Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe mbarë pasuesit e tij gjer në amshim!

Nuk ka dyshim se prej begative më të mëdha dhe dhuntive më të çmuara janë bekimi për udhëzim dhe adhurimi sistematik, ngase me këto arrihet qetësia shpirtërore dhe shijohet ëmbëlsia e besimit. Ndryshe, fjala e Allahut:
„E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë…“. (Taha, 124)
…do të vlente për ne.
Sot gjërat janë përzier, dyshimet janë shtuar, epshet mbizotërojnë, gjuhët janë të ndyra, zemrat janë të ndryshkura, shpirtrat janë të boshatisur, njerëzit shfaqin mendjemadhësi ndaj Krijuesit e janë bërë robër të njerëzve dhe iu nënshtruan epsheve. Prej tyre, përveç besimtarit që beson në Allahun dhe e adhuron vazhdimisht, askush nuk shpëtoi.
Thotë Allahu: “1. Pasha kohën! 2. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. 3. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm”. (el-Asr, 1-3)

Edhe besimtarët adhurues u sprovuan me stolitë e dunjasë, të cilat ua dobësuan besimin, dhe adhurimin e tyre e zhveshën nga esenca dhe qëllimi, nga domethëniet fetare, nga ndikimet shpirtërore dhe ndryshimet edukative (në sjelljet e tyre përmes adhurimit), dhe e lanë ashtu si një gërmadhë të pavlerë. Në namaz tani kanë mbetur vetëm lëvizjet, ibadetet janë bërë sikur adete (zakone).
Për ta rikthyer atë domethënie esenciale të adhurimit, për ta shijuar atë ëmbëlsi të besimit prapë, për të sqaruar domethëniet esenciale dhe shpirtërore të adhurimit, punuam këtë artikull për rëndësinë e një shtylle të namazit, pra për Sexhden.
Madhështia e sexhdes

Nëse ndalemi dhe analizojmë tekstet kur’anore, citatet profetike dhe thëniet e trashëguara nga selefi, do të gjejmë se sexhdeja ka një pozitë shumë të lartë dhe të rëndësishme. Seid b. Xhubejri e kishte takuar Mesrukun dhe i kishte thënë: O babai i Seidit, nuk ka diç që na mban gjallë në këtë dunja përveç dëshirës për të vënë ballin në dhe (tokë-sexhde). Mesruku iu përgjigj: Për asgjë në dunja nuk më mbetet merak përveç për sexhde për Allahun e Madhëruar.

Nga kjo kuptojmë se sexhdeja nuk është diç e thjesht, joserioze, e pavlereë, gjest, lëvizje, jo, sexhdeja ka një thelb dhe brendësi që njeriun, po ta kuptonte sexhden siç e kuptuan këta dhe dijetarët tjerë, do ta bënte ta dojë më shume sesa tërë pasurinë e dunjase. Muhammedi, alejhi’s selam sexhden e ka cilësuar si gjënë më të mirë që do të mbetet në këtë botë sidomos pas kohës kur epshet do ta tronditin botën, kur njeriu më nuk do të dëfrehet me epshe por me sexhde para Allahut.
Në një hadith autentik në mes tjerash qëndron: „…dhe shtohet pasuria (pas ardhjes së Isaut, alejhi’s selam) aq shumë saqë nuk e pranon askush. Një sexhde e vetme do të jetë më e mirë se sa dunjaja dhe çdo gjë në të“. ( )

Namazi, sipas sqarimeve që jep Imam Kurtubiu, do të jetë më i mirë se sa lëmoshat për arsye se paraja do të shumohet dhe njerëzit nuk do të kenë dobi prej saj. Afrimi tek Allahu nuk do të bëhet me dhënie por me sexhde…
Bazuar në këtë domethënie, Hoxha Abdurrahman ed-Dusi, Allahu e mëshiroftë, në koment të ajetit:
“Oj Mejreme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bën sexhde dhe falu për Zotin bashkë me ata që falen!”. (Ali Imran, 43)
duke sqaruar madhështinë e sexhdes ka thënë: Nëse kunuti, sipas një mendimi, ka domethënie të adhurimit-nënshtrimit (itatit), atëherë porosia e melaikeve për Merjemen në fillim ishte porosi e përgjithshme për adhurim për ta porositur më pas për një adhurim më të çmuar dhe më të mirë, e i cili është namazi. Pastaj prej këtij namazi veçuan rukunë dhe sexhden, bazuar në rëndësinë dhe pozitën e lartë që kanë. Sexhden e përparësuan para rukusë ngase falësi më së afërmi Allahut është në sexhde. Pra, sexhdeja është kushti më i mirë i namazit.
Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Njeriu më së afërmi Allahut është në sexhde”. (Muslimi)
Nëse përfitohet nga domethënia e këtij ajeti kur’anor fakti për madhështinë e sexhdes pasi që thamë se është prej adhurimeve më të shquara dhe në namaz, adhurimin më parësor, është shtylla dhe forma më e dashur tek Allahu i Madhëruar, atëherë kjo konkludon qartazi se sexhdeja vërtet ka një vlerë, rëndësi dhe pozitë të lartë tek Allahu i madhëruar. Menaviu në Fejdu’l kadir shpjegon: Kjo për faktin se njeriu gjatë sexhdes shpreh përuljen dhe nënshtrimin absolut për Allahun. Nëse njeriu e sheh veten të përulur dhe të nevojshëm për Allahun, në njërën anë, dhe e njeh Allahun si të Lartësuar, të Madh, të Lartëmadhëruar, Mbizotërues, në anën tjetër, atëherë sexhdeja me gjasë është vendpranim i lutjes.

