O ju musliman, frikojuni Allahut në vazhdimësi me adhurime dhe me largim nga e ndaluara. Shpëtoi ai që u kap për devotshmërinë në dynja dhe ahiret. Dhe humbi ai që e pasoi epshin dhe të ligën.

O ju robërit e Allahut, përmendni begatitë e shumta të Allahut që i keni dhe falënderoni që ato të vazhdojnë dhe të mbetën. Allahu i Madhëruar thotë: “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. Ibrahim 7, dhe tha: “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd”. Fatir 15, dhe tha: “Kush është falënderues, e bën për të mirën e vet dhe, kush mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim”. Llokman 12.

Kurse me një hadith të shenjtë Allahu i Madhëruar thotë: “O robërit e mi, këto janë veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, e për to Unë do t’ju shpërblej. Pra, ai që gjen mirë le ta falënderojë Allahun, ndërsa ai që gjen keq le të mos e fajësojë askë pos vetveten!”.

O ju musliman, deri dje ishit në Ramazan. Ditët e netët i kalonit duke u kënaqur me adhurime të ndryshme dhe Allahu ju dha sukses në largimin nga mëkatet dhe të ndaluarat, pra mos i zëvendësoni adhurimet me gjynahe, mos e zëvendësoni përmendjen e Allahut dhe leximin e Kuranit me shkujdesje, mos lejoni që t’ju kaplon dembelia dhe përtacia e të pakësoni nga detyrimet. Durimi në kryerjen e adhurimeve dhe durimi në largimin nga mëkatet, janë nga cilësitë e besimtarëve dhe stema e të devotshmëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!”. Merjem 65, dhe “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. Taha 132.

Mos ta zëvendëson askush atë që e donë Allahu me atë që nuk e donë Allahu, që pastaj Allahu të zemërohet me të dhe ta drejton kah ajo që Ai e urren. Mos ta ndryshon askush gjendjen e tij të mëhershme të përqendrimit në fe, me pasim të epshit dhe shejtanit dhe shkuarjes pas haramave dhe të ligave, e me atë Allahu tua ndryshon gjendjen e çështjeve të juaja. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete”. Rad 11, dhe tha: “Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka”. Enfal 53.

O ju musliman, a nuk e dini se gjendja më e mirë e një muslimani është kur ai adhurimin e përcjelle me adhurim tjetër, dhe kur të mirat i përcjell me të mira tjera dhe largohet nga të ligat!? Allahu i Madhëruar thotë: “Sa për ata që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri e vetëpërmbajtje”. Muhamed 17.

Pozita më e ulët se kjo është të pasohet e liga me të mirë, me qëllim që të pastrohet mëkati i bërë. Allahu i Madhëruar thotë: “Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat”. Hud 114.

Kurse në hadithin e Muadhit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ceket të ketë thënë: “Frikoju Allahut kudo të jesh, pasoje një të keqe me të mirë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë”.

Gjendja më e keqe është që ta pason njeriu të ligën me të ligë, apo t’i pason të mirat me të këqija që ia prishin ato të mira. Allahu i Madhëruar thotë. “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe mos i çoni dëm veprat tuaja”. Muhamed 33, ngase të ligat dhe të këqijat pas të mirave dhe adhurimeve ka mundësi ta humbin veprën, apo ta prishin një pjesë të saj apo të pakësojnë nga shpërblimi i të mirave.

Përcillet nga selefi se ata luteshin gjashtë muaj që tu pranohet Ramazani dhe gjashtë muaj tjera luteshin që Allahu tua mundëson ta arrin Ramazanin tjetër.

Nga mashtrimet e shejtanit është që t’ia zbukuron njerëzve neglizhencën ndaj adhurimeve dhe t’i dobëson para epsheve dhe të ndaluarave në muajt tjerë jashtë Ramazanit, kështu që e arrin nga ata atë që nuk mundi ta arrin në Ramazan, ngase ishte i lidhur dhe i prangosur.

