Kodra Safa
Sipas transmetimit të Abdullah Ibn Abasit, si koment për ajetin e sures Shuara, ku Muhamedit a.s. i kërkohet t’u tërheqë vëmendjen njerëzve të tij më të afërt, Muhamedi a.s. del tek kodra Safa dhe i alarmon mekasit duke i paralajmëruar për një rrezik të afërt. Mekasit grumbullohen përreth Tij: kush qe aty pranë shkoi vetë dhe kush nuk mundi dërgoi një njeri si lajmëtar a korrier të vetin.
Dhe kur njerëzit mblidhen, Muhamedi a.s. pasi i thërret ata në emër të fiseve më të njohura të Mekës, i pyet nëse do ta besonin nëse do t’u thoshte se pas kodrës ishte duke ardhur një kavaleri armike dhe ata ia konfirmojnë besimin në vërtetësinë e Tij, duke thënë që Ai nuk i kishte gënjyer asnjëherë.
Pas kësaj Muhamedi a.s. u thotë, duke cituar pjesën e fundit të ajetit 46, nga sure Seb’e, “….Ai juve vetëm ju tërheq vërejtjen para një dënimi të rëndë”. Në transmetime të tjera thuhet se pas kësaj Muhamedi a.s. i drejtohet posaçërisht njerëzve të fisit të vet dhe drejtpërdrejt vajzës së tij Fatimes, duke i thënë që ai as ata nuk mund t’i mbrojë dot nga ndëshkimi i Allahut. Pas kësaj Ebu Lehebi e mallkon, shkak i zbritjes më pas të sures Mesed.
Kjo ngjarje është moment i parë i kumtimit në publik të Shpalljes, pra kur Muhamedi a.s. i bën me dije gjithë popullit të vet se ai ishte i Dërguar i Zotit dhe si i tillë duhej t’u tërhiqte vërejtjen për sigurinë e ndëshkimit prej Zotit.
Nga kjo ngjarje mund të reflektojmë sëpaku si më poshtë:
- Muhamedi a.s. u mbështet ose tek reputacioni i tij, ose tek një zakon i shoqërisë mekase paraislame, për të tërhequr publikisht vëmendjen e tyre.
- Muhamedi a.s. u kërkoi atyre të dëshmonin vërtetësinë e tij paraprakisht, pavarësisht prej faktit nëse ishte Profet ( pra pa deklaruar më parë publikisht Profetësinë e vet).
- Gjëja e parë që u tha atyre si Profet ishte se Ai qe mundësia e tyre e fundit (që ndryshe do të thotë që ishte edhe mundësia e tyre e vetme) për të mos tërhequr ata mbi vete ndëshkimin e Zotit.
- Me siguri që dalja e shpalljes në publik do të ngjallë edhe armiqësi (mallkimi është shprehje e hapur dhe e sigurtë e armiqësisë)
Dy komente të lira mbi këto reflektime:
Së pari: Muhamedi a.s., nuk u tha atyre që në fillim jam Profet, prej nga apriori ata duhet ta besonin çfarë ai kumtonte, por u kërkoi atyre të dëshmonin paraprakisht besueshmërinë, apo integritetin apo soliditetin e tij si person civil, si njëri prej tyre. Dhe vetëm pas kësaj u tha që ai ishte profet, i destinuar të shërbente mes tyre si shenjë – sinjal i Planit të Zotit.
Kjo për ne si muslimanë në shoqërinë e sotme shqiptare do të thotë se duhet të verifikojmë se a mbështetemi në reputacionin dhe soliditetin tonë personal për të mbështetur besueshmërinë e mesazhit hyjnor; dhe nëse po, a është ky soliditet i përftuar pavarësisht prej të qenit tonë muslimanë, apo rrjedh prej identifikimit tonë si muslimanë. Paradoksalisht në këtë rast, duke qenë se soliditeti ynë përballë shoqërisë rrjedh nga të qenit tonë muslimanë, si pasojë e pikërisht përpjekjes sonë që të afirmohemi në shoqëri si muslimanë, (a thua të qenit musliman është një profesion apo mjeshtëri, apo një mënyrë të qeni neutrale ndaj shoqërisë) kjo është e kundërta e Metodës Profetike, pasi kjo nënkupton zgjedhjen më të lehtë për ne për t’u afirmuar në shoqëri (kjo do të ishte mënyra e duhur vetëm nëse shoqëria do të ishte një shoqëri besimtarësh dhe të qenit musliman të konsiderohej si e vetmja mundësi e të qenit dhe në këtë rast për secilin përsosja e sjelljes dhe qëndrimeve si musliman do të ishte rruga për të fituar reputacion si shprehje e një epërsie që na kujton se Zoti është më i rëndësishmi).