Afërsia tek Allahu në sexhde

Thotë Allahu në Kur’anin Famëlartë:
„ Jo, jo! Ti mos iu bind atij, vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit me të“. (el-Alek, 19)
Ky ajet edhe pse me shumë pak fjalë dhe me shprehje të përmbledhura megjithatë në vete përmban domethënien e sekretit të luftës në jetën e kësaj bote. Si jo kur ky ajet vjen fill pas ajeteve që flasin për ata që ndalojnë beismtarët ta kryejnë namazin:
„A më tregon atë që pengon, 10. Një rob kur ai falet?“. (el-Alek, 9-10)
Këtu fshihet domethënia e luftës ndërmjet të vërtetës dhe të kotës, fshihet sekreti i përpjekjeve të shkatërrimtarëve për pengimin e të sinqertëve, fshihet esenca e luftës famëkeqe kundër çdo forme besimi të pastër dhe çdo adhurimi me të cilin njerëzit afrohen tek Allahu. Këtu vjen momenti vendimtar për besimtarin:
Assesi, mos e respekto!
D.t.th.: Mos e respekto atë që të ndalon nga adhurimi sistematik. Falu ku të duash dhe mos çaj kokën për ta ngase Allahun të ruan dhe teë ndihmon. Ajeti tregon mënyrën e fitimit të forcës për rezistencë dhe përballje me armiq. Pra adhurimi, respektivisht, sexhdeja, është sekret i kësaj force, siç thotë Allahu:
“O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur…”. (el-Bekare, 153)
Nëse analizojmë udhëzimin profetik për lutjet gjatë sexhdes ku njeriu prek tokën me ballin e tij, përkul tërë trupin, nënshtrohet me trup e me zemër dhe thotë: Subhane Rabbije’l A’la! I Pastër nga të metat është Zoti im i Lartësuar!, njeriu ne adhurimin e tij bashkon formën praktike me domethënien shpirtërore, njeriu shpreh përuljen e vet dhe Madhështinë e Allahut, varfërinë e vet dhe nevojën e madhe për Allahun. Për të mos u thelluar me shume, arsyeja se perse njeriu është më së afërmi Allahut kur është në sexhde qëndron në disa pika kryesore, të cilat ose janë të përfituara prej teksteve fetare ose janë të nxjerra nga forma konkrete e sexhdes:
1. Sexhdeja është forma më shprehëse e përkulshmërisë para Allahut. Njerëzit nuk mund të quhen robër nëse nuk realizojnë një nënshtrim të tillë për Allahun. Adhurimi dhe nënshtrimi për Allahun është pozita më e lartë që mund ta realizojë njeriu, dhe sa herë që njeriu thellohet në vështrimin dhe përuljen për Allahun, çdoherë Allahu e ngrit lartë e më lart. Allahu i madhëruar Muhammedin, alejhi’s selam pikërisht për hire të përkulshmërisë dhe nënshtrimit të pakrahasueshëm që bëri për Allahun e ngriti në shkallet më të larta, atje ku as melekët nuk kanë arritur. Ka thënë Allahu:
„ 1. Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar…“. (el-Isra, 1)
Edhe pse Muhammedi, alejhi’s selam përshkoi këtë që përshkoi, pra kaloi edhe hapësirën mbi qiellore dhe u afrua afër Allahut, atje ku as Xhibrili nuk kishte shkuar, megjithatë ai u përshkrua si rob, i përulur para Allahut, për të na bërë me dije se ai nuk është hyjnor, është njeri sikurse ne përveçse ai është shumë i devotshëm, i përulur dhe modest. Sa bukur ka thënë poeti:
Ajo që ma ka shtuar nderin dhe mburrjen
saqë me shputat e mia desha të shkelja plejadën e yjeve
hyrja ime në kuadër të fjalës Sate: O robërit e Mi,
dhe që Muhammedin profet ma dërgove
2. Prekja e tokës me ballë në sexhde njeriut ia përkujton fillimin por edhe mbarimin e tij. Kur njeriu ta vendos kokën në dhe përkujton se baza e krijimit të tij ishte pikërisht prej këtij dheu dhe se ai, herët a vonë, do të kthehet dhe shndërrohet prapë në dhe. Thotë Allahu:
„Prej asaj (tokës) Ne u krijuam ju, e ju do t’ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë“. (Taha, 55)
Kjo gjë ia përkujton njeriut krahas vdekjes edhe faktin e pamohueshëm se pas vdekjes ka ringjallje dhe llogari andaj kjo e bën edhe më të fuqishëm për adhurim. Thotë Allahu:
“Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kijametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhennet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues”. (Ali Imran, 185)
Sexhdeja me këtë kuptim ndalon njeriun edhe nga mendjemadhësia dhe ecja kryelarte mbi tokë. Tërë atyre që harrojnë Allahun, harrojnë fenë, harrojnë vdekjen dhe ringjalljen e llogarinë, sexhdeja ua përkujton se ju, edhe nëse jeni me qindra metra të mëdhenj, edhe nëse posedoni tërë pasurinë e dunjasë nuk keni zgjidhje tjetër para vdekjes përveç nënshtrimit dhe bërjes dhe. Sa bukur iu është drejtuar mendjemëdhenjve Mutarrrif b. Shihhiri:
“O njeri, ti në fillim të jetës sate nuk ishte përveç se një pikë uji e vogël ( ), në fund të jetës sate bëhesh një kalbesirë ( ) e ndyrë ( ) ndërsa gjatë jetës sate, pra në mes fillimit dhe vdekjes ti bartje ndytësire me vete ( )”.
3. Forma e sexhdes njeriut ia largon shikimin nga dynjaja dhe sprovat e saj. Kur njeriu ta bëjë sexhden shikimi i tij përkufizohet vetëm në atë vend të vogël duke përkujtuar kështu vlerën e cektë që ka kjo dunja në raport me ahiretin. Kështu, ai kupton praktikisht hadithin e Muhammedit, alejhi’s selam se:
„ Sikur dynjaja të vlente tek Allahu vetem sa një krah mushkonje, Allahu asnjë pabesimtari nuk do t’ia jepte as edhe një gëllënkë ujë prej saj“. ( )
4. Nevoja vetëm për Allahun. Derisa njeriu është në këmbë gjatë namazit shikimi i tij mund të zhvendoset edhe në gjëra tjera ndërsa në sexhde ai është i kufizuar vetëm në një vend; nuk sheh objekte, nuk sheh njerëz, nuk sheh asgjë, për tu bindur kështu se ai ka nevojë vetëm për Allahun. Ky është kuptimi i ajetit:
“Pra, ikni e mbështetuni tek All-llahu…”. (edh-Dharijat, 50)
…dhe kuptimi i hadithit:
“Nuk ka strehim dhe as shpëtim përveçse tek Ti”. (Buhariu)
5. Njeriu kryen sexhden me shumicën e pjesëve të trupit. Derisa njeriu është në këmbë apo në ruku’ ai shfrytëzon disa pjesë të trupit ndërsa në sexhde njeriu përulet me shumicën e gjymtyrëve të tij. Dy duart, dy këmbët, dy gjunjët, balli, hunda, janë gjymtyrët me të cilat njeriu kryen sexhden. Kjo njeherit dëshmon edhe faktin se njeriu me tërë qenien e tij është i Allahut dhe tërë qenia e tij duhet të jetë në shërbim të Allahut të madhëruar.
6. Sexhdeja ndan njeriun nga djalli. Shejtani mundohet ta mashtrojë njeriun gjatë tërë kohës sa ai falet. Ia përkujton këtë e atë, saqë dijetarët, prej tyre Ebu Hanife, ndoshta si mahi e shaka, njëherë kur e kishte pyetur njeri se ka harruar diç, i kishte thënë: Lidhu në namaz se ta përkujton djalli atë. Djalli mundohet të të ndalojë nga ajo që ai dhe ti u urdhëruat ta bëni, e ajo është sexhdeja. Kur ti bën sexhden ai dëshpërohet shumë dhe largohet prej teje. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“Kur njeriu ta lexoje ajetin e sexhdes dhe ta bëjë atë, djalli ik dhe thotë: Mjerë për mua, njeriu u urdhërua të bëjë sexhde e bëri kështu që do ta ketë Xhennetin ndërsa unë u urdhërova por kundërshtova kështu që do ta kem Xhehennemin”. ( )
Kështu, kur ta kuptosh këtë së pari, rrjedhimisht do ta kuptosh edhe faktin se përse njeriu në sexhde është më së afërmi Allahut të Madhëruar.
7. Sexhdeja dallon besimtarin nga hipokriti dhe jobeismtari. Të gjithë njerëzimi janë të urdhëruar teë besojnë në Allahun ashtu siç ka urdhëruar, të mos i bëjnë shok dhe të gjitha lutjet, në çfarëdo forme a mënyre, t’ia kushtojnë vetëm Atij. Megjithatë, disa njerëz nuk përfillën këtë dhe nuk pranuan që Allahut t’i bëjnë sexhde. Ata, edhe pse refuzuan në këtë botë, në botën tjetër do të duan të bëjnë sexhde por jo, ajo do të jetë vetëm për ata që në këtë botë bënë sexhde. Thotë Allahu:
“42. (Përkujto) Ditën kur ashpërsohet çështja deri në kulm (në kijamet), e ata do të ftohen për të bërë sexhde, po nuk munden”. (el-Kalem, 42)
Sikur që në këtë bote sexhdeja me formën e saj nënkupton nënshtrimin më absolut për Allahun, ata që nuk pranuan ta bëjnë një gjë të tillë në këtë botë, në zjarrë të Xhehennemit nuk do të bëjnë sexhde por dënimin do ta kenë në këtë mënyrë të poshtërimit dhe nënçmimit të tyre. Thotë Allahu:
“E ata (idhujt) dhe adhuruesit e tyre, njëri mbi tjetrin hidhen në të”. (esh-Shuara, 94)
“(E kush do të paraqitet me punë të këqija-me besim të gabuar), ata do të hidhen të përmbysur me fytyrat e tyre në zjarr…”. (en-Neml, 90)
Me këtë kuptim ka ardhur edhe hadithi:
“Mos të pastë nëna o Muadh po çka tjetër përveç gjuhëve të tyre i hedh njerëzit zvarrë për fytyre ose për vrimave të hundës në zjarrë”. ( )

