A bëni ndonjëherë një gabim në punë, ose e perceptoni një gabim si menaxher dhe ju pushton me trishtim, ankth ose emocione të tjera negative?

Disa javë më parë, po diskutoja me mbikëqyrësin tim për një situatë në punë. Përfundova duke e tepruar ose – siç tha mbikëqyrësi, “katastrofova” situatën. Me pak meditim, kuptova se reagimi im ishte joproporcional me çështjen në fjalë dhe u ndjeva keq për gjykimin tim të gabuar. Isha e prirur të tërhiqesha dhe të zhytesha në vetëfajësimin që do të ndikonte në disponimin dhe produktivitetin tim. Por më pas m’u kujtua një ajet i fuqishëm nga Kurani:

“Ai është Falësi, i Dhembshuri” (El-Buruxh, 14)

Kjo i transformoi ndjenjat e mia. Ai zëvendësoi negativitetin që po luante me mendjen time me dhembshurinë për veten. Mendova nëse Allahu i fal gabimet me dashuri, si mund të mos i falim vetes momentet e gabimeve të paqëllimta apo dështimit të perceptuar…? Si mund ta lëmë veten të mbytemi në negativitet kur Allahu i Madhërishëm vazhdimisht na jep shpresë dhe na shtyn të ecim përpara?

Për disa njerëz, ndjenjat negative pasi bëjnë gabime mund të kthehen në vetë-torturë dhe të çojnë në depresion, ankth ose vetë-urrejtje madje, si dhe të pengojnë kreativitetin dhe produktivitetin e tyre në punë. Megjithatë, çështja që duhet të kujtojmë është: gabimet ndodhin dhe do të vazhdojnë të ndodhin në çdo vend pune. Kjo është e pashmangshme dhe nuk mund të iket prej saj.

“Pra, problemi i vërtetë nuk është se si t’i shmangim gabimet, por si t’i trajtojmë ato.”

Kur bëni gabime, si mund të përballeni me dështimin e perceptuar në mënyrë që të rriteni si person dhe ta ktheni një ngjarje fatkeqe në sukses? Hulumtimet kanë zbuluar se ne mund të mësojmë shumë më tepër në momentet e dështimit sesa ato të suksesit.

Doja t’i qasja kësaj teme nga një këndvështrim shpirtëror – veçanërisht duke reflektuar mbi Emrin e Bukur të Allahut të Madhërishëm El-Vedud (I Dhembshuri) dhe se si përmes të kuptuarit të këtij Emri dhe manifestimeve të tij , ne mund të gjejmë ngushëllim në ato gabime të pashmangshme në punë.

Si mund t’ju ngrejë lart Dashuria Hyjnore në kontekstin e gabimeve

Kur mendoni për dashurinë, çfarë ju vjen zakonisht në mendje? Ndoshta si ndiheni ndaj dikujt që ju pëlqen ose dikujt me të cilin jeni në harmoni dhe marrëveshje. Por pyetja është: a do të vazhdoni të keni dashuri ndaj dikujt që ju ka bërë keq?

Në Kuran, emri i Allahut El-Vedud (I dashuruari, Burimi i Dashurisë) përmendet dy herë. Në të dyja rastet, nuk lidhet me ata që kanë bërë gjëra të shkëlqyera ose që kanë bërë gjëra të pëlqyeshme; është përmendur në kontekstin e faljes së mëkateve dhe gabimeve.

“Ai është Falësi, i Dhembshuri” (El-Buruxh, 14)

”Kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni me pendim tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë dhe gjithë dashuri.” (Surja Hud, 90)

Në ajetin e parë, vini re se si Allahu i Madhërishëm e shtoi në mënyrë specifike Emrin e Tij El-Vedud menjëherë pas Emrit El-Gafur – Falësi. Pra, nuk është se Ai do të falë dhe nuk do të na dojë më. Është se Ai fal në të njëjtën kohë duke treguar dashuri të fortë. Nuk ka “dhe” apo çfarëdo ndarje tjetër mes Dy Emrave të Allahut; sikur procesi i faljes nuk e zvogëloi Dashurinë e Tij një grimë as edhe për një sekondë.

