Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimi i takon Allahut i cili ligjëroi për ne rrugët e udhëzimit. Na dalloi me to nga krijesat e tjera dhe realizoi për ne me anën e tyre dobitë e kësaj bote dhe tjetrës.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shok. Allahut i përkasin gjithçka është në qiej dhe në tokë, që Ai të shpërblejë ata që kanë bërë të keqen me atë që ata kanë bërë dhe që të shpërblejë ata që bëjnë mirë me më të mirën.
Po ashtu dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, profet i mëshirës dhe udhëzimit, i dërguar i zgjedhur dhe prijës shembullor.
Njeriu me moralin më të lartë dhe më i binduri ndaj Zotit të tij në vetvete dhe publik. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, familjen e tij, mbi shokët e tij, pishtarët ndriçues dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre dhe janë të ruajtur.
Dihet që mjeshtri është ai që e njeh më mirë atë që ka prodhuar dhe muratori ka më njohuri për atë që ka ndërtuar, kështu Allahu i Madhëruar është më i njohur se çdokush tjetër për atë që Ai ka krijuar.
“A nuk e di Ai i Cili ka krijuar? Dhe Ai është më i Buti dhe më Dashamirësi (ndaj robërve të Tij), i Mirënjohuri për çdo gjë.” Mulk, 14.
Mjeshtri dhe muratori (ustai) edhe pse kanë më shumë njohuri për atë që kanë bërë se të tjerët, përsëri ata nuk janë në gjendje të dinë shumë gjëra rreth tyre si: jetëgjatësinë e saj, si do jetë fundi i saj, mangësitë që gjenden në të dhe të papriturat që mund t’i shfaqen.
Ndërsa Allahu i Lartësuar e ka përfshirë çdo gjë në dijen e Tij, e përsosi çdo krijesë më pas e udhëzoi. Të Tijat janë krijimi dhe vendimi në këtë botë dhe tjetrën. Atij nuk i fshihet asgjë, njeh ato që shfaqen dhe fshihen, dhe për të është e njëjtë e dukshmja me të padukshmen. Ai ka njohuri për krijesat e Tij më shumë se ata për vetveten e tyre.
” Thuaju! A ju e dini më mirë apo Allahu?” Bekare, 140.
“…Ndërsa nga Dija (juve o njerëz) ju është dhënë vetëm fare pak.” Isra, 85.
” Nuk ka dyshim se Allahu ka Dijeni për gjithçka, ndërsa ju nuk dini.” Nahl, 74.
Përderisa Allahu është Ai i cili na ka krijuar ne dhe të gjithë universin, Ai na ka treguar në librin e Tij se nuk na ka krijuar kot dhe nuk na ka lënë pas dore, porse na ka krijuar që të na sprovojë, sikurse dhe ka thënë:
“Vërtet që Ne e krijuam njeriun nga (pika) lëngu i bashkuar (të derdhura nga burri dhe nga gruaja), me qëllim që ta provojmë atë, kështu që Ne e bëmë atë dëgjues (dhe), shikues.” Insan, 2.
Ajeti i mësipërm tregon se njeriu është krijuar që të sprovohet. Allahu i Madhëruar e sprovon atë në mënyrë që të dallohet durimtari dhe falënderuesi, nga ai që është i shqetësuar dhe mospërfillës. Besimtarin e sinqertë, nga hipokriti pretendues dhe besimtarin e fortë nga besimtari i dobët. Atë që i frikësohet Allahut dhe shpreson tek Ai, nga ai që nuk i frikësohet dënimit të Tij dhe që as nuk shpreson në shpërblimin që Ai ka premtuar.
Allahu i Madhëruar na ka krijuar për një qëllim të lartë dhe urtësi të madhe dhe ajo është: Adhurimi i Allahut të vetëm dhe bindja ndaj Tij me sinqeritet.
“Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhindët, veçse që ata të më adhurojnë vetëm Mua.” Dharijat, 56.