Ky parados ka të bëjë me faktin që në shoqërinë e sotme shqiptare përkatësia në një fe konsiderohet njëjtazi si pjesëmarrja në një klub: pra një asociim në funksion të një prirjeje apo hobie. Në këtë kuptim shoqëria është pajtuar me ndikimin pastrues dhe edukues të fesë apo më saktë të riteve si pilula që ekuilibrojnë humorin, pa e patur të nevojshme ata vetë të besojnë se Zoti që na ndihmon të bëhemi më të mirë është i vërtetë apo jo, është i rëndësishëm apo jo. Prandaj kur shoqëria konfirmon integritetin tonë si muslimanë, ky pohim për ne metodologjikisht nuk është një avantazh por një disavantazh, sepse pjesa tjetër e shoqërisë, që pranojnë për ne si muslimanë qe feja na ndihmon të kontrollojmë pasionet (pra pjesa e shoqërisë më dashamire ndaj nesh) mendojnë në thelb: këta si muslimanë kanë besueshmëri dhe soliditet ngaqë janë të parëndësishëm; tjetërlloj: Zoti i tyre kaq mundësi u jep, të përmirësojnë veten e tyre dhe këta nuk mund të jenë të rëndësishëm përderisa janë të dobët – besojnë tek Zoti ngaqë nuk kanë kurajo të përballen me rreziqet që përfton shoqëria (dhe që e çuar deri në fund kjo bindje implikon që muslimanët nuk janë më të rëndësishëm se ne, përderisa synojnë ta fitojnë reputacionin pa u përballur me problemet e shoqërisë).
Nëse është kështu, atëherë pra prandaj për ne rezulton që kjo rrugë nuk mund t’i japë efektet e kërkuara prej soliditetit, madje pikërisht për këtë arsye jep kundërefekte: duke besuar se ky soliditet dhe reputacion është më e mira për ne, as nuk e përfytyrojmë dot se Metoda Profetike nënkupton saktësisht të kundërtën: të afirmosh soliditetin dhe reputacionin tënd me kriteret e shoqërisë (për fat të keq) joislame, që do të thotë të marrësh dëshmi se ti je i rëndësishëm edhe me kriteret e tyre dhe për këtë arsye mbërritja e soliditetit edhe në kontrollin e pasioneve prej fesë, nuk është shenjë dobësie por force.
Me këto premisa rezulton që që cilido të jetë në përputhje me Metodën Profetike, duhet të synojë reputacion në shoqëri pavarësisht (jo vetëm prej) të qenit musliman: reputacioni si musliman duke qenë i vetëkuptueshëm në vetvetishmërinë e tij, vetëm se duhet të kompletojë reputacionin prej mondanes dhe jo e kundërta. Dhe që kjo të ndodhë shfaqet e pashmangshme nevoja për të njohur me themel ligjësitë dhe mekanizmat që rregullojnë shoqërinë (pra një njohje thelbësore e dijes që qarkullon në shoqëri), dhe të përballesh me preokupim me çështjet që e mundojnë shoqërinë, sepse vetëm kështu do të bëhet e mundur të mbërrish soliditetin dhe reputacionin në mënyrë të tillë që të vihet në shërbim të mesazhit të Zotit.
Së dyti: Muhamedi a.s. duke recituar ajetin 46 të sures Seb’e, nxjerr në pah faktin e paracaktimit-pashmangshmërisë së Tij për t’u kujtuar atyre Zotin: Ai është vetëm një shenjë për atë që Zoti ka paracaktuar. Në momentin që Ai e ka pranuar Misionin Profetik, ka pranuar të shërbejë si shenjë pra si një prani që nuk mund të përfaqësojë vetëm veten por parasëgjithash përfqëson atë që e ka krijuar. Fakti që ajeti thotë se Muhamedi a.s. ju tërheq vëmendjen “para” dhe jo “për” dënimin e rëndë sugjeron një lloj autonomie midis thirrjes së Muhamedit a.s. dhe dënimit, pra që dënimi do të ndodhë pavarësisht faktit sesa do t’i binden njerëzit Profetit Muhamed a.s.. Dhe sigurisht që kjo është e vërtetë, Dita e Gjykimit dhe dënimi i pabesimtarëve janë të pashmangshëm, edhe sikur mushrikët mekas t’i bindeshin të gjithë thirrjes së Muhamedit a.s.. Nga ana tjetër, kjo autonomi mes ardhjes së Muhamedit a.s. si profet dhe dënimit, u jep mundësi atyre që e dëgjojnë që megjithëse dënimi është i pashmangshëm, gjithsesi është më pas, kurse cilido që e dëgjon Profetin a.s. është më parë se ai (dënimi) dhe mund të strehohet tek kjo “më parë” pa iu dashur të shkojë përtej tek “më pas” e dënimit.