Kur njerëzit bëjnë gabime, ata nuk presin që të përballen me dhembshuri nga ata që i kanë dëmtuar. Ata në fakt presin të kundërtën dhe më së shpeshti marrin atë që presin. Kjo është për shkak se si qenie njerëzore, ne shpesh veprojmë nga një mentalitet i mungesës, një mentalitet që nuk ka mjaft falje dhe dhembshuri për të falur gabimet. Por kjo nuk është mëshira e Krijuesit dhe nuk janë vlerat e butësisë, mëshirës dhe dhembshurisë së “kulturës së begatisë” që ne synojmë të përvetësojmë në mjediset tona profesionale të punës.

Mendoni herën e fundit që një koleg ose një anëtar i ekipit ka bërë një gabim në punë që ju kushtoi shumë. Cilat ishin reagimet dhe ndjenjat tuaja të menjëhershme ndaj atij personi?

Është e kuptueshme që mënyra jonë më impulsive për t’u marrë me gabimin është t’i largojmë punonjësit. Ju heq zemërimin dhe zhgënjimin nga gjoksi si uji që e largon njollën nga rroba. Është gjithashtu një mënyrë për ta bërë punonjësin më të kujdesshëm për të përsëritur të njëjtin gabim dhe vepron si një mësim (ose një paralajmërim indirekt) për pjesën tjetër të punonjësve. Por ndërsa kjo jep disa rezultate pozitive afatshkurtra, hulumtimet tregojnë se NUK është mënyra më efektive dhe produktive për t’u marrë me gabimet.

Hulumtimet tregojnë se mënyra më e fuqishme për t’u marrë me gabimet është në fakt mënyra më e dhembshur. Ka disa studime që sugjerojnë që vendimmarrësit (CEO, ekipet e menaxhmentit të lartë) të praktikojnë më shumë akte dhembshurie nëse duan të rrisin performancën në punë të punonjësve. Manuali i Oksfordit për Shkencën e Dhembshurisë ofron kërkime dhe prova të shumta se si dhembshuria mund të transformojë performancën e individëve, organizatave dhe ekipeve. Në thelb, studimet tregojnë se punonjësit që ndjejnë dhembshuri kanë më shumë gjasa të ngulmojnë në detyra sfiduese sesa ata që përballen me emocione të tjera.

Ajo që bën dhembshuria është se rrit besnikërinë, besimin dhe përkushtimin e punonjësve ndaj punës dhe menaxherit të tyre. Krijon një rrjedhë dhe vullnet më të madh për sukses. Dhe qasja e kundërt çon në rezultate të kundërta.

Neuroshkenca na thotë se kur i largojmë njerëzit, lind një ndjenjë frike dhe ankthi tek ata, gjë që çon në uljen e krijimtarisë së tyre. Kështu, ajo vepron si një qasje afatgjatë kundërproduktive. Sipas James Doty, Drejtor i Qendrës për Kërkimin dhe Edukimin e Dhembshurisë dhe Altruizmit të Universitetit Stanford, “Nëse njerëzit kanë frikë dhe ankth, ne e dimë nga neuroshkenca se përgjigja e tyre ndaj kërcënimit është e përfshirë, kontrolli i tyre njohës ndikohet. Si pasojë, produktiviteti dhe kreativiteti i tyre zvogëlohet.” [Psychology today]

Si ndikon kjo tek ju?

Allahu i Madhërishëm e di se kur njerëzit bëjnë gabime, thellë në vetvete ata janë të prirur të mos e duan veten, kështu që Ai na kujton përmes Emrit të Tij el-Vedud të ri-dashurojmë veten/të tjerët në mënyrë që të rritemi dhe të mësojmë dhe përmirësohemi vazhdimisht.

Po, si njerëz që kemi të bëjmë me ata që bëjnë gabime, ne kurrë nuk mund të përputhemi me nivelin e dashurisë së Allahut, por në kërkimin tonë shpirtëror për t’u lidhur me Të dhe për të kërkuar afërsinë dhe begatinë e Tij, ne mund të përpiqemi t’i pasqyrojmë Emrat e Tij më shumë në jetën tonë.

