Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë;
Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: “Ta ruajmë njëri-tjetrin”
Allahu i Plotfuqishëm, na ka nderuar neve me Islamin, e përmes Islamit edhe me namaz. Namazi është çështja e parë për të cilën do të pyetemi. Namazi është gëzimi i zemrës së besimtarit.
E lexova një shkrim nga një imam ku thoshte: “Para disa dite e pashë në haremin (oborrin) e një xhamie të madhe, saktësisht në hajatin e saj, një njeri të cilit ia kishin amputuar të dyja këmbët. Së pari fali namaz, pastaj nga qesja e nxori Kuranin dhe lexoi për një kohë të gjatë. Ndërsa jo shumë larg prej tij, po kalonin me qindra njerëz, me këmbë të shëndosha, me plot elan. Por ato këmbët e shëndosha nuk po i bartnin për në namaz.”
Prandaj vëllezër, ta falim namazin dhe të jemi të vetëdijshëm se Ibn Abbasi r.a. ka transmetuar se Muhamedi savs ka thënë: „Tre vetave namazi i tyre nuk ju ngritët mbi kokën e tyre më shumë se një pëllëmbë: Një udhëheqës i cili e udhëheq popullin, kurse ata e urrejnë atë, një grua e cila e kalon natën duke qenë burri i saj i zemëruar me të, dhe dy vëllezër të cilët janë të grindur mes veti.“ (Ibn Hibbani, Taberaniu)
Të imagjinojmë sesa namaze tona të bukura dhe me përulje, janë duke fluturuar përreth kokave tona vetëm për shkak se ne jemi në grindje me njëri-tjetrin! A nuk është kjo përgjigja për pyetjen se pse ne jemi kaq nervozë, dhe pse vetëm pak na mundon që të eksplodojmë? E si edhe të mos jemi, kur namazet tona vazhdimisht na godasin në kokë dhe ne nuk i lëmë ato që të largohen e të pranohen tek Allahu. Ne nuk i lëmë ato, sepse jemi në grindje. Ne grindemi edhe për gjënë më të vogël. Nuk jemi të gatshëm t’ia bëjmë hallall njëri-tjetrit, e madje edhe më pak që vetë të kërkojmë hallall.
Me një rast kemi theksuar se faraoni (i cili pretendonte se ishte zot) e kishte pyetur Iblisin (i cili është i mallkuar): „A ka dikush që është më i keq se ata të dy.“ Iblisi ishte përgjigjur: „Po, ka! Më i keq se ti edhe se unë është ai, prej të cilit kërkohet hallalli, dhe ai refuzon e nuk ia bën hallall!”
Shumica prej nesh kemi falur shumë xhenaze, në të cilat ne të gjithë formalisht ia bëjmë hallall të vdekurit. Megjithatë, shumë njerëzve ju mbetet në fyt kafshata e hidhur e pa përtypur, kështu që thonë: “Ah sikur të isha në gjendje ta kthej kohën, ndryshe do të kisha vepruar!”
Mos të presim ta themi këtë. Koha është ende përpara nesh. T’ua bëjmë hallal, ose të kërkojmë hallall, ta lirojmë namazin tonë që të mos na fluturojë rreth kokës, dhe do të jemi shumë më të qetë. Mos të presim që diçka ta humbim, e që atëherë ta kuptojmë se sa begati paskemi pasur.
Po më duket se këto ditë, shumë lehtë dhe pa arsye, ne po e humbim njëri-tjetrin; shumë lehtë po heqim dorë nga të afërmit dhe fqinjët, thjesht vetëm pse ata nuk mendojnë si ne ose pse ata janë me parti tjetër, e nuk janë në anën tonë.
Të afërmit dhe fqinjët janë dy gjëra të shenjta në Islamin tonë.
Vëllezër të dashur;
Po ia kujtoj vetes time dhe juve se Pejgamberi savs ka thënë: „Për asnjë mëkat kryerësi i tij nuk ka prioritet të ndëshkohet qysh në këtë botë, më shumë sesa dhuna dhe ndërprerja e lidhjeve familjare.“ (Buhariu dhe Muslimi)
Shumë lehtë po bëhemi të dhunshëm, dhe shumë lehtë po i anulojmë të afërmit, kurse hadithi të cilin sapo e dëgjuam, na tërheq vërejtjen se, nëse ne veprojmë kështu, edhe në këtë jetë mund të presim një dënim të ashpër, kurse për botën tjetër as mos të flasim.