Kozmosi dhe sexhdeja

Kur njeriu ta studiojë gjithësinë në njërën anë dhe domethëniet fetare të sexhdes në anën tjetër, gjen se ky kozmos dhe kjo gjithësi me tërë atë që ka i nënshtrohet Allahut të Madhëruar. Si jo kur gjithësia dhe çdo gjë që është në të vepron në përputhje absolute me atë që caktoi Allahu. A nuk ka thënë Allahu:
“A nuk e di për All-llahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe kodrat, edhe bimët, edhe shtazët, e edhe shumë njerëz, po shumë janë që dënimi është meritë e tyre. Atë që e poshtëron All-llahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. All-llahu punon atë që dëshiron”. (el-Haxh-xh, 18)
“Mandej e mësyu qiellin (krijimin e qiellit) e ai ishte tym (mjegullinë që ishte si materie e parë) dhe atij e edhe të tokës i tha: “Qasuni urdhërit Tim me dëshirë ose me dhunë!” Ato të dyja thanë: “Po i qasemi me dëshirë!”. (Fussilet, 11)
“83. A mos kërkojnë ata (ithtarët e librit) fe, pos fesë së shpallur nga All-llahu? E Atij i është dorëzuar gjithëçka ka në qiej e në tokë, me dashje e pa dashje dhe tek Ai kthehen”. (Ali Imran, 83)
“Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i ngadhënjyesit, të dijshmit”. (Jasin, 38)
Nëse ne do ta donim ta bënim kohën gjithmonë verë apo pranverë a do të kishim mundësi? Nëse duam natën ta shndërrojmë në ditë a kemi mundësi? A nuk ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam:
“Ka thënë Allahu: Më shqetëson njeriu, ai shan kohën ndërsa Unë jam koha. Në dorën Time është çështja (e saj), e ndërroj ditën dhe natën”: (Buhariu dhe Muslimi)
Muhammedi, alejhi’s selam ka përshkruar diellin si yll që Allahut i bën sexhde. Ebu Dherri transmeton se kur kishte perënduar dielli Muhammedi, alejhi’s selam e kishte pyetur këtë:
“A e di se ku shkon dielli? Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri- u përgjigja. Dielli shkon dhe bën sexhde nën Arsh dhe kërkon leje për të rilind e i jepet. Ka gjasa (është dro) që dielli të bëjë sexhde e të mos i pranohet, të kërkojë leje (për të lind) e të mos i jepet, i thuhet Shko prej nga erdhe, dhe kështu dielli lind nga perëndimi. Ky është kuptimi i ajetit (Jasin, 38): Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i ngadhënjyesit, të dijshmit”. (Buhariu)
‏Disa njerëz pyesin si ka mundësi një gjë e tillë?
Po, një gjë e tillë ka mundësi të ndodhe kuptimisht dhe praktikisht ngase formën e çdo sexhdeje tek Allahu nuk mund ta dimë, siç thotë Allahu:
“Edhe yjet edhe bimët i bëjnë përulje (dëshirës së Rrahmanit)”. (err-Rrahman, 6)
“Gjithçka që ka në qiej e në tokë i bën sexhde vetëm All-llahut me dëshirë ose me dhunë, (i bëjnë sexhde) edhe hijet e tyre në mëngjes e mbrëmje”. (err-Rra’du, 15)
Allahu ka treguar në Kur’an se çdo gjë e madhëron Allahun, edhe pse ne nuk i shohim këto gjëra apo nuk e dëgjojmë madhërimin e tyre për Allahun. Thotë Allahu:
“Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbihë), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i butë dhe fal shumë”. (el-Isra, 44)
Pra sikur që nuk kemi mundësi ta kuptojmë këtë madhërim po kështu nuk kemi mundësi ta kuptojmë edhe sexhden e kozmosit.
Në kuptim të ajetit është thënë se ai qeë nuk pranon t’i nënshtrohet Allahut me qenien e tij, ai, deshi apo jo, me hijen e tij, i nënshtrohet Allahut. Ai edhe pse pa dëshirën e tij i nënshtrohet forcës dhe fuqisë së Allahut, dhe po te ishte i mençur ai do ta bashkonte dy çështjet dhe do t’i nënshtrohej Allahut në të dy format: edhe me vullnet, edhe i nënshtruar.