Emri i Allahut el-Vedud mund të na mësojë të jemi më të dhembshur ndaj të tjerëve që punojnë me ne/nën ne kur bëjnë gabime. Dhe kjo në fakt mund të sjellë më shumë mirësi dhe begati në aspektin profesional.

Dhembshuria: Mënyra më e fuqishme për t’u marrë me gabimet

Në dy seksionet e ardhshme, ne do të shkojmë pak më thellë dhe do të jemi më praktikë se si një drejtues duhet të merret me gabimet e punonjësve dhe se si një punonjës duhet të merret me gabimet e tij nga një këndvështrim shpirtëror dhe shkencor.

  1. Butësia kundrejt ashpërsisë

Profeti Muhamed alejhi selamm ka thënë: “Njeri i fortë nuk është mundësi i mirë; por njeri i fortë është ai që e kontrollon veten kur është i zemëruar.” (Buhariu dhe Muslimi)

Imagjinoni të jeni në një garë me një konkurrent, qëllimi kryesor i të cilit është t’ju shkatërrojë plotësisht. Ju bëni një plan solid për të fituar. Ju i afroheni fitores, por në fund, ekipi juaj shkel udhëzimet tuaja dhe gabimi i tyre rezulton drejtpërdrejt në humbjen katastrofike të ekipit tuaj.

– Si do të reagoni?

Ky mund të jetë një makth për ju. Por është – pak a shumë – ajo që i ndodhi Profetit alejhi selam në betejën e Uhudit. Besimtarët po mbroheshin kundër atyre që do t’i ndjekin dhe eliminojnë me egërsi ata dhe mesazhin e tyre tërësisht nga sipërfaqja e tokës. Pavarësisht fitores së hershme, disa nga sahabët nuk iu bindën urdhrave të qarta dhe të drejtpërdrejta të Profetit alejhi selam. Gabimi i tyre çoi drejtpërsëdrejti në disfatë të madhe si dhe në lëndimin e vetë të Dërguarit të Allahut.

Por a i qortoi Allahu dhe i Dërguari i Tij për këtë gabim?

Nëse do të kishte një kohë për të vepruar me zemërim dhe për t’u thënë njerëzve, do të kishte qenë aty dhe atëherë. Por në vend të kësaj, Allahu i Madhërishëm i tha të Dërguarit të Tij:

“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Surja Ali Imran, 159)

Falni ata dhe konsultohuni me ta. Së pari, falni, anashkaloni gabimin sepse thellimi i ndjenjës së fajit të njerëzve do të çojë në më shumë dëshpërim sesa në gatishmëri për të ecur përpara. Dhe kërkimet tregojnë se fajësimi, veçanërisht ai i kryer hapur, provokon mbrojtje, në krahasim me rritjen e tendencave për zgjidhjen e problemeve. Më pas, fali ata pasi kur lutesh për faljen e të tjerëve, shërohesh përbrenda nga ndjenjat negative ndaj tyre. Më pas konsultohuni me ta pasi nga brenda janë të prirur të ndihen të turpëruar, të përjashtuar dhe të shkëputur, kështu që konsultimi me ta i bën ata të ndihen të ri-angazhuar, të rivlerësuar dhe të pranuar.

Kjo i mëson udhëheqësit të përmbahen me dhembshuri dhe jo t’i poshtërojnë dhe përjashtojnë njerëzit e tyre. Dhe kjo qasje, nëse përvetësohet, mund të rrisë besnikërinë e punonjësve, të rrisë dëshirën e tyre për të korrigjuar çdo gabim dhe t’i parandalojë ata të zhyten në faj që do të rezultonte paralizues dhe ankth.

