Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar muslimanë!
Ibadet do të thotë devotshmëri, besnikëri, lutje, adhurim. Ibadeti përkufizohet me këto fjalë: Ibadeti është emër përmbledhës që përfshin çdo gjë që e do dhe është i kënaqur Allahu i Lartësuar, qofshin ato fjalë apo vepra të jashtme apo të brendshme.

E gjithë jeta e besimtarit është ibadet, ai adhuron Allahun në xhami, në shtëpi, në treg, në punë, në çdo vend. Ibadeti i ka dy sharte (kushte, kondita) bazë të vlefshmërisë. Ato janë:
1. Sinqeriteti
2. Pëlqimi dhe përputhja me fjalën e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij.

Kësaj radhe nuk do të flasim për shartet e ibadetit, por do të ndalemi te ruknet e ibadetit, shtyllat qendrore dhe themelore të adhurimit. Ibadeti ngrihet dhe qëndron mbi tri shtylla qendrore (rukne). Ato janë:
1. Dashuria
2. Shpresa
3. Frika
Në vazhdim do të ndalem në pika të shkurtra në këto tre kushte bazë.

Shtylla e parë: Dashuria
Dashuria është ndjenja e fuqishme dhe e thellë që të duash me gjithë zemër duke mos kursyer asgjë, duke shprehur dashamirësinë e përzemërt në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar. Kjo dashuri përcakton lidhjen mes robit dhe Allahut Fuqiplotë. Dashuria është një begati që nuk e dinë ata të cilët nuk e kanë shijuar.

Të kujtojmë se dashuria e Allahut të Lartësuar është që robin e Tij ta udhëzojë dhe drejtojë në dashurinë e plotë ndaj Tij, në atë dashuri që nuk krahasohet me asnjë dashuri tjetër. Allahu i Lartësuar thotë:

إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ سَيَجْعَلُ لَهُمُ الرَّحْمَنُ وُدّاً
“Vërtet se ata që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, i Gjithëmëshirshmi do të dhurojë dashuri për ta (në zemrat e besimtarëve).”1

 

قُلْ إِن كَانَ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَآؤُكُمْ وَإِخْوَانُكُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ وَعَشِيرَتُكُمْ وَأَمْوَالٌ ٱقْتَرَفْتُمُوهَا وَتِجَارَةٌ تَخْشَوْنَ كَسَادَهَا وَمَسَاكِنُ تَرْضَوْنَهَآ أَحَبَّ إِلَيْكُمْ مِّنَ ٱللَّهِ وَرَسُولِهِ وَجِهَادٍ فِي سَبِيلِهِ فَتَرَبَّصُواْ حَتَّىٰ يَأْتِيَ ٱللَّهُ بِأَمْرِهِ وَٱللَّهُ لاَ يَهْدِي ٱلْقَوْمَ ٱلْفَاسِقِينَ
“Thuaju (O Muhamed): “Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, të afërmit tuaj, pasuria që ju e keni fituar, tregtia që frikësoheni se do të dështojë dhe vendbanimet tuaja ku ju gjeni kënaqësi, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij, më të dashura se përpjekja dhe lufta për Çështjen e Allahut, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin fasik (kryeneç, të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).”2

 

قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ ٱللَّهَ فَٱتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ ٱللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَٱللَّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
“Thuaj (O Muhamed): “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua (pranoni Islamin, ndiqni Kuranin dhe Sunetin), Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.”3

Ndërsa Muhamedi alejhi selam thotë:

ثَلَاثٌ مَنْ كُنَّ فِيهِ وَجَدَ حَلَاوَةَ الْإِيمَانِ: أَنْ يَكُونَ اللَّهُ وَرَسُولُهُ أَحَبَّ إِلَيْهِ مِمَّا سِوَاهُمَا، وَأَنْ يُحِبَّ الْمَرْءَ لَا يُحِبُّهُ إِلَّا لِلَّهِ، وَأَنْ يَكْرَهَ أَنْ يَعُودَ فِي الْكُفْرِ كَمَا يَكْرَهُ أَنْ يُقْذَفَ فِي النَّار.
“Tek ai i cili gjenden tri gjëra ka shijuar ëmbëlsinë e imanit (besimit): ta dojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdo gjë, ta dojë një njeri vetëm për Allahun dhe të urrejë kthimin në mosbesim ashtu siç e urren hedhjen në zjarr.”4
Të nderuar besimtarë!
Dashuria ndaj Allahut është njëra ndër shtyllat qendrore të ibadetit (adhurimit). Është obligim për besimtarin që ta dojë Allahun, t’i pranojë urdhrat e Tij, t’i zbatojë mësimet e Tij, të urrejë çdo gjë që urren Ai.
Dashuria ndaj Allahut të Lartësuar nuk është vetëm një thirrje, pretendim, pohim, kërkesë, deklaratë që shprehet vetëm me gjuhë, por duhet të dëshmohet edhe në vepër. Duhet të mësojmë se kjo dashuri ndaj Allahut nuk është normale si ndaj çdo gjëje tjetër. Kjo dashuri nuk i ngjason dashurisë që përcillet me mëshirë dhe dhembshuri. Kjo dashuri nuk është e njëjtë si dashuria e prindit ndaj fëmijës ose si dashuria vëllazërore. Ajo është dashuri e veçantë që manifeston adhurimin, përkushtimin, devotshmërinë, përuljen ndaj Allahut të Lartësuar dhe kjo dashuri nuk guxon të manifestohet tek askush tjetër pos Allahut.

