Stabiliteti fetar në kohë fitnesh
Temat kyqe të Hytbes
- Begatia e qëndrueshmërisë në të vërtetën
- Rreziku i devijimit të zemrave
- Llojet e fitneve dhe përshkallëzimi i tyre
- Urtësia e ekzistimit të fitneve
- Disa arsye të qëndrueshmërisë në udhëzim
Falënderimi i takon Zotit, Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë e falje kërkojmë, dhe strehohemi tek Zoti nga të këqijat e vetvetes dhe të veprave tona, atë që Zoti e udhëzon, askush nuk mund ta lajthitë dhe këdo që Ai e shpie në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë.
Vëllezër në besim: Begatia më e madhe është udhëzimi në rrugën e drejtë të Zotit. Robi është mëse i nevojshëm për udhëzimin e Zotit, gjë të cilën, të mësuar nga Profeti ynë i dashur ﷺ, ja kërkojmë Zotit tonë në çdo rekatë të namazeve tona due e lutur e duke i thënë اهدنا الصراط المستقيم “Na udhëzo në rrugën e drejtë, në rrugën e atyre që i ke begatuar, e jo të atyre që ti je i hidhëruar ndaj tyre e as të të atyre që kanë devijuar.” [El-Fatiha: 6,7]
Dhe tema jonë sot – vëllezër besimtarë – ka të bëjë me qëndrueshmërinë në udhëzim.
Po të nderuar vëllezër! Ky është i Dërguari i Zotit ﷺ siç kanë treguar shokët e tij Enes bin Malik e Nevvas bin Sam’an , Aisheja dhe Ummu Seleme – Allahu qoft i kënaqur me ta – sesi ai ﷺ shpesh i kërkonte Zotit stabiltet të zemrës . Enes bin Maliku r. a. tregon: i Dërguari i Zotit ﷺ shpesh lutej e thoshte: ” O rrotullues i zemrave ma stabilizo zemrën time në fenë tënde!” prandaj i thashë: O Pejgamber i Zotit! Ne të besuam ty dhe asaj që na e solle. A po ke frikë për ne? Ai tha: “ Po, zemrat janë në mes të dy gishtave të Zotit, Ai i rrotullon ato si të dojë ” (Transmeton Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu , ndërsa shejh Al-Albani e ka klasifikuar si të saktë).
Vëllezërit e mi: Kjo është arsyeja kryesore pse frika nga devijimi pas udhëzimit është bërë obsesion në zemrat e të devotshmëve. Madje edhe të atyre që janë thelluar në dituri! Për ta na tregon Allahu s.v.t. se si shprehen . “ Dhe ata që janë të rrënjosur në dituri thonë: “Ne i besuam asaj, e tëra është nga Zoti ynë”, por nuk përkujton askush tjetër, përveç të zotëve të mendjes . Zoti ynë! Mos na i lajthitë zemrat tona pasiqë na ke udhëzuar, e prej anës Tënde na dhuro mëshirë se ti vëretë je Dhuruesi” Ali Imran 7-8).
Edhe pse fitnet e dyshimeve dhe ato tunduese epshore nuk ishin përhapur në asnjë kohë si përhapja e tyre në kohën tonë, ku i gjen në të gjitha format dhe formatet, të shkruara, të dëgjuara të shikuara, sesi shpërndahen nga jobesimtarët e hapur po dhe nga hipokritët e brendshëm, si dhe nga injorantët e shumë njerëz të interesave të ulta.
