe i tha: O i Dërguari i Allahut unë e dua këtë kaptinë (Kul huvallahu ehad). I Dërguari i Allahut i tha: Dashuria ndaj kësaj kaptine të ka futur në xhenet). Nga Ibën Mes’udi transmetohet të ketë thënë: I kam lexuar Pejgamberit nga Kurani prej kaptinë Nisa’, dhe kur arrita te ajeti: “Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?! (Nisa’41), e pash të Dërguarin e Allahut duke i rrjedh lotët nga faqet e tij”.
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët gjuhët e tyre lidhin me përmendjen e Allahut. Muadh b. Xhebeli, njëri prej shokëve të Pejgamberit thotë: “Fjalët e fundit me të cilat jam ndarë nga Pejgamberi ishte pyetja ime: O i Dërguari i Allahut cilat janë veprat më të dashura te Allahu? Tha të vdesësh ndërsa gjuha jote të jetë e lidhur me përmendjen e Allahut.
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët janë të kënaqur me Allahun në çdo gjendje dhe në çdo situatë. Shumë nga njerëzit janë të kënaqur me Allahun kur janë në gjendje të mirë, kur janë rehat dhe kanë bollëk. Ndërsa kur kanë ndonjë situatë të vështirë, kur kanë ndonjë gjendje të rëndë, kur kanë ndonjë sprovë me një herë ndryshon raporti i tyre me Allahun, mendojnë keq për Allahun, i harrojnë të gjitha të mirat që deri atëherë ia ka dhuruar Allahu. Harrojnë se Allahu e sprovon robin e Tij, sepse e donë atë. Harron njeriu se Allahu e sprovon robin e tij që ta pastroj dhe ta ngritë në shkalla më të larta. Transmeton Enesi se i Dërguari i Allahu ka thënë: “Madhësia e shpërblimit është me madhësinë e sprovës. Nëse Allahu ia donë të mirën një populli e sprovon atë. Ai që kënaqet me të, atij i takon kënaqësia, ndërsa ai që hidhërohet me këtë, atij i takon hidhërimi.
Nga Abdullah b. Mesudi transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu ka ndarë mes jush moralin ashtu sikur e ka ndarë furnizimin. Allahu këtë botë ja jep atij që e donë dhe ati që nuk e donë. Ndërsa fenë nuk ja jep vetëm atij që e donë. Atij që Allahu i ka dhënë fenë e ka dashtë. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im nuk shpëton njeriu gjersa të shpëtoj zemra e tij dhe gjuha e tij. Nuk beson njeriu gjersa komshiu i tij të jetë i sigurt nga të këqijat e tij. I than o i Dërguari i Allahut e cilat janë të këqijat e njeriut ndaj komshiut të ti? Tha ofendimet dhe padrejtësitë ndaj ti. Nuk i jep bereqet Allahu njeriut në fitimin e pasurisë në formë të ndaluar. Edhe nëse shpenzon dhe jep lëmosh për të, Allahu nuk ia pranon. Nuk lenë diçka prapa nga kjo pasuri përveçse shtimi i tij do të jetë në zjarr. Allahu nuk e shlyen të keqen me të keqe, por e shlyen të keqen me të mirën. E keqja nuk e shlyen të keqen”.
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët dëshirojnë për të tjerët atë që dëshirojnë për veten e tyre dhe urrejnë për të tjerët atë që urrejnë për vetën e tyre.
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët dëshirojnë shoqërimin me njerëz të mirë, dëshirojnë të ulen me besimtarë të mirë dhe dëshirojnë të shoqërohen me njerëz të devotshëm.
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët e duan takimin me Allahun dhe nuk i frikohen vdekjes. Ai i cili dëshiron takimin me Allahun, Allahu dëshiron takimin me të. Ai i cili urren takimin me Allahun, Allahu urren takimin me të.
Të përmalluarit për Allahun janë ata të cilët janë përmalluar ta takojnë Allahun dhe ta shohin Atë në xhenet.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati