Falënderimi i takon vetëm Allahut, I Cili mbolli pemën e besimit në zemrat e besimtarëve. Dëshmoj se nuk ka Zot që i takon adhurimi me të drejtë askujt tjetër vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një I Cili është Veliu (Ndihmëtari dhe Mbrojtësi) I Salihinëve (njerëzve të mirë dhe të ndershëm) dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij të cilin Allahu e dërgoi Mëshirë për gjithë botët. Paqja dhe Mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët në mënyrë më të mirë i pasojnë ata, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër muslimanë!

Feja jonë islame nuk është vetëm fe rregullash, siç mund të reklamohet sot. Ajo është fe e besimit, është fe edhe e moralit. Feja jonë synon të rregullojë tre aspekte kryesore në jetën e njeriut:

1-Aspekti i parë është besimi i njeriut. Feja ka për qëllim të kanalizojë besimin e njeriut në besimin e drejtë të vetmin të pranur tek Allahut. Nuk është normale, që njeriu të adhurojë gur e dru, lopë, dele e kafshë, por ai duhet të adhurojë Zotin e gjithësisë, Allahun (xh.sh), i Cili ka krijuar njeriun dhe gjithë universin.

2-Aspekti i dytë janë marrëdhëniet mes njerëzve. Feja erdhi për t’i rregulluar këto marrëdhënie, duke vendosur norma dhe rregulla të përsosura.

3-Aspekti i tretë është morali i njeriut. Feja erdhi për të rregulluar moralin e njeriut, të brendshmen e tij. Ja pra morali është një e treta e fesë islame. Gjithashtu duhet ta dimë, se morali i muslimanit nuk mund të shkëputet kurrë nga besimi i tij. Besimi i njeriut është pjesë e brendshme, është sekret mes tij dhe Allahut (xh.sh), ndërsa morali është ajo që duket.

Po të lexojmë Kuranin famëlartë, do të shohim se sa bukur i ka lidhur Allahu (xh.xh) besimin me moralin. Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “Kanë shpëtuar besimtarët”. (Mu’minun 1).

Kush janë besimtarët o Zot?

Allahu (xh.sh) na përgjigjet në Kuranin e Tij fisnik: “Ata që kanë frikë Allahun në namazin e tyre, ata që falen me respekt dhe devotshmëri përpara Allahut”. (Mu’minun 2).

Kjo është cilësia e parë e besimtarit, falja me respekt e devotshmëri.

Po pas namazit çfarë vjen?

Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “Janë ata që i kanë kthyer shpinën fjalëve të liga, fjalëve të kota”. (Mu’minun 3).

Direkt pas namazit vjen, lënia e punës së kotë. Ktheji shpinën punëve të kota! Merru me dicka të hajrit! Pastaj vazhdon Allahu (xh.xh): “Janë ata që japin zekatin”. (Mu’minun 4). Besimtarët japin zekat nga pasuria e tyre. Pastaj Allahu (xh.sh) thotë: “Janë ata që kanë ruajtur nderin e tyre”. (Mu’minun 6). Të ruash nderin është pjesë e moralit. Pastaj vazhdojnë ajetet Kur’anore duke thënë: “Ata që mbajnë amanetin”. (Mu’minun 7). Ta mbash amanetin e të mos e humbasësh atë, është tregues i moralit.
Kurani na tregon më tej: “Ata që janë të kujdeshëm në namaze”. (Mu’minun 9). Janë ata që nuk e harrojnë namazin e tyre. Feja jonë ka bashkuar mes namazit, moralit, besimit dhe sjelljes. Çfarë e rregullon shoqërinë dhe çfarë e prish atë? Shoqërinë e prish morali i keq. Nga ana tjetër shoqërinë e forcon morali i mirë, i cili lidh familjet dhe njerëzit.
Lukmani i tha një ditë djalit të tij:”O biri im! Gjëja e parë që duhet të arrish pas besimit, është një shok dhe mik i ndershëm. Kjo, pasi miku i mirë dhe i ndershëm i ngjan palmës. Nëse ulesh poshtë saj, përfiton nga hija që lëshon, nëse e sharron përfiton nga druri i saj për zjarr dhe nëse ushqehesh me frutat e saj, të largojnë urinë dhe janë të shijshëm.” Pra Lukmani I ka treguar djalit te tij atë ç’ka e rregullon shoqërinë morali I mirë tek një shok i mirë.

Po cilat janë cilësitë të cilat duhet ti ketë muslimani në mënyrë që të jetë ai shoku I mirë dhe I ndershëm?

Lukmani na e ngjason shokun e mirë dhe të ndershëm me palmën (hurmën arabe). Po kështu ky shembull (krahasimi I besimtarit me palmën) është përmendur në Kur’an në fjalën e Allahut :
أَلَمْ تَرَ كَيْفَ ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا كَلِمَةً طَيِّبَةً كَشَجَرَةٍ طَيِّبَةٍ أَصْلُهَا ثَابِتٌ وَفَرْعُهَا فِي السَّمَاءِ (24) تُؤْتِي أُكُلَهَا كُلَّ حِينٍ بِإِذْنِ رَبِّهَا ۗ وَيَضْرِبُ اللَّهُ الْأَمْثَالَ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ (25)
{A nuk ke kuptuar se si All-llahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. All-llahu pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. }Ibrahim 24-25.
Është krahasuar fjala e mirë – Teuhidi dhe imani – me pemën e mirë që sipas komentuesve është palma.

Po kështu Profeti a.s në një hadith të saktë e ka krahasuar besimtarin me palmën. Hadithin e transmeton imam Muslimi, ku sipas Abdullah ibn Omerit, një ditë, i Dërguari i Allahut a.s u tha shokëve të tij:”Më tregoni mbi një pemë, e cila është e ngjashme me besimtarin!”

Në një transmetim tjetër, Profeti a.s thotë:”Shembulli i besimtarit, është si shembulli i një peme, të cilës nuk i bien gjethet.” Të gjithë të pranishmit filluan të përmendin emrat e pemëve që gjendeshin në shkretëtira dhe lugina.

Abdullah ibn Omeri tregon: “Në atë çast ma diktoi zemra se ajo pemë është palma (hurma arabe). Unë u mata disa herë ta them, por prezenca dhe autoriteti i figurave më të shquara të islamit, më bëri me turp.
Kur të gjithë heshtën dhe nuk e gjetën dot, i Dërguari i Allahut a.s tha:”Ajo pemë është palma.”

Marrja e shembujve është pjesë e metodologjisë profetike në kumtimin e fesë. Qëllimi është që njerëzve t’u përafrohen kuptimet e fesë nëpërmjet shembujve me gjërat që i kanë të njohura.

Le të shikojmë së bashku se cilat janë pikat e përbashkëta midis besimtarit musliman dhe palmës. Në këtë mënyrë do të kuptojmë se si duhet të jetë një besimtar musliman!

Palma, është mbretëresha e bimëve, ashtu si dhe besimtari, është mbreti i krijesave mbi tokë, prandaj çdo musliman duhet ta ndjejë veten të tillë dhe të jetë krenar që Allahu e ka bërë besimtar musliman.
Besimtari duhet të dallojë nga të tjerët në çdo gjë edhe në aparencë (pamjen e jashme) duke pasur një hijeshi dhe bukuri konform (bazuar ) legjislacionit islam, ashtu siç edhe palma dallon nga pemët e tjera për pamjen dhe bukurinë e saj magjepëse.

Palma ka rrënjë të ngulura thellë në tokë, ndërkohë që trungu dhe degët e saj shpojnë lartësitë e qiellit. Ajo është e qëndrueshme ndaj thatësirës dhe ndryshimeve atmosferike, i përshtatet ambienteve klimatike, nuk thyhet kollaj para stuhive. Po kështu, duhet të jetë edhe besimtari i qëndrueshëm dhe i palëkundur, pasi rrënjët e tij i ka të ngulitura thellë në besimin që ka përqafuar. Besimtari duhet të jetë i durueshëm në sprova, fatkeqësi, bela dhe kobe, të cilat përballohen me guxim dhe pa i këputur shpresat te Allahu, duke I ngritur duart drejt Zotit, dhe duke e lutur në të mirë dhe në të keqe.
Palma është e dobishme me gjithçka që ajo ka, me rrënjët, trungun, degët, gjethet, frutat, hijen që lëshon dhe bukurinë e rrallë që ka. Kështu duhet të jetë edhe besimtari musliman, kudo dhe kurdo që ndodhet, ai duhet të jetë i dobishëm për të tjerët, me dijet e tij, moralet, pasurinë, përpjekjet personale, bisedat, ushqimin, veprat, forcën, urdhërimin për mirë dhe ndalimin nga e keqja, bashkëpunimin për vepra të mira dhe devocion, mëshirën, kontaktet dhe solidaritetin me shoqërinë ku jeton.

Palma është durimtare, e urtë dhe bujare. Sa herë që e godet me gurë, ajo të godet me frutat e saj të ëmbël. Kështu duhet të jetë edhe besimtari musliman , zemërgjerë dhe falës duke mos u sjellë padrejtësisht me të tjerët dhe duke mos u hakmarrë ndaj të paditurve. Poeti arab thotë:
Si palma e lartë, askujt mos i mbaj mëri
Me gurë në të qëllofshin, fruta lëshoju ti.