“Thuaj! Sigurisht falja ime, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve (e gjithçkaje që ekziston). Ai nuk ka asnjë shok e të barabartë me Të dhe për këtë unë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Vullnetit të Tij si musliman.” Enam, 162-163.
Porse ky adhurim nuk mund të shfaqet dhe realizohet vetëm se me anën e sprovave, qofshin ato mirësi apo fatkeqësi.
Kur njeriu sprovohet nuk është për qëllim sprova në vetveten e saj (pra ajo me të cilën po sprovohet), porse ajo e cila del si rezultat i saj, pra adhurimi i Allahut apo jo, ky adhurim është në rangun e duhur apo është i dobët e të ngjashme si këto? Ndaj dhe për këtë Allahu i Madhëruar thotë:
” …Dhe Ne do t’ju provojmë ju me të keqen dhe me të mirën dhe te Ne ju do të ktheheni.” Enbija, 35.
Allahu i Madhëruar ka treguar se Ai i sprovon robërit e Tij me mirësi dhe të keqe, me atë që e duan dhe atë që e urrejnë, në mënyrë që t’i vendosi në provë dhe për të shfaqur besimin që ata kanë si dhe për të zbuluar ato çfarë fshehin.
Nuk ka dyshim se sprova është gjyryku i zemrave dhe sondazhi i provimit. Ajo vë në dukje standardin e besimit dhe me anë të saj duket qartë, besniku nga gënjeshtari, bamirësi nga arroganti, besimtari nga qafiri, kush është i mirë nga ai që është i keq.
Me anën e sprovave ndahen besimtarët në grada dhe pozita të ndryshme dhe kjo sigurisht në saj të besimit dhe përpjekjes, durimit dhe mirënjohjes që ata tregojnë gjatë tyre.
“Për të gjithë do të ketë shkallë sipas punëve që kanë vepruar. Dhe Zoti yt nuk është i pavetëdijshëm për çfarë ata veprojnë”.Enam, 132.
“Ata janë në shkallë të ndryshme pranë Allahut dhe Allahu është Gjithvëzhgues për çdo gjë që ata bëjnë”. Ali Imran, 163.
Allahu i Madhëruar i ka qortuar ata që menduan se nuk do të përballoheshin me sprova dhe që njëkohësisht pretendonin se ishin besimtarë.
“A mendojnë njerëzit se do të lihen pa u trazuar ngaqë thonë: ‘Ne besojmë’ – dhe nuk do të sprovohen?” Ankebut, 2.
Kështu, sprovat janë sjellje e Allahut për popujt që kanë kaluar dhe ata që do të vijnë. Kështu që, e fshehta e këtyre sprovave është se me anën e tyre qartësohet se kush është besnik e kush gënjeshtar, kush është besimtar dhe kush qafir:
“Dhe sigurisht që Ne i sprovuam ata të cilët ishin para tyre. Dhe vërtet që Allahu do ta bëjë të njohur (të vërtetën e) atyre që janë të vërtetë dhe (po kështu) Allahu do ta bëjë të njohur (gënjeshtrën e) atyre që janë gënjeshtarë (edhe pse Allahu di gjithçka para se t’i vërë ata në provë).” Ankebut, 3.
Më pas, Allahu i Lartësuar sqaron se të gjithë njerëzit do ta takojnë Atë e do të kthehen tek Ai, në mënyrë që të marrin frytet e qëndrimit të tyre përballë këtyre sprovave dhe që t’i shpërblejë për atë që ata kanë punuar.
“Kështu, kushdo që bën mirësi sa një thërrmijë qoftë (apo sa një milingonë), do ta shohë atë. Dhe kushdo që bën keq sa një thërrmijë qoftë, do ta shohë atë”. Zelzele, 7-8.
Po ashtu ka thënë në një ajet tjetër duke nxjerrë në pah këtë realitet:
I Cili ka krijuar vdekjen dhe jetën, me qëllim që të provojë kush nga ju është më i miri në vepra.”Mulk, 2.