Xhabir ibn Abdullahu r.a. thotë: Pejgamberi savs na këshilloi si vijon: “O muslimanë, kini frikë Allahun dhe kujdesuni për të afërmit tuaj, sepse për asgjë njeriu nuk do të shpërblehet më shpejt sikur për kujdesin ndaj të afërmve të tij; ruajuni që mos t’i bëni dikujt padrejtësi, sepse për asgjë nuk arrin më shpejt dënimi sesa për padrejtësi; ruajuni nga mosbindja ndaj prindërve, sepse as nuk do ta nuhas aromën e xhenetit, ai i cili është i pabindur ndaj prindërve, dhe ai i cili i ndërpret lidhjet familjare.“ (Taberaniu)
Ebu Dherri r.a., thotë se i Dërguari i Allahut mi ka rekomanduar shtatë gjëra:
1. Që t’i dua të varfërit dhe të rri me ta;
2. Që mos t’i shikoj më të pasurin dhe më të shëndetshmit;
3. Që të kujdesem për të afërmit, edhe nëse më mërzisin;
4. Që ta flasë të vërtetën, edhe nëse është e hidhur;
5. Që për ta thënë të vërtetën, mos të frikësohem nga qortimi i askujt;
6. Që nga njerëzit, pa nevojë, mos të këskoj asgjë; dhe
7. Që shpesh ta shqiptoj: La havle ve la kuvvete il-la bil-lah!“ (Ahmedi dhe Tabereniu)
Pra, llogaritja është e qartë: Nëse duam shpërblim të shpejtë dhe të sigurtë – le të kujdesemi për familjen; nëse duam dënim të sigurtë dhe ekspres – le t’i ndërpresim lidhjet familjare! Varet nga ne!
Shenjtëria e dytë janë fqinjët. Muhamedi savs i përsëriste disa herë fjalët e tij vetëm kur ishte diçka shumë serioze. Ai me një rast tha: „Pasha Allahun nuk beson; Pasha Allahun nuk beson; Pasha Allahun nuk beson ai nga shqetësimi i të cilit nuk është i sigurtë i afërmi i tij.“ (Muttefekun alejhi)
Me fjalë të tjera: je i mirë, i devotshëm, falish namaz, agjëron, i ndihmon të varfërit … por nëse e shqetëson fqinjin, nëse prej teje i dhemb koka dhe nuk i ndihmon as kafetina, nëse nuk është rahat nga gjuha dhe dora jote – të gjitha këto janë kot, sepse Pejgamberi savs tri herë u betua se kjo është kështu.
Pejgamberi savs ashtu u betua, kurse Allahu i Plotfuqishëm në Kur’an, ka urdhëruar kështu:
“Adhuronie Allahun, mos i shoqëroni Atij asnjë send; bëni mirësi prindërve, të afërmve, bonjakëve, të varfërve, fqinjëve të afërt dhe fqinjëve të largët, dhe atij që e ke pranë dhe udhëtarit (që ka mbetur ngushtë) … Se Allahu, me të vërtetë, nuk i do ata, të cilët krenohen dhe lavdërohen.” (en-Nisa, 36) (…)
Është e dukshme dhe shumë e qartë se këto ditët dhe javët e fundit, raporti mes farefisit dhe fqinjëve është përkeqësuar deri në maksimum. Puna ka arritur deri në armiqësi! Pse?
Për shkak të zgjedhjeve, për shkak të 19 nëntorit të famshëm, e më herët ishte 22 tetori!? Sikur nuk do të ketë jetë pas kësaj jave. Dhe do të ketë! Familja edhe pas zgjedhjeve do të mbetet familje. Fqinji edhe më tutje do të jetë fqinj.
Vëllezër besimtarë;
Ai i cili këtë ende nuk e ka kuptuar, edhe mund të shpresojë për dënimin e shpejtë nga Allahu, edhe aromën e xhenetit nuk do ta huhas, edhe namazi i tij – nëse falet – do të vazhdojë ta godasë për koke dhe përsëri do të jetë nervoz dhe eksploziv si baruti.
Prandaj, mos të gjendemi në atë valle, le të kujdesemi për të afërmit dhe fqinjët, tua bëjmë hallall dhe të kërkojmë hallall, sepse 19 nëntori do të kalojë, edhe gjethet do të bien në nëntor, por nëse biem ne si njerëz, nëse biem ne si musliman, nëse na bie neve autoriteti tek Allahu, atëherë nuk ka as njeri (qoftë edhe kryetar), nuk ka as fotele (post politik), dhe nuk ka as para, që mund të na e kthejnë autoritetin tonë.
Le t’i kthehemi vetvetes, le të mendojmë për vete dhe për jetën tonë, le të përmirësohemi dhe të angazhohemi të bëjmë sa më shumë vepra të mira.
Në fund, si zakonisht, hutben po e përmbyllim me lutje (dua):
– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!
– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
– Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
– Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut! Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.
Përshtati: Miftar Ajdini