Forma e sexhdes dhe vlera e saj

Shkurtimisht do të ndalemi në disa gjëra rreth sexhdes, formës dhe vlerës së saj. Përkitazi me formën do të përmendim disa gjëra që janë rrëfyer nga Pejgamberi, alejhi’s selam dhe nga shokët e tij:
1. Sexhdeja bëhet me shtatë pjesë: dy duart, dy këmbët, dy grunjte dhe balli me hundë.
2. Zgjatja e sexhdes. Preferohet që njeriu të qëndrojë gjatë në sexhde ngase ajo është pozitë shumë afër Allahut.
Dijetarët kanë polemizuar se a më mirë është të qëndrosh gjatë në kijam (këmbë) apo në sexhde? Disa kanë thënë se më mirë është të qëndrosh në këmbë pasi që aty këndon kur’an ku përshkruhet Allahu dhe sqarohet madhështia e Tij, ku përmenden faktet e fuqisë së Tij, ku përmenden dëshmitë e Njëjësisë së Tij, ku gjallërohen zemrat dhe kthjellen mendjet, ku robi mëson…
Disa të tjerë kanë thënë se sexhdeja është më mirë të zgjatet ngase njeriu aty është më afër Allahut, e madhëron Allahun, i lutet Atij, i nënshtrohet, kundërshton djallin e mallkuar. Ibnu’l Kajjimi në Zadul mead mendon se qendrori në kijam më gjatë është më mirë.
3. Mënyra e sexhdes. Këtu nuk qëndron problemi se a gjatë a shkurtë duhet bërë sexhden. Jo, tani puna është më ndryshe. Sexhden, gjithsesi se nuk duhet bërë shumë shkurt por krahas kësaj atë duhet bërë ashtu siç duhet. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“Drejtohuni në sexhde dhe le të mos shtrijë duart (bërrylat) askush ashtu siç shtrihet qeni”. (Muslimi)
Abdullah b. Buhajne, siç shënon Muslimi, rrëfen se:
“Kur Muhammedi, alejhi’s selam falej i zgjeronte duart saqë dukej edhe të bardhët e sqetullave të tij”.
Nëse sexhdeja kryhet me atë oreksin shpirtëror që pak më parë e përshkruam nuk do të jetë në pyetje mes’eleja e zgjatjes apo jo. Njeriu nuk do ta ndiejë dhe përjetojë lodhjen e zgjatjes aspak. Kur Abdullah b. Zubejri bënte sexhden, zogjtë ndaleshin dhe pushonin në trupin e tij duke menduar se ishte ndonjë mur ose shkëmbe i ngulitur.

Dhikri dhe duaja

Preferohet qeë njeriu të shpeshtojeë lutjet gjatë sexhdes. Kjo për arsye se sexhdeja është vend shumë afër Allahut dhe se ajo është pikërisht pozita që Pejgamberi, alejhi’s selam, siç vërteton Ibnu’l Kajjimi, lutej më së shumti në të. Në një hadith të vërtetë në mes tjerash qëndron:
“…Mua më është ndaluar leximi i Kur’anit në ruku dhe sexhde. Në ruku’ madhërojeni Allahun ndërsa në sexhde përpiquni sa më shumë për dua ngase ka shpresë që t’iu plotësohet”. ( )
D.t.th.: duaja në sexhde ka gjasa të mëdha të pranohet për hire të arsyeve që përmendëm se robi i nënshtrohet Allahut, etj.

Lutjet e sexhdes

Janë transmetuar lutje të shumta në sexhde dhe secila ngërthen në vete urtësi. Subhane Rabbije’l A’la (I pastër është Zoti im, i Lartësuari) në vete përmban një urtësi të madhe ngase njeriu prej një vendi shumë të ulet, fizikisht, lutet me emrin e Zotit të tij të LARTË. Janë transmetuar dua tjera tradicionale, prej të cilave do te përmendim:
1. Aisheja rrëfen se Muhammedi, alejhi’s selam thoshte: Subbuhun, Kuddusun Rabbi’l melaiketi ve’rr rruh – I Madhërishëm dhe i Shenjtë është Zoti i melaikeve dhe Xhibrilit). Njeriu nëpërmjet kësaj lutje motivohet për sexhde për arsye se sexhde kryejnë edhe melaiket në krye me Xhibrilin, siç thotë Allahu:
“Ata lartësojnë (All-llahun) natë e ditë dhe nuk mërziten”. (el-Enbija, 20)
Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“Unë shoh atë që ju nuk shihni dhe dëgjoj atë që ju nuk dëgjoni. Qielli ka lëshuar një zë rëndimi dhe ka të drejtë ngase nuk ka vend në të as sa katër gishtërinj e të mos jetë një melek që në sexhde ka vënë ballin për Allahun. Sikur ta dini atë që unë di do të qeshnit pak e do të qanit shumë, nuk do të dëfreheshit me gratë e juaja në shtretër por do të dilnit në rrugë ta lusnit Allahun me përulje (për tua larguar belanë)”. ( )
2. Muslimi transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam lutej ne sexhden e tij:
“(Allahumme’gfir li dhenbi kul-lehu, dikkahu ve xhil-lehu, ve evvelhu ve ahirehu ve alanijetehu ve sirr-rrehu)
Allahu im, m’i fal të gjitha mëkatet; të voglat dhe të mëdhatë, të parat dhe të fundit, të dukshmet e të fshehtat”.
Ky hadith me këtë lutje nuk ka lënë asnjë mëkat që kërkohet falje për të pa e përmendur shkurtimisht. Urtësia e udhëzimit profetik dhe sekreti i përmendjes së kësaj duaje në sexhde qëndrojnë në faktin se sexhdeja është vend i plotësimit të duasë dhe derisa është e tille, atëherë Muhammedi, alejhi’s selam përmendi gjënë më me rëndësi, e cila është falja e mëkateve. Kjo i ngjan shembullit të një mbreti, i cili hap derën në ditën dhe orën e caktuar për konsultim me palë. Askujt nuk ia mbyll derën dhe asnjë lypës nuk e kthen pas. Dhe, logjikisht, derisa mbreti pranon të takohet me këta, gjë shumë me vlerë për njerëzit e rëndomtë, atëherë edhe kërkesat e tyre duhet të jenë madhore e jo kërkesa të thjeshta.
3. Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam thoshte në sexhden e tij:
“(Allahumme eudhu bi ridake min sehatike ve bimuafatike min ukubetike ve eudhu bike minke la uhsi thenaen alejke ente kema ethnejte ala nefsike)
O Allahu im, kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde nga hidhërimi Yt, me faljen Tënde nga ndëshkimi Yt, kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti, unë nuk mund të të lëvdoj siç duhet, Ti je i Madhëruar ashtu siç e përshkrove Veten”.
4. Aliu, Allahu qofte i kënaqur me të, lutej në sexhde:
“(Allahumme leke sexhedttu ve bike amentu ve leke eslemtu sexhede vexhi li’l ledhi halekahu ve savverehu ve shekka sem’ahu ve besarehu, tebarekeAllahu ahsenu’l halikine)
O Allahu im, për Ty sexhde bëj, në Ty besoj, Ty të jam nënshtruar, fytyra ime beri sexhde për Atë që e krijoi dhe formësoi si dhe i dha veshë e sy. I Madhërishëm qoftë Allah, Krijuesi më i mirë”. (Muslimi)
5. Pejgamberi, alejhi’s selam thoshte në sexhde:
“(Allahumme’xhal fi kalbi nura ve fi sem’i nura ve fi besari nura ve an jemini nura ve an shimali nura ve emami nura ve halli nura ve fevki nura ve tahti nura ve’xhal li nura)
O Allahu im, më dhuro dritë në zemër, dritë në dëgjim, dritë në shikim, dritë në të djathtë, dritë në të majtë, përpara dritë, pas dritë, mbi mua dritë dhe nën mua dritë”. (Muslimi)
Këto dua dhe lutje janë mëshirë prej Allahut të Madhëruar ngase ato janë të shkurtra por përmbledhëse në mënyrë që sexhdeja të mos zgjatet shumë dhe ta rendojeë atë që nuk mund të qëndrojë gjatë. Lutjet në sexhde thuhen tri herë dhe kjo gjë nuk është e shumtë. Preferohet që lutja të jetë e transmetuar prej Pejgamberit, alejhi’s selam ngase është më kuptimplote dhe më shpresëdhënëse.