  1. Falja dhe mentorimi

Reagimi juaj si udhëheqës që korrigjon një gabim mund të ketë një ndikim të thellë shpirtëror, psikologjik dhe profesional te punonjësit tuaj. Pra, një mënyrë interesante për t’u marrë parasysh gjatë korrigjimit të një gabimi është ajo që Allahu i Madhërishëm i thotë të Dërguarit të Tij në këtë ajet:

“Allahu të fal ty që u lejove atyre të mungojnë, para se ta kuptoje se kush të flet të vërtetën dhe derisa t’i njihje gënjeshtarët.” (Surja et-Teube, 43)

Kur Allahu i Madhërishëm po i jepte udhëzime Profetit alejhi selam për korrigjimin e një situate të caktuar, Ai filloi duke thënë “Të fal”. , pastaj Ai tha atë që duhej bërë. Nga ana tjetër, kur korrigjojmë dikë duke i thënë për shembull: “Kjo është e papranueshme, duhej të bënit kështu e kështu”, para se të mendonim për udhëzimin që japim, personi tashmë ndihet i kërcënuar dhe i dëbuar. Ju tashmë keni ngjallur frikë dhe ankth tek ata dhe kjo ka shumë të ngjarë të zvogëlojë vëmendjen dhe aftësinë e tyre për të korrigjuar gabimet. Imagjinoni në vend të kësaj të thoni, “Allahu ju faltë, pse po ndodh kështu dhe kështu?” OSE, “Unë të fal, por pse ndodhi kështu dhe kështu, ju duhej të vepronit ndryshe”.

Në këtë mënyrë, personi e di se ka një gabim dhe ai ka një nivel të shëndoshë faji që i nxit ata të korrigjojnë të gabuarën, por gjithashtu ndihen të përfshirë. Situata nuk ngjall ndjenja kërcënimi, ankthi ose paniku që kanë ndikim negativ në produktivitetin e tyre.

  1. Mos lejoni që një gabim t’ju bëjë të harroni të gjitha të mirat

Është e rëndësishme të dini dhe të kuptoni se njerëzit nuk mund dhe nuk do të performojnë në mënyrë të shkëlqyer dhe produktive gjatë gjithë kohës dhe në të gjitha situatat. Natyra e tyre njerëzore dhe rrethanat mendore/emocionale/sociale në jetën e tyre do të ndikojnë në performancën e tyre. Ata mund të mos ju flasin për atë që po ndodhë në jetën e tyre, por ju mund t’i vëzhgoni ata në performancën dhe reagimet e tyre.

Vetë Allahu po u thotë njerëzve se nëse ata sinqerisht besojnë dhe përpiqen në mënyrë aktive të bëjnë më të mirën e tyre, Ai do t’i gjykojë ata sipas asaj që kanë bërë dhe do t’i shpërfillë veprat e tyre të këqija.

“Atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’u japim shpërblim më të mirë se puna që kanë bërë.” (Surja el-Ankebut, 7)

“Allahu do t’ua falë atyre veprat më të këqija që kanë bërë dhe do t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë.” (Surja ez-Zumer, 35)

Ky nuk është legjitimim i të bërit gabime. Kjo do të thotë se nëse dikush është i njohur si vepërmirë; është mirësjellje të mos lejosh që gabimet që bëjnë jashtë natyrës së tyre njerëzore të bëjnë të harrosh të gjitha të mirat për të cilat janë të njohur.

Këshillë: nëse vëreni një ndryshim të papritur në performancën/qëndrimin e një punonjësi, në vend që të mendoni për hakmarrjen në aspect profesional, mendoni për lidhjen njerëzore dhe gjendjen e tyre shpirtërore. Ose flisni me personin drejtpërdrejt në një mënyrë miqësore duke u interesuar për shëndetin dhe jetën e tij ose gjeni dikë në ekip më të përshtatshëm për ta bërë këtë. Ndoshta ata po kalojnë një periudhë vuajtje që po i rëndon dhe vetëm duke ndjerë se dikush kujdeset për të mund ta ngrejë pak barrën dhe të rrisë moralin e tij, dhe nga ana tjetër të rrisë performancën dhe besnikërinë e tij ndaj jush dhe punës.

