Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na mundësoi që ta shijojmë ëmbëlsinë e Ramazanit dhe t’i afrohemi ditës së Bajramit. Atë e falënderoj dhe lavdëroj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.
O ju musliman, së pari e lus Allahun ashtu siç na mundësoi që ta arrijmë muajin e Ramazanit dhe na ndihmoi në agjërimin e tij, të na i pranon të gjitha adhurimet tona se Ai me të vërtetë është Bujar dhe Fisnik.
Prej çështjeve që e meritojnë t’i rikujtojmë gjatë përfundimit të këtij muaji të bekuar janë edhe dispozitat e namazit të Bajramit dhe ajo se çka duhet ta vepron një musliman ditën e Bajramit prej syneteve të Muhamedit, alejhi salatu ue selam.
– Muslimani duhet që ditën e Bajramit të kujdeset ta lanë tërë trupin dhe të parfumohet. Përcillet se ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, lahej para se të nisej për në namaz. Disa prej dijetarëve e pëlqejnë edhe shkurtimin e thonjve, shkurtimin e mustaqeve, etj, dhe poashtu e pëlqejnë që atë ditë të vishen rrobat më të bukura. Përcillet se ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i veshte rrobat më të bukura në të dy Bajramet.
Ibën el Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në Bajram u veshte me rrobat më të bukura që i posedonte dhe e ka pasur një xhybe të veçantë, që e ka veshur në dy bajramet dhe në xhuma.
– Pëlqehet para se të dilet për në xhami ditën e Bajramit muslimani të ha hurma. Sasia e tyre në numër duhet të jetë tek, tri apo pesë apo shtatë.
Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, asnjëherë nuk dilte për të falur namazin e Bajramit të Fitrit pa ngrënë pak hurma. Dhe shton në një tregim tjetër se ai, alejhi salatu ue selam, gjithnjë i hante ato në numër tek.
– Pëlqehet që muslimani të niset për në xhami nga njëra rrugë dhe të kthehet nga tjetra.
Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, (pasi falte namazin) ditën e Bajramit kthehej nga një rrugë tjetër”.
– Prej synetit është që namazi i Bajramit të falet në “faltoren e Bajramit” (vend i posaçëm për faljen e Bajramit) e jo në xhami. Kjo ishte synet i njohur i të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe gjithnjë e vepronte.
– Nuk ka argument se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka falur namaz vullnetar para apo pas namazit të Bajramit. Kjo vlen nëse falesh në faltoren e Bajramit, mirëpo nëse falesh në xhami duhet t’i falish dy rekate përshëndetje për xhaminë.
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, e falin namazin e Bajramit dy rekate dhe nuk fali namaz tjetër para apo pas tij.
Ebu Katade, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë. “Nëse ndonjë nga ju hy në xhami mos të ulet pa i falur dy rekate”.
– Pëlqehet që muslimani pasi të kthehet nga xhamia t’i fal dy rekate.
Ebu Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur nga ai,thotë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nuk falte namaz tjetër para namazit të Bajramit, mirëpo kur u kthente në shtëpi i falte dy rekate.
– Nuk ligjësohet thirrja e ezanit për namazin e Bajramit.
Ibën Abasi dhe Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur nga ata, tregojnë se nuk ka pasur ezan as për ditën (namazin) e Bajramit të Fitrit dhe as për ditën (namazin) e Bajramit të Kurbanit.
– Namazi i Bajramit duhet të falet para se të mbahet hutbeja.
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon: “Kam falur namazin e Bajramit me të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, me Ebu Bekrin, me Omerin dhe me Othmanin, Allahu qoftë i kënaqur nga ata, dhe të gjithë këta e falnin namazin e Bajramit përpara se të mbanin hutben”.
– Pëlqehet që muslimani të bën tekbire (ta madhëron Allahun) prej perëndimit të diellit të natës së Bajramit dhe ka prej dijetarëve që e kanë bërë detyrim duke u argumentuar me fjalët e Allahut: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë”. Bekare 185.
Muslimani tekbiret i fillon prej atij momenti që del prej shtëpisë e deri kur vjen imami për ta falur namazin dhe në këtë janë unik katër imamët, Ebu Hanifja, Maliku, Shafiu dhe imam Ahmedi, Allahu i mëshiroftë.
Përcillet se ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, bënte tekbire deri sa shkonte te faltorja dhe ato i vazhdonte deri sa të vinte imami.
Përcillet se ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thonte: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, la ilahe il-lAllahu, uAllahu Ekber, Allahu Ekber, ue lil-lahi el hamd”.
Pëlqehet që ato të bëhen në xhami, rrugë dhe shtëpi.
– Pëlqehet që gratë të prezantojnë së bashku me burrat në faljen e namazit të Bajramit. Ka dijetarë që thonë se dalja e grave është e patjetërsueshme dhe argumentohen me hadithin e Umu Atijeh, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila thotë se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, urdhëronte edhe gratë që të dalin dhe të falin namazin e Bajramit.
Ato që ishin me menstruacione i urdhëronte që të largohen nga faltorja dhe ta dëgjojnë hutben dhe këshillat dhe të prezantojnë në mirësinë e asaj dite.
– Pëlqehet që muslimanët t’ia urojnë njëri tjetrit Bajramin.
Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, e cek se sahabët ia uron njëri tjetrit Bajramin duke thënë: “Allahu na i pranoftë adhurimet tona dhe të juaja”.
- EMIN ABDULLAH SHAKAUI
nga arabishtja: Irfan JAHIU