Të qajturit në sexhde

Të qajturit e njeriut në namaz zakonisht bëhet në dy vende: në kijam si rezultat i ajeteve që këndon apo dëgjon dhe të cilat trajtojnë tematike të shpërblimit, ndëshkimit, Xhennetit, Xhehennemit, etj, dhe në sexhde, ku njeriu përkulet me tërë qenien e tij para Allahut, shpreh dobësinë dhe pamundësinë e tij para fuqisë së Allahut si dhe shpreh angazhimin e paktë, që bën për Allahun, edhe nëse është prej falësve të rregullt ngase dhe adhuruesi më i madh ka nevojë për mëshirën e Allahut.
Këta njerëz që qajnë në namaz janë njerëz të devotshëm, njerëz që tërë qenia e tyre dridhet nga dëgjimi a leximi i fjalëve të Allahut, dhe duke qene se nuk gjejnë fjalë për të shprehur ndjenjat e tyre kështu që lotët e tyre rrjedhin dhe ata bije neë sexhde. Thotë Allahu:
“Dhe duke qarë hidhen me fytyra (kur dëgjojnë Kur’anin) dhe ai ua shton edhe më përuljen (ndaj All-llahut)”. (el-Isra, 109)

Shpresa dhe frika në sexhde

Njeriu kur të bëjë sexhde duhet të sillet në mes shpresës se në sexhde ka arritur kënaqësinë e Allahut, dhe frikës se po nuk do të bënte sexhde do të ishte prej të mallkuarve, që refuzuan të bëjnë sexhde, prej të cilëve është edhe iblisi. Ai në sexhde përkujton fatin e pabesimtarëve të cilët nuk do të kenë mundësi të bëjnë sexhde nesër në ahiret si dhe do të hidhen me fytyrat e tyre në zjarrë. Ai ia ka frikën hidhërimit dhe ndëshkimit të Allahut. Mu për këtë, sexhdeja me këto dy vela është përmendur në disa ajete kur’anore, si”
“Argumentet tona i besojnë, në të vërtetë, ata që kur këshillohen me to, bien në fytyra (bëjnë sexhde), që madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe ata nuk bëjnë kryelartësi,”. (es-Sexhde, 15)
“I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin”. (es-Sexhde, 16)
“(A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë) Apo ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? …”. (ez-Zumer, 9)