  1. Nëse jeni i mëshirshëm, do të trajtoheni me mëshirë

Profeti alejhi selam ka thënë: “I Mëshirshmi i mëshiron ata që janë të mëshirshëm. Nëse tregoni mëshirë për ata që janë në tokë, Ai që është në qiell do të tregojë mëshirë për ju.” (Ebu Davudi)

Është e rëndësishme për ne të kujtojmë se ndoshta jemi në një pozicion kontrolli tani dhe mund të zgjedhim të tregojmë mëshirë dhe dhembshuri ose jo. Por, ajo që shkon rrotull vjen rrotull. Do të vijë një kohë kur edhe ne do të kemi nevojë për mëshirë. Pra, ajo që mbjellim për veten tonë tani është ajo që do të korrim më vonë.

  1. Mos dëmtoni të tjerët, e as të keqen mos e ktheni me të keqe

Një nga rregullat kryesore në Islam është edhe fjala e të Dërguarit të Allahu alejhi selam se as nuk duhet t’i dëmtojmë të tjerët e as t’i përgjigjemi dëmit me dëm. Kini kujdes që të mos dëmtoni njerëzit me fjalë ose veprime. Një fjalë që mund t’i thoni rastësisht ose pa mend një punonjësi mund t’i bëjë ata pa gjumë për ditë të tëra ose t’i lendojë për vite me rradhë.

Transmetohet nga Ebu Hurejra se Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Robi (i Allahut) mund të thotë një fjalë që e kënaq Allahun pa i dhënë shumë rëndësi dhe për këtë Allahu do ta ngrejë atë në shkallë (të shpërblimit), gjithashtu robi (i Allahut) mund të thotë një fjalë nga pakujdesia që e hidhëron Allahun pa menduar për peshën e saj dhe për shkak të kësaj ai do të hidhet në zjarrin e Xhehenemit.” (Buhariu)

Pra, kini kujdes me fjalët e thëna në takime, emaile ose mesazhe në cilëndo platformë pune që përdorni. Fjalët tuaja mund të rrisin angazhimin tuaj dhe të punonjësve, ose mund të çojnë në të kundërtën.

Enes Allahu qoftë i kënaqur prej tij ka thënë: “Unë i shërbeva Profetit alejhi selam për 10 vjet, dhe ai kurrë nuk më tha “Uf” (fjalë e vogël e ashpër që tregon padurim) dhe kurrë nuk më fajësoi duke thënë: Pse e bëre këtë apo pse nuk e bëre?” (Buhariu)

Kjo nuk do të thotë të mos ndërmerrni masa disiplinore nëse nevojitet. Nëse për ndonjë arsye pas trajnimeve të ofruara dhe mentorimit nga ana juaj, dikush dukej se nuk ishte i përshtatshëm për rolin, atëherë mund ta lini personin të shkojë në mënyrë dinjitoze pa e dëmtuar atë emocionalisht.

Mjerisht, ka shumë raste të raportuara të ngacmimeve në vendin e punës që strehojnë probleme shëndetësore mendore dhe psikologjike për ata që janë përfshirë. Hulumtimet tregojnë se ndër format e ngacmimit është gjykimi i punës së një personi në mënyrë të padrejtë ose në mënyrë ofenduese, si dhe kufizimi i mundësive të një personi për të shprehur mendimet e tij.

Në traditën islame, theksi i madh vihet në mënyrën se si dikush në pushtet duhet t’i trajtojë ata që janë nën të. Këtu mund të kujtojmë, për shembull, se Ebu Mes’ud El Ensari Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë: “Po rrihja një rob timin kur dëgjova një zë nga pas duke thënë: “Kujdes, o Ebu Mes’ud! Kujdes, o Ebu Mes’ud! Allahu ka më shumë fuqi mbi ty se ti mbi të [Allahu është në gjendje të të kërkojë llogari për këtë rob].” U ktheva dhe aty ishte i Dërguari i Allahut alejhi selam. I thashë: “I Dërguari i Allahut, ai është i lirë për hir të Allahut!” Ai tha: “Po të mos e kishit bërë këtë, do të të kishte prekur zjarri (ose do të të digjte zjarri). (Muslimi)

Vetëm duke menduar për këtë, nëse, siç ka thënë Profeti alejhi selam: “Largimi i sendeve të dëmshme nga rruga e njerëzve” është një nivel besimi sipas një hadithi, atëherë si në lidhje me heqjen e dëmit nga zemrat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve në punë dhe më gjerë?