“Dhe është Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe Arshi (Froni i Tij) ishte mbi ujë, që Ai të mund t’ju provojë juve se cili prej jush është më vepërmirë.” Hud, 7.
Ajetet e më sipërme tregojnë se kjo botë është botë sprove dhe provimi dhe se çdo gjë me të cilën njeriu përballohet në të prej të mirave dhe të këqijave, gëzimeve dhe hidhërimeve, kënaqësive dhe jokënaqësive vijnë në mënyrë që të zbulohen besimet e njerëzve dhe për të nxjerrë në pah durimin dhe falënderimin e tyre.
Argument për atë që thamë më lart është dhe fjala e Allahut ku thotë:
“Ne i provuam ata me të mirën edhe me të keqen, me qëllim që ata të mund të ktheheshin (në bindje ndaj Allahut).”Araf, 168.
Pra i sprovuam me rehati dhe frikë, mirësi dhe fatkeqësi, sëmundje dhe shëndet, dobësim dhe forcë, si dhe me fukarallëk e me bollëk.
“Dhe sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë juve, derisa Ne t’i njohim ata prej jush që përpiqen fort (për çështjen e Allahut) dhe durimtarët; dhe Ne do të provojmë veprat tuaja të vërteta (cili është gënjeshtar dhe cili është i drejtë).” Muhamed, 31.
Ky realitet vërtetohet në ajete e hadithe të shumta të cilat tregojnë se Allahu e ka zbukuruar për njerëzit jetën e kësaj bote, duke e bërë atë të ëmbël e të këndshme, nxitëse dhe argëtuese, dëfryese dhe magjepse, mashtruese dhe gënjeshtare dhe e zbukuruar me bukuri të përkohshme, në mënyrë që t’i sprovojë njerëzit e të shohë se si do të punojnë.
Me anë të kësaj, gjithashtu, del në pah se kush do miqësojë Allahun dhe profetët e Tij, nga ata të cilët do të miqësojnë shejtanin dhe partinë e tij, si dhe kush shpreson tek Ai dhe bota tjetër, nga ata të cilët jetën e kësaj bote e kanë gjënë më të shtrenjtë dhe që nuk e zëvendësojnë atë me asgjë.
“Vërtet që Ne e kemi bërë çfarë është në tokë si stoli për të, me qëllim që Ne të mund të provojmë ata (njerëzit), se cilët prej tyre janë më të mirët në drejtim e veprime.” Kehf, 7.
Ndërsa profeti (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Jeta e kësaj bote vërtet është e ëmbël dhe e këndshme dhe Allahu do t’ju bëjë mëkëmbës në të, për të parë se si do të punoni. Ndaj ruajuni dynjasë dhe ruajuni grave.” Muslimi, 2742.
Allahu i Madhëruar është i njohur dhe e di se si do të punojnë e veprojnë robërit Tij përpara se ata t’i punojnë dhe veprojnë veprat e tyre. Bile Ai për këtë ka pasur njohuri përpara se t’i krijonte ata dhe para krijimit të qiejve e tokës, porse i sprovon ata me të mira e të këqija, në mënyrë që të vërtetohet e fshehta që Ai ka ditur rreth tyre dhe të bëhet realitet si dhe të shfaqet e qartë, në mënyrë që t’i shpërblejë ata në sajë të asaj që ata kanë vepruar dhe jo për atë që Ai ka ditur rreth tyre.
Kështu Allahu i Madhëruar i dënon dhe i shpërblen robërit e Tij për atë që ata kanë punuar në realitet dhe jo për atë që Ai ka ditur se ata do të punojnë. Ky është kuptimi i fjalës së Allahut i cili thotë:
” … Me qëllim që të provojë kush nga ju është më i miri në vepra.”Mulk, 2.