Vlera dhe gjurmët e sexhdes

Sexhdeja me statutin e saj prej një adhurimi dhe riti fetar shumë të favorizuar, përmban në vete shumë vlera dhe të mira, prej të cilave ne do të përmendnim:
1. Muslimi transmeton nga Theubani se një njeri kishte ardhur tek Muhammedi, alejhi’s selam dhe tri herë radhazi e kishte pyetur: Më rrëfe për një vepër që më fut në Xhennet? Pejgamberi, alejhi’s selam dy herët e para heshti ndërsa herën e treti kur njeriu bëri pyetje iu përgjigj:
“Bë sexhde sa të mundesh ngase nuk ndodhë që ti ta bësh një sexhde për Allahun e të mos lartësoj Allahu ty një gradë dhe ta fal një mëkat (për atë sexhde)”.
2. Sexhdeja është prej mjeteve mbrojtës me efikasitetin më të madh nga zjarri i Xhehennemit. Argumenti më i madh për këtë është hadithi i Rebi b. Ka’bit, i cili kur e pyeti Muhammedin, alejhi’s selam për një gjë që do t’ia mundësonte shoqërimin e Muhammedit, alejhi’s selam në Xhennet, tërthorazi shpëtimin nga zjarri, i tha:
“Ndihmoje veten (për këtë synim) me shumë sexhde”. (Muslimi)
3. Sexhdja mbron nga kanceri. Sipas një hulumtimi të bërë nga shkencëtarët të përkulurit ndaj Allahut mbron njeriun nga kanceri. Sipas analizës së bërë nga Instituti Kombëtar i Teknologjisë Laserike në Kajro të Egjiptit, sexhdja ndaj Allahut mbron njeriun nga kanceri.
Sipas analizës, sexhdja ndikon shumë pozitivisht tek gratë shtatzëna duke e mbrojtur embrionin e tyre nga deformimet e mundshme. Krahas kësaj ndihmon edhe ndaj shumë sëmundjeve trupore dhe psikologjik.
Kryetari i Institutit Kombëtar i Teknologjisë Laserike njëherit edhe profesor i biologjisë, Muhammed Zijaeddin Hamid pohon se në këtë periudhë trupi i njeriut nga çdo anë është duke u përballuar më rreze elektromagnetike, kështu që absorbon më shumë reze. Ndërsa, sipas profesorit, këtë energji të tepruar padyshim duhet larguar nga trupi.
Sipas analizës se shkencëtarit egjiptian energjia elektromagnetike e tubuar në trup largohet nge sexhdeja ndaj Allahut. Kontakti i shtatë pjesë të trupit më tokën liron energji nga trupi. “Njeriu duke qëndruar në sexhde më pak ngacmohet nga valët elektromagnetike si dhe me kontaktin e ballit me tokën e liron energjinë” pohon profesor Zijaeddin. Sipas rezultateve të analizës së bërë, njeriu në pozitën e sexhdes është në kontakt me shtatë pjesët ë trupit me tokën dhe kjo ndikon në rritjen e energjisë së liruar. Kjo ndikon pozitivisht në eliminimin e lodhjes dhe në sëmundjet e tjera.
Sipas profesorit Zijaeddin për të liruar energjinë në mënyrë sa më të shëndoshë gjatë qëndrimit në sexhde duhet të kthehemi në drejtim te Qabes, nga sipas profesorit “Qabja është qendra e tokës dhe drejtim kah qendra e fytyrës së tokës është pozicioni më ideal për të liruar energjinë nga trupi”. “Pesë kohët e namazit farz është e mjaftueshme për të larguar energjinë e tepërt nga trupi deklaron” shkencëtari egjiptian duke theksuar se tepricat e formuara gjatë gjumit largohen gjatë faljes së namazit të sabahut duke mundësuar një fillim të mbarë dhe të shëndoshë për një ditë të re. Namazi i drekës, iqindisë dhe akshamit pakësojnë lodhjen dhe stresin ditor duke mundësuar një qetësi psikologjike për njeriun, ndërsa namazi i jatsisë largon pjesën tjetër të energjisë së tepërt të marrë gjatë ditës dukë mundësuar një gjumë të shëndoshë për njeriun( ).
4. Sexhdeja largon pikëllimin dhe presionet psikike. Kur Muhammedin, alejhi’s selam e luftonin pabesimtarët psiqikisht e fizikisht, Allahu e urdhëroi me sexhde e i tha:
“Jo, jo! Ti mos iu bind atij, vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit me të”. (el-Alek, 19)
“Ne dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata. 98. Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur)”. (el-Hixhr, 97-98)
Kur Muhammedi, alejhi’s selam u urdhërua të bënte durim në rrugën e Allahut, siç thotë Allahu:
„ Andaj ti bëhu i durueshëm deri në vendimin e Zotit tënd e mos dëgjo as mëkatarë, as jobesimtarë“. (el-Insan, 24)
…Allahu i rrëfeu edhe për burimin e durimit dhe kroin e paluhatshmërisë:
„ Adhuroje Zotin tënd mëngjes e mbrëmje. 26. Dhe falu për hir të Tij në një kohë të natës, mandej adhuroje Atë edhe natën më gjatë“. (el-Insan, 25-26)
Mu për këtë qëllim sa hereë që Muhammedi, alejhi’s selam shqetësohej nga diç falte namaz.
„ O Bilal, na fresko me namaz (thirre ezanin të falim namaz)“. (Ebu Davudi)
„ Kënaqësia shpirtëror më është dhuruar në namaz“. (Nesaiu)
5. Realizimi i devotshmërisë. Thotë Allahu duke folur për besimtarët e sinqertë:
„ … Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes…“. (el-Fet’h, 29)
Kështu do të jenë fytyrat e të sinqertëve në dunja derisa fytyrat e hipokritëve në ahiret (po edhe në dunja), do të jenë të nxira. Thotë Allahu:
„ E ata që bënë gënjeshtër ndaj All-llahut, do t’i shohësh në ditën e kijametit, fytyrat e tyre të nxira. A nuk është në xhehennem vendi i arrogantëve?“. (ez-Zumer, 60)
6. Shndritja në Ditën e Kiametit. Në Ditën e Kiametit Allahu na ka treguar se:
„ Në ditën kur ka fytyra që zbardhen dhe ka fytyra që nxihen…“. (Ali Imran, 106)
Sexhdeja është ajo që besimtarin në atë turmë të madhe njerëzish do ta bëjë të dalluar prej të tjerëve. Muslimi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka përmendur ringjalljen e besimtarëve si:
„ Ata ringjallen me fytyra të ndritshme (nga shenjat e sexhdes)“.