Vëllezër besmitarë fitnet janë dy llojesh: ato që për bazë kanë mbjelljen e dyshimeve ideologjike, këto janë fitnet hutuese. Sikurse që janë dhe ato që ngacmojnë pasionet epshore pra, fitnet tunduese. Është fakt se lloji i dytë është më i përhapur se i pari, por edhe pse ky lloj është i dëmshëm sa të thuash lloji i parë vërtetë që është shumë më i rrezikshëm. Sepse është ai që lajthit zemrën duke filluar me dyshime të vogla e të pafajshme kinse qëllim mira duke vu dyshime rreth të vërtetave që sjellin dy shpalljet Kur’ani dhe Sunneti, sikurse që jo rrallëherë shpie edhe në keqinterpretime të dobëta të teksteve sa për plotësuar teket e nefsit etj etj siç po na rastis të dëgjojmë e të shohim për ditë e më shumë, derisa vie puna të shpie në mohimin e shumë të vërtetave dhe aksiomave fetare e madje po ndodh, jo rrallë herë, që të shpie deri në mosbesim të plotë e kufër të hapur, Allahu na ruajtë.
Vëllezër besimtarë! Urtësia kryesore në ekzistimin e fitneve është testimi dhe provimi i njerëzve. Dëgjone fillimi e sures Ankebut sa bukur e shtjellon këtë: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” [El-Ankebut : 1-3], poashtu Zoti i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Allahu do t’ju provojë me ndalim nga një gjueti që e arrijnë duart dhe shigjetat tuaja, që Allahu ta njohë atë që i frikësohet Atij, kur askush nuk e sheh. E, kushdo që ta kalojë kufirin, për të ka dënim pikëllues. (El-Maeda: 94), prandaj dhe lufta ndërmjet së vërtetës dhe të kotës/ pavërtetës është e lashtë dhe e vazhdueshme!
Të nderuar xhematlinjë: A e dini frazën e betimit që Pejgamberi ﷺ më së shpeshi e përdorte kur bënte be?
Ibn Omeri r.a. thotë: Pejgamberi – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – betohet: ” Jo, për Atë që i rrotullon zemrat ” (sahihul Buhari) Ndërsta tek Nesaiu qëndron se ai betohej ” Jo për Lakuesin e zemrave ” Si mos ti kushtojë kaq shumë vëmendje ai të cilit i ishin shpallur këto ajete, “Ata u përpoqën të të largonin ty (Muhamed) nga ai (Kuran), që të kemi shpallur Ne, me shpresë se ti, duke shpifur, do të Na vishje diçka tjetër përveç tij (Kuranit). Po ta bëje këtë, atëherë, ata do të të merrnin ty për mik. Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata,dhe atëherë, me të vërtetë, Ne do të bënim që të shijoje dënimin e dyfishtë në këtë botë dhe pas vdekjes; e atëherë, nuk do të gjeje askënd për ndihmës kundër Nesh.” Isra: 73-75
Vëllezër të nderuar, stabiliteti në udhëzim është bekim, mbarësi e begati nga Allahu s.v.t. , por sikurse për çdo gjë tjetër edhe për këtë ka caktuar shkaqe, sebebe të cilat ndihmojnë në stabiletet të zemrës, sikurse që edhe anasjelltas ekzistojnë shkaqet të cilat zakonisht shpiejnë në lajthitjen e zemrës. Ne sot po përmendim vetëm disa prej shkaqeve stabilizuese.
Prej tyre është ndjenja e robit për varfërinë, dobësinë dhe nevojën e tij permanente për Zotin e vet, dhe varësia tij nga ndihma e Tij. Rrjedhimisht ai e lut Atë vazhdimisht për qëndrueshmëri e stabilitet siç përmendëm paraprakisht.
Një nga arsyet e qëndrueshmërisë në udhëzim është edhe ndjekja e të gjitha normave fetare dhe praktikimi i tyre. Allahu fuqiplotë thotë: “ E sikur të vepronin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim. Atëherë, Ne, pa dyshim, do t’u jepnim shpërblim të madh nga ana Jonë dhe me siguri do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë. En-Nisa: 66-68]. Pra të vepronin atë që këshilloheshin, kjo është ajo që ka rëndësi, pas dëgjimit të predikimeve është me rëndësi të veprosh sipas tyre, jo vetëm të dëgjosh!
Prej arsyeve të qëndrueshmërisë në kohë sprovash është: të udhëzohesh me Kur’anin e Shenjtë, Zoti i Madhëruar ka thënë: Thuaj: “Atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Shenjtërisë nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen Allahut”. [En-Nahl: 102].