Njerëzit kanë nderin dhe dinjitetin që u është dhënë në mënyrë hyjnore. Siç thotë Allahu i Madhërishëm:

“Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.” (Surja el-Isra, 70)

Pra, nuk na lejohet t’i poshtërojmë njerëzit që Allahu i ka nderuar. Edhe kur ndërmerren masa të drejta disiplinore ndaj tyre, ato duhet ta ruajnë gjithmonë nderin dhe dinjitetin e tyre. Dhe trajtimi i njerëzve me nder, në vetvete është një akt adhurimi i shpërblyer për ju që ju sjell paqe dhe bekime. Po, disa njerëz bëjnë gabime të këqija. Por merrni parasysh këtë situate: Një burrë ecën në vendin më fisnik, më të shenjtë, më të shenjtë të adhurimit të Zotit, dhe pastaj heq pantallonat dhe urinon në të! Si do të reagonit?

Kjo është diçka me të cilën u provua Profeti alejhi selam, dhe vëreni qetësinë dhe dhembshurinë e tij në trajtimin e njeriut që e bëri këtë. Transmetohet nga Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur prej tij:

“Një beduin urinoi në xhami dhe disa njerëz nxituan për ta rrahur. Profeti () ka thënë: “Lëreni të qetë dhe derdhni një kovë me ujë mbi të. Ju jeni dërguar për t’i lehtësuar gjërat dhe jo për t’i bërë ato të vështira.” (Buhariu)

Sira (biografia e Profetit) është e mbushur me mësime se si Profeti salallahu alejhi selam e përballon sjelljen injorante me dhembshuri dhe durim. Një nga incidentet e mia të preferuara, për shembull, është ky:

Enes ibn Maliku transmeton: Unë isha duke ecur me të Dërguarin e Allahut alejhi selam dhe ai kishte veshur një mantel me një kufi të trashë. Një beduin e takoi atë dhe e tërhoqi mantelin aq dhunshëm saqë pashë tërheqjen e dhunshme duke lënë gjurmë të kufirit të mantelit në lëkurën e qafës së të Dërguarit të Allahut alejhi selam. Dhe ai (beduini) tha: Muhamed, jep urdhër që të më jepet nga pasuria e Allahut që është në dispozicionin tënd. I Dërguari i Allahut alejhi selam ia ktheu vëmendjen dhe buzëqeshi dhe më pas urdhëroi për të një dhuratë (furnizim). (Muslimi)

Profeti alejhi selam nuk u ofendua dhe as nuk reagoi ndaj sjelljes së dhunshme, injorante të atij beduini. Ai alejhi selam me qetësi, mëshirë dhe dhembshuri vetëm buzëqeshi dhe e ndihmoi.

Ju mund të thoni se “ai ishte Profet, unë në nuk jam profet, nuk mundem dhe nuk pritet ta bëj këtë.” Por në të vërtetë, Allahu i Madhërishëm nuk dërgoi një engjëll të cilin ne nuk mund ta imitojmë. Allahu i Madhërishëm dërgoi një të dërguar nga ne, një qenie njerëzore si ne, për të jetuar jetën që na nevojitet për të qenë vetvetja jonë më e mirë – nëse duam të jetojmë verzionin më të mire të vetes tonë.

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Surja el-Ahzab, 21)

“Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” (Surja Ali Imran, 164)

Mendime për punonjësit në trajtimin e gabimeve

Diskutimi këtu nuk është aspak një ftesë për njerëzit që të gabojnë qëllimisht, të mos japin më të mirën në punë ose të bëhen pasivë dhe indiferentë për gabimet e tyre. Përkundrazi, të kujtuarit e faljes dashamirëse të Allahut të Madhërishëm është një mjet për t’ju ndihmuar të përballeni me emocionet negative/shkatërruese që ju pengojnë të ngriteni më lart dhe të ecni përpara në mënyrë produktive.