***

Si plotësim të temës përkitazi me esencën e sexhdes dhe rëndësinë e saj, në vijim, shkurtimisht, do të përmendim disa dispozita juridike të sexhdes.
Sexhdeja e harrimit (Suxhudu’s sehv)
Sehv d.t.th.: harresë. Për qëllim është harresa në namaz. Kjo sexhde zakonisht vjen si rezultat i:
Shtimit të ndonjë gjëje prej llojit të namazit në namaz, si: ndonjë ruku apo sexhde shtesë.?
Pakësimit në namaz, si p.sh: të jep selam para kohe apo ta harrojë ndonjë vaxhib të namazit, si f.v. tehijjatin (uljen) e parë.?
Dyshimi në shifër të rekateve, apo dyshimi në kryerjen apo moskryerjen e ndonjë shtyllë-kushti në namaz.?
Sa i përket shtimit nga Ibni Mes’udi transmetohet se Pejgamberi, alejhi’s selam kishte falur pesë rekate. U pyet:
„ A u shtua namazi? Si?-pyeti. Fale pese regate- i thanë. Ai, alejhi’s selam bëri dy sexhde pas selamit“.
Muslimi transmeton versionin:
„ Nëse njeriu shton apo pakëson nga namazi (ndonjë kusht) atëherë le të bëjë dy sexhde“.
Ndërsa për pakësimin argument kemi hadithin e Dhu’l Jedejnit që kur Muhammedi, alejhi’s selam kishte falur jacinë vetëm dy rekate, ai i kishte thënë:
„ O i dërguari i Allahut, a është pakësuar namazi apo harrove? As nuk harrova po as nuk është pakësuar- u përgjigj. A është kështu siç thotë Dhu’l Jedejni?- pyeti Muhammedi, alejhi’s selam. Po- thane. Atëherë ai u ngrit dhe fali rekatet e mbetura, dha selam dhe bëri sexhde harrimi“. (Buhariu dhe Muslimi)
Pakësim konsiderohet edhe lënia e ndonjë vaxhibi të namazit, si fjala vjen ulja e parë, siç është rrëfyer në hadithin e Buhajne-s:
„ Se Pejgamberi, alejhi’s selam fali dy rekate por nuk u ndal ne tehijjat. Ata thane: Subhanallah në shenje përkujtimi por ai vazhdoi. Kur e kreu namazin (dhe para se të jepte selam) i bëri dy sexhde dhe dha selam.“ (Muslimi)
Nëse është ngritur në këmbe( ) dhe është drejtuar atëherë nuk kthehet në ulje (teshehhud) por nëse është ngritur dhe nuk është drejtuar ai kthehet në ulje. Këtë e themi bazuar në hadithin e Mugire b. Shu’bes i cili transmeton se Pejgamberi, alejhi’s s elam ka thënë:
„Nëse imami ngritët pa bërë tehijjatin e parë por përkujton para se te ngritët plotësisht në këmbë, atëherë ai kthehet ndërsa nëse nuk e përkujton vetëm se kur është drejtuar plotësisht atëherë ai vazhdon namazin dhe për harresë bën dy sexhde“. ( )
Në rast të dyshimit falësi vepron konform hadithit të Abdurrahman b. Avfit, i cili ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi’s selam duke thënë:
„ Nëse dikush harron në namaz dhe nuk di a ka falur një apo dy, le të vazhdojë sikur ka falur vetëm një rekat. Po kështu edhe nëse nuk di se a ka falur dy apo tri le të vazhdojë namazin sikur ka falur vetëm dy rekate. Edhe nëse nuk e di se a ka falur tri apo katra atëherë le të vazhdojë sikur ka falur tri, e më pas le t’i bëjë dy sexhde para selamit“. ( )
Hadithi zbatohet duke marre numrin më të vogël të rekateve ngase për të nuk ka dyshim, pastaj plotëson namazin sa ka mbet dhe bën sexhden.
Ekziston edhe mendim se njeriu braktisë dyshimin dhe falë aq sa ia merr mendja se ka fale. Siç shihet këtu nuk ka nevojë për plotësim fare. Baze për këtë është hadithi që e transmeton Seid el-Hudrijji se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
„ Nëse ndokush prej jush gjatë namazit nuk di sa ka falur, tri apo katër, atëherë le ta hedh dyshimin dhe le ta vazhdojë namazin sipas asaj që është më i bindur (se e ka fale atë) e pastaj, para selamit le te beje dy sexhde. Nëse ka falur pesë regate atëherë ato sexhde konsiderohen si çiftëzim i namazit (rekat i gjashtë) ndërsa nëse e ka falur katër rekatësh siç duhet, atëherë ato dy sexhde janë poshtërim për djallin“. (Muslimi)
Ekziston edhe mendim tjetër në lidhje me dyshimin. Sipas këtij mendimi njeriu duhet ta mbaj mendimin sipas asaj që ia merr mendja, e me pas ta plotësojë-vazhdoje namazin në baze të atij mendimi dhe të bëjë dy sexhde. Muslimi transmeton nga Ibni Mes’udi se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
„ Nëse dikush dyshon në namaz atëherë le ta kërkojë atë që i duket më e saktë dhe në bazë të saj ta vazhdojë namazin e pastaj le të bëjë dy sexhde“.
Sexhdeja e leximit (suxhudu’t tilaveh)
Ai që lexon apo dëgjon ajetet e sexhdes preferohet që të marr tekbir (të thotë Allahut Ekber) dhe të bëjë sexhde. Nafiu përcjell nga Ibni Umeri se:
„ Pejgamberi, alejhi’s selam na e lexonte Kur’anin dhe kur kalonte pranë ndonjë ajeti të sexhdes thoshte: Allahu ekber dhe bënte sexhde. Edhe ne bënim së bashku me të“. ( )
Ka thënë Ibnu’l Kajjimi: Vendet ku bëhet sexhde në Kur’an janë lajme dhe urdhra, lajme prej Allahut se si krijesat e Tij i bënë Atij sexhde, qofteë në përgjithësi apo në veçanti, kështu që lexuesit apo dëgjuesit i preferohet që t’iu ngjasoje atyre gjatë këndimit të këtyre ajeteve apo dëgjimit të tyre, e sidomos nëse ato ajete përmbajnë urdhër për sexhde.

Vlera e kësaj sexhdeje

Ebu Hurejre transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“Kur njeriu ta lexoje ajetin e sexhdes dhe ta bëjë atë, djalli ik dhe thotë: Mjerë për mua, njeriu u urdhërua të bëjë sexhde e bëri kështu që do ta ketë Xhennetin ndërsa unë u urdhërova por kundërshtova kështu që do ta kem Xhehennemin”. ( )
Në një hadith tjetër qëndron:
“Nuk ka njeri që bën një sexhde e të mos e ngritë Allahu lart një gradë dhe t’ia shlyejë me të një të keqe”. ( )

Dispozita e saj

Shumica e dijetarëve mendojnë se sexhdeja e leximit është sunnet si për lexuesin po ashtu edhe për dëgjuesin, dhe këtë, bazuar në hadithin e Omerit se ai kishte lexuar në minber Ditën e Xhuma kaptinën en-Nahl derisa kishte arritur tek sexhdeja, me ç’rast kishte zbritur kishte bërë sexhden e së bashku me të edhe njerëzit e kishin bërë atë. Edhe xhumanë e ardhshme e lexoi këtë kaptinë por kur erdhi tek ajeti i sexhdes tha:
„ O ju njerëz, ne ende nuk e kemi lexuar ajetin e sexhdes. Kush bën sexhden pas leximit, ai e ka qëlluar të vërtetën ndërsa kush nuk e bën ai nuk ka mëkat“. (Buhariu)
Në një transmetim tjetër qëndron:
“Allahu nuk e ka obliguar sexhden përveç nëse ne dëshirojmë”. (Buhariu)

Kushtet e vlefshmërisë së sexhdes së leximit

Për të qenë e vlefshme kjo sexhde kushtëzohet për të ajo që kushtëzohet për namaz: abdesi, pastrimi i rrobave e vendit të faljes, mbulimi i pjesëve të turpshme, kthimi kah kibleja, nijeti. Për të gjitha këto kushte ka konsensus tek dijetarët derisa për kushtet tjera kanë polemizuar:
Hanefitët: Nuk kushtëzohet selami sikurse në namaz.
Malikitët: As nuk ka ihram (tekbiri fillestar) dhe as selam.
Shafiitët: Krahas nijjetit kushtëzohet edhe tekbiri fillestar (ihrami).
Hanbelitët: Përveç kushteve të dakorduara tek të gjithë dijetarët, këta shtojnë edhe dy tjera:
Që lexuesi të jetë i denjë për imam, ndryshe nëse e dëgjon ajetin prej ndonjë gruaje, fëmije, kafshëve (papagalli), kasetave, etj, nuk ligjësohet sexhdeja.?
Që vet lexuesi ta bëjë sexhden ndryshe nëse ai nuk e bën sexhden atëherë as dëgjuesit nuk e bëjnë.?