Prej arsyeve të qëndrueshmërisë gjatë stuhive të fitneve hutuese e tunduese është shoqërimi me shokë të devotshëm duke e mbështetur njëri tjetrin për në të vërtetë dhe durim. Argumneti për këtë është ky ajet: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (El-Kehf: 28)
Ndër shkaqet e stabilitetit në udhëzim është edhe inspirimi i vazhduar duke lexuar jetëshkrimin e Profetit ﷺ dhe tregimet e profetëve paraprak si dhe biografitë e sahabëve e të tabiinve. Allahu i Gjithëmëshirshëm thotë: “Të gjitha këto që t’i rrëfyem ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që ta forcojnë zemrën tënde, dhe në to të ka ardhur e vërteta e këshilla, si dhe përkujtime për besimtarët.” [Hud: 120].
Prej atyre shkaqeve është respektimi i Sunetit të Pejgamberit ﷺ sepse vet i Dërguari ﷺ na paralajmëroj për këtë sprovë se do të ndodh dhe se do të ketë njerëz që bien në të, prandaj na tregoj edhe litarin e shpëtimit. I Dërguai i Allahut ﷺ thotë: “Vërtetë kushdo prej jush që jeton pas meje do të shohë dallime të shumta, prandaj përmbajuni Sunetit tim (traditës) dhe Sunetit të e Halifëve të Drejtë, kapeni fortë me dhëmballët tuaj ” (Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, i cili e klasifikoj të saktë.) Paradoksalisht po shohim njerëz të cilët kanë lexuar këtë hadith si të shkolluar për fe që janë, por megjithatë mu nga këtu po fillojnë qalimin, kur po tentojnë të bëhen më të menqur se shokët e të Dërguarit ﷺ dhe madje edhe vet i Dërguari ﷺ duke i matur thëniet e tij me llogjikën e tyre kinse të mpreftë që e kanë. Po e nisin me pak dhe po përfundojnë si më keq Zoti na ruajtë.
Prej shkaqeve është edhe të qëndruarit larg fitneve dhe vendeve ku qarkullojnë ato. I Dërguari ﷺ thotë “ Kush dëgjon për dexhallin , le të qëndrojë sa më larg tij ” (Ahmedi dhe Ebu Davudi). Prandaj nga këtu duhet të kenë kujdes të gjithë vëllezërit dhe motrat e të mos qasen në ligjëratat e polemikat e atyre të cilët po mbjellin fitne e dyshime të ndryshme. Mos i përcillni postimet e tyre, mos hyni në faqet e tyre. Një fjalë e urtë thotë: Ik nga sherri e pastaj këndoj.
Për fund të kësaj hytbeje po e përmendim edhe njërën nga arsyet më të mëdha të stabilitetit. Ajo është dlirësia e zemrës e sinqeriteti ndaj Zotit s.v.t. dhe dedikimi i veprave vetëm për Të. I Dërguari i Allahut ﷺ thotë: ” Njeriu vepron me punën e banorëve të Xhenetit, sipas asaj që iu duket njerëzve, përderisa ai do të jetë prej banorëve të Xhehenemit. Dhe anasjelltas njeriu do ta bëjë punën e banorëve të Xhehenemit sipas asaj që iu duket njerëzve, përderisa ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit ” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi); pjesa : sipas asaj që iu duket njerëzve,” është tregues se e brendshmëja i ishte korruptuar, qëllimi i keq e ndikon krejt veprimatarinë dhe bëhet sebep që të rrëshqasë nga udhëzimi në devijim. Allahu na ruajtë!
O Zot, Rrotullues i zemrave, na bëj zemrat tona të qëndrueshme në fenë Tënde!
O Zot, kërkojmë nga Ti udhëzim, devotshmëri, dëlirësi e pasuri Ti je Falës, Mëshirëplotë.
Përgaditi: Thirrja.org