Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu, s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
Të nderuar besimtarë!
Lumturi e plotë për robin besimtar është ai i cili e di, e njeh dhe e dallon rrugën për tek Allahu i Lartësuar. Mjerim dhe mjerë për atë që i kalon koha e po i mbaron jeta dhe ende zemrën e ka të izoluar nga njohja e drejtë e Krijuesit Allah. Mjerë për atë që ende nuk e ka shijuar erën e ihlasit! Atëherë shpejto! Mos u vono! Shëroje zemrën, mjekoje, renovoje atë, bëje të sinqertë! Përmirësoje nijetin (qëllimin). Allahu i Lartësuar kërkon prej robërve të Tij korigjimin, ndreqjen, përmirësimin e zemrave.
Është pyetur Dhun-nuni kush janë të ulëtit (qelbanikët)? Ai tha: “Ai i cili nuk e njeh rrugën për tek Allahu dhe as që di ta dallojë atë.”11
Rruga për tek Allahu kalohet duke i nënshtruar zemrat në sinqeritet ndaj Gjithëdijshmit.
Jahja bin Muadhi ka thënë: “Vendet e shkreta(shkretëtirat) të dynjasë kalohen me këmbë, ndërsa shkretëtirat e ahiretit tejkalohen me zemra.”12
Në dyert e Mbretërit të mbretërve nuk trokitet me thonj (të gishtërinjve), por me rrahjet e zemrave.
I Dërguari i Allahut, Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Me të vërtetë në trup ka një copë mishi, nëse ajo është e mirë, i tërë trupi është i mirë, e nëse ajo e keqe, i tërë trupi është i keq. Ajo është zemra”. 3
Nga Ebu Herejra raportohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu nuk shikon në format dhe trupat tuaj, por Ai shikon në zemrat tuaja (dhe në veprat tuaja).”
Transmeton Muaviu nga i Dërguari i Allahut, se ku ka thënë:
“Veprat janë sikurse ena, nëse pjesa e poshtme e saj është e shëndoshë (e freskët) gjithashtu edhe pjesa e epërme e saj është e shëndoshë. Por kur prishet (shkatrrohet) pjesa e poshtme, edhe pjesa e sipërme prishet.”14
Ebu Hurejra thotë: “Zemra është mbreti, gjymtyrët janë ushtarët e saj, kur mbreti është i shëndoshë edhe ushtarët janë të shëndoshë, kur mbreti është i prishur edhe ushtarët janë të prishur.”
Ebu Huzejme thotë: “Qëllimi (synimi) për tek Allahu me zemra është me njohje burimore prej veprave të dukshme, si: namazi, agjërimi etj..
Ibnul Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ai i cili analizon sheriatin në tërësi, mëson se veprat e gjymtyrëve (të jashtme) kanë lidhshmëri të ngushtë me veprat e zemrës. Dhe ato nuk kanë dobi pa ato të zemrës dhe njëherazi janë më të detyrueshme për robin sesa veprat e jashtme. Besimtari (mumini) prej dyftyrëshit (munafikut) dallohen vetëm në atë që kanë në zemër, kjo i dallon.”
Gjithashtu thotë: “Veprat e zemrës janë bazë, kurse ato të gjymtyrëve janë të varura dhe plotësuese. Pa dyshim që nijeti është në pozitën e shpirtit dhe veprat në pozitën e trupit, kur shpirti largohet vjen vdekja. Atëherë njohja e dispozitave të zemrës është më primare (më të rëndësishme) prej atyre të jashtme.”
[1] حلية الأولياء لأبي نعيم » ذُو النُّونِ الْمِصْرِيُّ
[2] حلية الأولياء لأبي نعيم » ذُو النُّونِ الْمِصْرِيُّ
[3] Transmeton Buhariu.
[4] Sahih, Ibni Maxhe.
Ulvi Fejzullahu