Palma është e tillë që frutat i vilen shumë kollaj edhe nëse është e lartë. I tillë duhet të jetë edhe besimtari, frytet e të cilit vilen kollaj. Ai duhet të ndihmojë të tjerët duke I dashur njerëzit dhe duke u gjendur pranë kur ata kanë nevojë. Në çdo situatë, ai nuk duhet ti braktisi moralet dhe vlerat islame.
Palma ka një prodhimtari të shumtë sipas stinës. Frutat e saj janë të konsumueshme në çdo etapë të prodhimit që kur fillojnë dhe janë jeshile e deri kur thahen e bëhen temër(kështu quhet fruti I hurmës I thatë), ato janë të shijshme në çdo stinë. Ashtu siç palma nxjerr frutat e saj, ashtu edhe besimtari duhet të nxjerrë frutet e tij, që kupton zekatin e pasurisë,sadekatë, ndihmën e jetimave, të varfërit si dhe ndihma e çdokënd që ka nevojë duke e ndihmuar materialisht dhe moralisht.

Besimtari duhet të jetë i disiplinuar bazuar në normat fetare për sa i përket marrëdhënieve me ata që e rrethojnë. Sjelljet dhe moralet e tij duhet të jenë të kontrolluara, duke mos I bërë padrejtësi askujt, ashtu si palma e cila nuk anon njëra pemë tek pema tjetër, por çdonjëra ka hapësirën e vet të respektueshme.
Palma është nga pemët me gjelbërim të përhershëm. Asaj nuk i bien gjethet dhe gjatë gjithë kohës ajo prodhon oksigjenin, siguron ujin etj… I tillë duhet të jetë edhe besimtari. Ai duhet të jetë në lidhje të përhershme me Zotin e tij, të japi rendimente të larta në punë dhe adhurim. Mëshira, adhurimi, punët e mira etj… duhet të jenë pjesë e jetës së besimtarit, pa të cilat nuk mund të kuptohet jeta e vërtetë.
————-
Kështu pra vëllezër musliman , besimtari musliman I mirë është ai I cili I jep rëndësi të tre aspekteve të cilat feja islame është rregullatorja e tyre:
1-Aspekti i besimit të njeriut.
2-Aspekti I marrëdhënieve mes njerëzve.
3-Aspekti i moralit të njeriut.
Po të rregullohet morali, rregullohet jeta, rregullohen marrëdhëniet me Allahun (xh.xh). Ja ky është funksioni i Profetit (a.s), ky është edhe funksioni i Islamit.
E lusim Allahun (xh.sh) t’i zbukurojë moralet tona. Lusim Zotin e gjithësisë të na forcojë moralet tona që ta kalojmë gjendjen e dobësisë tonë me lejen e Tij.
Lusim Allahu (xh.sh) të na dhurojë një shok të mirë, i cili na tregon për mangësitë tona. Lusim Allahu (xh.sh) të na bëjë të thjeshtë, ta dëgjojmë mangësinë dhe gabimin tonë prej kujtdo qoftë edhe prej armikut. Armiku mund të të ndihmojë të njohësh veten tënde.
E lusim Allahun (xh.sh) t’i pastrojë zemrat tona. Lusim Allahun (xh.xh), që ashtu siç ka zbukuruar fytyrat tona, të zbukurojë dhe moralet tona.
O Zot, na udhëzo nga moralet e mira, sepse nuk ka kush na udhëzon drejt tyre përveç Teje. O Zot, largoji prej zemrave tona moralet e ulta, sepse askush përveç Teje nuk mund t’i largojë këto morale të ulta prej nesh.
O Zot na fal ne, fali prindërit tanë, fali të gjithë njerëzit që e duan faljen tënde. O Zot fali gabimet tona, ata që duken dhe ata që nuk duken, gabimet e mëdha dhe gabimet e vogla. Ata që i dimë vetëm ne dhe Madhështia jote.
O Zot na mëshiro ne dhe prindërit tanë, na mëshiro sa jemi gjallë, na mëshiro kur të vdesim, na mëshiro kur të dalim para Madhështisë tënde. O Zot, rëndoje peshoren tonë me morale të mira, rregulloji moralet e muslimanëve dhe shoqërinë ku jetojnë muslimanët.
—–Amin—–
Shtoni salevatet mbi Profetin tonë Muhamedin a.s pasi Allahu I Lartësuar na ka urdhëruar duke thënë:
(إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا) [الأحزاب:56].
{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}.

Përgaditi: Petrit Zharova