U pyet Bishër el Hafi, Allahu e mëshiroftë, se çfarë mendimi jep për ata që përpiqen në Ramazan dhe kur kalon muaji, ata i lënë adhurimet? U përgjigj: Sa popull i keq që është ai i cili e njeh Allahun vetëm se në Ramazan!

Mrekullia më madhe është që Allahu t’i dhuron robit përqendrim në fe gjatë tanë jetës së tij. Kjo është fitorja e plotë dhe lumturia e përsosur. Allahu thotë: “Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar”. Ehkaf 13-14.

Sufjan ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë se i thash të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tregoma një fjalë në Islam që mos ta pyes pas teje për të askënd?! Iu përgjigj: “Thuaj besova në Allahun dhe pastaj përqendrohu në të”.

Allahu është Ai që adhurohet në çdo vend dhe kohë dhe Ai është që detyrohemi t’i nënshtrohemi dhe mos t’i bëjmë gjynahe. Allahu thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”. Hixhër 99.

Komentuesit e Kuranit kur e komentojnë këtë ajet thonë: Adhurojeni Allahun gjithmonë deri sa t’ju vjen vdekja.

Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për besimtarin nuk ka kohë e cila përfundon, derisa t’i vjen vdekja”.

Edhe pse mbaroi obligimi i agjërimit të Ramazanit dhe në këtë muaj u ligjësuan adhurime të llojllojshme, gjithashtu Allahu e ligjësoi edhe pas Ramazanit të vepruarit e mirësive dhe detyroi detyra dhe ndaloi nga haramet, edhe atë në çdo kohë dhe vend. Ndër to është edhe ligjësimi i agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit. Ebu Ejub, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e

agjëron Ramazanin dhe pastaj e përcjell me gjashtë ditë të Shevalit sikurse të kishte agjëruar tanë vitin”.

Po ashtu e ligjësoi agjërimin e tre ditëve për çdo muaj, pastaj agjërimin e të hënës dhe të enjtes, agjërimin e ditës së Arafatit dhe Ashurës, agjërimin e dhjetë ditëve të Dhulhixhes, pastaj u ligjësua leximi i Kuranit dhe përmendja e Allahut, namazi i natës, lëmosha, e shumë të tjera.

Pra, veprat e mira ashtu si janë të ligjësuara në Ramazan, janë të ligjësuara edhe jashtë muajve të Ramazanit.

Nga mashtrimet e shejtanit është që disa njerëz falen në Ramazan, kurse pas Ramazanit e lënë namazin, apo i falin disa kohë e disa i lënë. Kjo padyshim se është kufër i madh, dhe për këtë Allahu thotë: “falni namazin e mos u bëni si ata, që i shoqërojnë Atij diçka tjetër (në adhurim)”. Rum 31, dhe po ashtu thotë: “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?” Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz”. Mudethir 42-43.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Mes njeriut dhe shirkut është lënia e namazit”.

O ju musliman, dijeni se lumturia dhe shpëtimi i përhershëm është në durimin në adhurime dhe në durimin në largimin nga mëkatet. Pikëllimi dhe humbja e përhershme është në pasimin e epsheve dhe pasioneve, dhe nëse biri i Ademit e mediton mirë çështjen do të sheh se jeta sa e shkurtë që është dhe më mirë kishte qenë për të që të merret me adhurime dhe vepra të mira.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ditën kur do t’i tubojë, atyre do t’u duket sikur nuk kanë ndenjur në tokë, veçse një çast të shkurtër dite, aq sa për të njohur njëri – tjetrin. Vërtet, janë të humbur ata që nuk e besojnë takimin me Allahun e nuk janë në rrugë të drejtë”. Junus 45.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dy begati shumica e njerëzve i neglizhojnë: shëndetin dhe kohën e lirë”.

Kjo dynja është e shkurtër e ajo që vjen e përhershme, për këtë arsye o ti rob i Allahut vepro me qëllim që ato vepra ti takosh atë ditë kur do të dalësh para Allahut tënd.

SHEJH ALI IBËN ABDURRAHMAN EL HUDEJFE

Nga arabishtja: Irfan JAHIU