Shtylla e dytë: Shpresa
Shpresa është ndjenja e dëshirës në përmbushjen dhe arritjen e qëllimit të faljes dhe mëshirës nga Allahu i Lartësuar. Me fjalë të tjera ajo do të thotë: etje, dëshirë, synim për të arritur shpërblimin e Allahut, faljen e Tij dhe duke pritur mëshirën e Tij.
Muslimani obligohet që ta adhurojë Krijuesin e tij me dëshirën për shpërblim dhe duke u penduar në rast mëkatimi dhe duke shpresuar dhe synuar faljen e Tij. Allahu i Lartësuar thotë:

فَمَن كَانَ يَرْجُواْ لِقَآءَ رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلاً صَالِحاً وَلاَ يُشْرِكْ بِعِبَادَةِ رَبِّهِ أَحَدَاً
“…kushdo që shpreson për takimin me Zotin e tij, le të punojë mirësi e drejtësi dhe të mos i bashkojë askënd për shok në adhurim Zotit të tij.”5

 

أَمَّنْ هُوَ قَانِتٌ آنَآءَ ٱلَّيلِ سَاجِداً وَقَآئِماً يَحْذَرُ ٱلآخِرَةَ وَيَرْجُواْ رَحْمَةَ رَبِّهِ قُلْ هَلْ يَسْتَوِي ٱلَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَٱلَّذِينَ لاَ يَعْلَمُونَ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُوْلُواْ ٱلأَلْبَابِ
“A është ai i cili është i nënshtruari i Allahut, i cili bie në sexhde e qëndron në falje gjatë orëve të natës duke pasur frikë jetën e pastajme dhe duke shpresuar për mëshirën e Zotit të tij (si ai që mohon e nuk beson)? Thuaj: “A janë ata që dinë, njësoj me ata që nuk dinë?” Janë vetëm njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë të cilët me të vërtetë do të përkujtojnë (e do të marrin mësim nga fjalët dhe shenjat e Allahut).”6

 

إِنَّهُمْ كَانُواْ يُسَارِعُونَ فِي ٱلْخَيْرَاتِ وَيَدْعُونَنَا رَغَباً وَرَهَباً وَكَانُواْ لَنَا خاشِعِينَ
“Ata vërtet që ishin që nxitonin të bënin punë të mira dhe gjithnjë na luteshin Neve me shpresë dhe frikë dhe gjithnjë nënshtroheshin ndaj Nesh.”7

Shtylla e dytë: Frika
Frika është një shqetësim i thellë në zemër përpara se njeriu të bjerë në mëkat. Besimtari duhet të shpresojë në faljen e Tij, por në të njëjtën kohë edhe të ketë frikë, trembje, ankth, shqetësim nga dënimi i Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë:

فَلاَ تَخَافُوهُمْ وَخَافُونِ إِن كُنتُمْ مُّؤْمِنِينَ
“..kështu që mos iu frikësoni atyre aspak, por m’u frikësoni vetëm Mua, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”8

فَلاَ تَخْشَوُاْ ٱلنَّاسَ وَٱخْشَوْنِ
“Kësisoj mos kini frikë nga njerëzit, por m’u frikësoni Mua.”9

 

وَإِيَّٰيَ فَٱرْهَبُونِ
“…dhe vetëm Mua m’u frikësoni.”10

Zemra gjatë udhëtimit deri tek Allahu i ngjason apo është në pozitën e shpendit shtegtar. Dashuria luan rolin (pozitën) e kokës, shpresa dhe frika në pozitën e dy krahëve. Nëse zogut i këputet koka, vdes. Nëse i humbin krahët, nuk mund të fluturojë.

Ibadeti ngrihet mbi tri shtylla qendrore (rukne): dashuria, shpresa dhe frika.

 

Allahu im! Na mundëso që ibadetin ndaj Teje ta bëjmë me dashuri, shpresë dhe frikë!

1 Merjem, 96.
2 Teube, 24.
3 Ali Imran, 31.
4 Transmeton Buhariu.
5 Kehf, 110.
6 Zumer, 9.
7 Enbija, 90.
8 Ali Imran, 175.
9 Maide, 44.
10 Bekare, 40.

 

Ulvi Fejzullahu