Shkaqet e sexhdes së leximit

Sexhdeja bëhet kur njeriu ta lexojë ajetin e sexhdes, apo kur me vëmendje (istima’) e dëgjon derisa për dëgjimin pa vëmendje (sima’), sipas shumicës së dijetarëve nuk ka nevojë të bëhet sexhde. Hanefitët mendojnë se në të gjitha rastet duhet bërë ësexhde.

Forma e sexhdes së leximit

Forma e kësaj sexhdeje është sikurse forma e sexhdes së rëndomtë. Në fillim, preferohet, që të thuhet Allahu Ekber, edhe pse Imam Shafiu mendonte se kjo është shtyllë e kësaj sexhdeje, pastaj bën madhërimin e Allahut sikurse në sexhdet e zakonshme edhe pse preferohen lutje të veçanta, si:
„(Allahumme uktub li biha indeke exhren ve da’ anni biha vizoren vexhalha li indeke dhuhren ve tekabbelha minni kema tekabbelteha min abdike Davud)
O Allahu im, për këtë sexhde më shkruaj shpërblim tek Ti, ma largo me të mëkatet, ma bë furnizim (ruajtje e së mirës) tek Ti, dhe pranoje prej meje ashtu siç e pranove prej robit Tënd Davudit“. ( )
Pas sexhdes e ngrit kokën dhe thotë Allahu Ekber (jo detyrimisht), nuk këndon tehijjatin dhe, sipas hanefitëve, nuk jep selam. Shafiitët mendojnë se selami është shtyllë e kësaj sexhdeje derisa hanbelitët e kanë obliguar vetëm selamin e parë (në të djathtë) e jo edhe të dytin.

Sexhdeja e falënderimit (suxhudu’sh shukri)

Kjo sexhde zakonisht bëhet kur njeriut i shtohen të mirat dhe i largohen të këqijat, pa marrë parasysh se këto të mira janë të dukshme apo abstrakte, si: lindja e fëmijës, shërimi i sëmundjes, largimi i pikëllimit, etj.

Dispozita

Xhumhuri (konsensusi) i dijetarëve mendojnë se sexhdeja e falënderimit është mutehabb, e preferuar, dhe këtë bazuar në hadithin e Ubej b. Ka’bit se kur Pejgamberit, alejhi’s selam i vinte ndonjë lajm i mire apo sihariq ai binte në sexhde si falënderim për Allahun. (Ebu Davudi)
Bejhekiu transmeton me sened të kushtit të Buhariut se kur Pejgamberit, alejhi’s selam ia dërgoi një letër Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me teë, se Hemdhani kishte pranuar Islamin, Pejgamberi, alejhis selam nga gëzimi kishte rënë në sexhde dhe kishte thënë:
„Paqja qoftë mbi Hemdhanin, paqja qoftë mbi Hemdhanin“.
Imam Ahmedi transmeton nga Abdurrahman b. Aufi se Pejgamberi, alejhi’s selam kishte bërë një sexhde të gjatë saqë u frikësova se mos vdiq në të. U afrova afër tij dhe u ula. E ngriti kokën e më tha: Kush është? Abdurrahmani- iu përgjigja. Çfarë dëshiron? Bëre një sexhde të gjatë dhe u frikësova se ndoshta Allahu ta morri shpirtin në të- i thashë. Ai, alejhi’s selam më tha:
„Xhibrili, alejhi’s selam më erdhi dhe më përgëzoi se Allahu ka thënë: “Kush të dërgon salavat ty, edhe Unë i dërgoj atij. Kush të përshëndet ty edhe Unë e përshëndes atë”, kështu që si falënderim rashë në sexhde për Allahun“.
Buhariu transmeton se kur Ka’b b. Malikut i kishte ardhur lajmi se Allahu ia pranoi pendimin, ai kishte bërë sexhde falënderimi.

Forma e sexhdes së falënderimit

Është sikurse sexhdeja e leximit vetëm se në të nuk ka lutje të caktuar tradicionale.
Kushtet e sexhdes së falënderimit
Është thënë se çka kushtëzohet në sexhden e leximit kushtëzohet edhe në sexhden e falënderimit por e vërteta është ndryshe ngase nuk ka tekst që përcakton marrjen e abdesit, pastrimin e rrobave e vendit për sexhden e falënderimit. Derisa është në namaz ai nuk bën sexhden e falënderimit përveç nëse është injorant apo ka harruar. Ka thënë Ibni Tejmije: Nëse njeriu dëshiron ta lus Allahun kështu që e vë kokën në tokë, bën sexhde, kjo sexhde është për dua dhe nuk ka pengese për të. E urryer është sexhdeja e cila bëhet pa arsye dhe shkas.

Fund

Ky është fundi i kësaj shkrese, në të cilën përjetuam së bashku momente dhe çaste të mira përkitazi me domethëniet shpirtërore të sexhdes, si formë më e mire e adhurimit dhe nënshtrimit për Allahun e Madhëruar. Shpresoj qeë ky punim të ketë mbjellë në shpirtrat tuaj dashurinë dhe respektin për Allahun duke përkujtuar kështu madhështinë e Tij dhe ndier nostalgji për takimin me Të. Nuk besoj të ketë dyshime ndokush se ne, në këtë kohe kur lidhja me ahiretin është shkëputur dhe dhënia pas dunjase është rritur, në këtë kohë kur thatësia morale ka përshkuar zemrat tona, nuk kemi nevojë për një lidhje të tillë me Allahun nëpërmjet sexhdes së sinqertë!
Falënderimi i takon Allahut në fillim e mbarim ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, alejhi’s selam!



Autor: Ebu’l Hasen Ali BADEHDAH, Medine Munevvere
Përshtati në shqip: Sedat G. Islami