“Dhe sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë juve, derisa Ne t’i njohim ata prej jush që përpiqen fort (për çështjen e Allahut) dhe durimtarët; dhe Ne do të provojmë veprat tuaja të vërteta (cili është gënjeshtar dhe cili është i drejtë)”. Muhamed, 31.
Pra, në mënyrë që të dalë më pas se ata vërtetë do t’i kryejnë ato të cilat Allahu i ka ditur se do t’i veprojnë në realitet dhe nuk ka dyshim se Allahu e di të fshehtën dhe atë që njerëzit e shfaqin. Allahu e ka përfshirë në njohurinë e Tij atë që ka ndodhur dhe atë që do të ndodhë dhe Ai është i Ditur (i Mirënjohur) për çdo gjë.
Imam Ibën Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Allahu i Madhëruar e ka përfshirë çdo gjë në dijen e Tij përpara se të krijonte qiejt dhe tokën. Këtë njohuri Ai e caktoi dhe e shkroi (regjistroi), më pas Ai urdhëron engjëjt të regjistrojnë në fletushkat e tyre atë se çdo t’i ndodhë njeriut që para se ta krijojë atë, kështu vërtet që njeriu kryen e i ndodhin ato që janë regjistruar tek Ai dhe në fletushkat e engjëjve, pa u shtuar e pa u pakësuar asgjë nga ajo që Ai ka shkruar.
“A nuk e dini ju se Allahu di gjithçka që është në qiell dhe në tokë? Është e vërtetë se gjithçka është në Libër (Leuhel-Mahfudh). Dhe sigurisht që kjo është krejt e lehtë për Allahun.” Haxh, 70.
Allahu i Madhëruar ka qenë i njohur me gjendjen e robërve dhe atë që do të punonin përpara se t’i krijonte ata, më pas i nxori në këtë botë që të dalë në pah njohja e përpiktë që Ai ka pasur për ta. Kështu Ai i sprovoi ata me ndalesat dhe urdhëresat, me mirësi dhe fatkeqësi të cilat nxorën në pah njohurinë e plotë që ai kishte. Ata merituan shpërblimin dhe dënimin, lavdërimin dhe qortimin, si shkak i përputhjes së veprave të tyre me dijen e Allahut. Sigurisht që ata nuk do ta meritonin dënimin apo shpërblimin duke qenë se kjo ishte e njohur tek Allahu para se të vepronin ato që vepruan, ndaj dhe Ai dërgoi profetët, zbriti librat dhe vuri për ta rregulla e ligje në mënyrë që t’i justifikonte e ti sqaronte atyre argumentet, në mënyrë që të mos thoshin pse po na dënon thjesht si shkak i dijes tënde e ne nuk kemi vepruar e punuar asgjë?!
Ndaj dhe dënimi i tyre arriti atëherë kur ajo që Allahu dinte për ta u vërtetua dhe u realizua nga veprat e tyre dhe kjo me anën e sprovave. Pra, sprovat shfaqën dijen e Tij dhe bënë atë që ishte e fshehtë të njohur dhe konkrete. (Shefau el-Alil 35-36)
Allahu i madhëruar i njeh realitetet e zemrave edhe atë se çfarë do të veprojnë njerëzit që para se t’i sprovojë ata, porse sprovat shfaqin realitetin e asaj për të cilën Allahu ka qenë i njohur më parë. Kështu që ai i shpërblen njerëzit në saj të asaj që punuan, dhe jo në saj të asaj për të cilën ka qenë i njohur se do të ndodhë prej tyre dhe, sigurisht, që kjo është mirësi e Allahut nga njëra anë dhe drejtësi nga ana tjetër, po ashtu ajo është dhe edukim për ta. Në bazë të kësaj Allahu nuk e shpërblen askënd me tjetër veç asaj që ai e ka vepruar. (Fi Dhilali el Kur’an 5/2720)
Bledar Haxhiu
Burimijetes.com
30.06.2007