Pra, duke cituar këtë ajet në momentin e parë të deklarimit të vetes si Profet publikisht popullit të vet, Muhamedi a.s. nuk kërcënon siç do të nënkuptonte nëse në vend të “para një dënimi të rëndë” do të thoshte siç është më e natyrshme dhe e logjikshme që u tërheq vërejten për një denim të rëndë. Pa hequr dorë nga deklarimi i një dënimi të rëndë si pjesë e Planit të Zotit, përmes ajetit 46 të sures Seb’e, thjesht i kujton popullit të vet se si pjesë e të njëjtit Plan ai nuk është para tyre që ato të dënohen, por është para dënimit që ata të kenë mundësi ta shmangin atë dënim për veten në momentin kur ai të ndodhë. Me siguri që përmendja e dënimit ngjall frikë, por të qenët e Muhamedit a.s. para dënimit është mundësi për reflektim dhe shpresë, pra sërish jemi në thelb të Metodës Profetike: përmendja e dënimit shkakton tension, por të qenët e Muhamedit a.s. para dënimit, pashmangshmërisht tingëllon si joshje.
Ngasa më sipër, konstatimi i një mrekullie retorike në ligjërimin e Muhamedita.s.: Ai nuk u thotë thjesht që i pret një ndëshkim, por ai u thotë më shumë se kaq, pra që asgjë prej atyre që po ndodhin mes tyre nuk është rastësi dhe improvizim, por pjesë e një paracaktimi: Ai ka për detyrë t’u tregojë njerëzve që Zoti ka një Plan dhe vetëm si pjesë e kësaj ka edhe një dënim, i cili është nga vetë ky fakt, i pashmangshëm për këdo që nuk njeh apo refuzon Planin.
Si pjesë e Planit të Zotit, Muhamedi a.s. është një Shenjë e dënimit, por shenja mund të shërbejë edhe si parandëshkim, por edhe si një mundësi e fundit për mosndëshkim. Dhe që bashkëkohësit e tij të kuptojnë se Ai është një Shenjë, duhet të njohin Planin e Zotit, sepse vetëm njohja e këtij plani e shndërron Atë nga një prani për veten në një prani evokuese që duke tejkaluar veten e tij paralajmëron një realitet tjetër. Njohuria për Planin e Zotit është e vetmja dije që ndan shenjat nga joshenjat dhe asnjë shenjë nuk është e mundshme pa shpalljen paraprake të këtij Plani.
Cilido që do të ndjekë Metodën Profetike duhet të dijë kështu se në raport me bashkëkohësit e vet duhet ta mendojë veten si një shenjë (që do të thotë: edhe dëshmi e padyshimtë e ndëshkimit, edhe sinjali i fundit për t’i shpëtuar atij); dhe që kjo të bëhet e mundshme, duke interpretuar në mënyrën më të mirë të mundshme realitetin ku ndodhet, duhet të gjejë sesi të realizojë kushtin absolut: shpalljen paraprake të njohurisë për Planin e Zotit. Kjo shpallje paraprake nuk është luks por e vetmja mundësi që ai vetë si përgjegjës për mesazhin hyjnor, të çmaskohet – në këtë rast të dalë prej çshenjimit dhe të paraqitet para bashkëkohësve më barrën e rëndë të atij që do t’u prishë inercinë (nga ana tjetër, moshpallja e këtij Plani çon në një mënyrë ose tjetrën pashmangshmërisht në mosaktualizim të rëndësisë së Zotit dhe njëkohësisht në një maskim qoftë edhe të paverëdijshëm të thirrësit).
Grupet dhe ndyshimi i gjendjës së një populli – Rudian Zekthi