Është e rëndësishme të dini se nuk duhet të qëndroni në trishtim ose të humbni shpresën. Gjithmonë ka një shans për të rindërtuar veten. Mos harroni se trishtimi është një nga mjetet kryesore të shejtanit të mallkuar.

“…për t’i dëshpëruar besimtarët…” (Surja Muxhadele, 10)

Shejtani dëshiron që ju të humbni shpresën dhe të dorëzoheni, por Allahu dëshiron që ju të keni besim dhe Ai do t’ju ndihmojë të ecni përpara. Pra, mos u pikëlloni.

Edhe nëse një gabim ka çuar në shkarkimin tuaj, Allahu i Madhërishëm është Furnizuesi dhe Ai është Falës i Dashur. Mirësia e Allahut mund të hapë për ju dyert nga ku nuk e keni pritur kurrë.

“… Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi), dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Surja Talak, 2-3)

Më e rëndësishmja, studiuesit na thonë se ndër mënyrat e shëndetshme për të përballuar dështimin është të bësh një plan për të ecur përpara. Dhe ajetet për Emrin e Allahut, El-Vedud – i Dhembshuri, tashmë na japin një plan. Allahu i Madhërishëm thotë në ajetin tjetër duke përmendur emrin e Tij El-Vedud:

“Kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni me pendim tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë dhe gjithë dashuri.” (Surja Hud, 90)

Ne e dimë në traditën islame se pendimi ka kushte dhe një plan për t’u pranuar, që është:

  1. Pendohuni për gabimin (mos jini indiferentë për të)
  2. Ndaloni gabimin dhe
  3. Dëshira e sinqertë për të mos përsëritur gabimin dhe për të korrigjuar të gabuarën.

Pra, vargu na jep planin:

Kërkoni falje për gabimin

Dhe pastaj pendohuni = Ndaloni atë veprim, mos e përkeqësoni, përpiquni ta rregulloni dhe kujdesuni që mos ta përsërisni.

Ky është një plan veprimi në vend që t’i nënshtroheni panikut ose fajita paralizues.

Dashuria Hyjnore do të thotë që Allahu do ta falë gabimin tuaj drejtpërdrejt dhe me dashuri sapo ta kërkoni atë, pavarësisht sa herë është përsëritur dhe do t’ju inkurajojë të jeni më të mirë, në mënyrë që të mos shkatërroni veten ose të tjerët gjatë rrugës. Jo vetëm kaq, por edhe Allahu i Madhërishëm premton:

“Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.” (Surja Merjem, 96)

Pra, jo vetëm që Ai do të falë, por duke qenë se Allahu i Madhërishëm është Krijuesi dhe Kontrolluesi i zemrave, Ai do të caktojë për ju dashuri në zemrat e njerëzve të duhur sapo të filloni korrigjimin e gabimeve. Mund të zbuloni se njerëzit do t’ju duan dhe do t’ju hapin dyert pa e ditur se si ndodhi.

Kjo është Dashuria Hyjnore që qetëson personin dhe inkurajon vetë-përmirësimin. Është një udhëzim holistik për të transformuar personin brenda dhe jashtë.

E mbani mend historinë e punës që përmenda në fillim të këtij artikulli për “katastrofimin” e një situate dhe për t’u ndjerë keq për të? Epo, pasi kujtova vargun, m’u kujtua edhe procesi hyjnor:

Unë jam i falur me dashuri nga Vetë Më i Larti (kjo më ndihmoi nga brenda);

Më pas mund të bëj atë që është brenda mundësive të mia për të korrigjuar situatën dhe ndoshta të bëj diçka shtesë për të kompensuar gabimin – gjë që bëra dhe gjërat u kthyen në paqe brenda dhe jashtë.

Dhe ishte atëherë kur vendosa të shkruaj një pjesë reflektuese mbi Emrin e Allahut, i Dhembshuri dhe implikimet e tij për të ndihmuar këdo që mund të përfitojë nga përkujtimi.

Dina Mohamed Basiony

Përktheu:

Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org